Nga Albatros REXHAJ
 
◾◾◾

“Gjakova një luftë ndryshe” nga Haqif Mulliqi e botuar nga Shtëpia Botuese ARMAGEDONI Prishtinë dhe e shfaqur premierë në Festivalin e Teatrove në Edinburg të Skocisë (me aktorët Hadi Shehu dhe Jahja Shehu) është një vepër e cila në mënyrën më rrëqethëse të mundshme e jetëson edhe njëherë tmerrin e luftës ku qytetari i thjeshtë i Kosovës u përball me projektin e paramenduar për shfarosjen e tij.

Një përjetim individual nga lufta e fundit në Kosovë

Në thelb arti është në funksion të identitetit të njeriut dhe kjo është e dukshme që nga arti primitiv i njeriut të shpellave. Paraardhësit tonë vizatuan nëpër shpella jo vetëm për të rrëfyer diçka por edhe për të dëshmuar një identitet inteligjent dhe të dallueshëm nga qeniet tjera në tokë. Në kontekstin e dramës në funksion të identitetit dua të analizoj një aspekt shumë të rëndësishëm të veprës “Gjakova një luftë ndryshe” të Haqif Mulliqit atë të ruajtjes së kujtesës për historinë tonë. Kjo dramë e trajton një episod të shkurtër, një përjetim individual nga lufta e fundit, por që në brendinë e vet reflekton mbi dhimbjen universale të popullit të Kosovës, dhimbje kjo e cila fatkeqësisht nuk trajtohet si duhet dhe sa duhet në artin tonë. Inspirimi për të shkruar për këtë dramë më erdhi derisa isha duke lexuar një koleksion librash me përmbledhje dramash dhe studimesh për të ashtuquajturën dramë të holokaustit. Edhe pse kanë kaluar 65 vjet që nga përfundimi i luftës së dytë botërore kujtesa botërore për ngjarjet e tmerrshme të krimeve monstruoze mbi hebrenjtë e Evropës nuk është zbehur për asnjë çast ndër të tjera edhe për faktin se holokausti ritregohet vazhdimisht nëpërmjet veprave të vazhdueshme si në publicistikë, letërsi, teatër dhe film. Në këto vepra pa ekuivokë tregohet thelbi i tmerrit që e përjetuan hebrenjtë. Ky tmerr është evident edhe në veprat ku dëshmohet se jo të gjithë gjermanët ishin nazistë si p.sh “Valykrie” apo “Lista e Shindlerit”. Duhet cekur se në këto vepra ka një qasje humane në funksion të asaj se nuk ka faj kolektiv dhe se jo të gjithë gjermanët ishin kriminelë, por për asnjë çast nuk ka kompromis me atë se kush ishte krimineli dhe kush ishte viktima. Mesazhi është i qartë gjermanët duhet shkëputur çdo lidhje me të kaluarën e tyre dhe kjo mund të bëhet vetëm me një dënim gjithëpërfshirës të krimeve që janë bërë në emër të gjermanëve. “Gjakova një luftë ndryshe” e Mulliqit e ka një funksion të ngjashëm, por që fatkeqësisht nuk e ka përjetuar trajtimin e duhur nga opinioni jonë.

Dramë ku autori e përforcon mesazhin e tij të qartë mbi atë se kush është agresori e kush është viktima

“Gjakova një luftë ndryshe” është e ndërtuar në një kompozicion të thjeshtë ku ne, qoftë si lexues apo spektatorë, i përjetojmë në ankth ditët e fundit të jetës të së gjinekologut shqiptar të marr peng nga polici serb për t’u kujdesur për gruan shtatzënë të policit e cila pritet të lind në çdo çast. Doktori shqiptar e ka humbur çdo lidhje me gruan dhe fëmijët e tij për të cilët ai dyshon se janë masakruar bashkë më shumë të tjerë. Në frymën e Artur Millerit me nuanca të ngjashme me ato te “Ngjarja në Vishi”, Mulliqi e tregon thelbin e problemit universal se populli i Kosovës i është nënshtruar një represioni të paramenduar me qëllim jo vetëm të shfarosjes fizike, por edhe të thyerjes së shpirtit të një populli të tërë. Kulmi i shpalimit të monstruozitetit përjetohet në zbërthimin e papritur kur doktori e kupton se polici është përgjegjës për vrasjen e familjes së tij. Doktori shqiptar e kryen detyrën e tij prej mjeku dhe e sjell në jetë të birin e policit, po të njëjtit polic i cili i ka vrarë fëmijët e doktorit. Gjithsesi një zbërthim i befasishëm, por tërësisht i arsyetueshëm dhe që godet fuqishëm mbi tendencën për të harruar apo për të ndërruar kuptimin e tragjedisë së popullit tonë. Mulliqi me të drejtë i ik formulës së gabueshme të fajit kolektiv sepse qasja e tij ndaj gruas së policit është njerëzore dhe ajo paraqitet në frymën e një nëne e cila e do të mirën e fëmijës së vet dhe që njëherit është mirënjohëse për kujdesin e mjekut shqiptar. Kjo është arsyeja pse ajo ia dhuron mjekut medaljonin që e kishte marrë dhuratë nga burri i saj duke mos e ditur se po të njëjtin medaljon burri i saj polic e kishte grabitur nga gruaja e doktorit para se ta vriste bashkë me fëmijët e saj. Me qasjen humane ndaj gruas së policit dhe duke e ruajtur figurën e saj prej nëne, pavarësisht përkatësisë së saj etnike, Mulliqi vetëm se e përforcon mesazhin e tij të qartë mbi atë se kush është agresori e kush është viktima.

Gjakova një luftë ndryshe duhet të shërbejë si model në qasje për të gjithë krijuesit e rinj

“Gjakova një luftë ndryshe” e Mulliqit bashkë me dramën “Viktimat e Tivarit” e Ekrem Kryeziut janë dy drama që trajtojnë periudha të ndryshme historike, por që janë në funksion të ruajtjes së kujtesës për atë që populli ynë ka kaluar. Këto dy vepra bashkë me disa vepra të tjera të autorëve të tjerë me të drejtë duhet të kategorizohen si “Drama e represionit dhe e shfarosjes” dhe kjo qasje duhet të trajtohet edhe më shumë dhe të promovohet kudo në botë. Një gjë e tillë është e domosdoshme sepse Serbia nuk i ka dënuar krimet e bëra por përkundrazi inteligjenca kulturore serbe me të madhe është duke e promovuar idenë se në Ballkan, në këtë kontekst edhe në Kosovë, të gjithë kanë bërë krime dhe se serbët nuk kanë për çka të turpërohen. Fatkeqësisht, ne, si artistë dhe intelektualë, sikur kemi turp nga historia jonë dhe hezitojmë të krijojmë dhe të promovojmë vepra në funksion të ruajtjes së kujtesës për tragjedinë e popullit tonë.Harresa jonë është de fakto pranim i logjikës serbe se në Kosovë të gjithë kanë qenë kriminel dhe të gjithë janë viktima. E them këtë sepse jam i vetëdijshëm se në disa krijime të kolegëve të gjeneratës së re ka një prirje jo të mirë që të relativizohet historia jonë e fundit dhe më ka ndodhur të lexoj punime ku e kam pasur të vështirë ta dalloj se kush është viktima e kush agresori. “Gjakova një luftë ndryshe” duhet të shërbejë si model në qasje për të gjithë krijuesit e rinj sepse kjo vepër nuk është e ngarkuar me diçka që do të mund të cilësohej si nacionalizëm ekstrem, por në të njëjtën kohë është tërësisht në funksion të ruajtjes së krenarisë nacionale. Kjo është me rëndësi sepse vetëm duke u kapur fort mbi identitetin dhe vlerat tona mund edhe të bëhemi pjesë e identitetit evropian.

Autori është shkrimtar dhe magjistër i dramaturgjisë

Facebook Comments