Nga Elona CASLLI

I nderuar Z. Bochard

Në cilësinë e një qytetareje në Republikën e Shqipërisë, pasi lexova deklaratën tuaj, e cila trajton qartazi historikun dhe cilësinë e protestave në vend, krejt natyrshëm më duhet të nënvizoj faktin se në pasqyrimin tuaj mbi protestat në vend, mungonte një protestë, e cila ka më shumë se një vit që zhvillohet dhe kjo është protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në deklaratën tuaj, ju nënvizoni faktin se ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private.

Në optikën tuaj Z. Bochard , protestat e vazhdueshme dhe paqësore janë të denja për respekt dhe për vëmendje.

Do të kisha dashur, që të njëjtën optikë të kish patur edhe Kryeministri apo Kryebashkiaku i vendit tim.

Protesta e Teatrit Kombëtar Z. Bochard zhvillohet çdo mbrëmje në sheshin e Teatrit.
Në atë shesh të vogël, fjala takohet me fjalën dhe mendimi shkëmbehet me mendimin.
Kushdo është i lirë të flasë në atë shesh. Ai shesh është i gjithkujt dhe i askujt njëkohësisht.

Kjo protestë e vazhdueshme dhe paqësore- siç do të shpreheshit ju Z. Bochard, nuk e ka penguar aspak Kryeministrin e vendit tim të krijojë një ligj të posaçëm për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ky ligj u rrëzua dy herë nga Presidenti Z. Ilir Meta pasi binte ndesh me Kushtetutën e vendit dhe nuk u votua dy herë nga opozita që asokohe gjendej në parlament.
Deputetët e pozitës, ngritën kartonin për votimin e këtij ligji në parlament dhe plot dy herë shkelën Kushtetutën në vend.

Kjo protestë e vazhdueshme dhe paqësore- siç do të shpreheshit ju Z. Bochard nuk e ka penguar aspak Kryebashkiakun në detyrë të grabisë shkronjat mbi Teatrin Kombëtar.

Artistët dhe qytetarët, që mbrojnë Teatrin Kombëtar, mblodhën shumën e nevojshme të të hollave për t’i rivendosur këto shkronja dhe falë kontributit të tyre, shkronjat sot gjenden mbi atë godinë.

Kjo protestë e vazhdueshme dhe paqësore- siç do të shpreheshit ju Z. Bochard – nuk e ka penguar aspak Kryeministrin dhe Kryebashkiakun në detyrë, të nënvizojnë vullnetin e tyre të hekurt për të shembur jo vetëm godinën e Teatrit Kombëtar, por edhe shumë godina të tjera në qytet, të cilat kanë një rëndësi historike.

Së fundmi Z. Bochard ju vini theksin tek fakti se- Demokracia është më e mirë nëse qeveria kontrollohet dhe sfidohet vazhdimisht nga një ekip i plotë lojtarësh legjitimë: organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile; media vërtet të lira dhe dinamike; institucione të pavarura; komisione parlamentare.

Do të isha krejt hipokrite nëse nuk do të mbështesja përcaktimin tuaj të saktë mbi demokracinë e shëndetshme në vend dhe mbi të gjitha elementin e lirisë së mediave.

Protesta e vazhdueshme dhe paqësore e Teatrit Kombëtar- siç do të shpreheshit ju Z. Bochard , e cila ka më shumë se një vit që zhvillohet, për një “ rastësi të mbrapshtë” nuk konsiderohet e denjë për hapësirë dhe vëmendje nga mediat shqiptare.

Duke e vlerësuar paraprakisht leksionin tuaj të vlefshëm lidhur me demokracinë e shëndetshme në vend, mendoj se ky leksion duhet të përcillet fillimisht në vëmendjen e Kryeministrit, i cili në ndryshim nga ju, nuk kultivon një ndjeshmëri kaq të lavdërueshme ndaj protestave qytetare dhe të vazhdueshme.

Post Scriptum- Ju falënderoj!

Sinqerisht

Elona Caslli

Facebook Comments