Nga Ilir DEMALIA

◾◾◾

Në shkrim e fundit në lidhje me gënjeshtrat dhe sajesat e çiftit Kadare, për “disidencën dhe persekutimin” e tyre në diktaturë, pata shkruar se sa herë këta të flasin e të shkruajnë duke sajuar, pra manipuluar të vërtetën ne lidhje me disidencën dhe persekutimin e tyre në diktaturë, unë do të nxjerr nga një material nga veprat e Ismailit për të “provuar” disidencën dhe persekutimin e familjes Kadare.

Elena Kadare, në intervistën dhënë Anila Dedaj, ka thënë:

“Unë asokohe punoja në shtëpinë botuese, në redaksinë e biografive, ku duhet të isha tepër e kujdesshme që të mos më kalonte asnjë frazë që nuk pranohej nga sistemi. Bëhej një kontroll aq i tmerrshëm, saqë ishin dënuar shumë njerëz për këtë. Jo vetëm autorë, por edhe redaktorë, pasi kërkohej llogari se si mund të kishte shpëtuar një frazë që sistemi nuk e pranonte. Kur vija në shtëpi i ndizja Ismailit këtë oxhakun e famshëm, i bëja kafenë dhe nisesha për në punë. Kur kthehesha, ai kishte bërë pjesë të librit, e gjithmonë kishte dëshirë që ta lexoja. Kështu më tregonte pjesët nga “Dimri i vetmisë së madhe”. Unë, pavarësisht se e pëlqeja jashtëzakonisht shumë, rrija si e ngrirë kur hasja ato fraza, që në çdo rast tjetër, aty ku punoja duhet t’i hiqja. I thosha: Por, nuk lejohet, si e ke bërë? Ndërsa, ai ma kthente: “Unë të pyes nëse të pëlqen, me pjesën tjetër merrem unë! S’po të vendos në rolin e censorit, kërkoj të di mendimin tënd…” Kuptohet që në fund bëhej ajo që donte Ismaili, por unë isha gjatë gjithë kohës në ankth, pasi e dija se ato fraza nuk lejoheshin.”

Sipas Elena Kadare, “Dimri vetmisë madhe” me pas “Dimri madh”, është shkruar në apartamentin “studio muze” ku familja Kadare ka jetuar nga vjeshta e vitit 1973 deri në 1990 ku u vendosën në Francë, por shtëpia ishte prapë pronë e tyre deri në momentin që e bleu Bashkia e Tiranës për ta bërë muze.

“Dimri i vetmisë se madhe” ka dal ne treg në pranverën e vitit 1973. Kadare ka hyre në shtëpinë që sot është studio muze në vjeshtën e vitit 1973.Si paska shkruar librin pranë oxhakut studio Kadare, kur nuk ka qenë në atë apartament?!!

Në lidhje me rrezikun e frazave dhe ankthin që jetonte Elena për ato çka shkruante Ismaili në librin “Dimri vetmisë madhe”, Elena duhet të jetë më e sinqertë, pasi ajo e di shumë mirë, se pas çdo kapitulli që mbaronte Ismaili, i shkonte pë ta lexuar Ramiz Alisë, Nexhmie Hoxhës dhe Todi Lubonjës dhe aprovohej nga Enver Hoxha.. Pra hollë-hollë është një bashkëpunim me Komitetin Qendror te Partisë dhe Institutin e Studimeve te Marksizëm-Leninizmit. Vetë Kadare, pas vdekjes Enver Hoxhes, kujton: se si i tregoi Enver Hoxhes se po shkruante diçka për Moskën. Ja çfarë shkruan Kadare:

Kur shoku Enver më pyeti me se po merresha aktualisht, iu përgjigja se «po shkruaja diçka për prishjen me sovjetikët».

Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin «Dimri i madh», por në përgjigjen time, në vend të fjalës «roman» thashë «diçka» dhe këtë e bëra pa menduar, si një mbrojtje instiktive nga që ende s’isha i sigurt se do ta përballoja temën e madhe, së cilës i kisha hyrë.

Për fat, apo ndoshta nga që unë i thashë fjalët nëpër dhembë, shokut Enver nuk i tërhoqi vemendjen ky detaj.

– Hm, sovjetikët, – tha ai. E ke lexuar në azhanse se ç’ka thënë ditët e fundit Radio-Moska për ty? – dhe qeshi me të madhe.
Unë e kisha lexuar dhe ishte vërtet për të qeshur. Midis marrëzive të tjera, Radio-Moska në një nga emisionet e saj kishte thënë se gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë e kishin bojkotuar letërsinë dhe nuk shkruanin më në shenjë mallëngjimi dhe proteste për prishjen me sovjetikët. Për të mbushur boshllëkun e krijuar, vazhdonte Radio-Moska shteti shqiptar kishte nxitur ca pseudoshkrimtarë të rinj si një farë I. Kadare me shokë, që të shkruanin e të botonin veprat e tyre, që ishin aq skematike e pa kurrfarë vlere artistike, sa që u ngjanin kryeartikujve të gazetave.
Nuk më kishte shkuar mendja se kjo mendjelehtësi e Radio-Moskës do të më bënte një shërbim të madh e të pritur: hapjen prej shokut Enver të bisedës se çfarë kishte ndodhur në Moskë dhjetë vjet më parë.
Pas të qeshurës, ai u mvrenjt dhe tundi kokën ngadalë, si të thërriste një kujtim jo të këndshëm.
Pastaj ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton të ndryshëm nga ai që kishte folur gjer atëherë, të rëndë e të menduar. Ai foli për udhëtimin e tij në Moskë atë dimër të paharruar dhe për disa nga takimet e tij me «hrushovianët», duke bërë krahasimin e tyre me takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod me Kosiginin në darkën e Kremlinit në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vilën ku ishte rezidenca e delegacionit tonë, për «vizitat» e mysafirëve të natës, Mikojanit, Torezit e të tjerë.
Do të dëshiroja që ai të fliste me orë të tëra për këtë, po për fat të keq ëndrra ime për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh qendror i së cilës ishte ai vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër, dhe unë s’pata guxim ta pyesja për Moskën.
Më vonë, gjatë procesit të punës për romanin unë shfrytëzova gjallërisht arkivat, u njoha me dokumentet e Partisë, me procesverbalet e Mbledhjes së Moskës, si dhe me dëshmitë e ndryshme të personelit, sidomos të fjalimit të shokut Enver, të porosive, shënimeve të tij në marxhinalet e faqeve, të kurbuara lart ose poshtë për arsye të ngushticës së vendit, të cilat u ngjanin degëve të lisave që i lëkund stuhia. Dhe vërtet në të gjitha ato fjalë, replika, rreshta e shënime ndihej fuqishëm stuhia e kohës.
E megjithatë duhet ta them se biseda e rastësishme e shokut Enver më dha mua si shkrimtar diçka të pazëvendësueshme nga asgjë tjetër për romanin që po shkruaja. Krejt atmosfera e pjesës se dytë të veprës me nëntitullin «Mysafirë në kështjellë», vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, simfonizmi, tragjizmi dhe pesha e saj, e kanë zanafillën e tyre te ajo bisedë e udhëheqësit. Në bisedën e tij kishte një kolorit të jashtëzakonshëm: me një frazë apo një nënvizim ai jepte rrëzëllimin e llampadarëve të festës mbi darkën e Kremlinit, apo hijet tinzare mbi fytyrën e Mikojanit, qetësinë monumentale të darkës me Stalinin apo komicitetin e figurës së Hrushovit. Dhe mbi të gjitha biseda e tij, sado e rastit të ishte, ngërthente fuqishëm gjithë dimensionet e dramës.
Më vonë, kur puna për romanin po avanconte, disa shokë të mi shkrimtarë më sugjeruan të kërkoja mundësinë për një takim me shokun Enver, por unë nuk guxova ta bëj këtë; kisha gjithmonë druajtjen se mos nuk e mbaja dot premtimin për të realizuar një vepër që të ishte e denjë për ngjarjen e madhe, por kisha një arsye tjetër, edhe më të rëndësishme. Unë kisha punuar në shtypin letrar dhe e dija se shoku Enver e kishte ndaluar në mënyrë të prerë të shkruhej për figurën e tij.”

Dhe nuk ka si të ishte ndryshe pasi në librin “Dimri vetmisë madhe” Kadare përmend 413 herë emrin e Enver Hoxhës dhe ka 80 faqe vetëm për të ku i ndërton monumentin letrar.

Nje banalitet që e humb seriozitetin e zonjës Kadare, është kur flet për oxhakun ku do ta paraqesë dhe këtë si disidencë duke e banilizuar dhe punën e tullave të oxhakut, ku ata që i sillnin fshehtas, i futnin në gjoks, në xhep, në … se si mund të futen tullat në xhep e gjoks, këtë mund ta thotë vetëm Elena! Ja çfarë thotë;

“Oxhaku ku Ismaili punonte rregullisht është bërë me shumë përpjekje nga të gjithë miqtë tanë. Pasi vërtet që arkitekti e bëri vendin ku duhet të ishte oxhaku, por për ta ndërtuar duheshin tulla jo të zakonshme, të quajtura “shamot”. Në atë kohë e mësova dhe unë një fakt të tillë! Mirëpo, këto, në treg nuk mund të bliheshin, ndaj kushdo nga miqtë tanë që shkonte lart e poshtë Shqipërisë sillte me vete nga një tullë të këtij lloji. Disa i kanë sjellë të fshehura nëpër xhepa, në gjoks etj., e kështu u desh shumë kohë, derisa arritën të grumbullohen, që oxhaku të bëhej.”

Vepra “Dimri madh” është një vepër monument për Partinë dhe sh. Enver. Te shitet si disidencë akoma kjo vepër është një imoralitet intelektual dhe kulturor i papërtypshëm dhe revoltues.
Ja çfarë shkruan Kadare ne këtë vepër:

«Jo, – tha Enver Hoxha, – ne nuk goditëm njeri. Përkundrazi, ne u mallkuam si heretikë, sepse nuk iu bindëm urdhrit tuaj për të goditur një parti motër. Dhe kjo ishte vetëm njëra prej kontradiktave që kemi me ju. Ju e dini se ne prej kohësh nuk jemi dakord me ju për një sërë çështjesh. Neve nuk na pëlqen paternalizmi juaj, ne nuk kemi qenë dakord që ju ndër­hytë në Hungari pa u kon­sultuar edhe me ne, neve nuk na pël­qen trajtimi që i bëtë çësh­tjes së Stalinit. Veç kësaj ne nuk jemi në një mendje me ju në lidhje me qëndrimin ndaj Jugosllavisë, nuk na pëlqen përulja juaj, – ai deshi të shtonte ‘prej provin­ciali’, por aty për aty ndë­rroi mendje, – përulja juaj ndaj Perë­ndimit. Gjithashtu s’jemi dakord për disa çështje të tjera pari­more. Ne nuk jemi aq opti­mistë sa ju. Ne nuk besojmë shumë në rrugët parlamentare të triumfit të komunizmit. . .

Ndihej menjëherë se si, duke u pregatitur për t’u murruar në themelitë e kombit, ngjarja kapërcente sferën e marrëdhë­nieve midis shteteve dhe partive. Ajo dilte nga gjysma e dytë e shekullit XX, ku kishte ndodhur, për t’u shtrirë në kohën e përgjithshme . . .”

Nepërmjet personazhit Skënder Bërmema, që është vetë Ismaili, Ai shkruan:

“Mblidhuni të gjithë këtu; ju ustallarë që ndërtoni Kësh­tjellën e Rozafatit, lerini pak çekiçët mënjanë; ti Kostandin, që je ngritur nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë, mbaje pak kalin; ju krushq e kësolltarë kudo qofshi, lereni këngën a vajin, ju kandi­datë partie, që po bëni stazhin e provës, ndërpriteni pak punën; afrohuni të gjithë këtu të dëgjoni ç’i ka ndodhur Shqi­përisë. ..”

E gjitha kjo nuk bëhej për ta cuar Shqipërinë nga Perëndimi siç mundohet ta paraqesë Ismaili dhe portavoçet e zellshëm/e të tij, por Kadare i thur himn izolimit të Shqipërisë dukë u bërè i vetmi vend stalinist. Dhe vetë koha kur është shkruar libri dhe idealizimi i diktatorit përkon me kohën më të tmerrshme të diktaturës vitet 71-75.

Facebook Comments