Përgatiti Stefan ÇAPALIKU

Te Croce, intuitim, do të thotë paraqitje, shfaqje. Dhe paraqitja realizohet nëpërmjet shprehësisë. Te Croce shprehësia nuk është domosdoshmërisht e tipit verbal. Mund të jetë vijë, ngjyrë, zë. Kështu intuitim-shprehësia është një tip veprimtarie dhe jo objekt. Për këtë arsye as arti nuk mund të jetë një fakt fizik. Ai s’mund të jetë as gur, as pëlhurë, as letër.
Nuk mund të ekzistojë asnjë lloj bukurie natyrale, thotë Croce. Çdo bukuri gjendet në sytë e vëzhguesit. Prandaj arti s’mund të jetë imitim apo pasqyrë e realitetit, sepse nuk ekziston asnjë lloj realiteti jashtë mendjes së njeriut. Në këtë mënyrë, realizmi përcaktohet prej tij si një koncept i pamundshëm, edhe pse arti shpreh realitetin

“të vetmin realitet që është shpirti, fryma”.

Arti nuk përcaktohet nga kënaqësia. Përvoja e kënaqësive dhe e dhimbjeve vjen nga mbretëria e praktikës së përditshme. Kënaqësia nuk arrin të ndajë fenomenet estetike nga ato jo estetike. Kënaqësia, p.sh., mund të jetë seksuale dhe mund të shoqërojë të gjithë veprimtarinë e njeriut, duke përjashtuar botën e artit.
Nga ana tjetër, arti nuk është moral, përderisa morali është akt praktik, që ndjek intuitimin dhe njohjen konceptuale. Ai thotë:

“Artisti është gjithmonë moralisht i pafajshëm dhe filozofikisht i pacensurueshëm, nëse arti i tij përdor si lëndë një moral apo një filozofi inferiore, sepse artisti nuk punon e nuk arsyeton, por poetizon, pikturon, këndon, domethënë shprehet.”

Facebook Comments