Nga Xhulia MEMA

◾◾◾

Është e frikshme të mendosh se kanë kaluar 30 vjet nga rrëzimi i diktaturës, dhe t’i shohësh fantazmat dhe skeletet e saj të fshehura të vallëzojnë përreth nesh me të njëjtën gjallëri si dikur. Akoma më e frikshme duhet të jetë për brezat që patën fatin e keq t’a jetojnë këtë periudhë të errët , të cilët pushtohen nga deja vu dhe kujtime të hidhura me çdo vështrim që hedhin mbi realitetin e tanishëm. Disa të tjerë përkunden në nostalgji të pashpjegueshme… Është e vështirë të besosh se nuk jemi në ‘45-ën, në ‘75-ën dhe as në ‘90-ën, por në vitin 2019. Në epokën e artë të teknologjisë dhe komunikimit, dhe në pikun e disinformimit dhe apatisë shoqërore.

Shteti, shoqëria dhe hibridi i keq i demokracisë dhe despotizmit që trashëguam nga prindërit tanë, shumë prej tyre studentë të Dhjetorit ’90, janë duke u krisur dhe rrëzuar përpara syve tanë. Kërcitjen e bullonave dhe shtyllave të strukturës që po bie po e dëgjojmë prej muajsh – edhe vitesh, ndoshta, sikur të kishim qenë pak më të vëmendshëm. Kthetrat e së shkuarës janë ngulur thellë në të, dhe ndërkohë që e shkuara kalbet dhe vdes, sepse kjo ndodh gjithmonë herët ose vonë, kalbet dhe vdes edhe vetë struktura. Kjo e fundit po na bie mbi kokë. E shkuara po na shkatërron tani, ashtu siç u përpoq të na shkatërronte atëherë, dhe kjo është gjëja e fundit që ne meritonim: të shtypeshim nën barrën e gabimeve të mëparshme, 30 vjet më vonë.

E megjithatë, edhe pse e vështirë për t’u besuar, nuk është kjo e keqja absolute. Ajo që na sjell me të vërtetë fundin janë idetë, mësimet dhe këndvështrimet helmatisëse që lindi e shkuara. Ato janë rrënjosur thellë në mendjet tona dhe refuzojnë të largohen nga aty, sepse jemi ne që vazhdojmë të kapemi fort pas tyre sikur jeta jonë të varej prej tyre. Gjyshërit tanë refuzuan t’i lëshojnë, prindërit tanë u përpoqën por nuk ia dolën plotësisht, dhe tani na ka mbetur ne, të rinjve, të ri-përjetojmë pasojat e kësaj katastrofe të heshtur që ndodhte në mendjet tona pa u kuptuar. Në thellësinë e një mendjeje, tiranët gjejnë strehën që u garanton jetëgjatësinë. Ndonjëherë, edhe përjetësinë.

Nuk e largojmë dot diktaturën, sepse e kemi gëlltitur atë. Ajo vazhdon të jetojë brenda nesh, si një trup i huaj me autonominë e vet, i cili ende nuk është metabolizuar. Pavarësisht kurajës dhe qëndresës që tentojmë të përcjellim, me shpresën se një ditë do t’a shfarosim plotësisht, ajo mbetet po aty, e fortë dhe e patundur.

Njeriu i Ri është krijuar, brumosur, trashëguar, dhe ne mund t’a shohim atë në pasqyrë.

Në fasadën e saj të ndritshme dhe ftuese, diktatura komuniste tha se do të na mësonte të përbashkëtën, vëllazërinë apo barazinë. Në të vërtetë, dhe mjaft ironikisht, ajo na mësoi të pajtohemi me varfërinë dhe kufizimin, na mësoi urrejtjen, zilinë dhe tradhëtinë ndaj familjarit apo fqinjit, dhe shkriu tërësisht lidhjet shoqërore ndërmjet nesh. Na bëri të besojmë se nuk ka mjaftueshëm për të gjithë, dhe se, me t’u çelur kangjellat, duhet të nxitonim të rrëmbenim çdo burim që gjenim, para se t’a bënte dikush tjetër. Na ktheu në qenie të uritura, të pangopura, të frikësuara për të nesërmen. Kanibalë, për hir të mbijetesës.

Diktatura na mësoi terrorin dhe nënshtrimin ndaj autoritetit. N’a mësoi se një njeri i çfarëdoshëm, i dëgjuar në radio apo parë në televizor, me aftësinë për të luajtur ndjenjat tona, mund të komandojë vullnetin dhe ekzistencën tonë, pa iu dashur të dalë nga zyra/vila e tij në qendër të kryeqytetit. Na vuri përjetësisht në kërkim të liderit shpëtimtar, liderit të plotfuqishëm, liderit-baba. Liderit që kërkon t’a ketë tepsinë, tenxheren apo xhezvenë të gjithën për vete, se pastaj di vetë ç’bën – dhe bën ç’di vetë. Na mësoi të adhuronim shtypësit tanë. Na mësoi të përbuznim – apo më keq, të harronim – viktimat e tyre më të përvuajtura. Na mësoi si t’a zhveshim veten nga liritë me të cilat lindim, nga përgjegjësitë që kemi për të ndërtuar shtetin e shoqërinë, duke i flakur të gjitha nën këmbët e liderit, që ai t’i shkelë dhe keqpërdorë vazhdimisht.

Pastaj, na mësoi se nuk ka rëndësi sa herë e godet zgjedhën apo murin izolues, me sa forcë apo me sa njerëz të tjerë, sepse ato nuk pësojnë asnjë krisje, madje rigjenerohen. Na mësoi pashpresshmërinë dhe pafuqishmërinë. Na bindi se gjithçka që ndodh, ndodh pavarësisht asaj që bëjmë për t’a penguar.

Duke reflektuar mbi të shkuarën, çfarë mund të themi se ka ndryshuar vërtet, kur të gjitha këto ide të vjetra po pengojnë burimin dhe qarkullimin e atyre të rejave? Është e njëjta botë monokromatike, i njëjti moçal, e njëjta rrënojë, tashmë e betonizuar me paratë e ushqimit dhe shkollimit tonë. Si munden të rinjtë të prodhojnë diçka përparimtare, me materiale të lashta, të ndryshkura dhe të papërdorshme? Si mundemi ne të sjellim motivimin dhe ndryshimin në shoqëri, kur nuk arrijmë të gjejmë një copë vend as për të ekzistuar brenda saj? A është vërtet kaq e çuditshme dhe zhgënjyese që po zgjedhim të largohemi, të pastrehë brenda shoqërisë sonë, pa hapësirë për të bërë diçka për këtë?

A mund të ketë ndonjëherë paqe, stabilitet apo progres për ne, pa nxjerrë në dritë të shkuarën? Pa e kujtuar atë në të gjithë shëmtinë e saj? Pa e vrarë dhe varrosur përfundimisht?

Duket pak përballë gjithë problemeve që kemi, por si një studente të cilës i duhet të zgjedhë mes mbijetesës fizike dhe ushtrimit të vullnetit personal, e cila në mendje ka vazhdimisht largimin nga vendi përballë një tabloje të tillë, #edheunë refuzoj të marr pjesë në zgjedhje moniste, sepse refuzoj të jem faktor në përsëritjen e historisë dhe gabimeve të paraardhësve tanë. Refuzoj të sedatohem nga propaganda e liderit uzurpues dhe enukëve të tij të vegjël. Refuzoj të lejoj frikën dhe pasigurinë të më drejtojnë. Refuzoj të jem e verbër ndaj zgjidhjeve dhe alternativave, sepse tiranët duan të na bëjnë të besojmë se nuk ka aspak të tilla. Refuzoj të marr pjesë në ciklet dhe rrathët viciozë në të cilat jemi mbyllur nga tiranët tanë.

#edheunë

Facebook Comments