Nga Red VARAKU

◾◾◾

Një lajm fake qarkulloi dje në media menjëherë pas deklaratës së presidentit Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve, sikur kryeministri ishte nisur menjëherë drejt Brukselit, çka do të ishte një lajm shumë i mirë për të gjithë, por kryesisht për vetë Ramën, sepse atë prej kohësh nuk e takon më njeri. Por, në fakt rezultoi të ishte thjesht një dëshirë e pandërgjegjshme e kryeministrit për një takim të ëndërruar në Bruksel.

Ai do të donte edhe ta thërrisnin qoftë edhe për ta telendisur për paaftësinë dështimin e madh të reformës në drejtësi, qoftë për korrupsionin më të madhin që ka njohur historia shqiptare e pluralizmit. Ai do të donte ta qortonin për futjen e vendit në borxhe dhe për futjen e duarve në zgjedhje apo për zgjatjen e krizës politike. Ai do të donte ta kritikonin ashpër për vjedhjet apo kapjen e institucioneve. Do të donte t’i flisnin ashpër për lirinë e shtypit apo skandalet me PPP. Por, ja që nuk e takon më njeri!

Ndryshe nga Lulzim Basha, i cili prej dy vjetësh ka pasur një aktivitet të ngjeshur takimesh me perëndimorët, vetë Rama ka qenë krejt i izoluar. Asnjë kryeministër i rëndësishëm i Evropës nuk ka pranuar të ekspozohet me Ramën prej të paktën më shumë se dy vjetësh. Madje as Erdogan miku i tij i madh nuk preferon ta takojë më.

Përveç disa takimeve me kryeministrin serb Vuçiç, me presidentin e Kosovës Thaçi, me mbretin e Kuvajtit, dhe një përpjekjeje komike për të dalë një foto me Trump. Me Vuçiç ,ish-ministrin e Sllobodan Millosheviçit, dhe me Thaçin, ish zëdhënësin e UÇK, më shumë ka diskutuar për të ardhmen e tyre politike, e cila duhet thënë se pas takimit të Berlinit , është drejt një fundi shumë të shpejtë. Ndërsa me mbretin e Kuvajtit kuptohet se çfarë mund të ketë diskutuar.

Në fakt, Ramën nuk e ka pritur asnjë personalitet serioz perëndimor.
Kryeministri shqiptar prej dy vjetësh po përjeton një izolim politik. Ai nuk pritet më as nga vetë kryeministrat e majtë në Evropë e jo më nga ata të djathtë. Edhe në ato pak takime formale, është pritur më shumë për fotografi, por më pas të gjithë i kanë kthyer shpinën.

Pikërisht këtu kryeministrit tonë i ka ndodhur një dramë e madhe. Takime të këtyre niveleve janë shumë të rëndësishme për një vend që aspiron Evropën dhe ai e di mirë impaktin që kanë këto takime tek një popull që sytë i ka gjithmonë nga perëndimi si garanci për demokracinë.

Ai tashmë konsiderohet një lider autoritar i një republike kampion korrupsioni i ngjashëm me homologët e tij lindorë. Rama është refuzuar me delikatesë edhe nga zyrtarët e rëndësishëm të Brukselit që po merren me situatën shqiptare.

Së fundmi, edhe deklaratat e Lajcak dhe Kocijancic, të dy të diskretituar për lidhjet me Soros, që theksojnë faktin që Shqipëria duhet ta zgjidhë vetë krizën, janë përgjigje diplomatike për të treguar se nuk kanë çfarë bisedojnë më me kryeministrin tonë.

Në fakt ai prej muajsh u ka çuar atje një dërgatë njerëzish që përsërisin si papagaj idetë e tij për drejtësinë dhe demokracinë në Shqipëri. Por ata janë të shokuar, që në vend të përgjigjeve për krizën e demokracisë shqiptare të dëgjojnë nga papagajtë e Ramës, broçkullat e frikës nga reforma në drejtësi .

Por, edhe nëse shkon në Bruksel, ditët në vijim vizita e tij do të ishte një vizitë e dështuar, jo vetëm për faktin se Brukseli dhe Gjermania tashmë e kanë dhënë verdiktin e tyre, por edhe për faktin që ai nuk konsiderohet më një partner i besueshëm për perëndimin dhe kjo e ka nxjerrë tërësisht nga binarët e normalitetit skënderbeun.

Sepse, edhe nëse i hipën avionit dhe shkon, kësaj rradhe nuk takon dot më askënd, madje as dordolecë pa peshë si Fleckenstein dhe Mogherini, sepse edhe ata e kanë të freskët ‘shpullën’ plot vendosmëri të Merkel dhe Macron në Berlin.

Gjithsesi ai nuk është se e pranon këtë! Është gati të bëjë gjithçka. Çfarë nuk do të bënte që të bënte një intervistë nga Brukseli ku sipas ritualit nëpërmjet ERTV të mund tu shpjegojë shqiptarëve gjithë ato që kishte në mendje tu thoshte evropianëve, por jo nga Surreli, por nga Brukseli. Tu krenohej gjithashtu se çfarë i kanë thënë perëndimorët ashtu kot.

Por, e vërteta është që atë askush nuk e thërret më atë prej dy vitesh dhe askush nuk e ka thirrur tani. Është i izoluar dhe i vetmuar dhe e vetmja gjë që i ka mbetur të bëjë, është t’i mbushë mendjen socialistëve, që është aty dhe nuk ka ikur dhe që vazhdon të jetë akoma në lojë.

Facebook Comments