Nga Adela RADOVANI

◾◾◾

Nga ajo ana andej e rrugës nuk kaloj dot më, pa u sqaruar me parukieren e kam fjalën. Shkova andej nga dreka e së shtunës dhe më priti muri i egër i tetë duarve të saj. Dy duar kishte, realisht, por ngaqë çdo gisht i mbante një gërshërë, një krehër dhe një furçë dukej fiks si meduzë deti.
– Ça do, – më pyeti. Në fakt nuk ishte pyetje, ishte më tepër sulm personal. Në të njëjtën kohë më gozhduan edhe tetë sy, katër gra që qëndronin në cepa të ndryshëm të parukerisë, dy të ulura para pasqyrës dhe dy mbrapa, me telefona në instagram. Njëra prej atyre që po …përpunoheshin, po oksigjenonte edhe më tej ngjyrën e skalpit. Kishte arritur në fund.

Shikoni, në procesin e lyerjes së shpeshtë, ashtu si në procesin e ndërrimit të shpeshtë të dashnorëve, dy gjëra që gratë i kanë provuar një herë në jetë e nëse jo, do e provojnë, ndodh një konsum i tejshëm i lëkurës, derisa të regjet dhe të bie. Flokët psh, meqë jemi në temë, në fillim priten deri në sup të zeza, pastaj bëhen të kuqe deri në mjekërr, bionde deri te veshi dhe të bardha në stil pixie, njëcentim nga koka. Ashtu si me ndërrimin e dashnorëve, ku ti nis me një të hajrit, pastaj me një të papunë, pastaj me tipin që pi vodka red bull me lekët e mamit, e në fund fare me xhajën maniak komshi që ta ka lypur që kur ke qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç, edhe kjo puna e ndërrimit të ngjyrës së flokëve shpesh, është tregues ose i dëshpërimit, ose i mospasjes së punëve më të mira për të bërë. E ndaj ajo më pa me më shumë inat se të tjerat. Nuk e sheh ti goce me flokët gjer në brez, të palyera, që duket sikur nuk ke bërë seks këto gjashtë vitet e fundit, që unë kam punë këtu? Ë? U stepa një hap.

Parukierja më la numrin e telefonit. I thashë se do e merrja nesër, duke e ditur se nuk do e bëja. Së pari, nuk kishte shans të ngrihesha nga shtrati në orën nëntë thjesht për të prerë flokët, dhe sepse unë i kam tmerr telefonanat, përveçse në raste vdekjesh, porosish te puna dhe sulmeve të panikut ku në radhë telefonate, i pari vjen burri e pastaj im atë. Ç’grua jam, deri në detaj siç pritet nga librat e psikologjisë. Prandaj, siç po thoja, tani nuk kaloj dot nga ajo anë e rrugës sepse më sheh parukierja e cila sikur për inat, i ka lënë çdo ditë nga e shtuna deri sot kanatet e dyqanit hapur, sikur po pret që t’i dal para e të më thotë, hë, pse s’më more? Ë?

Por ngaqë po bie shi, e ngaqë moti nuk po mban besoj që do duhet shumë kohë para se të marr guximin e të sqaroj situatën. Deri atëhere, flokët do kenë prekur dyshemenë. Halle grash.

Facebook Comments