Nga Nadire BUZO

◾◾◾

Mjeshtër ( kështu preferonte t’i thërrisnin), jam e mahnitur që jemi këtu me ju, në një ambient kaq të thjeshtë dhe shumë komod njëkohësisht, piktura, fotografi, medaljone, relike të çmimeve dhe trofeve të fituara ndër vite, vegla muzikore, kafaze pëllumbash, lule, bojëra, karrige prej kashte, mindere, kolltukë, tavolina e kavaleta pune, e çdo gjë në vendin e vet.

-Kam lindur në Ishëm unë. Jam ishmak. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurrasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e Detit Adriatik, është vend i bukur apo jo.
A e dini atë historinë, se si u tha Skënderbeu ushtarëve të tij kur ishte për herë të parë atje. I mahnitur nga pamja lart në kodër ai thirri: Ou? sa hijshëm! Dhe sa herë binte fjala për atë vend, ai thoshte, -atje te vendi hijshëm…. E kështu hijshëm, e hijshëm, i mbeti emiri Ishëm si sot. Skënderbeut i pëlqeu aq shumë ai vend, sa ngriti dhe Kalanë e tij aty në kodër, aty afër kam shtëpinë unë, Kodër Ishëm quhet.

Patosi dhe vendosmëria me të cilin e tregonte mjeshtri historinë e emrit të vendit të vet, na bëri të mos guxonim të thoshim se në shkollë kishim mësuar se emri Ishëm (Isamus) e kishte prejardhjen nga latinishtja.

Sido të ishte e vërteta, tregimi i mjeshtrit ishte bindës, ai rronte me vendlindjen dhe historinë e vendit të tij.

Para se të vinim këtu dhe të flisnim me ju, kemi lexuar dhe dëgjuar shumë. Cila është e vërteta e ardhjes suaj ne Itali, mes shumë vuajtjesh dhe përpjekjesh, i mbetur jetim që në fëmijëri. Kush tjetër është pjesë e fatit tuaj.?

-Nëna Mbretëreshë më kish` premtuar, se kur të mbarosh maturën në Shqipëri do të të dërgoj në Itali në Artet e Bukura. Dhe vërtet kështu ndodhi së bashku me Buzën, Paskalin, Stamon e të tjerë, në fillim në Bari, në Romë e në fund në Milano në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera.

Akademia “Brera”, është ndër më të famshmet dhe të hershmet në Botë e cila ka nxjerrë një numër të madh artistësh me famë botërore, Ju si arritët mjeshtër t’ia dilni mbanë, madje dhe të shquheni e të meritoni titullin “Ylli i Breras”

– Pata fat me thënë të drejtën, kam punuar por edhe shokët e akademisë më kanë ndihmuar e më kanë qëndruar shumë afër. Kur shkova atje ata me mua ishin shumë të mirë e shumë të butë. Profesoresha Eva Tea e cila më ka ndenjur shumë pranë dhe më ka dhënë shumë këshilla e qortime, pasi vjen koha thoshte ajo që mbaron akademinë dhe mbetesh në rrugë pa punë, prandaj duhet të punosh shumë që të jesh dikushi.
Këshillat e saj i pata gjithë jetën parasysh, që kur isha i ri isha i kërkuar nga gazetarët dhe kritikët, kur mbarova akademinë shumë galeri më kërkonin. Një galeri e madhe më modernia e Napolit, Brudi Pruse quhej, erdhën këtu për të më marrë disa vizatime për një ekspozitë, gjithashtu një qendër e kulturës e quajtur “Akulia”, e Brindisit. Galeria “Kupola” nga Bolonja, galeria Marinia, më e madhja në Milano. Galeritë e Venecias ku në të gjitha këto, unë hapa ekspozita pikture dhe kështu gazetat shkruanin përtej Parisit, gjithashtu edhe kritikët e artit.
Në atë kohë lufte Partia Komuniste pruri në Milano poetin Pol Elyar për të recituar poezitë e tij përpara popullit, aty Xhan Karlo Rigoreli, një kritik i madh letrar më pat thënë mua të bëjë një vizatim për Pol Elyarin, i cili do ta botonte atë në revistën ‘’ Molburi’’, ku ai ishte drejtor. Unë e bëra vizatimin, dhe poshtë portretit kisha shkruar poezinë e tij ‘’La Guerra’’ ishte kohë lufte imagjino në Francë, aty poeti shkruante se nuk mund të dilte prej shtëpie se ishin guardat (rojet) gjermane dhe bëri këtë poezi.
Pas dy ditësh ai erdhi dhe vizitoi studion time bashkë me dramaturgun Beniamino Opolo nga Sicilia që frekuentonte Via Brera Vois, Via Brera ishte me rëndesi quhej Kartela Martine, atje ishin njerëzit më të mëdhenj të botës. Pol Elyar pasi pa punët e mia dhe doli me këto fjalë – Kodra është primitivi i fundit i një civilizimi të ri-. Këto fjalë i morën dhe i komentuan të gjitha gazetat e të gjithë kritikët e veçanërisht Sabiatore Vero në ‘’Koriere De la Sera’’ i cili shkroi -Kodra dhe tre fjalët e Elyarit me të cilat shkruhet një roman’’

Mjeshtër me që jemi te lufta unë shoh në albumin tuaj dhe në mure piktura të mrekullueshme me mjerimet dhe shkatërrimet e luftës, ju në të gjitha kohët mbeteni modern dhe bashkekohor.

-Në kohën e luftës bëra shumë vizatime, pasi ishte koha me shumë ngjarje në botë, punët e mia pëlqeheshin sepse shprehnin kohën. Në atë kohë punët e mia ishin të ndikuara prej ekspresionizmit Francez. Gjithashtu bëra disa punime të inspiruara nga Neoklasicizmi, psh. nga Goja e perfeksionova punën time. Në një kohë kur rrymat ishin komunizmo, marksizmo, e surrealizmo. Shumë tablo janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit,Frederiko Garsia Lorka, kurse këto pikturat këtu (tregon në mur) janë ilustrime nga vepra e Brehtit “Homazh për Bertol Breht”.

Për kuriozitetin e të gjithëve, a mund të na thoni cilat janë rrymat që ndiqen në art dhe ju cilën keni ndjekur, pasi shoh në studio disa lloje pikturash me stile e teknika të ndryshme, nga koha në kohë.

-Gjatë një diskutimi në një kongres të rëndësishëm, më bën një pyetje nga salla, njerëzit donin të dinin, se sa rryma arti ekzistojnë në botë. Unë ju thashë se rryma janë vetëm dy dhe këto kanë lindur në Greqi, nga Aristoteli dhe nga Platoni. Aristoteli thotë që natyra nuk është e imitueshme, s`është aq perfeksione sa që njeriu s’mund ta bëj, por qëllimi i artistit i piktorit, i poetit është të shohë natyrën dhe të marrë nga iskrimi i natyrës e që del nga brendësia e poetit e artistit, kjo është puna. Ndërsa Plutoni tha se është e mirë ideja duhet mendimi i njeriut “in piaçere del uomo” interpretare la natura” (kënaqësia e njeriut, të interpretojë natyrën) Interpretimi i natyrës është i mire, porse ekzistojnë dy ryma: Naturalizmo dhe Platonizmo.
Këto dy rryma u studiuan dhe u përshkruan shumë prej kritikëve dhe historianëve si Xhordano Bruno, Kambanera. U influencua 100% Pesina, Piera de la Franceska, Rafaelo, Peruxhino, zhvilluan pikturën nën rrymën e Platonit, ndërsa Andrea del Sato e Mikelanxhelo, idealistët që ndjekin rrymën e Aristotelit. Kohët e fundit shumë shkolla u ndikuan nga Pesino, por nuk patën shumë sukses atëherë Kalavaxhio, Grandela del Mondo, punuan në punët e tyre duke e vënë dritën në një krah dhe patën shumë sukses.
Pas luftës në vitin 1945, u bënë disa mbledhje, u mblodhën disa piktorë që kishin mbaruar akademinë dhe biseduan të ndjekin rrymat, Astrotismo me dy dimensione apo Kubizmo me tre dimensione. Atëherë ne filluam me Kubizmin tredimensional për përsosjen e imazhit dhe detajon imagjinatën. Pra në atë kohë ne filluam me Kubizmin dhe patëm shumë sukses. Unë me shumë mundime dhe me punë, gjeta këto forma gjeometrike, iderat e Platonit që atëherë u pëlqyen në të gjithë botën. Ndërsa Pikaso përdorte shpesh tridimensionizmin, unë mendova teorinë time.–Ku ka një vijë vertikale, duhet të mbështetet pa tjetër tek një vijë horizontale, pra kubismin katërdimensional. Pasi në atë kohë u prezantua koha e konsumizmes në botë, e cila e la njeriun viktimë, kjo është anatema e atij civilizimi, njeriu është “njeriu robot”. Kur më pyesin mua ç`është kjo punë “robot”, unë i përgjigjem këto janë fytyrat tona. Ky jam unë, je ti.

Ju mjeshtër keni qenë mik i ngushtë me Pikasonë, çfarë ju ndante dhe ju bashkonte me të. Dhe pse ju thonë “Pikaso i gjalle”?

-Për ato ç`ka ju tregova më lart për sa i përket artit, megjithëse edhe në art ndryshonim në karakteret. Ai ishte rebel por shpirtin e kishte të mirë. Unë mësova shumë prej tij. Çdo fund javë unë shkoja me motor nga Milano në Francë tek Pikaso, e shpesh jo vetëm, në motor merrja edhe shok e shoqe me vete, shkonim si grup, për fundjave dhe kalonim shume mire. Pikaso ishte natyrë rebele dhe i ndëshkonte femrat, ndërsa unë isha shumë xhentil me to.
Kam pasur shumë miq e shokë artistë si Dino Buxatin, Elyarin, Gutuzon, Kuazimondon, e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerëz ë thjeshtë me të cilët kalonim kohë të gjata bashkë dhe unë ju tregoja shumë herë për vendin tim, për Shqipërinë dhe i thosha se asht nji vend i bukur sa s`ka ma.

Mjeshtër çmime e trofe pa fund nga e gjithë bota. Po kjo medalja “Milanezi i Artë” që jua dorëzon Kryetari i bashkisë Gabriele Albertini, në konkursin kombëtar për arkitekturën ? Edhe arkitekt jeni ju.?(fotot me mbishkrime ne mur)

– Jo nuk jam arkitekt, por pjesë e arkitekturës. Qytetet e sotme e në veçanti qyteti i Milanos, janë për qytete muze, të gurta të larta e pa ajër e gjelbërim, qyteti që kam paraqitur në konkurs është në një kodër me rrugë e ndërtesa të ulta e me shumë gjelbërim.

Po,ky gur i gdhendur këtu, pse e keni quajtur “guri i jetës”?

-Ti e di se ne e kemi traditë kur vdesim tek koka si shenjë na venë një gur, një gur të sheshtë apo të rrumbullakët, ku shkruhet emri, dhe sytë të mbeteshin në atë gur, sikur aty fshihet e tërë jeta, sikur aty shihet si në televizor e gjithë jeta e gjatë apo e shkurtër qoftë ajo, një copë gurë që flet për atë që prehet. Kjo tregon se njeriu është i fortë si guri, e guri ku ai shkel e ndërton, është vetë jeta.
Dhe unë këtu kam gdhendur fragmente të jetës sime, qytetin e lindjes e gjithçka që ka bërë thelbin e jetës sime, pra “guri i jetës”

Mjeshtër, kur keni qenë së fundmi tek gurët e jetës?

Herën e fundit kam qenë në vitin 1996, kur presidenti i Republikës Sali Berisha me dekoroi me medaljen ‘‘Nderi i Kombit’’ (tregon fotografinë madhe të varur ne mur.) ka qenë një gëzim dhe një nder i madh për mua dhe për gjithë punën e jetës time. Atëherë vizitova dhe Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, jam kënaqur shumë që ata kanë cilësi ë mira dhe pasion për artin, por duhet me punu, me pa botën me refleksu, janë tre fjalë –Me punu-me lëvru- me korr.

Gazetari italian ju ka pyetur juve në se jeni dakord për luftën çlirimtare?

-Po luftë për çlirimin e një kriminaliteti të ri. Në Kosovë po eksperimentohet një tip i ri kriminaliteti në kërkim të kënaqësisë vrastare dhe egoizmit. Masakra e Reçakut është pasojë e këtij tipi të ri kriminaliteti që qëndron shumë larg ligjeve humane dhe hyjnore. Kushdo që gjymton, copëton dhe masakron kufomat nuk është veçse një lloj i ri kanibali. Edhe për sa kohë popujt e civilizuar do të tolerojnë të tilla turpe! Sllobodan Milosheviçit i intereson vetëm që në Kosovë të ndajë bijtë nga baballarët dhe trupat nga kryet. Ai kërkon vetëm të përvetësojë të mirat e shqiptarëve, të shumëfishojë urrejtjen racore e të realizojë procese gjyqësore të cunguara.

-Mjeshtër me befason intervista jote, kaq kohë i larguar nga vendlindja juaj, dhe ky mall e kjo dashuri për të dhe trojet e saj kudo që janë, dhe aq më shumë një artist i artit viziv të jetë një politikan e patriot i zjarrtë. Atëherë po në Kosovë a keni qenë ?

-Po në pranverën e këtij viti (2002) dhe më priten jashtëzakonisht mirë, kosovarët i dua shumë, janë trima dhe mikpritës, historia e Kosovës është e dhimbshme. E ëndërroj pavarësinë e saj, kam shkruar një vjershë ……….(e reciton me lot ne sy)……….shqipja fluturoj dhe me krahët e saj në fluturim, shkroi në qiell, emrin Liri dhe Arbëri.

Ju në Itali jeni pagëzuar në fenë kristiane, por emrin e mbani përsëri Ibrahim Kodra, si ka mundësi, ky është një përjashtim i rrallë për rregullat e fesë kristiane .

-Edhe fenë edhe emrin i kam për të qenë përbrenda identitetit tim.

Pse s’jeni martuar mjeshtër, me gjithë këto artiste rrotull, me gjithë këto mike të mrekullueshme qe ju adhuronin, i ri i bukur i famshëm? (duke treguar fotot që kishte në mure ).

-Kisha shumë mike që më adhuronin dhe me deshën shumë dhe po të martohesha me njërën do të largoheshin të tjerat. Pastaj familja është shumë e rëndësishme dhe kërkon përkushtim dhe s`ka më shoqëri e aktivitete dhe punë pa fund dhe unë zgjodha këtë rrugë.

S’ju tremb vetmia?

-Nuk jam kurrë vetëm, jam gjithmonë me shokë e miq. Te gjithë më duan dhe më respektojnë, tek shumë prej tyre jam pjesëtar i familjes, ja si tek Fatosi, Timi e të tjerë.

Mjeshtër po nga vdekja keni frikë?

-Jo. Pse të kem frikë, njeriu fillon të vdesë sapo lind, ç`do ditë që kalon në jetën tonë, a nuk të çon drejt vdekjes?,
Por unë kam pa mbramë nji andërr, sikur isha në nji pyll duke ecur dhe më doli përpara një grua e veshur me të bardha si Zanë, e më tha mu. – Ti Ibrahim do të jetosh 125 vjet, unë hapa sytë, Zana kishte fluturu. Si mendon ti ç`asht kjo andërr?

Pa tjetër që do të jetosh shumë, aq sa tha Zana mjeshtër. (Kuptova se ai e donte shumë jetën pavarësisht viteve që kish jetuar)

Na kanë treguar për ndihmat humane që ju keni kontribuar shumë kohë më parë por edhe tani. Keni mbajtur edhe studente shqiptarë në shtëpi.

-Dikur njerëzit më kërkonin para për të hapur dyqane e klube te ndryshme dhe më vonë kur s’kishin të m’i kthenin, miqtë e mi njerëz të varfër emigrantë , hanin ushqim tek ata me një firmën time.
S`ka shumë kohe që kam qene iniciatori kryesor I restaurimit të “Teatrit Masimo” në Palermo ku me pikturat e riprodhimet e “12 muzikanteve” të Teatrit Masimo u restaurua pothuajse i gjithë teatri. Artisti nga vetë natyra është human ndryshe ç`u kuptua se je njeri i ndjeshëm e artist ndryshe nga të tjerët, cilido mund të kontribuojë në mënyrën e vet. Dhe unë ju përgjigja thirrjes së Kryetarit të Bashkisë Leoluka Orlando. Ai, kur u inaugurua teatri, përshëndetjen e tij e nisi me fjalën shqipe “Urime” kjo është fjala e pagëzimit Shqiptar. Kjo ishte një kënaqësi për mua si artist dhe si Shqiptar, ne jemi bujar apo jo.

Mjeshtër, miqtë tuaj na treguat se 26 shtete kanë bërë filma dhe dokumentarë për ju, si dhe jeni “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë dhe botës e madje deri në Tokio. Unë kam shumë gazeta përpara e s`di kë të citoj më parë, por një shkrim i “Corriere De la Sera” ku është botuar një intervistë e juaja ”Arti i të jetuarit shëndetplotë”. “Një përçapje krijuese për të qenë në harmoni me jetën. Ibrahim Kodra, mjeshtër i sekreteve të “formës fizike”.

Arti është liri sepse nëpërmjet tij në prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, të cilat janë armiq për ç`do sëmundje. Arti na dhuron gëzimin e të jetuarit, na dhuron atë gjendje shpirtërore, pa të cilën ne nuk do të mund ti bënim ballë ankthit dhe mllefit të përditshëm. Të kultivosh art do të thotë të mbetesh i ri . Njeriu ka tre armiq të mëdhenj; duhani, grykësia dhe pasiviteti.
Ç`do mëngjes duhet të bëjmë 20 minuta gjimnastikë. Dhe të pimë një gotë ujë të freskët. Ushqimi duhet të jetë i thjeshtë dhe i lehtë. Uji që buron nga gurët duke patur shumë forcë të jep energji jetësore.
Në përgjithësi, sekreti i të qenit në harmoni me jetën, është inteligjenca krijuese e aftë ti ofrohet të tjerëve me modesti, pa ambicie të shfrenuara dhe arrivizëm, që krijojnë vetëm strese dhe sëmundje. Të bësh të mira është gjimnastika me e rëndësishme për të pasur shëndet të mirë. Për të qenë në harmoni me veten dhe të tjerët

Facebook Comments