Nga Erl KODRA

◾◾◾

“Për të gjithë ata që ende dëshirojnë të flasin për njeriun, për sundimin e tij ose për çlirimin e tij, për të gjithë ata që ende pyesin veten se çfarë është njeriu në esencën e tij; të gjithë atyre që dëshirojnë ta marrin atë si pikënisjen e tyre në përpjekjet për të arritur të vërtetën, për të gjithë ata që, nga ana tjetër, i kthejnë të gjitha njohuritë mbrapa të vërtetave të njeriut, të gjithë atyre që refuzojnë të formalizohen pa antropologjizëm, të cilët refuzojnë të mitologjizohen pa demistifikim, të cilët refuzojnë të mendojnë menjëherë, duke menduar se është njeriu që po mendon, për të gjitha këto forma të shtrembëruara dhe të përdredhura të reflektimit, ne mund të përgjigjemi vetëm me një qeshje filozofike – që do të thotë, deri diku, një heshtje. ”
Michel Foucault, “Rendi i gjërave- Arkeologjia e Njeriut”

Ndërsa mendoja i bindur se ka diçka që nuk shkon në retorikën e rëndomtë që përçohet pa kriter, në ndihmë më erdhi Michel Foucault. Unë e dija- sepse unë nuk jam aq naiv- se rendi i gjërave është ndryshe, me siguri jo ky që përflitet, çuditërisht fort, habitshëm dhe me frekuenca të larta, gjithandej. Kjo do të thotë se, përtej fjalëve që përdoren dhe keqpërdoren qëllimisht për qellime të tjera, të ndyshme nga kuptimi i parë, madje me disa shtresa që mveshin dhe tjetërsojnë thelbin.

Rendit të gjërave, këtu nuk është fjala për “The Order of Things”, po u qartësohet kuptimi se pse ndodhin ashtu siç kanë ndodhur, ndërkohë që po zhdukej kufiri i kuptimësisë se pse njerëzit jetojnë bashkarisht me të ngjashmit e tyre, me ata që ndajnë të njëjtën gjuhë dhe gjen. Rendi i gjërave duhej të ishte tjetër, krejt tjetër domethënë, i ndryshëm nga çfarë ka ndodhur, çuditërisht me shqiptarët, dhe jo vetëm me shqiptarët.

Në fillim po shihnim rrotull a ishte reale liria. Pickonim veten nga mosbesimi ngaqë muret u shembën, prangat u thyen, telat u këputën, ndërkohë që ia bëhu liria trallisëse, e ngjashme me një grua të re që shfaqet papritur, shpengueshëm dhe drithëruese për ëndërrat djaloshare. Atëbotë ne ishim naivë, të gjymtuar nga izolimi, ca qenie aliene me trauma. Në ato rrethana nuk mundëm dhe nuk ditëm se rendi i gjërave duhej të ishte tjetër, domethënë, liria që erdhi ishte një lloj pasqyre që po u dhurohej indigjenëve shqiptar të izoluar nga pjesa tjetër e njerëzimit, dhe nuk ishte ashtu siç duhej, qartësisht e pastër, me dhe për qëllime të mira.

Ne ngatërruam rendin e gjërave, filluam të ndërtojmë çatinë para themeleve, nga padija dhe pamundësia, sigurisht.

***

Në botën që njohim ka disa gjëra që nuk ndryshojnë kurrë. Ne i marrim të mirëqena, pa e vrarë mendjen se pse është pikërisht kështu, edhe pse ia vlen mundimi. Ne nuk tentojmë të hyjmë më thellë se sa mendja na lejon, domethënë, të kuptojmë se çfarë fshihet matanë fjalëve që llamburijnë. Cili është qëllimi që përsëriten të njëjtat gjëra, tash e 30 vjet? Si qemë aq naiv dhe nuk e kuptuam kurrë, se në krye të punëve duhen qenie humane, të paqta dhe njerëzore? Si mundëm të pranojmë tragjikisht të keqen, ta rrisim, ta ushqejmë, ta fuqizojmë aq shumë? Si mundëm të rendim pas pasurimit, vesit, vjedhjes, kumarit, kurvërisë, mashtrimit, plaçkës, pa kuptuar se në krye të herës, duhet themeluar Rendi i Gjërave? Si mund të vazhdohet jeta, kur orë e çast shteti yt mundet të thyej rregullin, bash atë rregull që Krijuesi ta dhuroi që ditën që linde?

***
Pika e thyerjes erdhi. Rendi i Gjërave po rregullohet vetiu, pavarësisht çmimit të lartë që po paguajm. Tre dekada më parë, ne ëndërrimtarët e pandreqshëm iu dhamë me gjithçka lirisë, pa kuptuar se asgjë nuk është falas. Universi e ka rregulluar Rendin në krye të herës me Ligjin e Gravitetit; ngrehina përçudënuese që ne e quanim “shtet” po bie nga pesha e vet. Zullumi i trashur i një perversi dallkauk dhe djallëzor e përshpejtoi vet-rregullimin. Ai që ndodhet në majë, nesër do varroset nën gërmadhat që ndërtoi me përdhunë dhe mashtrim.

Nekrologjinë e tij e lexoi Lulzim Basha me 28 Qershor 2019, ora 22:00.

Ju lutem, thjesht tregoni kujdesin e nevojshëm kur të shemben gërmadhat.

Facebook Comments