Nga DOSJA.AL

Jonida Maliqi do zbresë sërish në Rinas me 5 valixhet me rroba dhe me stafin me mbi 10 persona, por këtë herë jo aq e gëzuar sa kur ajo ngjiti shkallët e avionit.
Featured image of article: Fatmirësisht Jonida Maliqi nuk fitoi në Eurovision! Këngëtarja Jonida Maliqi në Eurovision 19 Maj, 2019 13:39
TIRANË- E diel. Në Shqipëri ka më shumë se 12 orë që ka filluar festa. Të gjithë janë të gëzuar, jo se janë hapur negociatat me Bashkimin Evropian, as se qeveria ka marrë vendim që të rrisë rrogat dhe pensionet, as se ka vendosur që të kryejë investime në rritjen e cilësisë së jetës, por sepse Jonida Maliqi fitoi në Eurovizion. Të gjithë janë të lumtur, të gjithë vetëm brohorasin, mediat buçasin nga kjo fitore. Për herë të parë vendi ynë arrin një rezultat kaq të lartë në skenën Evropiane.

Për herë të parë kënga e gatuar në studiot e RTSH-së arriti që të lëshonte aromën e saj dehëse në të gjithë Evropën. Votat gjeopolitike këtë herë mbetën pas, pasi Jonida Maliqi ktheu votat në tokën e saj. Çdo Evropian që dëgjoi zërin shpërthyes dhe melodioz të Maliqit pa mëdyshje votoi për të. Të njëjtën gjë bëri dhe juria profesioniste, që këtë herë u tregua e tillë.

Por nga skena Evropiane, gëzimi mbërriti dhe në atdhe. Institucionet kanë nisur përgatitjet për pritjen madhështore që do i bëhet Jonida Maliqit. Ajo do ketë një pritje të ngrohtë, edhe pse maji po duket ende si fund shkurti. I pari që reagoi për fitoren e saj, ishte Kryeministri Edi Rama. Me një postim të gjatë në Facebook, Rama këtë fitore e lidhte me mirëqeverisjen e tij në këto 6 vite. I ekzaltuar dhe duke mos i besuar syve dhe veshëve për atë që shihte e dëgjonte, Rama shprehej se Jonida Maliqi arriti të renditej e para, falë qeverisë së tij. Por në një hark kohor të shkurtër reagon kryetari i frontit tjetër, kreu i opozitës, Lulzim Basha. Në reagimin e tij Basha, hidhte hije të forta dyshimi për një rezultat të manipuluar dhe sipas tij 140 vota janë fiktive. Për këtë ai akuzonte kreun e qeverisë. Basha duke publikuar një dokument dhe një video shprehej se kishte dhe prova të tjera që vërtetonin blerjen e votave nga Rama. “Lidhja e kreut të narkoshtetit me oligarkët arriti të blinte dhe votat në Eurovizion”, shkruante Basha. Edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, rezultati ishte i manipuluar, pasi ai kishte informacione nga qytetari dixhital. Berisha publikoi dhe mesazhin, ku një qytetar shkruante se njerëz të Rilindjes kishin dhënë shuma të mëdha parash për të votuar Jonida Maliqin.

Ndërkohë që kreu i shtetit, falenderoi me qetësi Maliqin dhe tha se sapo ajo të mbërrijë në atdhe do e presë në Presidencë për t’i dhënë titullin “Mjeshtri i madh i punës”. Por ky nuk do të jetë çmimi i vetëm që Jonida do të marrë, pasi një pritje madhështore do t’i bëhet dhe nga Erion Veliaj. Kreu i Bashkisë do i japë “Çelësin e qytetit” dhe “Kullën e sahatit”. Por është shprehur i gatshëm që të bëjë dhe një koncert tek Amfiteatri i liqenit dhe lekët e fituara do të përdoren për mbjelljen e pemëve.

Pas akuzave dhe dokumenteve të publikuara nga opozita, një hetim kryesisht ka nisur dhe Prokuroria. I pari që u pyet brenda pak orëve nga nisja e hetimeve ishte Kryeministri Edi Rama, i cili për më shumë se 5 orë dha shpjegimet për akuzat që i’u bënë.

Por fatmirësisht Jonida Maliqi u rendit e 18-a dhe të gjithë e kanë harruar se mbrëmë ajo konkuroi në Eurovizion. Askush nga politikanët nuk u interesua që të uronte atë për garën e saj mes vendeve të Evropës.

Jonida Maliqi do zbresë sërish në Rinas me 5 valixhet me rroba dhe me stafin me mbi 10 persona, por këtë herë jo aq e gëzuar sa kur ajo ngjiti shkallët e avionit.

Facebook Comments