Nga Alfred LELA

Një politikan në pension, ministër Arsimi në diktaturë, kryetar Kuvendi në fillim të demokracisë, krah politik i Komiteteve të Shpëtimit Publik në vitin ’97, shef i një partie fantazmë pas viteve 2000, Social-demokrat që ‘shiti’ siglën e së njëjtës parti, dhe u konfliktua për truallin dhe ndërtesën e po asaj, është zgjedhur sot kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pak ditë më parë, në një artikull në Foreign Policy, botuar edhe në Politiko, një akademik amerikan propozonte që, në zbutjen e konfliktit Serbi-Kosovë dhe në rishkrimin e historisë, duke hequr qëndrimet etnocentriste, mund të kontribuonin edhe akademitë e shkencave të Tiranës dhe Beogradit. Duke ndjekur shembullin e Paktit të Prespës, arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Profesori amerikan nuk e di se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nuk ka qenë dhe as nuk është, (edhe më pak tani) një institucion që ‘drejton’ shtetin, duke e furnizuar me ide, platforma, programacion kombëtar etj., por një verigë e shtetit që pret prej tij fondet e çdo vitit për të mbajtur me to katër pesë karrige postesh, katër pesë konferenca (të damllasë) dhe katër pesë botime librash pa peer review, por për qarkullim-mes-shokësh. Nuk e di se Akademia e Skencave vetëm sa ndryshk prostatën e dijes kombëtare, por nuk fut dhe as nxjerr gjë në vetëdijen kombëtare.

Siç nuk e di se, Artan Fuga, profesori i Komunikimit, i kësaj shkence të re të mijëvjeçarit të ri, qëlloi të jetë i vetmi Don Kishot në një betejë kacafytëse, ku zgjedhja për kryetarin e Akademisë i ngjan votimeve për zgjedhjet lokale në prag. Të dyja zgjedhjet janë një koncert solo, që pavarësisht gërvimës nxjerrë prej gërnetës së kësaj dasme të çuditshme demokratike, e shpjegojnë që ç’ke me të dekikun ku ka mbërritur Shqipëria, dertin që ka elita intelektuale (e shitur) e vendit dhe simbiozën, në të keqe, të akademias dhe politicos.

Në krye të legjislativit kemi një ish-komunist dhe ministrin e Brendshëm të fundit të diktaturës, i cili u tha ‘kapitalistëve holandezë’ para pak muajsh, gjatë një takimi ndërparlamentar në Tiranë se, ‘shfaqjen e huaj’ të prostitucionit dhe hashashit, shqiptarët e kishin mësuar nga Holanda dhe Perëndimi.

Në krye të Akademisë së Shkencave kemi ministrin e fundit të Arsimit të diktaturës i cili, si në komunizëm, ngjitet në majë të privilegjit pa garë, dhe në krye të qeverisë kemi Edi Ramën që bërtet se do ta shkrijë Akademinë.

Ndoshta, kryeministri, pikërisht këtë ka patur ndërmend. Me Skënder Gjinushin në krye, dhe sidomos me ‘garën pa garë’, Akademia e Shkenca është shkrirë.

Ajo është si Metalurgjiku, që vazhdon të intoksikojë edhe pas mbylljes.

Facebook Comments