Nga Red VARAKU

◾◾◾

Kriza shqiptare është së pari krizë mendimi. Ajo është kryesisht pasojë e mungesës së një vizioni të ri kombëtar.

Vizionin kombëtar në një shoqëri moderne, nuk mund ta ndërtojë askush përveç atyre që njihen ndryshe si intelektualë publikë.

Por, në Shqipëri, që prej Rilindjes së vërtetë,intelektualët publikë janë pothuajse zhdukur. Një pasojë e dretpërdrejtë e genocidit komunist, i cili nuk i kurseu as ata dhe as familjet e tyre.

Në fakt, mungesa e tyre është edhe trashëgimia më e keqe, që na la pas regjimi i egër komunist, që me ç’duket në mungesë të kësaj drite, është futur thellë në nënvetëdijen e këtij populli.

Ata u zëvendësuan me një lloj ‘intelektuali’ tjetër, që dikur njihej si ‘njeriu me shkollë’.

Një përbindësh që, jo vetëm ‘nuk e kundërshton të keqen’, por kthehet në mbrojtës fanatik të saj.

Një lloj krimbi i cili, në vend që ta kundërshtojë pushtetin, konformohet dhe shërben si noter i krimeve të pushtetit. Kjo është mbase trashëgimia më e keqe, që na la pas regjimi komunist.

Këta krimba janë të gjallë, plot energji dhe optimistë, ata nuk merakosen për dinjitetin e askujt, aq më pak për dinjitetin e tyre.

Ndërkohë,E Vërteta, E Drejta dhe Liria janë si monedha, të cilat i shkëmbejnë për bukën e përditshme, mirëqenien materiale.

‘Njerëzit me shkollë’, duke qenë se janë frikacakë të lindur, për shkak të besnikërisë dhe vartësisë, që kanë ndaj suksesit dhe pushtetit, ulin kokën dhe i puthin dorën e pisët padronit të rradhës.

Ata ,për shkak të frikës nga humbja e bukës, që buron nga pushteti, bëjnë kompromis edhe me diktatorët më të pamëshirshëm.

Për ta është e thjeshtë; një dorë që të ushqen, duhet ta puthësh.

Regjimi inkurajonte dijen shkencore dhe rolin e ‘Intelektualit’ në fakt, ia dha ‘njeriut me shkollë’, i cili thjesht kishte krijuar një fizionomi mesatare dhe mediokre në shkencë.

Kështu ndërtoi një armatë të tërë ‘njerëzish me shkollë’, që u shndërruan në gardianët më gjakatarë të injorancës dhe regjimit.

Ata shërbenin edhe në skutat më të largëta të vendit. Ishin njëkohësisht edhe antarë të forumeve më të larta të Partisë. Traditë që, fatkeqësisht, vijon edhe sot e kësaj dite.

Garda e ‘njerëzve me shkollë’ ri-aktivizohet sa herë që regjimi ka nevojë për të, edhe sot e kësaj dite për të legjitimuar masakrën e radhës.

Dominimi i skenës politike akoma nga ky model, në fakt tregon edhe varfërinë intelektuale, shkretëtirën morale ku ndodhet shoqëria shqiptare.

Një shoqëri që ka hequr dorë plotësisht nga E Vërteta, Liria dhe nga vlerat e brendshme njerëzore.

Ata janë shndërruar në ‘kafshë’, që përllogarit me gjakftohtësi interesa nga më ordineret dhe për këtë janë gati të shkelin këdo dhe të shesin gjithçka.

Ata janë ‘gjithmonë gati’!

Facebook Comments