Nga Dr.Daut DAUTI

Londër

Cicero, shërbëtori personal i ambasadorit britanik në Ankara, është karakterizuar si personi që krijoi operacionin më të suksesshëm të spiunimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Cicero, që ishte emri i koduar i Ilaz Baznës, një shqiptar i lindur në Prishtinë, ka furnizuar gjermanët me një mori sekretesh. Sikur gjermanët të kishin marrë seriozisht dokumentet e furnizuara, Operacioni OVERLORD (përgatitja për D-Day) do të rezultonte ndryshe. Me siguri do të ishte ndryshe edhe rrjedha dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Pas përfundimit të luftës kjo ngjarje pati një jehonë të madhe por që nuk përfundoi me turpërime të mëdha diplomatike për Britaninë dhe nuk u shqiptuan sanksione apo dënime të rënda për askënd. Ngjarja u shpreh në tregimin e Moyzitsch-it, i cili nga ambasada gjermane u mor me dokumentet. Moyzitch, menjëherë pas luftës botoi librin “Operation Cicero”. Menjëherë pas këtij libri, u lajmërua vetë Cicero (Ilaz Bazna) dhe botoi variantin e tregimit te vet në librin: “ I was Cicero”.

Nuk vonoi shumë dhe u xhirua edhe filmi me këtë tematikë që pati jehonë të madhe. Filmi “Five Fingers” u xhirua më 1952 ku rolin e Ciceros (Ilaz Baznës), e luajti aktori shumë i njohur, James Mason.
Deri para pak kohesh kjo ngjarje u fol e u përfol duke u bazuar në këto dy botime dhe në filmin që pati shikueshmëri të madhe. Por, një pyetje që bëhej shpesh, ishte: sa janë të vërteta këto tregime dhe cila ishte prapaskena apo prapavija e kësaj ngjarje? Asnjëherë nuk është ditur qëndrimi zyrtar britanik pasi që çështjet e sigurisë në Britani të Madhe nuk komentohen zyrtarisht.
Tashti, pas bërjes publike të shumë dokumenteve, kjo punë gati tërësisht është bërë e qartë. Për Operacionin Cicero, dosjeve të shumta iu është hequr embargoja shumë vjeçare. Janë hapur një mori dosjesh nga MI5, MI6, Arkivi Nacional, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme Britanike. Brenda këtyre dosjeve që u mbajtën sekrete për shumë kohë, ekzistojnë edhe dosjet gjermane që janë arkivuar për këtë rast në Berlin. Aty gjenden edhe shënimet e përkthyera në gjermanisht nga Maria Molkenteller, që kanë të bëjnë me rastin Cicero.
Ilaz Bazna kishte punuar nga tetori i vitit 1943 deri në mars të vitit 1944 si shërbëtor personal i Sir Knatchbull-Huggessen-it, ambasador i Britanisë së Madhe në Republikën e Turqisë. Duke e shfrytëzuar nivelin e ulët të sigurimit në ambasadë, Bazna ka qenë në gjendje të fotografoj dokumentet, nga më sekretet, të cilat ia shiste ambasadës gjermane në këtë shtet. Gjermanët, në komunikimin zyrtar, e regjistruan Baznën me emrin Cicero. Me këtë emër u quajt edhe i tërë operacioni.
Hapjet e dokumenteve të reja tregojnë për detajet e operacionit të cilat sot mund të cilësohen si të pabesueshme. I pabesueshëm është fakti se si ambasada britanike kishte funksionuar me një siguri aq të ulët sa që ishin krijuar raste të cilat i kishte shfrytëzuar shërbëtori i zhdërvjelltë i ambasadorit. Dokumentet flasin se operacioni që ndodhi gjatë disa muajve u ndriçua në tërësi vetëm pas përfundimit të luftës. Autoritetet e sigurimit shtetëror britanik e mësuan emrin e operacionit (Operacioni Cicero) dhe themeluan identitetin e Ciceros gati tri vite pas ngjarjes. Britanikët i kuptuan detajet e rrjedhës së kësaj ngjarje që u mblodhën vetëm pas marrjes në pyetje të disa zyrtarëve gjermanë që ishin të përfshirë në këtë operacion. Shërbimi Sekret Britanik (MI5) përpiloi një raport vetëm pasi që mori në pyetje Ludwig Moyzisch-in, Maria Molkenteller-in, Walter Schellenberg-it, i cili ishte epror përgjegjës i Sigurimit Policor të SS dhe komandantit të Armatës VI gjermane. Informata tjera të dobishme ishin mbledhur edhe nga marrja në pyetje e përgjegjësit të SS, Ostuf Schuddekopf, i cili në ambasadën gjermane kishte shërbyer si udhëheqës i Sektorit për Britaninë.
Përgjigjet që i kishte dhënë Schuddekopf konsiderohen më të besueshmet pasi që ky ishte njeriu më përgjegjës për Operacionin Cicero. Nga të gjitha këto intervista, dhe nga fakte tjera, është përpiluar një raport zyrtar nga ku del një ngjarje që fare pak është e ngjashme me atë që lexohet në librin e Moyzisch-it, në atë të Baznës, si dhe në ngjarjen e filmit që është punuar nga skenari holivudian.
Dokumentet, po ashtu, bëjnë me dije se në janar të vitit 1944, autoritetet e shërbimit sekret britanik, kishin rënë në gjurmë të spiunimit dhe kishin bërë disa kurthe për zënien e spiunit, por e tërë kjo ishte bërë pa lejen dhe pa dijeninë e Sekretarit të Jashtëm Britanik.
Me 17 janar 1944 britanikët, nga burimet e tyre sekrete, morën informata se ambasadori gjerman, von Papen, po merrte dokumente të rëndësishme nga burimet britanike. Një lajm i tillë i tronditi rëndë përgjegjësit e sigurimit dhe udhëheqjen e lartë qeveritare në Londër. Për këtë u informua Winston Churchill, i cili menjëherë e lajmëroi presidentin e SHBA-ve, Franklin D. Roosevelt, për seriozitetin e kësaj çështjeje. Sir Churchill urdhëroi të ndërmerren masa dhe Foreign Office, pa u vonuar, dërgoi në Ankara Sir John Dashwood-in, për të hulumtuar rastin. Operacioni kundërzbulues ishte i karakterit aq të ngushtë sa që nuk ishte informuar as Ministria e Luftës, siç e kërkonte ligji. Dashwood kishte përpiluar një urdhëresë të falsifikuar kinse operacioni ishte autorizuar nga Sekretari Shtetëror Anthony Eden. Ishte falsifikuar edhe nënshkrimi i sekretarit shtetëror i cili për këtë veprim kishte mësuar pas disa viteve. Dokumentet flasin për detajet tjera të cilat edhe në filmat më spektakular të ditëve të sotshme janë të pa imagjinuara.
E mira e tërë kësaj punë është që nazistët gjermanë, duke mos i besuar spiunit të tyre Cicero, nuk i kishin shfrytëzuar këto dokumente me informata që kishin vlerë të jashtëzakonshme. Ambasadori gjerman në Turqi, Von Papen, me siguri ka kruar kokën duke e mallkuar veten dhe përgjegjësit në Berlin që nuk iu besonin këtyre dokumenteve me vlerë aq të madhe jo vetëm për ta por edhe për rrjedhën e tërë Luftës së Dytë Botërore. Ka qenë vetëm një detaj në të cilin kanë besuar gjermanët dhe i cili i ka gëzuar. Nga këto dokumente është pa qartë se aleatët nuk kanë ndonjë plan për të zbarkuar në Ballkan dhe ky fakt për llogarinë e gjermanëve ka qenë një ndihmë e madhe.
Viktima e parë, dhe e vetme siç duket, ka qenë ambasadori Sir Knatchbull-Hugessen, të cilit i është dëmtuar dukshëm reputacioni që e gëzonte si një diplomat superior dhe si aristokrat në zë. Ai, gjatë tërë jetës ishte munduar ta arsyetonte veten për neglizhencën e tij në Ankara. Mbajtja e dokumenteve në embargo me siguri se i ka ndihmuar shumë ambasadorit në publik, por jo në qarqet e ngushta zyrtare të cilat kanë mund të jenë në dijeni me përmbajtjen e raportit ekzistues që kishte karakter të shfrytëzimit të ngushtë të brendshëm.
Sir Knatchbull-Hugessen në shtator të vitit 1944 ishte transferuar nga Ankaraja në Bruksel. Në Raportin Dashwood ishte konstatuar se Knatchbull-Huggessen me neglizhencën e tij kishte krijuar faktorin kontribuues të thyerjes së sigurisë në ambasadë. Qeveria britanike e mori vesh këtë skandal në fund të vitit 1945 kurse publiku i gjerë u njoftua pas 5 viteve, më 1950 kur Moyzisch botoi librin e tij. Pas daljes në dritë të këtij libri, në Parlamentin Britanik, më 18 tetor, deputeti W.S. Shephard, i kishte bërë pyetje sekretarit të jashtëm në lidhje me skandalin. Ernest Bevin, sekretar i jashtëm, ishte përgjigjur:
“Shërbëtori personal i ambasadorit ka pasur sukses në fotografimin e një numri të dokumenteve tejet sekrete në ambasadën tone, dhe këto dokumente, të filmuara, ua ka shitur gjermanëve. Ai nuk do të kishte mundësi ta bënte këtë sikur ambasadori ynë t’iu ishte përmbajtur rregullave të cilat përcaktojnë menaxhimin dhe kujdesin për dokumentet sekrete”.
Në vazhdën e aktivitetit për shfajësim, më 1964 Knatchbull-Hugessen i ka dërguar Foreign Office-it një memorandum ku mes tjerash shkruan për variantin e tij të ngjarjes ku merr përgjegjësi për skandalin, por duke kërkuar nga zyrtarët që memorandumi të mos publikohej. Aktiviteti për shfajësimin e ambasadorit vazhdoi edhe pas vdekjes së tij. Sir Charles Mott-Radclyffe, një mik i ngushtë i Knutchbull-Haggessen-it, dhe deputet në Parlamentin Britanik, me 2 prill të vitit 1971, i shkruan sekretarit të shtetit, Sir Denis Greenhill-it, duke kërkuar që të ndërmerret ndonjë hap zyrtar që do ta paraqitke të pastër ish ambasadorin britanik në Ankara. Përgjigjja e sekretarit të shtetit ishte:
” Sido që ishte situata, e vërteta është se armiku nuk ka pasur sukses vetëm pasi që nuk ka pasur besim”. Me fjalë tjera, neglizhenca e Knatchbull-Haggessen ishte aq e madhe sa që nuk kishte vend për t’ia falur gabimin që do t’ia kthente reputacionin që kishte më parë.
Nga dokumentet shihet se Operacioni Cicero është një dështim i turpshëm i sigurimit në një pikë të diplomacisë britanike, për të cilin britanikët do të preferonin të mos flasin. Njeriu që turpëroi jo vetëm ambasadorin por edhe sigurimin e famshëm britanik nuk ishte askush tjetër pos një mashtrues par exscellence nga Prishtina i cili ishte shpërngulur në Ankara duke e ditur se ky qytet i ofron hapësirë dhe raste të mëdha për veprimtarinë e tij.
Në nivel të detyrës nuk ishin as nazistët gjerman të cilët kurrë nuk besuan që dokumentet ishin të vërteta. Ilaz Bazna ishte i vetmi që kreu punën e spiunit ashtu siç duhet. Por, Bazna, si mashtrues që ishte, edhe përfundoi si i tillë. Kishte marrë para të mëdha nga gjermanët, por nuk pati mundësi t’i shfrytëzonte pasi që ishin të falsifikuara. Një njeri që pati në duar fatin e historisë së tërë Luftës së Dytë Botërore, përfundoi si i parëndësishëm. Ilaz Bazna – CICERO, vdiq në vitet e 70’ta si recepsionist në një hotel diku në një qytet të Gjermanisë.

Daut Dauti

(Autori është publicist dhe shkrimtar i njohur, ndërsa ka doktoruar për Histori në University of Leeds, Angli)

Facebook Comments