Nga Endri TAFANI

“SHTETI JAM UNË ” (Luigji i 14, Mbret absolut i Francës, 1638-1715)

Gjykatat në USA kanë bllokuar disa herë urdhëra të ndryshëm të Presidentit Trump për emigrantët, duke i shpallur të paligjshme. Policia dhe administrata e zbatojnë direkt vendimin e gjykatës, pavarësisht se kreu i ekzekutivit është Trump.
Imagjinoni një moment sikur gjykatat shqiptare të kishin bllokuar urdhrin totalisht të paligjshëm të Kryeministrit shqiptar për “Agon Channel”. Sot borxhi i Shqipërisë mbase do të ishte 140 milion euro më pak. Pse nuk ndodhi?
Sepse Shqipëria është Autokraci. Për ata që se kuptojnë Autokraci do të thotë që pushteti është i përqendruar në duart e një njeriu. T’i shikojmë me radhë pushtetet e Kryeministrit shqiptar.
1. E para kontrollon shumicën në parlament (nëpërmjet Kodit Zgjedhor aktual ku fut dhe largon kë të dojë në listat e deputetëve).
2. Kontrollon Presidentin (që e zgjedh nëpërmjet shumicës në parlament).
3. Kontrollon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (që i zgjedh nëpërmjet shumicës në parlament dhe presidentit që e zgjedh po vetë.)
4. Kontrollon anëtarët e Gjykatës së Lartë (që i zgjedh nëpërmjet shumicës në parlament dhe presidentit që e zgjedh po vetë)
5. Kontrollon Prokurorin e Përgjithshëm (që e zgjedh nëpërmjet shumicës në parlament dhe presidentit që e zgjedh po vetë).
6. Kontrollon KLSH (që e zgjedh nëpërmjet shumicës në parlament dhe presidentit që e zgjedh po vetë).
7. Kontrollon Shefin e Shtabit të Forcave të armatosura (që e zgjedh nëpërmjet presidentit që e zgjedh po vetë).
8. Kontrollon Shefin e Shërbimit Informativ (që e zgjedh nëpërmjet presidentit që e zgjedh po vetë).
9. Kontrollon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë (që e zgjedh nëpërmjet Ministrit të Brendshëm që e zgjedh po vetë).
10. Mund t’i marrë përsipër dhe të ushtrojë plotësisht funksionet e të gjithë posteve ministrore (mund të jetë dhe Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, edhe i Brendshëm, edhe i Mbrojtjes, edhe i Ekonomisë, edhe i Arsimit, edhe i Financave, edhe i Kulturës edhe etj etj)

Hidhni një sy me sipër dhe me thoni ku është ndarja e pushteteve?!
Në demokraci teorikisht pushtetet ndahen në Ekzekutiv, Legjislativ dhe Gjyqësor. Kjo sepse nuk i duhet lënë në duar një njeriu të vetëm i gjithë pushteti, përkundrazi, këto pushtete të ndara, teorikisht kontrollojnë dhe mbajnë nën fre çdo abuzim që mund të vijë nga një pushtet i caktuar. Shembulli i USA që përmenda më sipër është një i tillë.
Tani hidhini një sy tabelës sipër edhe një herë dhe më thoni pra ku është ndarja e pushteteve? Praktikisht Kryeministri i Shqipërisë është një mbret absolut sepse i kontrollon të gjitha pushtetet. Ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor bile dhe ushtarak e policor. Ai emëron dhe shkarkon kë të dojë. Kemi një Mbret Mesjetar me fuqi absolute në pushtet.
Shumë thonë që Shqipëria është oligarki dhe fillojnë përmendin emra Kastrati, Mane, Geci etj dhe thonë që ata i kanë në dorë të gjitha. NUK ËSHTË E VËRTETË! Në Shqipëri vendos vetëm Kryeministri. Prova? Imagjinoni një nga ato emrat që përmenden shpesh nga media si oligarke. Kastrati psh. A mund ta rrëzojë ai Kryeministrin nëse i teket? Ja ta mendojmë. Pushteti i Kastratit është financiar. Dhe i është mërzitur Kryeministri shqiptar dhe do ta ndërrojë me një tjetër. Gjëja e parë që bën Kryeministri me ta marrë vesh i çon Tatimet dhe e mbyt me gjoba. Gjobat duhen paguar përndryshe mbyllen llogaritë bankare. Del një urdhër apo vendim apo dhe ligj për pezullim të aktivitetit, naftës, ndërtimeve, PPP etj. Dhe ngrirje të llogarive. Ka dhe me tepër. Prokuroria fillon ndjekjen penale e çon në gjykatë dhe gjykata vendos që je I fajshëm dhe meriton burg. Pra ti, “Oligarku” tentove të bësh atë që thonë “filozofët politikë” dhe e gjen veten të shkatërruar financiarisht dhe për më tepër në burg. Dhe mos thoni që nuk është e vërtetë. Rasti i Becchetti-t me Agon Channel është prova ime. Një i pasur, “Oligark” po të doni, që tentoi opozitën ndaj Kryeministrit. I mbyllën TV, i bllokuan financat edhe kërkuan ta fusnin në burg. Shpëtoi se iku jashtë, përndryshe sot do ta kishim në qeli. Dhe çfarë është akoma më e rëndë është se rasti i Becchetti-t i shërbeu si paralajmërim të gjithëve. I shikoni sot Televizionet apo dhe “Oligarket”? E morën mesazhin. Po me dole kundër në burg. Ska rëndësi sa i zoti, sa i ndershëm, sa i pasur, sa i famshëm. Do përfundosh i varfër në burg nëse me del kundër.
Rasti i Becchetti-t është shumë i rëndësishëm për të kuptuar thelbin e problemit dhe thelbi i problemit kush është? JEMI NJË AUTOKRACI. Nuk ka rëndësi kush është Kryeminister. Edhe njeriu me perfekt në botë të jetë nuk duhet. Sepse pushteti absolut të korrupton absolutisht. Asnjë Kryeministër i Shqipërisë nuk duhet ti ketë të gjithë ato pushtete.
Hidhini një sy edhe njëherë atyre 10 pikave më sipër.
Zgjidhja fillon me rishkrimin e tyre. KURRË MË AUTOKRACI! Vazhdon..

Facebook Comments