“Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim(Nobel). Ky ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”
Ismail Kadare

◾◾◾

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare u shpreh gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, se ju keni kundërshtuar nominimin e tij për çmimin Nobel në vitin 1994 ndërkohë që ishit ambasadori i Shqipërisë në Suedi?

Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Mua as më ka shkuar ndër mend një gjë e tillë e jo më t’i shkruaj letër Akademisë për të kundërshtuar nominimin Kadaresë, për çmimin Nobel. E mbi të gjitha në atë kohë unë kam qenë Ambasador i Shqipërisë në Suedi, çka do të thotë kam qenë në funksion e në mbrojtje të shqiptarëve e jo kundra tyre, e mbi të gjitha kundra një shkrimtari si Kadareja.

E keni lexuar intervistën e Kadaresë nga Gjirokastra?

Tani nga ju po e mësoj sepse nuk e kam lexuar.

Pra ju e mohoni kategorikisht këtë fakt, ndërkohë si ka mundësi që përflitet emri juaj?

Është vërtetë absurde, por po ju sugjeroj diçka. Suedia është një ndër vendet më të lira në botë, ku çdo kush ka mundësi të hapë dokumente, e nëse unë paskam bërë një letër kundra tij, pranë Akademisë së Letërsisë, sigurisht që do jetë e arkivuar dhe gjendet lehtësisht. Akuza mund të hedhë kush të dojë, por në fakt shkrimtari Ismail Kadare a jua tregoi dokumentin që vërteton këtë akuzë gazetarëve? Me sa di unë jo, sepse një gjë e tillë nuk ekziston.

Facebook Comments