Nga Prof. Dr. Haqif MULLIQI

◾◾◾

Nga fundi i vitit 1942 dhe me fillim në vitin 1943, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) nisi që me seriozitet ta shqyrtonte edhe çështjen e Ballkanit, e ne këtë kuadër edhe atë shqiptare. Në këtë periudhë, FO-ja, përpos se po merrej me shqyrtimin e materialeve të arkivosura dhe atyre që po arrinin nga terrenet nga misionarët që i kishte shpërndarë nëpër tërë Ballkanin, materiale këto që po ekzaminoheshin nga ekspertët më të shquar britanik, ajo ngjeshure shqyrtonte dhe analizonte edhe materiale nga proveniencat e ndryshme, për çështje të ndryshme, të hapura, ndër të cilat, mbase, çështja shqiptare ishte më delikatja. Kështu, në këtë periudhë, kjo ministri, në mënyrë intensive, është marrë edhe me studimin e vizioneve, koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve lidhur me heshtjet e të shkuarës por edhe të të ardhmes së Shqipërisë, dhe Kosovës, gjë që mund të konsiderohet edhe si një përpjekje mbase që qeveria e këtij vendi të madh dhe me influenca ndërkombëtare ta kristalizojë një qëndrim të qartë ky vend dhe diplomacia e saj lidhur me çështjen e cila vazhdon të jetë më të ndjeshmet edhe sot e kësaj dite.

• Ekspertët britanik mendonin se në luftën e dytë botërore kufijtë etnik u njësuan me kufijtë politik

Çështja e Kosovës ishte një prej çështjeve më problemore në tavolinat e diplomacive të mëdha qё nga Luftat ballkanike dhe ndarja e saj nga Shqipëria kur edhe u krijua një debalanc i madh ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të të tyre hegjemon dhe grabitqar. Ndërsa, krizat e mëdha, Lufta e Parë Botërore, e sidomos ajo e dyta e aktualizuan rishtazi këtë çështje, duke vënë si sfidë për diplomacinë perëndimorë çështjen shqiptare në Përgjithësi si dhe atë të Kosovës në veçanti. Në veçanti të angazhuar rreth kësaj çështjeje ishin diplomatët britanik, duke përfshirë këtu qeverinë e Vinston Çerçil si dhe kabinetin e Mbretit Xhorxh të V-të.
Lidhur me çështjen e Shqipërisë, problem të veçantë paraqiste fakti se Shqipëria ishte aneksuar nga Italia dhe e kishte humbur pavarësinë në këtë mënyrë. Amerikanët e mbështetni pavarësinë e Shqipërisë, Moskën e shqetësonin veprime të grupeve partizane në Ballkan, të cilat, në fillim të organizmit kundër pushtuesve kishin bërë veprime të cilat nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik ishin cilësuar si të papranueshme dhe tejet nacionale, kështu që, së andejmi, arriti një direktivë për të gjitha partitë komuniste në jug të Evropës, që t’i shtypin ndjenjat nacionaliste, veçanërisht brenda radhëve të tyre.
Sipas britanikëve, kjo kishte ndikim të madh edhe tek komunistët partizan në Shqipëri dhe, në Pezë, në shtator të vitit 1942, u hapën udhë qё të bëhen ndërlidhje të ngjeshura të marrëdhënieve ndërmjet partive komuniste të Shqipërisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë si sinjal dërguar Moskës se gjërat në Shqipëri po ndryshonin dhe se mund të pritej në fazë e re e rezistencës nazi-fashiste. Ndërsa, pas Pezës, si refleksion i tërë kësaj, edhe me direktiva të Tiranës, gjatë vitit 1943 u formua një organizatë komuniste e cila i jepte llogari Titos, qëllimi i së cilës duket se ishte t’i shtypte ndjenjat anti serbe te shqiptarët e këtushëm të cilët përbënin shumicën absolute në regjion. Në janar të vitit 1944 në Buaj (Veri i Shqipërisë së sotme – Malësi e Gjakovës) u mbajt një kongres në të cilin morën pjesë 52 delegatë, duke përfshirë këtu edhe serbët dhe malazezët si dhe dy deputetë të ish-parlamentit jugosllav ku, u morën disa vendime të cilat ua mundësonin qytetarëve të Kosovës qё, pas mbarimit të luftës, të vendosnin vet se në bashkësi të cilit shtet do të dëshironin të jetonin në të ardhmen. Ishte ky një vendim i cili egërsoi liderët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në veçanti ata të Serbisë.
Para kësaj, meqë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik ia (ri) njohën pavarësinë e Shqipërisë të suprimuar nga Italia fashiste, para dhe pas njohjes së pavarësisë së vendit, Foreign Office, me qëllim të orientimit të qëndrimeve të veta do të kërkojë ndihmë nga edhe nga grupe të ndryshme të ekspertëve të çështjeve ballkanike, nëpër universitet e mëdha të Britanisë së Madhe që në mënyrë të veçantë të trajtonin çështjen shqiptare në Ballkan me të gjitha anët e problemit. Ndaj dhe, pas kësaj u sajuan harta të ndryshme dhe elaborate mbi çështjet qё ndërlidhen me mundësitë e ekzistimit dhe të zhvillimit të Shqipërisë, sidomos pas rrethanave të pandehura qё mund të ndodhnin pas përfundimit të luftës në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë.
Më poshtë në këtë punim do të sjellim disa aspekte nga një dokument kompleks dhe shumëfaqësh të cilin për nevojat e diplomacisë britanike i kanë bërë në atë kohë ekspertë të Universitetit të Oksfordit, konkretisht të Kolegjit për Politika Ndërkombëtare të Baliolit.
Sipas gjetjeve në këtë hulumtim, vërtetë serioz, shohim se, ekspertët britanik parashihnin se, pas përfundimit të luftës dhe armiqësive në Ballkan, Shqipëria do të dalë si shtet i pavarur dhe sovran, porse nuk përjashtoheshin probleme të mëdha të cilat ndërlidheshin drejtpërsëdrejti me specifikat qё kishte regjioni si dhe trashëgimitë e mosmarrëveshjeve dhe armiqësive nga e kaluara. Shi për këtë, propozimet më të shpeshta të ekspertëve kishin të bënin me atë se, Shqipërisë i duhej një lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare të cilën ata e cilësonin si udhëheqje dhe kontroll nga “Këshilltarë të huaj”. Po ashtu, sipas këtyre analizave nuk përjashtohej mundësia qё Shqipëria të futej në ndonjë bashkësi të shteteve Ballkanike, apo dhe mund të refuzohej aderimi në këtë bashkësi e cila ishte paraparë me marrëveshjen Greko-Jugosllave të 15 janarit të vitit 1942. Shqipëria, e cila, duke hyrë në union me Mbretërinë italiane e kishte humbur pavarësinë, sipas ekspertëve në fjale, pas lufte do të duhej ta filloje sendërtimin e saj nën mandatin e një apo dy superfuqive të pa interesuara për këtë vend. Për këtë gjë u propozuan Britania e Madhe ose SHBA-te, ose që të dyja këto së bashku.
Analizat tjera, jo vetëm të ekspertëve të këtij universiteti, por edhe të ekspertëve të qeverisë si dhe të atyre të pavarur sajonin teza, por edhe vizatonin harta të ndryshme të Shqipërisë, por të gjitha këto ngriheshin në nivel spekulimesh meqë nuk jepeshin mendime lidhur me atë se çfarë do të jete definitive para Konferencës së Paqes e cila, siç dihej, do të pasonte fill pas luftës. Por, një prej konstatimeve më të përafërta dhe më të përsëritura nga të gjithë ekspertët kishte të bënte me atë se, ishte fare e sigurt se, në të ardhmen, asnjë federatë apo konfederatë ballkanike nuk do të kishte gjasë për sukses pa përfshirjen e Shqipërisë në të, duke pasur parasysh, në radhe të parë, rëndësinë vitale të Shqipërisë për mbrojtjen e Ballkanit nga agresioni eventual që mund t’i behej dhe së ky vend. Sipas eksperteve të Oksfordit, në fund të fundit, Shqipëria është ”porta kryesore” për hyrje në gadishullin Ballkanik. Por edhe faktin se shqiptarët ishin numerikisht një popull i domethënshëm në shumicën e shteteve të Evropës jug-lindore.
Në “pretendimet territoriale të fqinjëve” në mënyrë të gjere dhe objektive, ekspertët e këtij universiteti prezantojnë qëndrimet e shteteve përreth Shqipërisë. Sa u përket qëndrimeve jugosllave dhe greke, sipas këtyre ekspertëve, del se këto dy shtete angazhohen që Shqipëria të kthehet në suazat e kufijve të vitit 1939, madje duke mos fshehur pretendimet e tyre territoriale edhe për pjese nga territoret brenda këtyre kufijve.
Këta ekspertë e vinin në shënjestër një fakt të qëndrueshëm se, më 1939, italianët e kishin përfituar simpatinë e një numri të shqiptarëve, sidomos të atyre qё kishin mbetur jashtë Shqipërisë së Londrës duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit shqiptar që në dy konferencat e mëparshme (atë të Londrës dhe të Versajit) kishte mbetur jashtë, veçanërisht nën Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe të Sllovenëve. Ajo qё e shihnin si të mundshme këtë ekspertë ishte se, Beogradi, pavarësisht nga rendi dhe sistemi politik qё do të instalojë, megjithatë, ishte shumë e besueshme se, pas lufte do ta kërkojë jo vetëm kthimin e Kosovës dhe pjesës tjetër shqiptare, por si shtesë të kësaj edhe Shkodrën si dhe Luginë e Drinit. Ndërsa, në lidhje me Greqinë, thuhej se pretendimet territoriale të saj ndaj Shqipërisë ishin më të zëshëm së ato të jugosllavëve. Këta ekspert e bënë gjithashtu të njohur se edhe në shtetin fqinjë, në jug të Shqipërisë, ekziston një numër i konsiderueshëm i banorëve me prejardhje shqiptare.

• Greqia dhe Serbia angazhime kundër çfarëdo lloji të ekzistimit të Shqipërisë

Krijimi i një Shqipërie të fortë dhe të pavarur, nga këto dy shtete fqinje, shihej si rrezik i drejtpërdrejtë për to. Një Shqipëri e dobët, konsideronin udhëheqësit e këtyre shteteve, do ta tërhiqte vëmendjen e shteteve e ndonjë fuqie të madhe, apo më shumë syresh të cilat mund të paraqiten edhe si mbrojtëse të interesave të saj. Këto, përpos aspiratave territoriale ndaj Shqipërisë, ishin arsye të tjera, të forta, që i cytnin Greqinë dhe Jugosllavinë të angazhoheshin kundër çfarëdo forme të ekzistimit të këtij vendi. Nga ana tjetër, Italia përshkruhej si shtet politika e të cilit në mënyrë të veçante ishte çdo herë e orientuar nga Shqipëria. Gjithashtu, bëhej me dije për rrezikun nga komunizmi rus i cili me permanentë orvatej të gjeje ndonjë dalje strategjike në Adriatik. Por, mbi të gjitha, në këto elaborate të eksperteve britanike theksohej së “dëshira e shqiptareve është integruese, pra për një shtet etnik, përkundër dallimeve dezintegruese që janë prezente në mesin e tyre”, me ç’rast apostrofohej veçanërisht religjioni si faktor dezintegruese.
Nga fundi i vitit 1943 në Shqipëri arrijnë tre oficerë të BLO-se (Oficerë Britanik të Ndërlidhjes). Këta ishin majori Billi Meklin, kapiteni Dejvid Samjlli dhe togeri Gari Daf. gjatë të njëjtit vit dhe gjatë vitit 1944, numri i oficerëve të ndërlidhjes shtohej në vazhdimësi. Madje, njëri ndër këta oficerë, i cili në Shqipëri do të arrijë më vonë, Regjinald Hibert, në ditarin e tij të cilin më vonë e shfrytëzoi për botimin e librit të tij “Fitorja e hidhur”, në të cilin lidhur me çështjen e Kosovës mes të tjerash shkruan: “Askush nga pala britanike në atë kohë nuk duket të ketë qenë i ndjeshëm për natyrën me thepa të çështjes së Kosovës, madje as ta ketë vështruar si një çështje që duhej marrë parasysh. Në fakt, gjatë luftës ajo do të provohej së do të ishte një çështje themelore, ndërsa ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, një pengesë e madhe për të rezistencën e efektshme kundër gjermaneve, dhe një truall diplomatik i paqëndrueshëm për të gjithë të jashtmit që u përpoqën të luajnë një lojë atje. Në vitet e para të luftës u nënvleftësua nacionalizmi shqiptar dhe domethënia e tij në raport me Jugosllavinë”. I njëjti, në lidhje me ndjenjat dhe disponimin e shqiptarëve, e në veçanti në lidhje me komunistët, shkruan: “… Brenda Shqipërisë, madje edhe PK-së, të cilën shumica e shqiptarëve jo komunistëve e shihnin si dorë të fshehure të sllavëve, e cila edhe është krijuar me ndihmën e Jugosllavisë, ushqenin shpresën së parimi i vetëvendosjes do të respektohej nga partitë komuniste të Ballkanit dhe se atëherë Kosova do të bashkohet përgjithnjë me Shqipërinë, dhe së të gjithë shqiptarët me në fund do të bashkohen… PKSH e pa veten të detyruar që me 1943 dhe 1944 të pranoje që parimi i vetëvendosjes nuk do të zbatohej në Kosove dhe në zonën e Dibrës”.
Siç raportonin oficerët britanike, në fillim të gushtit (1 dhe 2 gusht të vitit 1943) në Mukje u mbajt një mbledhje shumë me rëndësi dhe, siç flasin edhe dokumentet. Në këtë mbledhje krerët shqiptarë kanë të rënë dakord që të formohej një komitet për shpëtimin e Shqipërisë në të cilin Nacional Çlirimtarja dhe Balli Kombëtar do të përfaqësoheshin së bashku. Përfaqësuesit e Nacional Çlirimtares u pajtuan gati plotësisht me propozimin e Ballit Kombëtar së duhet bërë një luftë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike, por evidentohej së Nacional Çlirimtarja kishte një propozim që, natyrisht pas përfundimit të luftës, të organizohej plebishiti për Kosovën. Por, sikur u pa më vonë, për një vendim të tillë NÇ-ja u qortua rreptë nga ana e komunistëve jugosllavë dhe së shpejti Komiteti qendror i PKSH-së hodhi poshtë këtë vendim që doli nga ajo e cila më vonë njihej me emrin Marrëveshja e Mukjes, e madje u urdhërua që të ndërpritet çdo bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Oficerët britanikë 8 gushtin e konsideronin si datë të fillimit të luftës qytetare të Shqipërisë, pra luftës ndërmjet shqiptarëve komuniste dhe atyre nacionalistë, apo, siç e shprehnin ata edhe ndryshe, ndërmjet jugut dhe veriut. Oficerët në fjale përpos ndërlidhjes që bënin ndërmjet forcave të cilat luftonin kundër okupatorit dhe shtabit aleat, gjegjësisht Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe, filluan të interesoheshin edhe për kufijtë brenda të cilëve gjendej Shqipëria. Këta, pra oficerët britanik, zakonisht, ankoheshin për mungesë të hartave dhe të statistikës lidhur me të dhënat që kishin të bënin me banorët të “territoreve të aneksuara”- siç i quanin ata, këto toka shqiptare. Në bazë të të dhënave që u ishin ofruar, ata kishin hartuar ca harta që do t’u hynin në shërbim gjatë punë së tyre. Sipas atyre hartave, numri i banorëve në ato territore sillej diku prej 500. 000 deri në 1.000.000 banorë. Porse, gjithsesi, e kishin parasysh se edhe me këtë rast një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve kishte ngelur edhe jashtë kufijve që ishin formuar gjatë luftës. Me këtë oficerët kishin parasysh territorin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Bujanocit, territore këto që i mbante nën okupim Bullgaria.
Por, ajo qё mbase është e rëndësishme të theksohet me këtë rast është se, ekspertët britanik, në analizat e tyre, në fund të vitit 1943 mendonin se lufta, në fakt ia kishte dalë qё të barazonte kufijtë nacional me ata politik dhe se, çështja e përbashkimit të territoreve shqiptare në një territor unik, nuk do të duhej të ishte ndonjë çështje të cilën nuk do të duhej konsideruar në të ardhmen qeveria e këtij vendi të madh dhe domethënës në diplomacinë evropiane.
Lidhur me këtë, janë interesante edhe qëndrimet dhe mendimet e intelektualëve shqiptar në lidhje me çështjet në fjalë. Një pjesë të të cilave do ta sjellim si më poshtë.

• “Shqipëria e gatshme”, nga Masar Sopoti

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme (FO) të Britanisë së Madhe, të cilin e kemi gjetur në dosjen Ekstrakte nga Kosova e që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë luftës së dytë Botërore dhe aspiratat e tyre historike, politike dhe kombëtare është edhe një analizë dhe reflektim i njërit prej publicistëve më të shquar shqiptar të asaj kohe, Masar Sopoti që mban datën 4 prill të vitit 1944 (viti i tretë).
Sipas këtij dokumenti në pjesën e analizës së bërë nga Masar SOPOTI, në pikën A. e që mbanë titullin SHQIPËRIA – E GATSHME, ndër të tjerat hedh dritë mbi periudhën kur, tashmë, lufta po përfundonte dhe serbët po bënin planet për interferime të thella në Kosovë duke organizuar madje sulme, të papritura për momentin dhe gjithsesi të panxitura nga ana e shqiptarëve, me çfarë dëshmohej se Serbia po bënte përpjekje të reja të reja që me mish e shpirt, siç thuhet, ta rikthejë Jugosllavinë e vjetër si dhe të zgjerojë kufijtë e saj. “Edhe Tito edhe Mihajlloviqin (Drazha)”, shkruan në letrën e tij Masar Sopoti, “ edhe pse në pozita të kundërta, konfliktuale, kanë të njëjtin qëllim krijimin e një perandorie të re PANSLLAVE me kufijtë e zgjeruar”.
Sipas Sopotit, në këtë periudhë, sllavët, nën maskën e komunizmit, të federatës, të demokracisë dhe të lirisë, po përpiqeshin që të “mashtrojnë racat tjera ballkanike më keq se më parë”. Pasi që, sipas tij, hapi i parë karshi kosovarëve ku ka dështuar, serbët nuk hezituan që ta sulmonin Kosovën dhe shqiptarët, mirëpo, kosovarët ishin shumë të shkathtë dhe të shpejtë në kundërveprimin e tyre, ndaj dhe në mënyrë të furishme, sipas këtij analisti, edhe e zmbrapsen çdo sulm të serbëve. “Kosova ka vuajtur shumë nën shtypjen serbe”, thotë Sopoti në këtë analizë, “dhe tash më nuk mund të mashtrohet, dhe këtë gjë duhet ta kenë plotësisht të qartë kundërshtarët tanë”, shkruan ai, për të shtuar edhe atë se: tashmë ishte koha kur Kosova kishte vendosur që të mos lejonte që persekutimi i të kaluarës të përsëritej, ndaj dhe, bënte thirrje që, “të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh moshën apo gjininë, janë të mobilizuar dhe të armatosur, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Gjithashtu në këtë dokument të vlerësuar me rëndësi edhe nga këshilltarët politik të Mbretit të Anglisë si dhe udhëheqësve të Ministrisë së Luftës dhe asaj të jashtme, thuhet ndër të tjerat se ajo që po bënin në atë kohë shqiptarët e Kosovës ishte pikërisht ajo që i nevojitej Shqipërisë – i gjithë populli i bashkuar nën një flamur, atij me shqiponjë të zezë, dhe që është i gatshëm të mbrojë të drejtat e tija etnike. “Obligimi është i të gjithëve dhe është vullnet për fitore”, shkruan tutje njëri prej publicistëve më të shquar shqiptarë të asaj periudhe, Masar Sopoti. “Popullit shqiptar gjatë tridhjetë vjetëve të shkuara i janë premtuar shumë gjëra nga fuqitë e ndryshme. Si të papërvojë”, shton Sopoti, “ata në fillim besuan, por më pas e kuptuan se ishin të mashtruar, ngaqë, asnjë premtim nuk u mbajt”. Sipas publicistit të njohur, tashmë kishte ardhur një kohë tjetër kur shqiptarët ishin mësuar që të mos mashtroheshin më nga premtimet e ëmbla. “Autsajderat”, thotë ai, “mashtrohen nga premtimet e ëmbla. Të huajt mund të premtojnë gjithçka për të mirën e interesave të tyre të tyre – pavarësi, liri, etj., etj., por, ne jemi djegur njëherë”, shkruan ky artikullshkrues, “dhe më kurrë nuk do t’i dëgjojmë ato premtime pa marrë parasysh se sa joshëse do jenë ato. Ndaj dhe le ta dijë bota se premtimet ne saja nuk do të kalojnë të paqortuara, siç ndodhte më parë”, thotë Sopoti në analizën e tij për të shtuar edhe atë se shqiptarët tashmë ishin të përcaktuar fuqishëm që të mbështeteshin në forcën dhe mjetet e veta për ta mbrojtur atë që ishte e tyre dhe e askujt tjetër.

•Mbi Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit

Një pjesë tjetër e kësaj dosjeje, pra të EKSTRAKTEVE NGA KOSOVA është ajo që merret më shtruar edhe më një ngjarje të fillimvitit të dyzetekatërtës, pra me Mbledhjen e Përgjithshme të LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT e cila u organizuar më 17 janar të këtij viti të ngjarjeve dhe të kthesave të mëdha historike në gjithë botën.
Pas një përshkrimi interesant që i bëhet kësaj ngjarjeje, që është vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1987, e që ruan po atë aspiratë, thuhet në këtë pjesë të dosjes, në vazhdim do të sjellim një si raport mjaft të qartë dhe të ngjeshur mbi rrjedhat e këtij kuvendimi të fillimvitit të ’44-tës.
Kështu, në fillim të këtij dokumenti, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe bënë të njohur faktin se këtë kuvend e hapi me një fjalim të gjatë dhe të ngjeshur dhe plot emocion MUSA SHEHU, kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes, ndërsa fjalimin inaugurues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e mbajti Kolë Margjini.
Raportuesi thotë se në vazhdim, për gjithë çfarë ka bërë Komiteti Qendror i Lidhjes që nga 15 janari i vitit 1943 e deri në ditën e mbajtjes së këtij kuvendi, para delegatëve të pranishëm raportoi SULEJMAN ALIU përndryshe Sekretar i Komitetit Qendror të lidhjes.
Më pas, me vazhdimin e punës së këtij kuvendi, sipas këtij dokumenti, i cili i referohej burimit të vetë pjesëmarrës në punimet e tija, thuhet se, njëra prej figurave të shquara dhe më me ndikim ndër shqiptarët në këtë periudhë, BEDRI PEJANI “BABUSHI”, në mënyrë unanime, u zgjodh kryetar ndërsa BEDRI GJINAJ sekretar.
Këtu raportuesi sjell këtu edhe një pjesë të fjalimit të një personaliteti shumë të shquar të nacionalizmes shqiptare, TAHIR ZAJMI, një pjesë të cilit fjalim po e sjellim në vazhdim:

TAHIR ZAJMI: Zotëri kryetar dhe delegatë, sikur e dimë të gjithë, para katër muajsh u themelua Lidhje e Dytë e Prizrenit. Njëra prej detyrave më të rëndësishme të saj, do të thotë, deklarata e popullit të Kosovës dhe të Dibrës, për të jetuar me vëllezërit tjerë, ka filluar të realizohet; në anën tjetër, në aspektin ushtarak ende duhet realizuar shumë gjëra. Në këtë mbledhje ne duhet të diskutojmë dhe të shqyrtojmë çështje të rëndësishme, sikurse janë statuti dhe programi i aktiviteteve të Komitetit Qendror. Unë propozoj që në diskutim të marrin pjesë edhe dëgjuesit, gjegjësisht të pranishmit, sepse mendimi tyre mund të jetë i vlershëm, falë gjykimit të shëndoshë dhe përvojës në çështje të tilla.”
Sipas sajuesit të këtij dokumenti, mbledhja e 17 janarit të vitit 1944 e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u ndërpre në orën 12 e 15 minuta, për të vazhduar të nesërmen, do të thotë më 18 janar në ndërtesën e shkollës “Bajram Curri” në këtë qytet. Në vazhdim të këtij kuvendimi, pas thirrjes së emrave të delegatëve pjesëmarrës në mbledhje, u lexua statuti i organizatë si dhe u zgjodh një nënkomitet i cili kishte për detyrë që ta modifikonte këtë statut në bazë të kushteve dhe rrethznave të kohës dhe të njëjtin ta prezantojë në mbledhjen e pasdites me qëllim të aprovimit të tij. Ky nënkomitet po përbehej nga: Bedri Pejani, Rexhë Meta, Sylejman Riza, Esad Berisha, Sokol Dobroshi, Tahir Zajmi, Nexhip Basha, Kolë Margjini dhe Adem Sabriu.
Kështu, pas drekës, thotë i njëjti dokument, statuti u shqyrtua deri në detaje dhe u aprovua me anë të paragrafit, ndërsa mbledhja vazhdoi të nesërmen në mëngjes. Në mbledhjen e 19 janarit, profesori i shquar Bedri Pejani, tashmë kryetari Komitetit do ta nxjerr propozimin që Komitetit Qendror duhej shtuar edhe një anëtar që të përmbushej numri statutor prej dymbëdhjetëve. Dhe, sipas Pejanit, anëtari i dymbëdhjetë, domosdoshmërish do të duhej të ishte nga Hoti, Ulqini, Triepshi dhe Gruda, propozim i cili nuk u diskutua por që u pranua menjëherë nga delegatë e kuvendit madje në mënyrë unanime.
Gjithashtu më 19 janar u zgjodh edhe një nënkomitet i cili kishte një detyrë që ta bënte aprovimin e këtyre anëtarëve, që në mbledhjen e ardhshme. Në përbërje të këtij komiteti u zgjodhën: Bedri Pejani, Musa Shehu, Nexhip Basha, Kolë Margjini, Musa Boletini Hasan Agë Zvezda si dhe Tahir Zajmi.

• Bedri Pejani thoshte se shqiptarët e kërkonin Sanxhakun, jo për shkak të ambicieve imperialiste

Në mbledhjen në vazhdim, gjithnjë sipas këtij dokumenti, pra më 20 janar të vitit 1944 u bë prezantimi i listës së anëtarëve me sa vijon:
– Për prefekturën e Prizrenit: Musa Shehu dhe Kolë Margjini;
– Për prefekturën e Prishtinës: Sylejman Askiu dhe Mahmut Beg Pasha;
– Për prefekturën e Mitrovicës: Arsllan Boletini;
– Për prefekturën e Pejës: Bedri Pejani dhe Xhevat Begolli;
– Për prefekturën e Dibrës: Ekrem Jegeni dhe Adem Sabriu;
– Për prefekturën e Shkupit: Esat Berisha;
– Për prefekturën e Sienicës: Nexhip Basha;
– Për prefekturën e Maleve të Kosovës përfaqësues do të ishte Rexhë Meta, derisa nuk do të arrinte delegati i kësaj prefekture;
– Për prefekturën e Hotit, të Ulqinit, të Triepshi dhe të Grudës pritej një përfaqësues.
– Për prefekturën e Tetovës dhe të Gostivarit: Kadri Saliu;
– Për zonën neutrale të Sienicës: Nexhip Basha.

Pas zgjedhjes të këtyre anëtarëve të rinj, kryetar u zgjodh profesori Bedri Pejani fjalimin e të cilit po e sjellim në vazhdim, me vërejtjen se fjalimi është përkthyer nga gjuha angleze dhe se në aspektin dialektikor nuk përkon me të folurën e B. Pejanit në Kuvend:

BEDRI PEJANI: “Unë do t’u flas për nju çështje shumë të rëndësishme dhe delikate për vendin tonë, çështjen e Sanxhakut.
Sanxhaku është një korridor në mes të Serbisë dhe të Malit të Zi. Para luftës së vitit 1876-1877, ky korridor administrohej nga Vilajeti i Kosovës. Ky territor është i pasur me bagëti, dru dhe prodhime qumështi, ndërsa Kosova prodhon grurë dhe gjëra të ndryshme ushqimore, kështu që këto territore kompletonin ose plotësonin nevojat e njëra-tjetrës, pra ishin të lidhura komercialisht për një kohë të gjatë. Gjatë pushtimit otoman, Sanxhaku ishte i banuar nga shqiptarët (që përbënin shumicën), kështu që ekziston një afërsi sentimentale me Kosovën.
Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen.
Arsye tjetër për qëndrimin tonë ndaj tyre është se ky territor shtrihet në mes të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku jeton një popull mik i cili kufizohet me kroatët të cilët kanë gjithashtu nju simpati për ne. Ndaj dhe, territori i Sanxhakut është i rëndësishëm për ne si një lidhje me popujt miq të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Kroacisë.
Ne e kërkojmë Sanxhakun, jo nga ambiciet imperialiste, por për shkak të shumë arsyeve të lartpërmendura dhe, mbi të gjitha, për shkak të të drejtës së vetë popullit për të zgjedhur. Serbët dhe malazezët janë vetëm një minoritet në këtë territor dhe ne do t’ua japim atyre të gjitha të drejtat që u takojnë.
Populli shqiptar i këtyre ditëve është më i fuqishëm se gjatë luftërave ballkanike sepse ka përfituar përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e tija. Unë tash propozoj që të kërkojmë nga qeveria shqiptare aneksimin e këtij territori të pastër shqiptar, duke përshirë edhe tërë anën e Limit.
Është detyrë e qeverisë që të marr masa të duhura për një aneksim të tillë”, përfundon këtë pjesë të fjalimit të tij një prej figurave më të shquara dhe më emblematike shqiptare të shekullit 20-të Bedri Pejani

• Përfaqësuesi i Sanxhakut: Ky vend gjithmonë i ka takuar Kosovës

Më pas, në vazhdim të kësaj dosjeje, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, pjesëmarrës në këtë kuvend, si të një natyre të veçantë, e shquan edhe fjalimin e Hasan Agë Zvezdës i cili pikërisht në kuvend vinte nga zona e Sanxhakut, të cilin fjalim po e sjellim në vazhdim të këtij artikulli.

HASAN AGË ZVEZDA:

“Zotëri kryetar dhe delegatë,
Gjatë këtyre katër ditëve të Kongresit unë nuk kisha guxim ta ngisja zërin sepse, duke ardhur nga zona neutrale, e ndieja veten si i huaj, por, pasi dëgjova fjalimin e kryetarit dhe të shumë anëtareve të tjerë, mora guximin që të flas dhe të shpreh aspiratat e vendit të cilin e përfaqësoj: Sanxhaku nuk ka qenë asnjë herë territor serb apo malazias. (Duartrokitje). Siç e vutë në pah Ju dhe si e dëshmon edhe historia, Sanxhaku gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës. Ne, banorët e Sanxhakut, kemi luftuar gjithmonë kundër serbëve dhe malazezëve dhe, kështu, kemi treguar ku janë kufijtë tanë. Ne asnjë herë nuk e kemi toleruar Titon e as Mihajlloviqin, bile edhe tash, kur ne po diskutojmë këtu, bijtë tanë e luftojnë armikun i cili na sulmoi para disa kohësh.
Ne, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ju, meqenëse, deri më tash, nuk keni bërë aq sa duhej bërë për ne, mirëpo ne do ta harrojmë këtë dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe nga Ju që të ndërmerrni masat e duhura për t’u bashkuar në një shtet të vetëm dhe që të zhduken të gjitha dyshimet që ekzistojnë mes nesh.
Ne e kemi luftuar armikun po aq sa edhe Ju, në mos më shumë se Ju, e, në anën tjetër, ne e kemi vënë re se nuk lejohet që ushqimi të kalojë lirisht nga Kosova në zonat tona.
Edhe prodhimet tjera po na ndalohen kështu që ne po vuajmë nga çmimet e larta më shumë se Ju. Këto janë tri pikat të cilat, në emër të popullit tim, unë po kërkoj që të rregullohen nga qeveria si dhe nga Ju të këtij Kongresi”, përfundoi fjalimin e tij Hasan Agë Zvezda, përfaqësuesi i Sanxhakut në Kuvendin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.
Më pas, në dosjen e Ministrisë së Jashtme Britanike nga raportuesi i ngjarjes për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, vihen në pah edhe vendimet e rëndësishme që u arritën në këtë Kuvend e të cilat ishin me sa vijon:

1.Komitetin Qendror i Lidhjes do të kërkojë nga qeveria në formë të shkruar që të trajtojë më seriozisht çështjen e Sanxhakut dhe ta zgjidh atë në favor të Shqipërisë.
2.Kërkohet që qeveria të marrë të gjitha masat për largimin e trupave bullgare nga Prespa, nga Shën Naumi si dhe nga tetë fshatrat e Kërçovës, që u pushtuan nga Bullgaria menjëherë pas kapitullimit të Italisë.
3.Kërkon nga qeveria që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që prefektura e Mitrovicës t’i bashkohet pjesës tjetër të Shqipërisë.
4.Edhe qeveria, edhe Komiteti qendror duhet përpjekur që të të konsolidohen pozitat tona në Plavë dhe Guci, duke forcuar administratën civile dhe ushtarake dhe duke ndërtuar depo të mëdha për armë, municion dhe ushqime. Elementi malazias duhet shpjer në Mal të Zi.
5.Qeveria duhet t’i regjistroi të gjitha armët dhe duhet të ndërtojë depo armësh, municioni dhe ushqimi në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe rrethinat e çliruara të Shkodrës.
6.(a) Lidhja do të kërkojë nga qeveria që me nguti t’i ndërtojë këto rrugë të rëndësishme:

(I) Tiepsh-Guci, 40 km
(II) Radavc-Rozhajë, 12-15 km
(III) Prizren-Tetovë 40 e më shumë km
(IV) Kolesian-Peshkopi, ?km

(b) Ndërmjet Kosovës dhe pjesëve tjera të Shqipërisë duhet konstruktuar apo edhe përmirësuar lidhjet telefonike.

(c) Duhet hapur më shumë shkolla fillore në të gjitha zonat e çliruara dhe në veçanti në prefekturën e Mitrovicës.

(d) Në bashkëpunim me qeverinë, Lidhja duhet të bëjë përpjekje për të eliminuar spekulimet në transportin e ushqimeve si dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm.

(e) Të lejojë transport të lirë ndërmjet shtetit amë dhe të ashtuquajturave zona neutrale, të zonave që përbëjnë prefekturën e Mitrovicës dhe nënprefekturën e Kaçanikut.

• Aleksandër Xhuvani: Gjergj Fishta, një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare

Në pjesën D të kësaj dosjeje hasim edhe një artikull interesant i cili ka zënë vend këtu, në pjesën e dokumenteve tjera, e që është shkruar me rastin e përvjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës, siç shkruhet në këtë dokument, njërit ndër poetët e fundit epik të Shqipërisë, ku potencohej fuqishëm se “shpirti i Fishtës, gjegjësisht ai i vëllazërimit dhe i bashkimit, do të ngadhënjente në Shqipëri, tashmë, më shumë se herëve tjera.”
Ideali i tij, shkruhet në këtë artikull, e që kishte qëllim të ushtronte një ndikim të madh tek inteligjencia dhe qytetaria shqiptare në këtë periudhë të kthesave të mëdha historike, pra ideali i Fishtës, Shqipëria etnike dhe e bashkuar, do të jetë ideal i çdo shqiptari që e do vendin e vetë dhe që është përcaktuar të punojë për vendin e tij. “Këshilla e tij (e Fishtës-plot. i H.M.) për të mos luftuar njëri kundër tjetrit, për të respektuar dhe për të qenë mirëpritës, por për të mos i besuar të huajit tash më është urgjentisht më e nevojshme se më për”, shkruan ky artikull po ashtu i shkruar nga Masar Sopoti.
Në këtë dosje, britanikët sjellin edhe një aksent nga shkrimi “Ideali i Fishtës” i shkruar nga Aleksandër Xhuvani, gjithashtu në përvjetorin e vdekjes së epikut të shquar shqiptar Gjergj Fishta, të cilin, siç duket, ekspertët britanik e shihni si një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare si dhe një kampion të idesë së krijimit të një shteti të vetëm të shqiptarëve, një shteti në të cilin do të jetonin shqiptarët etnik, në trojet e tyre etnike dhe historike.
Komentuesi i këtij artikulli të Xhuvanit në përvjetorin e Fishtës thotë se edhe ky shkrim tregon se sa të rëndësishme dhe frymëzuese ishin veprat dhe idetë e Fishtës për gjeneratat e ardhme shqiptare. “Ideali i Fishtës ishte ‘Atdheu nëpërmes Zotit”, do të shkruaj Xhuvani, duke shtuar se kësaj ideje Fishta i ngeli besnik gjatë tërë jetës së tij.
“Ai gjithmonë predikoi: UNITET, VËLLAZËRI dhe TOLERANCË, pra tri unitetet kanë nevojë aq shumë shqiptarët e sotëm”, shkruan Aleksandër Xhuvani.

• Si u rikthye Shën Naumi nën administrimin e Shqipërisë

Një pjesë tjetër e këtij dokumente bënë një rikthim në kohë, suke sjellë citate dhe komente të shtypit Evropian mbi kryengritjen shqiptare kundër gjon-turqve ndërmjet viteve 1910-1911 me qëllim që administratës britanike dhe në veçanti diplomacisë së saj t’i përafrojë gjenezën e disa problemeve që u bartën për tre dekada e gjysmë si probleme që gjenerojnë konflikte në Ballkan.
Ndërsa, në artikullin F të kësaj dosjeje hasim pyetjen mjaft interesante: I KUJT ËSHTË SHËN NAUMI?
Ja se çfarë shkruan gazeta bullgare “La parole Bulgare” (gazetë kjo që botohej në gjuhën frenge), nr. 822 e datës 18 dhjetor 1943 lidhur me Shën Naumin:
“Manastiri i Shën Naumit dhe kisha e Shën Klementit janë dy vende të shenjta për Bullgarinë Këta të shenjtë e kanë përhapur kulturën bullgare kudo që kanë shkuar. Shën Naumi ishte nxënës i vëllezërve Cirili dhe Metodije. Ai u dërgua në Maqedoninë Perëndimore nga car Borisi, ngase, ajo pjesë e Bullgarisë po bëhej çdo ditë e më e rëndësishme. Tashmë janë bërë mëse një mijë vjet që kur ai fanar drite qëndron atje si shenjë e kulturës bullgare në Maqedoninë Perëndimore. Sa herë që vendi ynë ndodhej nën shtypjen e huaj, ai manastir ishte gjithmonë një seli e sentimentit bullgar”.
Ja çfarë shkruan pra gazeta bullgare dhe ja çfarë thotë historia, thonë ekspertët britanik lidhur me manastirin e kontestueshëm në cep të brigjeve të Liqenit të Ohrit.
“Pas ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë”, shkruajnë ekspertët britanik, Gadishulli Ballkanik mbeti nën administrimin e pjesës lindore, gjegjësisht të Perandorisë bizantine. Ndodhën shumë invazione, por në shekullin IV, aty u vendosën barbarët sllavë e më vonë edhe bullgarët të cilët u asimiluan shpejtë nga sllavët, bile, para se të kalonin vargmalet”, komentojnë në mënyrë ironike britanikët. “Një pjesë e maqedonasve, të cilët ishin të një familjeje me ilirët, me trakasit dhe me epirotët, u mbytën (vranë), ndërsa një pjesë tjetër u asimilua nga sllavët, ndërsa pjesa tjetër ruajti gjuhën e vjetër (trako-ilirishte ose shqiptare).
Ciril dhe Metodije ishin nga Selaniku, me prejardhje greke. I pari ishte në shërbim të perandorit Bizantin si bibliotekist, i dyti administrator në Azinë e Vogël.
Me qëllim të kundërvënies fesë katolike e cila po përhapej shpejt ndër sllavët e Moravisë dhe të Çekosllovakisë, perandori e dërgoi atje Cirilin.
I (Cirili) zbuloi alfabetin sllav dhe së bashku me vëllanë e tij, ndihmoi shumë në përhapjen e influencës së lindjes në këto provinca. Në mesin e nxënësve të tyre ishin Gorazdi, Angelari, përmirëson alfabetin Lorenci, Klementi, Naumi, etj. Ata detyrohen ta braktisin Moravinë dhe Çekosllovakinë, për shkak të përhapjes së katolicizmit, dhe të shkojnë në Beograd. Më vonë Klementi për t’ u bërë pastaj peshkop i Dembrikës (Dibrës së sotme), me Ohrin si qendër. Naumi u tërhoq në bregun e Liqenit të Ohrit dhe themeloi manastirin i cili sot e mban emrin e tij e të cilin ai vetë e kishte quajtur Shën Arkangjeli. Nga viti 910, kur vdiq Naumi e deri më 1912 ky manastir është administruar nga priftërinjtë që vareshin nga Patrikana e Stambollit, përveç një kohe të shkurtër që zgjati katër vjet, nga viti 1870-1874, kur ai u administrua nga priftërinj maqedonas, të varur nga kisha bullgare, përsëri me seli në Stamboll.
Pas vitit 1912, ky manastir udhëhiqej nga shteti të cilin ia përcaktonin, edhe pse ky manastir ka qenë shkak për grindje në mes të shqiptarëve dhe të jugosllavëve. Në Konferencën e Londrës kjo çështje u zgjodh në favor të Shqipërisë, ndërsa me Protokollin e Firences, në Konferencën e Parisit, në Ligën e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përkundër të gjitha vendimeve ndërkombëtare, siç do të sqarohet më vonë, ky manastir, faktikisht, mbeti nën Jugosllavi. Pas çanëtarësimitë Jugosllavisë ky manastir erdhi nën administrimin shqiptar.,

• Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës

“Në aspektin fetar apo religjioz”, do të konstatojnë me këtë rast ekspertët britanik, ´ky manastir ka më tepër rëndësi për Shqipërinë se sa për Jugosllavinë sepse, çdo vit, gjithnjë e më shumë shqiptarë e kanë vizituar atë ndërkaq kishte shumë më pak serbë. Përveç kësaj, edhe prifti kryesor është një shqiptar nga Berati”, thonë këta ekspert për t’u zgjeruar në këtë pjesë të dokumentit me atë se si është diskutuar në fat çështja e këtij manastiri prej viti në vit, siç thonë ata, dhe prej vendi në vend.
“Më 1913 Konferenca e Londrës ia dha Shqipërisë Bregun Perëndimor të Ohrit”, thonë britanikët, ”nga fshati Linit e deri tek Manastiri i Shën Naumit. Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijve filloi të punojë në tetor të vitit 1912. ata filluan ndarjen e fshatit Lin dhe vazhduan lartë deri në malet e Korabit. Më pas, për shkak të dimrit ndaluan punën, për ta rifilluar serish në pranverë të vitit 1914. Vazhduan caktimin e kufijve të Shkodrës. Para se të mund ta fillonin punën nga jugu, atyre iu desh ta ndërprisnin këtë për shkak të luftës botërore. Kështu, çështja e manastirit ngeli edhe çështje e kontestuar. Konferenca e Parisit më 1921 konfirmoi vendimin e vitit 1913, e më pas edhe Konferenca e Ambasadorëve e 6 dhjetorit të vitit 1922, ia dha manastirin Shqipërisë”, shkruajnë profesorët e Baliolit.
Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, siç ishte e pritur, do të reagonte qeveria e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndaj dhe kjo çështje iu parashtrua Ligës së Kombeve, e cila vendosi që këtë kontest ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë Jugosllave ta zgjidh Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kështu që, vendimi i 6 dhjetorit të vitit 1922 u rikonfirmua, duke filluar nga Liqeni i Ohrit nëpër bregun perëndimor të Çevarës, nja 750 metra në veriperëndim të manastirit, më pas në afërsi të rrugës Korçë-Pogradec, duke shkuar në lindje, duke e lënë Alikapinë në Shqipëri, e Peshkopinë, Lubanishtën dhe Trabezicën në Jugosllavi. Mirëpo, ky vendim u refuzua nga Jugosllavia.
Kështu, në negociatat që u zhvilluan gjatë vitit 1925, qeveria e Beogradit doli se ishte e gatshme që të hiqte dorë nga Vermoshi që ta merrte Shën Naumin. Ndërsa qeveria shqiptare, e këshilluar që t’i hulumtonte dhe shqyrtonte këto mundësi, në fund e arriti këtë marrëveshje lidhur me këto negociata, kështu që, Shën Naumi iu dha Serbisë, do të thotë Jugosllavisë, me ç’rast u përmirësuan kufijtë rreth Krajës, ndërsa Shqipëria e mori edhe Vermoshin. Gjithashtu, me këtë marrëveshje të kontestuar edhe sot e kësaj dite, trembëdhjetë fshatra rreth Peshkopisë dhe brigjet rreth (në perëndim dhe jugperëndim) manastirit i takuan Shqipërisë..
“Më vonë”, shkruajnë ekspertët e Baliolit, “u mor vendimi (me protokollin e Firences të 26 qershorit 1926) që shqiptarët të mund të shkonin në manastir me varka kufiri,, për të qëndruar, vetëm për çështje fetare, jo më shumë se tri ditë”.
Më pas, me fillimin e Luftës ës Dytë Botërore dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë mbretërore, u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës, aq më tepër duke pasur parasysh faktin se pjesa dërmuese e popullatës së kësaj ane ishin shqiptar etnik. Fillimisht kjo edhe ndodhi kështu, por gjërat ndryshuam më pas, pas kapitullimit të Italisë, kur bullgarët, të prirë nga situata ne porsakrijuar dhe kaosi që po mbretëronte gjithandej, ia dolën që ta pushtojnë këtë territor etnikisht dhe legalisht shqiptar me çfarë shkaktuan çarje të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve gjë që, në këtë kohë mund të konsiderohej e dëmshme sidomos për bullgarët dhe Bullgarinë.

• Kroatët dhe shqiptarët, kanë pasur interesa të përbashkëta

Mendojmë se është mjaft interesante për ta pasqyruar brenda këtij shkrimi dhe një shkrim tjetër publicistik që haset në këtë dosje britanike, i shkruar nga Mark Temali i cili, që në hyrje të këtij artikulli konstaton se: “Nga të gjitha racat që erdhën në Gadishullin Ballkanik kroatët kanë qenë të vetmit që kanë pasur qëndrim konstruktiv dhe miqësor ndaj nesh”, shkuan Temali. “Shumë të tjerë janë përpjekur gjithmonë që gjërat t’i rregullojnë ashtu që t’u përshtaten interesave të tyre, ndërsa kroatët”, shkruan Temali, “kanë pasur edhe shkrimtarë të cilët e kanë studiuar çështjen shqiptare nga pikëpamjet tejet objektive”.
Marrëdhëniet mes dy racave”, vazhdon tutje ky artikullshkrues, “në të kaluarën kanë qenë kryesisht të natyrës komerciale. Më vonë ato filluan të zhvillohen edhe nga aspekti intelektual me poetin Gjergj Fishta, i cili studioi në Kroaci. Gjatë historisë marrëdhëniet midis këtyre dy racave kanë qenë gjithmonë miqësore”, thotë autori duke shtuar se ekzistojnë edhe gjurmë të afërsisë mes këtyre dy racave, veçanërisht tek folklori kroat.
Bile, sipas këtij artikullshkruesi del se kroatët e sotëm janë rezultat i kryqëzimit në mes të ilirëve të cilët më parë i kishin në posedim ato territore të kroatëve të cilët aty u vendosën shumë më vonë.
Një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, sipas Mark Temalit, si dhe për krijimin e një klime miqësore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve, ka dhënë në veçanti historiani dhe intelektuali kroat Millan Shufllaj i cili kishte studiuar historinë me Thallozin dhe Jeriçekun, dy studiues të tjerë të historisë së shqiptarëve.
Pas Thallozit si dhe pas kolapsit të Perandorisë Austro-hungareze dr. Shufllaj vazhdoi studimet e historisë shqiptare dhe në janar të vitit 1031 vizitoi vendin tonë. Fatkeqësisht karriera e tij u ndërpre me vrasjen brutale në Zagreb. Kështu, historia e hollësishme të cilën filloi ai mbeti e pambaruar. Çfarëdo që është kompletuar nga puna e tij është e përkthyer në shqip nga Karl Gurakuqi dhe Zef Fekeci. Vepra e tij ishte e pastër shkencërisht dhe me qëndrim objektiv, sa që edhe historianëve serbë u duheshe të pajtoheshin me atë edhe pse ishte kundër tyre. Veprat e tija (“Serbët dhe shqiptarët” dhe “Qytetet dhe fshatrat shqiptare në mesjetë”) përmbajnë argumente dhe fakte, të prezantuara shkencërisht, që tregojnë të kaluarën e racës sonë dhe të gjitha të arriturat e saj.
Këta dy popuj, shkruan Mark Temali, pra, kroatët dhe shqiptarët, kanë pasur në të kaluarën e edhe tashti kanë interesa të përbashkëta që i afrojnë dhe i mbajnë bashkë. Ne duhet të vazhdojmë këto mundësi bashkëpunimi, shkruan Temali, që i afrojnë dhe mbajnë bashkë.
“Ne duhet vazhduar këto mundësi bashkëpunimi për të mirën e dy popujve në fjalë dhe për paqe në Ballkan”, përfundon në shkrimin e tij Mark Temali, shkrim ky pjesë e dosjes britanike për çështjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

• Edhe historikisht Kosova është jona

Mendojmë se është edhe një shkrim mjaft interesant që zë vend në këtë dosje britanik. Është fjala për shkrimin publicistik të autorit Beqir Hagi, në të cilin bëhet një përpjekje mjaft interesante për ta argumentuar faktin se e kujt në fakt është Kosova – e shqiptarëve apo e serbëve.
Ne, me këtë rast, për gazetën, do të sjellim vetëm disa prej pjesë të këtij artikulli interesant.
“Të gjithë historianët janë pajtuar se sllavët kanë ardhur në Ballkan në vitin 550, pas erës sonë”, e nis artikullin e tij pretendues e Beqir Hagi, për të shtuar se në vitin 640 pas erës sonë, perandori bizantin Herakliu ftoi serbët dhe kroatët që të vendosen në Ballkan. Ata vepruan ashtu dhe pushtuan territoret të cilat sot njihen si Serbia Veriore, Bosnja, Hercegovina, Sllavonia, Mali i Zi Verior, vende të cilat ju morën shqiptarëve më dhunë, thotë ky artikullshkrues.
Nga viti 100, shton ky, e deri më 1169, serbët luftuan kundër bullgarëve. Më 1169 serbët formuan një mbretëri të vogël, mbretëri kjo e cila, sipas këtij artikullshkruesi, arriti kulmin e saj si fuqi më 1331 duke përfshirë brenda vetes një pjesë të madhe të Shqipërisë, nën qeverisjen e Car Dushanit.
Më 1258, kur kjo perandori u shpërbë, guvernatori i Zetës formoi shtetin e pavarur shqiptar (1365-1421, me Shkodrën kryeqytet, shkruan autori i këtij shkrimi. Guvernatori i Zetës vetën e quajti Balsha i I-rë, edhe pse Balsha vetë ishte norman, ai shtetin e tij e quajti Shqipëri meqë ky vend, thotë artikullshkruesi, ishte i banuar nga shqiptarët. Ky shtet përfshinte B e H-në dhe Shqipërinë Veriore (Kosovën).
Me ardhjen e turqve, u zhvillua Beteja e Kosovës (1389), një betejë ndërmjet turqve, në njërën anë dhe serbëve dhe shqiptarëve në anën tjetër, thotë Hagi. Serbët e sotëm kërkojnë Kosovën për shkak të betejës së tyre të famshme të vitit 1389, duke u përpjekur që kështu ta argumentojnë se në atë kohë Kosova ka qenë e banuar nga serbët. Mirëpo, shton artikullshkruesi, nuk ekziston asnjë dokument i vetëm që argumenton se Kosova ka qenë plotësisht e boshatisur kur sllavët kanë arritur në afërsi të saj. Bile, shton ky autor, është e logjikshme që të konstatohet se ky territor ka qenë gjithmonë i banuar
Nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur këtu shumë, shumë më parë se serbët. “Pra, vetëm pse serbët luftuan në territorin e Kosovës më 1389, nuk dëshmohet se Kosova tani u takon atyre”, shkruan Beqir Hagi, për të vazhduar me një komparacion mjaft interesant se, “sikur fushat e Belgjikës dhe të Francës ku Velingtoni mposhti Napolonin, t’i takonin Anglisë”.
Në veri të Kosovës, shton ky autor, popullata ka qenë më e rrallë, ndaj dhe serbët depërtuan më lehtë. Por, në vetë Kosovën, sipas tij, nuk ngjau kështu. Më 1879, rreth 100.000 shqiptarë, nga Kurshumlia dhe Vraja migruan kah jugu, ngase këto vise, Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Serbisë. Është e vërtetë se serbët e nënshtruan Kosovën për disa qindra vjet, vazhdon ky artikullshkrues, por ata kurrë nuk ia dolën që ta asimilojnë popullatën. “Ndaj dhe të thuash se Kosova i takon Serbisë, është njëlloj sikur të thuhet se Calais i takon Anglisë!”, konstaton Beqir Hagi.

• Cili ishte territori i Shqipërisë së vërtete sipas Lordi E. Fitzmaurice

Është interesante mendojmë pjesa kur në shkrimin e tij mjaft të thellë dhe voluminoz, Beqir Hagi sjell dhe ca sentenca mbi atë se çfarë kanë thënë të tjerë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e saj.

Lordi E. Fitzmaurice, përfaqësues britanik, në Trakinë Lindore, në një dokument adresuar tek Foreign Office (Ministria e jashtme) e Britanisë së Madhe, e që mban datën e 26 majit 1889 ndër të tjerat do të shkruaj:

“Territori i quajtur Shqipëri shtrihet nga fshati i Shkodrës, deri tek ai i Janinës dhe në lindje duke i përfshirë pjesët e vilajeteve të Prishtinës dhe të Manastirit. Shqiptarët janë shumicë në lindje të Prishtinës drejt Vrajës, siç dëshmojnë hartat e Kiepertit dhe Stanfordit. Vilajeti i Kosovës, me një përjashtim (pjesa e serbëve në lindje të Mitrovicës), është i gjithi shqiptar”, shkruan për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, Lordi E. Fitzmaurice.

Zotëri Alvarez, i konsullatës britanike në Stamboll nënshkruan një raport në lidhje me popullatën shqiptare në territoret etnike. Dokumenti mban datën e 27 gushtit 1880 dhe ndër të tjerat thotë: “… Racat që banojnë këtë territor, gjegjësisht pjesën më të madhe të vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit si dhe të Serbisë së vjetër janë shqiptarët dhe serbët, nga të cilët shqiptarët janë shumë më tepër.”
Një argument më shumë: kur armata austro-hungareze nën Dukën e Rrollshtajnit u mundën nga Turqit, serbët të cilët deri atëherë jetonin në Kosovë migruan në Banat dhe kështu Kosova mbeti vetëm me shqiptarë. (Shih “Ngritja e Mbretërisë”, fq 16, shkruar nga Sixe)
Ekziston gjithashtu edhe një elegji, të cilën e përmend edhe Beqir Hagi në artikullin e tij sipas së cilit tregohet për shqiptarët në një fshat të Drenicës të cilët u masakruan në xhami derisa ishin mbledhur për të kryer një rit fetar. Kjo ngjarje sipas artikullshkruesit ka ndodhur më 1924.
Nga ana tjetër, Beqir Hagi, në artikullin e tij përmend edhe Aqif Blytën, mbrojtësin e Tregut të Ri (Novi Pazarit), duke bërë përshkrimin në faza të ndryshme të betejës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të Shqipërisë.
Rreth Mitrovicës, shkruan B. Hagi duke përshkruar gjendjen e Luftës së Dytë Botërore, kufijtë kalojnë nëpër vargamelet e Rogozinës, duke lënë në Shqipëri 32 fshatra të komunës së Kolashinit dhe 6 të tjera rrëzë malit Crni Vërh. “Italianët”, vazhdon ku autor, “duke qenë të ndikuar nga serbët dhe malazezët asnjëherë nuk caktuan kufitarë shqiptar në këtë vijë të kufirit, kështu që çetnikët kalonin lirisht në këtë anë duke rrezikuar Tutinin, Rozhajën, Mitrovicën dhe Novi Pazarin.
“Sulmi i parë ndaj Novi Pazarit”, shkruan tutje Aqif Blyta, “më 1941 erdhi pikërisht nga kjo pjesë e kufirit, gjegjësisht nga Rogozini e Kolashinit, derisa sulmet tjera erdhën nga Kopaoniku, Golijasi dhe Rashka. Kjo gjendje vazhdonte ndërsa shqiptarët ne kësaj ane ishin në rrezik të vazhdueshëm”, thotë Blyta.
Më 5 shkurt të vitit 1944, në fshatrat e Dragoçevës, të Hotit, të Bellancës dhe të Gurbetiqit, janë vënë re banda të përqendruara çetnikësh serbo-malazez. Natën e 6 shkurtit të vitit 1944, u sulmua fshati Jezgroviq i komunës së Ribariqit, në nënprefekturën e Tutinit. Komandanti i garnizonit të Tutinit u nis drejt Ribariqit. Ndërkohë, Aqif Blyta i Novi Pazarit në marrëveshje me nënprefektin e Tutinit, mulla Jakup Kambinin, thërret të gjithë burrat e Tërnavës, të Vojkoviqit dhe t Novi Pazarit që të marrin armët. Këta, së bashku me ndihmën që u erdhi nga Tutini i përballuan për një kohë sulmet që u vinin nga armiku.
Ndërkohë, shkruan Beqir Hagi, mbrojtësit e kësaj pjesë të Shqipërisë Etnike, nëpërmjet prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiut, e njoftuan Pejën dhe Lidhjen e Prizrenit për këto beteja. Ndërsa, nga ana tjetër, çetnikëve u kishin ardhur në ndihmë forca serbe që komandoheshin nga Millan Nediqi. Trupat e ardhura serbe në ndihmë çetnikëve ishin të mëdha dhe përfshinin në vete rreth 1.200 efektivë ushtarak. Mirëpo, derisa sulmet e çetnikëve po vazhdonin, vullnetarëve shqip;tarë u arritën ndihma në efektiv prej afro 10.000 luftëtarësh: 4.000 nga Drenica, 800 nga Peja, 700 nga Oragjaci, 3.000 nga Tutini dhe 1.000 nga Novi Pazari. Kështu, forcat vullnetare shqiptare, jo që i përballuan sulmet e çetnikëve dhe të nediqevcëve, por edhe kundërsulmuan duke marr kështu nën kontroll të plotë fshatrat e Dragoçevës, Gurbetiqit, të Hotit si dhe 32 fshatra të komunës së Kolashinit, duke pastruar këto territore plotësisht nga çetnikët.
Në të gjitha këto beteja u shquan: Qazim Komoni, Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, etj.

• Çfarë shkruante Kristo Floqi mbi tezat e Cvijiqit mbi Kosovën si “Serbi e vjetër”

“Kosova ka qenë e akuzuar për qëndrime reaksionare karshi luftës së jugut (të Shqipërisë-plot. i H.M.)”, shkruan Ali Roka, për të shtuar se artikulli i tij, në fakt tregon se qëndrimi i Kosovës ndaj kësaj lufte ishte i kushtëzuar nga shumë faktor. Ky artikullshkrues i cili me qëndrimin e tij e zgjoi interesimin e studimit tek britanikët, thekson ndër të tjerat se vetë politika e ndjekur nga partizanët ishte një ndër faktorët që ka ndikuar në qëndrimet e kosovarëve, pasi që, siç thotë ky artikullshkrues, ata, pra partizanët kishin për qëllim zhdukjen ose shfarosjen e Kosovës dhe kthimin e dominimit serb. “Kosovarët kanë vuajtur më shumë se ç’mund të paramendohet”, shkruan Roka, “Ata ua shtrinë duart fqinjëve të vetë, por këta i qëlluan, ndaj dhe është shumë i natyrshëm reagimi i tyre”, shkruan Roka për të shtuar se, po ta vinte në sprovë Jugu vëllazërinë kosovare, ata do të befasoheshin se çka mund të bënin kosovarët për ta.
Në vazhdim të këtij artikulli do të sjellim një shkrim jashtëzakonisht interesant të komediografit të shquar shqiptar Kristo Floqit, gjegjësisht një polemikë e tija me tezat e Jovan Cvijiqit, profesorit hegjemonist të Universitetit të Beogradit i cili ndërtoi me dhjetëra dhe dhjetëra teza dhe doktrina të rrejshme mbi atë se si Kosova është “djep i Serbisë”, apo edhe “Serbi e Vjetër”.
JA se si fillon ky shkrim i Floqit, që është i radhitur si artikulli M i kësaj dosjeje britanike mban titullin A ËSHTË KOSOVA SERBI E VJETËR?
“Serbët dhe kroatët e pushtuan Ballkanin e me këtë edhe Shqipërinë rreth vitit 640 të erës sonë”, shkruan ky autor. Ata erdhën në Kosovë e cila ishte e banuar nga shqiptarët, pjesëtar të fisit dardan. Gjatë historisë, ky territor u sundua nga serbët dhe nga shqiptarët, por elementi shqiptar ishte origjinal (vendas), ndërsa elementi sllav, siç e dëshmon edhe vetë historia, erdhi më vonë”, shkruan Floqi.
“Emri ‘Serbi e vjetër”, shton ky autor, “është i trilluar nga prof. Cvijiqi dhe nuk haset në asnjë vepër përveçse në veprën e tij. Historiani tjetër serb, Vuk Karaxhiq, i cili ka udhëtuar nëpër Kosovë dhe i cili kishte njohuri të dorës së parë për këtë vend dhe këtë popull, këtë vend e quan KOSOVË e jo ‘SERBI E VJETËR”, konstaton Floqi.
“Një shkrimtar tjetër, bullgar, Dr. ICHIRKOFF (emri mund të jetë i pasaktë pasi që në dokument është shkruar në anglisht e jo sipas origjinalit – vr. E H.M.), në veprën e tij ‘Etudde ethnologichues sur les slavs de Macedonie’, këtë vend e quan Kosovë e jo Serbi e vjetër’. ‘Pas luftës ruso-turke, 1878 u revizuan kufijtë e Gadishullit Ballkanik, mirëpo asgjëkund nuk haset termi ‘Serbi e vjetër’, i aplikuar për Kosovën, por vetëm emërtimi Kosovë.
Edhe hartat e Kiepertit asnjëherë nuk e kanë përdorur termin Serbi e vjetër, kur flitet për Kosovën. Në të gjitha statistikat e mbajtura nga perandoria Otomane”, thekson Floqi, “është përdorur emri Kosovë për këtë regjion. Në të gjitha korrespodencat e ambasadorëve të huaj përdoret vetëm emri Kosovë e jo Serbi e vjetër.
Në të gjitha gjeografit e vjetra serbe, ekskluzivisht përdoret emri Kosovë, ndërsa atë Serbi e vjetër nuk e hasim asnjëherë. Në veprën e G. Verdenit (diplomat francez) për Maqedoninë, kurrë nuk është përdorur emri Serbi e vjetër, por gjithnjë është përdorur Kosovë.
Në fjalorin e madh historiko-gjeografik të Ahmet Rifat Pashës (Grand Dicionare Historique e Geographique -1884), asnjëherë nuk haset termi ’Serbi e vjetër’, por vetëm ‘Kosova’. Në koleksionin e hartave të quajtura ‘Nona Europae Tabula e Decima Europae Tabula’, të botuar në Romë më 1940, botuar në veprën e Ptolemitit, termi Serbi e vjetër nuk përdoret asnjëherë kur flitet për këtë territor, por vetëm termi Kosova.
Kjo që vijon është lista e hartave të cilat dëshmojnë se Kosova, gjithmonë është quajtur Kosovë e kurrë ‘Serbi e vjetër’, dhe se Kosova ka qenë gjithmonë shqiptare:

1. Theatrum orbis terrareumm sive atlas novees paro tertia, nga Guillaume dhe F. Blaeu, Amsterdam 1650.
2. Mercuric geographico, nga G. Rossi, Romë 1674
3. Troisiome partie de la carte d’Europe, Auville 1760
4. Nuovo atlante geographico universale, Causini 1792
5. European Domination of the Ottoman or Turkey in Europe nga W. Fadeni, Londër 1795
6. Karte von dem Osmanischen Reiches ih Europa, nga Franz von Kelly, Vienë 1769
7. Imperii Osmani sive turcici Europae Tabula ad norman recentessimarum observbationum conciuata Samitibus, botuar nga John Walka, 1979
8. The European Map, nga A. Arroësmith, Londër
9. Care de la Turquie en Europe en 15 feuilles, nga p. G. Chaulaire, 1800
10. Atlanto Veneto, 1694

Përveç kësaj, Pjetër Bogdani, arqipeshkvi i Shkupit, në një letër të shkruar më 10 shkurt 1675, përmend këtë territor duke e quajtur Kosovë e jo Serbi e vjetër.
Dy shkrimtarët serb, V. Karaxhiq dhe Ivan Raiq kurrë nuk e quajtën këtë territor ‘Serbi e vjetër’ në veprat e tyre (ata kanë shkruar më 1887 dhe 1794). Bile, edhe Vladimir Ivanoviqi, një përkrahësi i flaktë i Pansllavizmit në Ballkan, në librin e tij “Les Serbes et la mision l’Europe de la serbie fans Europe d’Orient’, B e H-në e quan ‘Serbi e vjetër’, kurse Kosovën e konsideron Shqipëri. Këtë e konfirmon edhe bashkëvendësi i tij Dimitrije Stefanoviq”, shkruan Kristo Floqi në studimin e tij mjaft informativ dhe kurioz për britaniket.

• Kosova ka qenë dhe është shqiptare

“Edhe Pougueville”, shkruan më tej Floqi, “ambasadori francez te Ali Pasha i Janinës, në veprën e tij ‘Voyage en Moree, a Constantinopole, et en Albanie 1865’, por edhe Boue, shkrimtari francez, në librin e tij “Redull d’itineraires fans la Turquie d’Europe 1884’, pohojnë se Kosova është plotësisht shqiptare dhe kurrë nuk e quajtën atë ‘Serbi e vjetër’. Të gjithë këto argumente të dokumentuara që dëshmojnë se Kosova është shqiptare janë prova të mjaftueshme për të kënaqur edhe studentin më skeptik dhe më kritik të historisë”, shkruan Floqi.
“Është evidente”, shton ky autor, “lakmia për pasurinë e te tjerëve në veprën e prof. Cvijiqit, lakmi e cila e udhëheq gjykimin e tij, gjer në atë masë, saqë e bënë atë të verbër dhe qesharak. Shumë truqe kanë përdorur serbët për të marr Kosovën dhe për të ç’rrënjosur elementin shqiptar, por, fakti se këtë nuk e arritën është një argument me shumë që shpie drejt të konkluduarit e vërtetë se Kosova ka qenë dhe është Shqiptare.
‘Dashuria e ujkut të vjetër ndaj qengjit’, shtrembëron madje edhe të vërtetën më evidente historike duke e turpëruar historinë dhe pasionin e shkencëtarit për objektivitet, duke përdorur terma të tillë të shëmtuar siç është ai “SERBI E VJETËR”, përfundon komediografi i shquar shqiptar, Kristo Floqi, në polemikën e tij me shkencëtarin serbe Jovan Cvijiqi rreth emërtimit të vërtetë të Kosovës.

• Në fund

Pothuaj se, në çdo dokument të cilin e përdoronte në këtë kohë Ministria e Jashtme Britanisë së Madhe, si dhe Ministria e luftës së këtij vendi, Kosova dhe Dibra (me të cilin emër përfshiheshin territoret shqiptare të Maqedonisë nga Shkupi e deri në Ohër) paraqiten si territore të banuara në mënyrë dominante me shqiptarë dhe së kufijtë prezentë pak a shumë janë në raport me kufijtë etnik. Sipas britanikëve, e tërë ajo që mund të thuhej në lidhje me këta kufij është element i fortë etnografik dhe përcaktim po ashtu i fortë i shqiptarëve, jo vetëm për të ushtruar influencë brenda këtyre kufijve, por edhe për t’i mbrojtur toka. Çështja e Kosovës ishte e rëndësisë vitale për shqiptarët.

Prof.Dr. Haqif MULLIQI

Autori është doktor i antropologjisë dhe profesor në Universitetin e Prishtinës” Hasan Prishtina”

Facebook Comments