Nga Indrit VOKSHI

Çuditërisht si rrallëkund ambasadorët në Shqipëri kanë pasur një prani të spikatur në jetën politike e publike. Kohët e fundit reputacioni i tyre në sytë e shqiptarëve është rrënuar dhe shqiptarët nuk i përfillin më njëlloj si më parë. Pse?

Kur ambasadorët marrin përsipër të luajnë role të cilat nuk iu takojnë sipas Konventës së Vjenës “Mbi mardhëniet diplomatike e konsullore” dhe nisin të sillen si arbitër politik atëherë arbitrat ose duhet të jenë shumë po shumë të drejtë dhe parimorë ose ka rrezik të kthehen në palë politike dhe ta humbin prestigjin.

Parimorë nuk kanë mundur të jenë prandaj ka ndodhur e dyta, kanë humbur prestigjin dhe njerëzit nuk i vlerësojnë më njëlloj si më parë. Jo vetëm mbështetësit e opozitës aktuale por edhe mbështetësit e qeverisë apo njerëzit të cilët mbajnë distancë nga lufta politike e kanë të qartë se ambasadat mbajnë krah.

Donald Lu mbetet më i spikaturi prej tyre; kontributori i fundit më i madh në rrënimin e mitit të ambasadorëve dhe besimit tek ambasadorët. Ai shihte gjithçka, shihte çdo gabim të opozitës dhe opozita mund të ishte përnjimend gabim por, ndërhyrja e tij minohej dhe diskretitohej kur ai nuk shihte drogën e mbjellë anë e kand dhe nuk denonconte aleancën Rilindje-Banda aleancë e cila kulmoi me emërimin e bandave në institucione si parlamenti e bashkitë. Ai ndihmoi në mënyrë flagrante partinë në pushtet për të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë duke kërcënuar e intimiduar cilindo që mund të shfaqte mendim ndryshe.

Romana Vllahutin gjithashtu nuk harrohet lehtë. Fotoja e saj në një fushë futbolli mes ministrave socialistë është përshkrimi më i saktë për të. Këta lloj ambasadorësh zënë miq qeveritarët dhe jetën e vetmuar prej ambasadori e zbukurojnë me miqësitë qeveritare e kësisoji përfundojnë duke u rreshtuar krah miqëve aq sa kanë diskrecion dhe iu lejohet.

Të tillë ambasadorë të cilët ose janë informuar keq dhe iu kanë thënë se ky popull nuk kupton asgjë prandaj mund të silleni si të doni ose nuk iu ka interesuar nëse populli kupton apo nuk kupton, kanë meritat që iu mundësuan shqiptarëve ta vënë në dyshim shenjtërinë e ambasadorëve. Zoti u vu në dyshim në vitin 1967 kur Shqipëria u shpall vend ateist ndërsa tek ambasadorët ende nuk i kishim dyshuar.

Shqiptarët kuptojnë, gjykojnë dhe logjikojnë; nuk janë më aq të painfornuar dhe iu është forcuar vetëbesimi. Po rritet një brez ndryshe, brez që e njeh më mirë botën, njeh interesat mbi të cilat bota funksionon, brez më pak i kompleksuar e më dyshues në shenjtërinë e tjetrit.

Prandaj kur arbitri mban krah haptas nuk e kanë tabu të dyshojnë tek arbitri.

Shqiptarët i duan mardhëniet me Europën dhe me Shtetet e Bashkuara. Ka shumë arsye se pse i duan. Dikush ka historinë e jetës sepse ka jetuar në ato vende, dikush ka njerëz të afët, dikush është i afektuar me kulturën, modelin shtetëror e administrativ, me makinat që ato vende prodhojnë, markat, rrobat e gjithçka por, janë të lidhur dhe duan të lidhen edhe më shumë. Ska dyshim se kjo aspiratë duhet shtyrë përpara.

Mirëpo në të njejtën kohë duhen rivendikuar parimet. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës, anëtare e NATO dhe aspirante për anëtare në Bashkimin Europian. A është e mundur që politika e Europës kundruall Shqipërisë të bazohet vetëm në parimet e dokumenteve demokratike dhe Shqipëria të trajtohet me drejtësi; nëse gabon opozita të qortohet opozita, nëse gabon pozita të qortohet pozita? A është e mundur kjo, meqenëse duke aplikuar në ato organizma iu kemi njohur dhe iu kemi dorëzuar sovranitet?

A është e mundur të mos mbyllen sytë e NATO kur fiken radarët për të trafikuar drogë? A është e mundur të mos mbyllen sytë dhe të reagojë Këshilli i Europës kur dhunohen sistematikisht ato të drejta të proklamuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut? A është e mundur të reagojë BE kur pushteti i sotëm sillet haptas sikur të ishte Partia Komuniste e cila e mëton të gjithë shtetin dhe të gjithë shoqërinë në shërbim të pushtetit të saj? A janë të mundura këto?

Kaq kërkohet; gjykim me drejtësi, arbitër i drejtë. Ne këtu jemi, përballë Italisë së BE, mbi Greqinë në BE, përballë Maqedonisë e cila kufizohet me Bullgarinë e BE, poshtë Kroacisë në BE. Pra jemi në katër anët të rrethuar me BE. Nuk synojmë të shkojmë as në Kinë as në Rusi. Ndaj meritojmë pak drejtësi, trajtim të drejtë nga ata që na betohen se janë demokratikë e të drejtë dhe na kërkojnë tiu besojmë. Të mos i mbështesin e legjitimojnë më zullumqarët që sundojnë mbi ne. Të mos bëhen palë me ta. Të mos iu japin oksigjen.

Nëse janë të mundura këto, prestigji i ambasadorëve mund të shpëtohet. Nëse jo, do të ridëshmohet herë pas here se shqiptarët nuk janë aq të pagdhendur sa ua kanë përshkruar. Ndoshta skanë fuqi për të bërë hatanë por do të kuptojnë në heshtje.

Zgjidhja më e mirë nëse nuk është i mundur rivendikimi i parimeve është që ambasadorët të mos shprehen. Të mos marrin asnjë rol arbitri por të ndjekin me përpikmëri rregullat e Konventës së Vjenës “Për mardhënie diplomatike e konsullore”.

Ajo konventë është miratuar për të shpëtuar çdo ambasador nga bërja qesharakë.

Facebook Comments