Nga Desar SULEJMANI dhe Entela BINERI

◾◾◾

Shpeshherë, përkatësia kombëtare ngatërrohet me atë shtetërore; pikërisht kjo ngatërresë, përzier edhe me synimet globaliste nxit humbjen e lidhjes së drejtpërdrejtë të çdo përbashkësie shoqërore me bërthamën e vet, prejardhjen.
Dhe, për sa i përket largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendi i tyre për shkaqe politike, ekonomike apo qoftë edhe arsimore a kulturore, vendosjes kryesisht përgjithmonë, ose edhe përkohësisht në shtete të tjera anekënd rruzullit, më vete apo familjarisht, kjo mbetet një dukuri sa e hershme, po aq e ndjeshme sot. Shqetësimi kryesor, në të vërtetë, lidhet me detyrimin/dëshirimin e një zhvendosjeje të tillë, porse, jo aq me largimin në vetvete si dukuri e vullnetshme, sa me shkaktarët, të cilët e nxitin “forcërisht” atë (zhvendosjen).

Lëvizja gjithëkohore botërore zë fill pikërisht brenda qenies njerëzore, qartazi lidhur me pritshmëritë vetjake, pa mohuar “etjen” për përvoja të reja, qofshin këto edhe të rrezikshme. Ndonëse çfarëdolloj zhvendosjeje ka përherë një çmim, mendimi për një jetë më të denjë në vendin e synuar, mbizotëron, të paktën fillimisht, çdo ndjenjë të natyrshme pasigurie.

Sot, pas pothuajse 60 vjetësh, pas ikjes masive të shqiptarëve nga ish-RFJ (fundi i viteve ’60); si edhe pas ikjes masive nga Shqipëria (vitet ’90) – largim jo prej një hapësire gjeografike, por prej dhunës shtetërore mbi baza etnike (Kosovë) dhe prej një qeverisjeje e bashkëjetese mbytëse (Shqipëri) – dëshira për të ikur është ripërtërirë. Ndonëse më pak e zhurmshme, ikja e tanishme është rrezikuese më shumë se kurrë për shpërbërjen tonë kombëtare. Ndoshta sepse sot jemi më të vetëdijshëm si shoqëri lidhur me atë çfarë po ndodh dhe pasojat e saj: mungesë e frymëmarrjes së lirë, paqëndrueshmëri ekonomike dhe shoqërore, kriminalitet i lartë falë edhe pandëshkueshmërisë (së pari politike), zhvillime të pamjaftueshme edukativo-kulturore në rang të gjerë kombëtar etj.
Dhe, mendimi zotërues është se shkaktare e gjendjes së sotme (një gjendje zgripi), anembanë vendeve tona, është politika 30-vjeçare (Tiranë) dhe politika 20-vjeçare (Prishtinë), duke përjashtuar kështu vullnetin shoqëror, shpeshherë të munguar ase ndryshe të pamjaftueshëm (çka nuk do të duhej të ishte kështu). Gjithë sa u rendit detyron shumëkënd për hapa jo vetëm të paparashikuar, por ndoshta edhe të padëshiruar për shumëkënd tjetër. E nuk ka si të jetë e pranueshme për mendësinë dhe moralin e qytetarit të vërtetë shqiptar e vërteta se shoqëria shqiptare në tërësi është kaq e paaftë të bashkëveprojë, sa gjithherë nga koha në kohë bren vetveten!

Për pasojë, fill përshkues përgjatë gjithë historisë ka qenë ikja. Mirëpo, a ka qenë përherë e përligjur ajo? A është provuar çdolloj përpjekjeje për pavarësi, liri e dinjitet ndërvetor e kombëtar përpara zgjedhjes së fundme? A ka qenë ikja e shumëkujt një ikje vetëm për qëllime të ngushta dhe pa kthim koke pas apo një shteg drite edhe për shoqërinë në të cilën u ngjiz, në fund të fundit një detyrim moral ky i gjithsekujt ndaj prejardhjes. A s’mund të ketë bashkim të së mirës në këtë vend, përderisa ikja ngelet kryefjala e mbrojtjes prej së keqes???

Mërgimi, sot emigracioni, si dukuri e përhershme shoqërore ka prekur, prek dhe do të prekë përherë ato shoqëri, të cilat nuk zgjojnë shpresë për një jetë më të mirë, me dinjitet njerëzor e shoqëror. Ironia qëndron pikërisht në atë se të gjithë këtë e kërkon i njëjti njeri që ia “mbath” nga diku, për të marrë vlerë të shumëfishtë diku tjetër. Pra, çfarë ndodh me vlerën njerëzore? Pse ajo luhatet në varësi të kufijve që kapërcen ai (njeriu)? Politika shqiptare, në më të shumtën e rasteve, ka treguar që nuk është e aftë të mendojë me largpamësi e synime të qarta, sidomos për sa i përket dukurisë së braktisjes së vendlindjes. Dhe kjo lidhet ndoshta, sa me paaftësinë për të ndërvepruar mes tyre, po aq me ndërlidhjen fqinjësore e ndërkombëtare për ta shprishur gjenin shqiptar.

Mirëpo, çfarë shkakton ikja masive në vendin e prejardhjes dhe çfarë pasojash mbartin të larguarit? Pa dyshim, ikja shkakton dëm për gjithë zhvillimin e natyrshëm të veprimtarisë shoqërore. Sipas statistikave zyrtare (Eurostat, Migration and migrant population statistics, march 2019), shihet qartë se ikja masive e pjesës rinore të popullsisë dëmton zhvillimin e përgjithshëm ekonomiko-kulturor të gjithë shoqërisë, pra, edhe të asaj pjese e cila zgjedh/detyrohet të qëndrojë në vendlindje.

Parë në planin afatshkurtër, emigracioni, mund të jetë në fazën e tij fillestare njëfarë mbështetjeje për një ekonomi të dobët, ndërkohë që të ardhurat prej emigrantëve, vetëm sa shkaktojnë një shtrirje në hapësirë të problemeve në vendlindje.

Kjo shtresë emigrantësh, duke ia dalë mbanë në një vend të huaj dhe duke u shndërruar kudo ku jeton si një nga komunitetet më të përshtatura, pavarësisht pengesave të gjithëditura, rrezaton një forcë të madhe shprese edhe për vendin amë, mirëpo përtej kësaj, hulumtimi empirik dëshmon më së shumti se shtresa e mërgimtarëve ndodhet nën një dyzim të përhershëm: mes një jete të re nga njëra anë dhe gravitacionit kombëtar nga ana tjetër. Sidoqoftë, është i pashmangshëm ankorimi gjithnjë e më shumë në dhè të huaj dhe kjo ndryshon, negativisht, edhe përbërjen e shoqërisë në vendlindje dhe jo vetëm (shpërbërja e rretheve familjare, shoqërore etj.).

Së jashtmi, përngjet sikur dukuria e mërgimit është një nxitje vetjake. Në të vërtetë, jo! Sepse janë politikat shtetërore ato që krijojnë një mjedis plot mbingarkesa politike, vështirësi ekonomike e gjithfarë sajesash të tjera, të cilat ndjeshëm krijojnë një nxitje të mirëmenduar, thënë më saktë, ndoshta, një nxitje “nën rrogoz”, pikërisht për të dëmtuar atë çka është thelbësore për një komb, SHPRESËN për zhvillim të përgjithshëm kombëtar. Dhe për ta penguar këtë është jashtëzakonisht e nevojshme që përfaqësuesit politikë përkëtej e përandej kufirit politik shqiptar, shtresa intelektuale shqiptare, shtrirë gjithandej, të ndërgjegjësohen thellësisht në lidhje me ngutshmërinë e ruajtjes dhe përcjelljes pikërisht të kësaj shprese.

Shoqëria, si përzierje prejardhjesh njerëzore, rrymash, mendimesh është e prirur të dështojë në përplasje të tilla; vetëm bashkimi i të gjitha vullneteve dhe idealeve të pastra, mendësive përparimtare, qëndresa shoqërore dhe rritja legjitime e presionit nga poshtë e forcon pozitën e dobët që në të vërtetë ka vetë shoqëria, në këtë rast shqiptare, përballë çdo politike shtetërore me kahje negative.

I pamohueshëm është nga ana tjetër edhe ndikimi negativ sot në botën shpirtërore e mendore të njeriut, shkaktuar prej shpejtësisë me të cilën lëviz jeta; konsumit të tejskajshëm; rendjes marramendëse drejt vezullimit të rremë; “urisë” së përhershme për të qenë me çdo kusht në qendër të vëmendjes; ngritjes së “antivlerës” dhe krijimit të “miteve” të rreme; stereotipizimit të gjithë shoqërisë dhe mbytjes që në fillesë të çdo përpjekjeje të mundshme për të dalë jashtë përvijëzimeve të paracaktuara shoqërore; zhvillimit teknologjik, që shpeshherë çon drejt një robërimi të vullnetshëm prej vetë qenies njerëzore etj.

Mirëpo, këto nuk janë dukuri të vetvetishme; ato s’janë veçse disa nga hapat, ndërmarrë prej kohësh tashmë, diku fshehtazi, diku më hapur, diku “enkas” të kërkuara nga masa e gjerë, hapa të cilët i shërbejnë vetëm një qëllimi të caktuar: çoroditjes ndërkombëtare të shoqërisë, zhdukjes së ndjenjës të të qenit i “rrënjëzuar” diku, i fortë si “guri i rëndë në tokën e vet”, humbjes së vetëdijes.

Nën petkun e jetës moderne, “elita”, nëpërmjet tentakulave të kudondodhura të merimangës globale, mbikëqyr me imtësi nga maja e piramidës, ndjek me vendosmëri të veçantë qëllimet përherë e më të qarta drejt përzierjes, shpërbërjes masive të popujve autoktonë (sot madje ka humbur përkufizimi i një populli të pastër gjenetikisht), shuarjes së qelizës kombëtare, rendjes drejt globalizimit.

Por, përse u nevojitet shkokolepsja e kombit, si një ndër qëllimet bazë, atyre që e synojnë këtë? Sepse lidhja me përkatësinë kombëtare, me rrënjët, është tregues i pakundërshtueshëm i kultivimit të një shëndeti të mirëqenë psikik e shpirtëror, po aq e rëndësishme sa lidhja familjare. Krejt lehtë kryhet shpërbërja e shoqërisë, sundimi i njeriut, nëse atij ia zhbën qëndrueshmërinë dhe besimin që i buron prej prejardhjes. Papritur, toka nën këmbë fillon dhe bëhet e luhatshme. Ndjenja e pezullt e bën çdo qenie shoqërore – të fortë brenda truallit të vet – po aq të dobët sikur Anteun, duke iu larguar tokës që e ka lindur. Dhe Heraklitë modernë e kanë kuptuar dhe po e shfrytëzojnë këtë.

Ndodhur para trysnive të tilla globale, të cilat janë së pari sfida të mirëfillta për ruajtjen e identitetit kombëtar brenda familjes së madhe botërore, shoqëria shqiptare në përgjithësi (në madhësinë e saj relative të kudondodhur) duhet të përqafojë medoemos vlera të vërteta drejtuese, që sjellin detyrimisht mendësi të reja politike, largpamje drejtimi dhe administrimi, hapin rrugë për riformësimin e gjithanshëm: njësimin e gjithë sistemit shkollor kombëtar shqiptar, nxitjen e vërtetë të edukimit dhe ndërgjegjësimit në masë të popullsisë, zhvillimin e politikave shtetërore, të cilat duhet të kenë si synim mirëqenien e përbashkët, zhvillimin e ekonomisë, ruajtjen e barazisë shoqërore, përparimin mendor dhe kulturor të gjithë shqiptarëve.

Është gjithashtu i domosdoshëm deri në vendimtar roli që duhet të luajë mërgata shqiptare, përfaqësuesit intelektualë të saj në të gjithë këtë zgjidhje ngërçi dhjetëravjeçar përmes rrahjes së mendimeve, dhënies së ideve për zgjidhje afatgjata jo vetëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror brenda kufijve administrativë shqiptarë, por kudo në vendet shqiptare në Evropën Juglindore.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shndërrohet në një fuqi të vetme bashkimi i mërgatës shqiptare, i kësaj gjallërie gjerësisht dashamirëse ndaj bulëzës së shenjtë kombëtare, pse jo si politikë afatgjatë shtetërore, duke krijuar mekanizma realë përfaqësimi në vendlindje. Deri tashmë kjo lidhje ka qenë tejet e segmentuar (copëzuar), por është më tepër se kurrë koha për të parë dhe vepruar në një rreze shumë më të gjatë, për të përligjur kështu sakrificat shumëplanëshe dhe shumëkohëshe të kombit shqiptar. Shqipërinë nuk mund ta shpëtojnë organizimet e rreme për konsum të përkohshëm politik, porse lidhja e sinqertë me veten, mes gjithë popullsisë shqiptare kudo ku ajo ndodhet. Ka ardhur koha, që gjithkush që ndien shqip të ndërgjegjësohet për rolin vetjak, shoqëror, kombëtar në të mirë të një zhvillimi të përbashkët.

Në fund të fundit, a nuk është kjo domosdoshmëri një mënyrë për t’i dhënë kuptim gjithë kësaj ikjeje të shumëkujt nga kudo? A nuk nxitet në thelb mërgimi masiv nga një boshësi e brendshme?

Është pikërisht qëndrueshmëria e bashkësive njerëzore, formuar historikisht në bazë të truallit, gjuhës, rrugëtimit historik, të zhvillimit ekonomik hap pas hapi, të formimit psikik, të përjetimeve të përbashkëta, të kulturës së trashëguar në çdo formë të mundshme ajo çka mundëson që çdo brez shoqëror të mos ndihet i humbur, i mbetur mes dy botëve. Janë këto fije të pakëputshme – për të cilat po bëhet çmos të zhduken – të vlefshme për forcimin e shpirtit, mendjes dhe trupit njerëzor… Janë pikërisht këto fije shpirtërore, që i kanë rrënjët në gjenezën shqiptare, ato që duhet ta shpëtojnë kombin shqiptar.

Facebook Comments