Nga Fitim ZEKTHI

Në nëntor të vitit 2017, kryeministri Rama, gjatë një takimi me anëtarët e Akademisë së Shkencave, në mënyrë të pazakontë dhe të pangjashme me ndonjë vend në botë, shpërtheu duke thënë se ai nuk do ta financonte më Akademinë e Shkencave, në rast se ajo nuk do të reformohej.

Pavarësisht stilit apo mënyrës brutale të sjelljes, nevoja për një reformë në Akademinë e Shkencave ishte ulëritëse. Që nga ajo kohë nuk ndodhi asgjë. Akademia vazhdoi siç ishte. Gjendja vegjetative e saj nuk u prek. Financimi nga qeveria dhe kryeministri u dha.

Tani, pas një viti e gjysmë, Akademia e Shkencave po lëviz. Nuk ka ndryshuar asgjë. Ligji është po ai. Struktura e saj është po ajo. Konceptimi i punës dhe i funksioneve, filozofia e qenies dhe gjithçka ka të bëjë me Akademinë e Shkencave është po ajo që ishte. Pra e gjithë lëvizja në Akademinë e Shkencave bëhet për të ruajtur gjendjen, për të ruajtur vegjetacionin.

Për t’i bërë të gjitha këto, Akademia e Shkencave sot po zgjedh një kryetar të ri, Skënder Gjinushin. Skënder Gjinushi, gjatë 30 viteve të fundit ka qenë politikan. Ai e ka nisur politikën jo me karrierë normale, duke u ngjitur nga shkallët e ulëta, por nga maja duke ardhur poshtë deri sa përfundoi në kryetar të një partie, e cila gjatë 14 viteve të fundit nuk ka pasur më gati asnjë rol.

Gjinushi u thirr nga Partia e Punës dhe u bë ministër i Arsimit në qeverinë e regjimit komunist të Adil Çarçanit. Më pas krijoi një parti, me anë të së cilës qëndroi në politikë dhe pas ngjarjeve të vitit 1997 arriti të bëhet kryetar i parlamentit. Më pas roli i tij erdhi duke u zbehur, megjithatë ai e ruajti Partinë Socialdemokrate deri në momentin e tanishëm kur po bëhet kryetar i Akademisë së Shkencave.

Zgjedhja e Gjinushit nuk është problematike vetëm prej faktit që ai nuk ka asnjë lidhje me kërkimin shkencor dhe me jetën akademike në këto 30 vite, as vetëm prej faktit që është një politikan që vjen nga regjimi komunist dhe as vetëm se po zgjidhet si një favor që ia bën qeveria. Zgjedhja e Gjinushit është problematike, sepse ai po zgjidhet për ta mbajtur Akademinë siç është, për ta ruajtur si strehë favoresh ku njerëz që nuk kanë ç’bëjnë tjetër apo nuk munden të bëjnë tjetër, njerëz që nuk ofrojnë asgjë në shkencë, njerëz që shkencën e shohin si fushë studimi apo njohjeje për të ndihmuar shoqërinë, por si etiketë ku mund të kapen dhe të garantojnë një status për veten.

Nuk ka ndonjë dyshim që Gjinushi është kandidati ideal për të përfaqësuar gjendje aktuale të Akademisë.

Edhe idetë e paraqitura nga profesor Artan Fuga, si ide që kundërshtojnë gjendjen e aktuale të Akademisë dhe mënyrën se si po ruhet kjo gjendje nga zgjedhja e Gjinushit nuk janë ato që do të tjetërsonin paradigmatikisht Akademinë e Shkencave. Profesor Artan Fuga shprehet për të rikthyer shkencën në akademi, shprehet për garë me projekte, shprehet për hapje të Akademisë, shprehet për demokratizim të veprimtarisë së saj etj.

Këto janë të gjitha rregullime të një gërmadhe, këto janë të gjitha rregullime të një makinerie që është ideuar, që ka strukturë, teknologji të ideuar për një ekonomi të planifikuar komuniste, që është ideuar të realizojë planet pesëvjeçare të ndërtimit të ekonomisë socialiste apo të “industrializimit të vendit”.

Është pak a shumë e njëjta gjë sikur të financohej nga qeveria shqiptare rregullimi i uzinës së fishekëve me teknologji kinezçe të Poliçanit apo Gramshit. Ato uzina synonin të prodhonin municion për një vend militar që ndërtonte mijëra bunkerë çdo vit, që kishte 100 mijë ushtarë dhe 30 mijë oficerë dhe 400 mijë rezervistë. Ato uzina merrnin para pa fund nga gjaku i punëtorëve në bujqësi apo nga gjaku i të burgosurve dhe partia që drejtonte vendin nuk kishte as shqetësimin më të vogël për këtë gjak. Kjo parti nuk donte t’ia dinte për njerëzit.

Sado ta rregullosh sot uzinën e Poliçanit ajo nuk i hyn në punë Shqipërisë. Së pari, ajo kërkon shumë para që Shqipëria nuk mund t’ia japë. Së dyti, Shqipëria nuk është më një vend militar. Së treti, fishekët nuk mund të shiten, sepse vendet e tjera i prodhojnë më të mira dhe me kosto më të lirë etj.

E njëjta gjë edhe me Akademinë. Akademia jonë ka 30 vjet dështime, për shkak se është si uzina e fishekëve të Poliçanit. Duke qenë se ka përfunduar kështu, atëherë ajo mban njerëz në punë për t’u dhënë atyre një status publik, për t’i mbajtur me paga, për të bërë favore dhe asgjë më shumë. Kjo nuk do të thotë se aty nuk ka studiues të shquar apo profesorë të zotë. Përkundrazi ka shumë. Aty kanë qenë albanologët, gjuhëtarët, ata që kanë mbajtur në këmbë shumëçka nga gjuha dhe identiteti ynë. Aty ka pasur inxhinierë dhe mjekë të njohur që kanë ndihmuar mjekësinë tonë apo kanë kontribuuar në infrastrukturën tonë. Por Akademia ka pasur edhe shumë shërbëtorë të komunizmit, njerëz mediokër, ekonomistë, studiues të letërsisë, historianë dhe juristë, të cilët jo vetëm në vitet e komunizmit, por edhe më pas kanë mbrojtur me zell antishkencor dhe militant të gjithë maskaradën në histori, ligje, ekonomi, letërsi etj., që u bë për të glorifikuar komunizmin dhe legjitimuar krimet.

Akademia jonë e Shkencave nuk reformohet pa u shkrirë, pa u rrëzuar e tëra. Më pas të ringrihet. Bota ka shumë shembuj dhe ndoshta shumë modele, por konceptualisht janë dy mbizotëruesit. Modeli i parë është shfaqur në botë në vitin 1917, pak pas tetorit të fitores së revolucionit komunist në Rusi. Sergey Fedorovich Oldenburg, një etnograf rus, i paraqiti Leninit idenë e tij mbi akademinë e shkencave. Rusia kishte një akademi shkencash që në kohën e Pjetrit të Madh në vitin 1724. Pjetri i Madh, i frymëzuar nga Leibniz, filozof dhe shkencëtar gjerman, kërkoi që Rusia të kishte një akademi, e cila ta ndihmonte të zhvillonte dijen, të mblidhte shkencëtarë dhe dijetarë që të bënin që vendi të ishte një qendër e rëndësishme kulture dhe dijeje. Në Akademinë e Rusisë ishin anëtarë edhe shumë filozofë e shkencëtarë të huaj, biologë, kimistë, fizikanë, gjuhëtarë, filozofë etj. Akademia ishte një lloj asambleje vullnetare, e pavarur, që e rregullonte vetë jetën e vet.

Pak a shumë kjo lloj akademie vazhdoi deri sa erdhi Lenini. Kur erdhi Lenini Akademia u vu në shërbim dhe në kontroll të shtetit. Anëtarët e saj zgjidheshin me rregulla të miratuara nga partia dhe detyrat e saj ishin të prodhonte shkencë dhe dije për të ndërtuar socializmin. Akademia ruse në fakt ndihmoi shumë në prodhimin e tankeve, armëve, avionëve, por edhe në kimi, biologji ideologji etj. Si pasojë e akademisë, Rusia u bë një vend që garonte në shkencë dhe teknikë me vendet e Perëndimit. Por Akademia ishte edhe vend intrigash, qokash, krimesh, krijimi i një ideologjie dhe kulture që mbronte krimin dhe glorifikonte komunizmin. Akademia financohej plotësisht nga shteti dhe gjithçka bëhej nga shteti.

Është një model akademie i përhapur në të gjitha vendet komuniste pas vitit 1945, pra në gjithë Europën Lindore. Ky model u adaptua edhe nga Shqipëria dhe këtë model e ka ende.

Modeli tjetër është ai i SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë etj. SHBA-ja ka atë që quhet Akademitë Kombëtare të Shkencës, Mjekësisë dhe Inxhinierisë. Pra në të bëjnë pjesë, le të themi, disa akademi. Për t’i rënë shkurt ky është një institucion që mbledh shkencëtarë dhe filozofë me kontribute të njohura, të cilët zgjidhen nga anëtarët e saj. Akademia është themeluar me një vendim të kongresit të kohës së presidentit Lincoln në vitet ’60, shekulli i 19. Akademia është e pavarur, nuk ka qëllime fitimi, anëtarët e saj nuk paguhen, ajo nuk ka buxhet të taksave të amerikanëve. Anëtarët e saj janë disa nga shkencëtarët më të njohur në SHBA. Ajo është e lirë. Në të mund të hyjë kushdo që është shkencëtar i njohur dhe që miratohet në bazë të kritereve të kontributit shkencor nga anëtarësia e Akademisë.

Pak a shumë e njëjta gjë edhe me Britaninë e Madhe. Shoqëria Mbretërore, siç njihet, është themeluar që nga koha e Francis Bacon-it. Në atë kohë një grup shkencëtarësh dhe filozofësh të frymëzuar nga idetë e Bacon-it mbi shkencën dhe dijen u mblodhën bashkë. Rreth tyre u afruan gjithnjë e më shumë filozofë dhe shkencëtarë. Mbreti në vitin 1662 i njohu ata si Shoqata Mbretërore e Londrës me anë të një dekreti. Që nga ajo kohë, kjo është Akademia e Britanisë, e cila mbledh sot shkencëtarë dhe filozofë të famshëm. Akademia është e pavarur, i përcakton vetë rregullat e funksionimit, anëtarët e saj të rinj zgjidhen nga anëtarët e vetë Akademisë sipas kontributit shkencor. Nuk ka një buxhet shtetëror të dedikuar për Akademinë nga taksapaguesit britanikë.

Po kështu edhe ajo që njihet si Akademia Leopoldina e Shkencave, që është akademia gjermane e shkencave. Ajo është krijuar në shekullin e 17 në mënyrë gati identike si Shoqëria Mbretërore e Britanisë. Ka grupuar që nga ajo kohë filozofë, shkencëtarë në mënyrë vullnetare. Perandori e ka njohur me dekret. Këto akademi kanë vetëm një qëllim, që është ndihma ndaj vendeve të tyre për të çuar përpara ekonominë, qeverisjen, mjekësinë, arsimin, paqen, për të përballuar sfidat e ndryshme të shoqërisë dhe të individit, për të promovuar dije dhe shkencën etj.

Nuk ka nevojë Shqipëria të ruajë një model sovjetik, që jo vetëm nuk sjell asnjë dobi në promovimin e kulturës dhe dijes, jo vetëm nuk ndihmon ekonominë dhe arsimin, jo vetëm nuk ndihmon në përballimin e sfidave të shoqërisë dhe të qeverisjes, por bën dëm, është konformiste e mediokre dhe harxhon paratë e njerëzve.

© Gazeta Liberale

Facebook Comments