Nga Red VARAKU

Pas katër vjetëve qeverisje në koalicion me LSI, ku vetëposhtërohej çdo të mërkurë, tek paraqitej me kokën ulur dhe me “duar të lidhura” për të dhënë llogari në zyrën e Metës, në vitin 2017 Rama iu drejtua popullit, duke kërkuar që timonin e qeverisjes ta kishte i vetëm.

Populli i zgjuar, duke e njohur mirë natyrën e tij, nuk ia dha këtë mundësi. Për pasojë ai thirri nën armë bandat më të rrezikshme të Shqipërisë. Por, duke qenë një fitore e vjedhur ,dy vjetët e qeverisjes ,ai jo vetëm nuk ka qeverisur, por mezi ia ka dalë të shpëtojë kokën nga stuhitë e egra të politikës shqiptare. Një pushtet me vota të vjedhura nuk mbahet dot gjatë. Ky është një mësim i rëndësishëm i demokracisë që e kemi mësuar këto 30 vjet pluralizëm.

Në fakt, ai nuk ka qenë kurrë një kryeministër legjitim. Ai nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet i vetëm për tu bërë kryeministër. Ai nuk e ka pasur kurrë votën e popullit shqiptar. Ardhja e tij në pushtet në 2013 ka qenë thjesht mekanike, bashkim votash me LSI. Ose ka qenë produkt i vullnetit ose pakujdesisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ndërsa në vitin 2017, ai erdhi nëpërmjet marrëveshjes me bandat më të rrezikshme në Shqipëri dhe për këtë kemi dëshmi përgjimet zyrtare të prokurorisë.

Ky është edhe shkaku i gjendjes së tij të rënduar psikologjike. Ai nuk arriti kurrë as edhe një ditë të vetme, të merrte bekimin e popullit të tij si kryeministër dhe kjo e ka shfazuar. Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ai pjesën më të madhe të kohës e kalon i izoluar në bunkerin e tij,si një monark i tashmë i përmbysur, por që po jeton ditët e fundit, i frikësuar dhe i terrorizuar nga populli i tij.

Revoltat që janë ndezur në Shqipëri, sidomos pas djegjes së mandateve, si dhe ajo që pritet të ndodhë deri më 30 Qershor, e kanë tronditur dhe paralizuar aq shumë atë, qoftë psikologjikisht, qoftë politikisht, saqë tashmë nuk ka më guximin të përballet publikisht, por ka filluar të shkruajë letra plot mllef, një gjest që e bëjnë të gjithë dështakët, para vetëvrasjes ose në fund të karrierës së tyre.

Është aq i lodhur fizikisht dhe psikologjikisht, sa çdo shfaqje e sforcuar e tij është një dështim spektakolar. Ai po përjeton katastrofën më të rëndë të jetës së tij politike. Pamja e tij është tejet e lodhur dhe e rënduar. Është tërësisht i ezauruar nga nervat. Po ashtu tek ai vihen re herë pas here edhe shenja të një degradimi të rëndë nervor.

Rama po kalon një krizë të rëndë psikologjike edhe nga fakti që e kanë braktisur të gjithë përveç Taulantit nga Librazhdi dhe Spiropalit të doganave. Për shkak të paaftësisë së tij legjendare për të bërë shtet, Shqipëria është në prag të një krize edhe më të rëndë. Po ashtu, disfata që pësoi në Berlin dhe goditjet e pamëshirshme nga Merkel, e kanë përkeqësuar shumë gjendjen e tij mendore. Izolimi ndërkombëtar, që po i bëhet për herë të parë në karrierën e tij 23 vjeçare në politikë, e ka tronditur dhe shokuar atë.

Pas dështimit për ta zgjidhur këtë krizë, të gjithë janë të bindur që ai nuk është më i aftë të drejtojë vendin. Popullariteti i tij ka kapur minimumin historik.Kjo humbje e popullaritetit e ka detyruar të jetojë edhe më i izoluar. Nervozizmi i tij ekstrem, urrejtja dhe mllefi, për faktin që nuk e lejuan as një ditë të vetme të qeveriste, është një dëshmi e pafuqisë së tij për të zgjidhur krizën.

Situata po bëhet e padurueshme dhe atë po e lëshojnë nervat. Për shkak të presionit në rritje, liderit të madh kanë filluar t’i dridhen duart dhe me ç’duket ai nuk është më në gjendje të mbajë timonin. Është koha që për herë të parë të sillet të paktën vetëm pesë minuta si kryeministër dhe të ‘keep calm and resign’ (të ruajë qetësinë dhe të japë dorëheqjen), përpara se ta çojë vendin në një përplasje civile, përndryshe fundi i tij do të jetë shembullor.

* ruaj qetësinë dhe jep dorëheqjen

Facebook Comments