Nga Red VARAKU

Edi Rama e urren kushtetutën dhe shtetin ligjor, sepse kushtetuta dhe shteti ligjor, kufizon dhe kërcënon pozicionin e një njeriu që do t’i ketë të gjitha pushtetet. Ai ia ka dalë që nëpërmjet një strategjie të mirëmenduar , fillimisht të dobësojë dhe më pas të kapë institucionet kryesore, të cilat mundësojnë premisat për një demokraci të shëndetshme. Falë kësaj, ai ka arritur të forcojë pozitat e tij si dhe të zgjerojë pushtetin e tij, më shumë se askush tjetër më parë pas rënies së regjimit. Tetë ishin mënyrat se si ai arriti të kapë të gjitha pushtetet:

1-Demonizimi i opozitës. Është në natyrën e regjimeve me prirje autoritare, që vazhdimisht të sajojnë rreziqe, që i kanosen vendit nga kundërshtarët politikë. Regjime të tilla jetojnë me makthet, që vijnë si nga armiqtë e jashtëm ashtu edhe nga armiqtë e brendshëm. Makthi i puçeve dhe tradhtive të pregatitura nga armiqtë e jashtëm dhe nga armiqtë e brendshëm kthehet në qëndrim zyrtar ndaj kundërshtarëve .

2-Kapja e sistemit të drejtësisë.
Është e qartë tashmë që reforma në drejtësi ishte thjeshtë një marifet për të kapur pushtetin më të rëndësishëm në një sistem demokratik.Nëse deri dje, sistemi ishte deri diku i ballancuar, tani sistemi i drejtësisë është i mbushur vetëm me ushtarë të bindur të Ramës.

3-Intimidimi i medias. Menjëherë sapo erdhi në pushtet ai nisi një sulm të paprecedentë ndaj medias duke e quajtur atë “kazan”. Një emërtim i tillë fyes dhe denigrues, legjitimoi shantazhin dhe goditjen e rëndë ndaj mediave, që mbështesnin linjën opozitare dhe kulmoi me mbylljen e të vetmit TV opozitar Agon Channel.

4-Mbështetja e mediave proqeveritare. Shërbimi ndaj atyre që mbështesin propagandën qeveritare është i jashtëzakonshëm, si në para dhe favore ashtu edhe në troje publike për ndërtim. Kjo ka prodhuar një media tërësisht vasale ndaj pushtetit dhe jo interesit publik.

5-Politizimi i administratës civile dhe ushtarake. Nëpërmjet reformave në administratë, që kanë qëllim vetëm largimin e kundërshtarëve nga puna dhe mbushjen e administratës me njerëzit e partisë. Ai ka krijuar një armatë njerëzish nëpërmjet të cilëve kontrollon gjithçka, të cilët kanë harruar që janë aty për t’i shërbyer popullit dhe nuk janë aty vetëm për t’i “mbaruar punë” klientëve të qeverisë.

6-Mbikqyrja dhe survejimi i kundërshtarëve politikë. Nëpërmjet një ministri të brendshëm i vendosur tërësisht në shërbim të tij dhe një kryeprokuroreje jo profesioniste dhe pa integritet, ai survejon dhe përgjon të gjithë kundërshtarët e tij perfshi këtu edhe liderin e opozitës. Në këtë mënyrë ai informohet rreth kujtdo që guxon të mendojë t’i dalë kundër dhe i merr masat për likujdimin politik në kohën e duhur.

7-Përdorimi i pushtetit. Pushteti është vendosur tërësisht nën shërbimin e klientëve të pushtetit. Madje absurdi shkon deri aty sa parlamenti miraton ligje të posaçme me qëllim favorizimin e mbështetësve të kryeministrit. Ndërsa goditja e rivalëve, nëpërmjet strukturave shtetërore, është kthyer në normë.

8-Manipulimi i zgjedhjeve. Sapo fitoi zgjedhjet në vitin 2013, gjëja e parë që bëri ishte fillimi i punës për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Reforma terroriale ishte një reformë tërësisht e njëanshme, e cila pati si qëllim krijimin e rajoneve ku të dominonte e majta. Gjithashtu ai ndërtoi edhe një sistem kriminal elektoral më grupet kriminale, i cili asgjësoi plotesisht procesin politik të përzgjedhjes së kandidatëve si dhe rolin e strukturave partiake në terren.

Facebook Comments