Nga Faruk MYRTAJ

◾◾◾

“Deri në ç’pikë arrin rezistenca e njeriut? Kjo është çështja!
Jo të jesh apo të mos jesh”, bërtet dhimbjen, plagën Dorian Grei. Në vend të njeriut ndodh të provohen vlerat, kulturat, kombet.”

“Portreti i Dorian Greit” është pikërisht Miti i Portretit.

Portreti-Dorian-Xhepa, ka probleme me veten. Më së shumti për shkak të qëndrimit të të tjerëve me të. Nëse Bazili-Bujar Lako, është thjesht kujtesa e pamjes së tij në telajo dhe në kohë, krijuesi dhe rrënuesi i vërtetë i tij është Fatos Sela-Henri Uoton. Ashtu si leximi i librit, edhe të vështruarit e një shfaqjeje në skenë, mund të pritet si gjë “thjesht individuale”.
Fatos Sela ishte sunduesi i plotë i netëve të këtij suksesi të arritur bashkë me Ndriçim Xhepën.

Regjisori, tashmë jo i ri, Kiço Londo, mbase ka qenë në katrahurën plotë trille të Uajlldit, mbase endè s’e kishte endè idenë se çdo bënte, çdo zgjidhte dhe se çfarë, ata, të tjerët, të përzgjedhurit e tij, do të bënin për ta shpëtuar nga joshja torturuese që e mundonte prej kohës kur “njohu” Uajlldin dhe fatin e të Tijëve në art. Mbase do të gabonte kryekëput. Ashtu edhe është nisur. Në mugullirë. Bie fjala kur ka shkuar dhe i ka kërkuar Fatos Selës të luante Henrin Uoton-in. Duke e lënë të habitur…

“Unë të luaj Henrin?! O Zot, po…a ngjaj? A bëhem dot unë Henri Uoton?! A jam vërtetë aq ironik, a mund të shfaqem aq cinik, sa të hyjë si-do-si nën lëkurën e asaj krijese të llahtarshme të Oskar Uajdllit?!”, këto duhet t’i ketë thënë njeriu Fatos Sela-aktor, regjisorit Kiço Londo. Kjo mund të ndodhte pas leximit të krijimit të përkthyer të shkrimtarit të madh sfidant. Por mbase nuk kishte ndërruar aspak mendim edhe pas leximit tjetër të variantit dramatik të zgjedhur me kujdes.

Dhe vërtetë, a është Fatos Sela i tillë?! Për ç’shkak, vallë, guxoi të rrezikonte K.Londo? Përse të mos i jepte një rol tjetër, bie fjala, Dorian Grein? Ose, në fund të fundit a nuk mund ta linte fare pa këtë rol Fatos Selën?!

Më 1972, sapo mbaron studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramaturgji, Fatos Sela ka “fat” të mirë: punon si regjisor në TVSh. Deri këtu, si edhe Ndriçim Xhepës, u lejohet të bëjnë pjesën e bukur të portretit të tyre. Pastaj Fatos Selës i ndodh të “transferohet” për në Teatrin e Fierit ku punon si aktor deri në vitin 1995.
Plotë 20 vjet për ta parë me ironi, me skepticizëm dhe, pse jo, edhe me ironi të hidhur portretin e tij të dikurshëm, rininë e romeove. Por jo vetëm të tijin. Në këtë dramatizim mitizohet dhe vritet portreti i skenës dhe i platesë, i llozhës dhe galerisë. Asnjë krim, ashtu si asnjë bukuri, nuk ngjizet në vetë të parë njëjës.

Megjithatë, as që ia vlen për të formuluar pyetjen: përse Londo nuk i ofroi Selës rolin e “portretit në dy kohë”? Të Romeo Greit, pra. Se në fund të fundit, nëse, bie fjala, Xhepës i mungonte ajo që tek Sela ishte me të tepër, tek ky i fundit mungonte fatpërvoja e të parit: i ishte dhënë rasti t’i gëzohej Romeos, madje për kohë të gjatë. Por a ka më tragjik se vetë Romeo?!

Ç’është Dorian Grei, në fund të fundit?

Për një regjisor që di më shumë se ç’sheh, që ndjen në emër të të gjithë roleve dhe aktorëve, merret vesh mirë që Grein e gjorë, edhe të bukur, edhe të shëmtuar, e gatuan një tjetër Dikush. Edhe në Jetë, edhe në krijimin e Uajdll-it, madje edhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Nuk ka Dorian Grei pa Bazil Holguorthin, por, së pari e së gjithash, në trajtën e formës dhe në thelbin e përmbajtjes, nuk ka Dorian Grei pra, pa Henri Uotoni-in! Suksesi s’mund të vij veçse prej të dyve njëherësh. Me këtë shije të mrekullueshme del nga salla e Teatrit Kombëtar, të kthyer më në fund, në një pjesë me të vërtetë “serioze”.

Edhe një spektator i thjesht që ka pasur rastin të di diçka për Teatrin e Fierit vite më parë, jo më një regjisor si Kiço Londo, që është ngjizur aty, e di atë kohën tjetër; me ata aktorë të rrallë, që i bënin sfidë Tiranës metropol; me atë frymë krijuese brenda kohës “kundër”… tjetërkujt; kur, me që është fjala tek Fatos Sela (“a vërtetë jam unë aq ironik, ose a jam unë aq cinik sa të hyjë në këmishën e Henrit?!”) këtij të fundit iu desh të shkonte të punonte për t’u “shkundur dhe riformuluar në gjirin e klasës” së derrave që kuisnin në stacionin e mbarështimit të tyre në periferi të Fierit…Si të mos njohë dhe të sjellë paskësaj, në skenë, ironinë elegante, por edhe cinizmin e thekshëm, ky aktor i ngritur në nivel sipëror në shfaqjen e shpirtëruar paraprakisht nga Kiço Londo?

Një regjisor i mençur nuk kishte përse të shkonte ndërmend t’ia ofronte Fatos Selës rolin e Dorian Greit. Një regjisor i tillë nuk mund të mos i ofronte Fatos Selës rolin e madh të Henri Uoton-it. Ashtu bëri Londo. Nëpërmjet një Henri të krijuar prej Uajdll-it dhe një Sele të krijuar nga mjeshtëria e tij dhe jetës shqiptare, mund ta bëje në skenë kur të doje Dorian atë që kishte qenë edhe Romeo. Punë pasqyrash.
Ndriçim Xhepa arriti të formësohej duke qenë krijesë e penelit të të njohurit tjetër të madh, Bujar Lako, dhe fjalës së thekshme të Fatos Selës. Edhe në momentet kur Sela nuk ndodhej në skenë, Doriani-Xhepa vazhdonte dhe meritonte të vështrohej si krijesë e ironisë, sarkazmës dhe cinizmit të fjalës së artikuluar me thellësi, elegancë dhe mjeshtëri aktoriale të patjetër nga ai. Si për të pohuar se ka shumë njerëz dhe grupe njerëzish, në këtë botë, që mbeten skllevër kundër dëshirës së tyre. Skllevër të bukurisë e të shkëlqimit të tyre të dikurshëm, të boshësisë së vetëtishme, të ushqyer nga rrethanat dhe njohjet, nga format pa përmbajtje, nga rolet pa figurë dhe pa zë natyror, të vetin. Portreti i rinisë së dhuruar nuk mund të të ndjek dhe të shoqëroj për tërë jetën. Sukseset e Xhepës kanë plotësuar njeri-tjetrin.

Autori dhe regjisori kanë ofruar për Fatos Selën një kartë rivale, siç është Xhepa, për tu shpallur si rrallë herë tjetër. Edhe tjetër herë Sela ka qenë Njësh, loja e tij shpesh është vënë në dukje si e klasit të lartë. Londo bëri që të gjente aktorin për rolin që mund të thuhej edhe në inversin e drejtëpërdrejtë: rolin për aktorin e krijuar për të.

Sela është më i vërteti, është më i lirshmi në skenën e “Portreti i Dorian Greit”. Duke nënqeshur ai arriti t’i jepte gëzim vuajtjes tek tjetri dhe duke bërë të rrihte zemra e krijesës së tij skenike provonte mungesën e saj. Së paku ritmin e saj të pavërtetë të deriatëhershëm. Xhepa-Dorian ishte gati të shndërrohej me vetëdije një zar që rrotullohej, vërtitej e rrëzohej, në dorën e tij. E gjithë historia është një Henri Uoton, kurse Henri Uoton është një Oskar Uajlld. “Vogëlushi-shprehet diku në tekstin e dramatizimit Sela-Uoton për Dorianin-Xhepa-më dëgjon si profet, me gjithë kundërshtimet e tij të pafuqishme në sytë e tij të verbuar”.

“Henri, do t’i them të gjitha. Asgjë nga këto s’do të kishte ndodhur, nëse s’do të njihja ty më parë. Më lindi një etje. Për gjëra që as kisha guxuar t’i sillja ndër mend, e jo më t’i jetoja”, artikulon Dorian Grei.

“Atëherë, i dashuri im, duhet t’i luftosh të gjitha fitoret. Sepse, siç duken gjërat, t’i sjellin të gatshme. Duhet ta ruash me kujdes atë që je. Jetojmë në një kohë kur lexon shumë për të qenë i ditur dhe mendon shumë për të qenë i bukur”. Henri-Sela është tmerrësisht i ashpër, nga që është tmerrësisht i vërtetë.

Më në fund vjen momenti kur edhe Bazili-Lako bëhet i vërtetë kur e kujton Dorian Grejin: “…e di, Anglia, e gjitha, është imoralitet. Kujdes, siç thotë edhe Henri, shthurja është një lumë i qetë, që dalëngadalë kthehet në përrua. Dhe atëherë asgjë s’të shpëton.” Mjaft që lexuesi.shikuesi të ndërroj emrat. Krimi është aty. Autorët dhe viktimat e kanë kthyer jetën skenë ku ngrihen bjen mite.

“Deri në ç’pikë arrin rezistenca e njeriut? Kjo është çështja, dhe jo të jesh apo të mos jesh”, bërtet dhimbjen, plagën e tij Dorian Grei. Në vend të njeriut ndodh të provohen vlerat, kulturat, kombet.

Faqja e Kultures “Albania”, 2002-2003

Facebook Comments