Nga Adela RADOVANI

◾◾◾

Në serialin parodik This is America, Sasha Baron Cohen i maskuar si liberal ekstrem bën një prezantim në këshillin rajonal të një zone thellësisht konservatore “rednecks”, për t’i bindur ata të pranojnë ndërtimin e një xhamie gjigande, më të madhen në rajon dhe në të gjithë Amerikën Veriore. Reagimi ishte i pritshëm, për pak sa nuk e rrahën Sashën, e nxorën me ceremoni nga salla me zemërim. Qëllimi i aktorit britanik ishte të tregonte çfarë intolerance të thellë kanë disa shtete në Amerikë por kur ti ecën rrugëve të Tiranës, madje rrugëve të konsideruara të mira, ku investimet publike dhe jopublike janë më të larta, kupton që nuk e kanë fort keq kur dalin me çifte për të mbrojtur qytetin e tyre. Në rrugën e Elbasanit nuk ka trotuare të sakta, lulishtja është përgjysmuar dhe përpara të del një xhami gjigande e cila nuk do përdoret nga të paktën 90% të popullatës tiranase. Të gjithë do jenë të detyruar t’i kalojnë anash. Unë nuk do hyj kurrë atje, as familje ime, as rrethi im social. Kur kalon asaj rruge nuk vë re absolutisht askënd që do mund të jetë i interesuar ta përdorë xhaminë, nuk sheh asnjë grua me shami, asnjë burrë me pamjen karakteristike. Një mendje paranojake do mund të thotë madje që nëse tani nuk sheh, do shohësh nesër. Por kjo është temë tjetër, në fakt problemi i Tiranës është një dhe i vetëm, banorët nuk janë pyetur kurrë për nevojat dhe dëshirat e tyre. Ndërtimi i shërben atij që paguan kafen më të madhe.

Pothuaj çdo rrugë në Tiranë është edhe parkim me pagesë. Me qëllim rritjen e numrit të këtyre pikave parkuese janë bërë gjithëfarëlloj artificash, janë zhvendosur stacionet e autobusëve, prishur kioska me leje, shtyrë segmente të tëra trotuaresh. E sërish, rrugët janë plot me makina si në lëvizje, ashtu edhe të parkuara, pavarësisht numrit të lartë të parkimit. Të gjitha pallatet e ndërtuara pas viteve 2000 të paktën, kanë parkimet e tyre nëntokësore, një pjesë të lëshuara edhe me qera e sërish, Tirana ka vetëm makina të parkuara keq e në çdo cep, tani të parkuara keq me para, jo falas. Numri i makinave vetëm shtohet për arsyen e vetme se, sado vështirë dhe shtrenjtë të jetë mbajtja e një automjeti, ia kalon çdo forme tjetër transporti: në këmbë nuk ecën dot, nuk ke si e as ku, me biçikletë ka rreziqe të mëdha dhe korsitë janë të papërdorshme ngaqë ndërpriten herë pas here e nuk janë natyrshëm të lidhura në segmentet kryesore, autobuset përkundër përmirësimeve të mëdha në shërbim janë sërish pa orare të ditura offline dhe online, të mbingarkuara me njerëz, të parehatshme dhe të pista. Efektivisht qyteti është në shërbim të makinave dhe në qëllim vjeljeje të sa më tepër taksave dhe parkimeve që të jetë e mundur, e këtu po flasim brenda unazës. Jashtë saj, trotuaret fillojnë e zhduken krejt, në rrugicën ku unë banoj trotuari është 25 centimetra. Jam vetëm 4 km larg qendrës.

Sa më afër qendrës, aq më tepër ndërtime vihen re. Në fakt, në asnjë qytet në botë nuk ndodh kështu, periferia ka zakonisht ndërtimet më të mëdha, ndryshimet më drastike, por jo në Tiranë. Tirana funksionon ndryshe. Ndërsa hotelet, kullat, pallatet dhe qendrat tregtare shtohen në mënyrë centrale, gjithnjë e më tepër po i shkon kosa pjesëve më të largëta, së fundmi në zonën e Selvisë. Pavarësisht nëse është e ligjshme ose jo shembja që iu bë atyre, sepse është e pothuaj e pamundur të merret informacion i qartë në media, mënyra si u krye qe e papritur, e pakuptimtë dhe e dhunshme. Një qeveri normale merr parasysh dëmin ekonomik që i kryhet familjeve, si e sigurojnë ata jetesën dhe jo t’i hyjnë me mjete shkatërrimi në ndërtesa sikur të jenë pushtues. Sot thuhet, mos ta vëntë syrin ndonjë i madh, letrat në arkiva ndryshohen, falsifikohen dhe shtëpinë, dyqanin, kasollen, tokën a çfarëdo tjetër pronë të kesh, ta marrin po të duan. Po të pikasën. Po ta vunë syrin. Gjë që një mendje paranojoke e çon në pyetjen, po shoqërinë civile opozitare, kush e mbron nga këto sulme të mundshme? Por dhe kjo është temë tjetër.

Sot Tirana është qyteti që në çdo hap të bërtet “IK! Qërrohu prej këtej!”, një motorr i frikshëm dëshire emigrimi dhe largimi, kudo tjetër. Ndoshta prandaj duhet xhamia. Kushedi ç’popull pritet të zërë shtëpiat tona.

Facebook Comments