Nga Haqif MULLIQI

◾◾◾

Momentet më “të mira” për gazetarinë janë ato të kohës kur një popull e ka më së vështiri. Dhe, besoj se mu këtë u përpoq të na e dëshmojë në rastin e tij gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi, madje duke e sjellë këtë ide që në vetë titullin e librit të tij me memoare “Libri i luftës”, të cilin sot mund ta ketë në duar lexuesi shqiptar.

Në gazetari thuhet se raportimi nga lufta është kulmi i profesionit tonë. Po ashtu edhe ajo se lufta është tregimi më i madh dhe më sfidues që mund të ndodhë në jetë, ngase ajo “i jep gjithçka” një gazetari për t’u dëshmuar në profesionin e tij. Mirëpo, për ta dhënë kontributin e vet të nevojshëm si profesionist, gazetari i luftës para së gjithash duhet të shkojë tek ajo luftë për të raportuar, mu ashtu siç e bëri miku ynë Nuhi Bytyçi, detajet e odhiseiadës së të cilit, si gazetar i guximshëm, profesionist dhe i përkushtuar, si kronist i një kohe i mësojmë në lundrimin tonë si lexues nëpër dymbëdhjetë kapitujt e librit të tij mbi luftën dhe paqen e gënjeshtërt, që përfshin një hark kohor prej më se katër dekadave.

Një zë i rrallë e i guximshëm në gazetarinë dhe në publicistikën shqiptare

“Libri i luftës” është libër ku kuptohet se vetëm për një gazetar dhe një publicist të mirë raporti i tij me njerëzit dhe me ngjarjet, në fakt, është vetë një luftë e vazhdueshme. Në bazë të një parimi etik mbi dilemat njerëzore të raportit ndërmjet jetës dhe vdekjes, (kjo është doktrinë që mësohet në filozofinë e gazetarisë) thuhet se: nuk ekziston ndonjë ngjarje për të cilën ia vlen që dikush ta lërë kokën. A thua është kështu?! Është e dëshmuar tashmë se te një reporter i mirëfilltë lufte gjithmonë ekziston një duzinë ngjarjesh, motivesh dhe kauzash për të cilat ia vlen të rrezikohet, por edhe të mbijetohet, disi ashtu brenda ndjeshmërisë së asaj që e thotë edhe At Zef Pllumi, pra: të rrnohet vetëm për me tregue. Ndoshta vetëm për këtë më së shumti. Ky në fakt është mision i një gazetari të mirë siç është Nuhiu. Nuhi Bytyçit që rrezikoi aq shumë në profesion gjatë luftës sonë çlirimtare. Pse? Ngase për të raportimi më i mirë nga lufta është në thelb një raportim kundër vetë luftës. Ai është një raportim për paqe. Një raportim për liri dhe për të ardhmen. Një raportim për t’i rrëfyer ngjarjet dramatike, të atilla siç ishin. Një raportim që është më shumë se kaq – një kauzë për të cilën ia vlen të rrezikohet aq shumë, sa edhe vetë jeta.

Nëse përmes “Librit të luftës” analizohet puna e Nuhi Bytyçit si gazetar krizash, reporter luftash dhe pjesëmarrës i ngjarjeve të mëdha historike në Kosovë dhe jo vetëm, e që do të ishte një analizë pragmatike, megjithatë mendoj se nuk është e nevojshme të parashtrohen pyetje dhe të krijohen dilema mbi atë se: a thua, e tëra kjo punë e rrezikshme, me kaq sfida ndodhi dhe adrenalinë nga autori u bë për shkak të profesionit ose mbase edhe për shkak të kënaqësisë që krijon ky profesion prej reporterit të luftës, kënaqësi kjo të cilën mund ta krijojë gazetaria si asnjë profesion dhe asnjë art tjetër që njohim dhe idealet e gazetarit. Unë sinqerisht mendoj se te Nuhiu në fakt që të dyja këto komponentë ishin të binjakëzuara dhe të pandara gjatë gjithë kohës në të cilën raportoi, gjithandej. Ndaj dhe mund të thuhet se “Libri i luftës” na e tregon se zëri i Nuhi Bytyçit është një zë i rrallë dhe i guximshëm në gazetarinë dhe në publicistikën shqiptare në përgjithësi. Thjesht, një prej zërave më të veçantë që pati gazetaria shqiptare deri më sot. Është zë që e tipizon një gazetar të mirë. Që e portretizon atë duke e shkëputur, thjesht, nga mediokriteti në profesion. Gazetari që me punën e tij lë gjurmë të pashlyera në jetën e njerëzve.

Tregim përmes të cilit ushqehet funksionaliteti shpirtëror i një kombi

Siç e shohim në këtë libër voluminoz të Nuhi Bytyçit, kjo që na solli ai është një zë kujtimesh i cili tingëllon aq qartë në mjedisin nga i cili buroi dhe të cilit i përket plotësisht, saqë nganjëherë lëviz si ndonjë kaleidoskop, ku të gjithë ne mund ta gjejmë veten tonë, qoftë si protagonist ose edhe antagonist ngjarjesh. Zëri i N. Bytyçit është një zë i pamëdyshur dhe i pangulfatur nga kushdo që e mëtoi ta bëjë këtë gjë dhe i cili u dha dhe u jep jehonë të tërë atyre ngjarjeve, atyre ndodhive dhe bartësve të tyre për kohën e caktuar, si dhe për brezat që do të vijnë më pas. Kështu Nuhiu e shkroi historinë e atyre që janë dhe historinë e atyre që nuk janë (K. Trebeshina). Thjesht, “Libri i luftës” i Nuhiut është dëshmia më e mirë e asaj, siç e tha me një rast baca Adem Demaçi, se secili zog këndon me zërin e vet e që në rastin konkret është vetë zëri i Nuhiut.
Ky libër i Nuhi Bytyçit është një kronikë e ngjarjeve dramatike të çerekut të fundit të shekullit XX në Kosovë, që u përcoll me ndryshime të fuqishme të të menduarit dhe të të vepruarit të shoqërisë shqiptare në ish-Jugosllavi. “Libri i luftës” shpalos esencat e lëvizjeve politike në Kosovë, sidomos pas ngjarjeve historike të vitit 1981 dhe të demonstratave studentore e që u përmbyllen me luftën epike të shqiptarëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila popullin tonë e solli deri te liria, më 1999-n. Libër që e ringjall dhe e rifreskon kujtesën tonë kolektive dhe individuale, por duke mos mbetur vetëm një narracion vetëm nga e kaluara, por edhe një tregim funksional i një kronisti të kohës që na i riktheu në mbamendje ngjarjet dhe historitë, vuajtjet dhe heroizmat mitike të atyre, që me mund dhe me sakrificë i thurën lavdi vetes, historisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Tregim përmes të cilit ushqehet funksionaliteti shpirtëror i një kombi dhe i një vendi.

Facebook Comments