Nga Indrit VOKSHI

Qysh se ka lindur politika konfliktet politike dhe ushtarake janë zgjidhur përmes marrëveshjeve dhe uljes së palëve në tryezë. Kjo ka qenë është dhe do të mbetet formula për konfliktin në një vend pluralist. Duke e ditur ketë marrëveshjet nuk mund të quhen kurrë fyese dhe më shumë se dobësi ato tregojnë përgjegjshmëri. Marrëveshet e kapitulimit pas lufte, po, janë dobësi sepse përmes tyre noterizohet humbja në luftë. Por marrëveshjet politike mes palëve të një vendi pluralist i cili pretendon të jetë sa më demokratik nuk mund të quhen kurrësesi dobësi.

Vlen të potencojmë edhe njëherë se elementi kryesor për të pasur republikë është konsensusi i palëve për të miratuar disa rregulla të cilat do të garantojnë institucionet e përbashkëta dhe të të gjithëve dhe rrjedhimisht edhe një hapsirë të përbashkët politike dhe institucionale. Këto hapsira garantohen me kushtetutë dhe garantja e kushtetutës është një gjykatë kushtetuese.

Mirëpo cila është sot pengasa e cila e pamundëson marrëveshjen, pamundëspn konsensusin, pamundëson krijimin e disa institucioneve të përbashkëta dhe për të gjithë, pamundëson rregullat e bashkëjetesës politike dhe institucionale?

Le të sjellim në vëmendje konsensusin e 30 majit 2013. Mazhoranca e PD dhe opozita PS-LSI miratuan tre ligjet e famshme të kërkuara nga Bashkimi Europian. Këto tre ligje ishin; ligjin “Për disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë”, ligjin “Për Statusin e nënpunësit civil” dhe “Rregullorja e Kuvendit”. Sapo erdhi në pushtet mazhoranca “Rama” e prishin konsensusin për “Ligjin për nënpunësin civil” dhe miratoi një ligj sajin për nënpunësin. Pabesi politike.

Rasti tjetër është ndarja administrative-territoriale. Një ndarje administrative nuk mund të jetë assesi partiake dhe në shërbim të interesave të pushtetit partiak. Ajo bëhet me qëllim për të përsosur mekanizmat e përfaqësimit dhe të mirëfunksionimit të shtetit në nivel të administratës bashkiake. Lypset të jetë domosdoshmërisht reformë dypalëshe, me konsensus, duke njohur si kriter edhe interesat përkatëse të palëve politike. Çfarë ndodhi? Mazhoranca e kryesuar nga Rama përdori dhunën e numrave. Nuk i njohu opozitës legjitimitetin e interesave të saj. E ftoi në një komision ku opozita do të ishte vetëm fasadë për të vulosur reformën partiake administrative. Kësisoji u dhunua konsensusi. U dhunua bashkëjetesa. U dhunuan hapsirat e përbashkëta. U dhunua republika.

Vijmë tek “Reforma në drejtësi”. Mazhoranca e kryesuar nga Edi Rama në vend që të sillej në mënyrë demokratike dhe pretendimet e opozitës t’i konsideronte si legjitime sepse edhe opozita parlamentare përfaqëson njerëz dhe ka të drejtë të ketë pretendimet e saj për mënyrën se si do të qeveriset dhe jepet drejtësia, lëshoi batare akuzash sikur opozita nuk do reformimin e drejtësisë, ka frikë nga burgu dhe marrina të tilla.

Ska dyshim se opozita ka interesat e saj politike pasi asnjë opozitë në botë nuk mund të rrijë duarkryq kur shikon se kundërshtari politik po synon dominimin mbi institucionet e drejtësisë, sidomos në vende si Shqipëria ku mekanizmat e drejtësisë mund të përdoren për të goditur politikisht kundërshtarin. Megjithatë opozitës, palës tjetër, palës me të cilën nevojitet konsensusi për të garantuar republikën dhe bashkëjetesën, pushteti nuk ia njohu si legjitime pretendimet. Kështu u dhunuan përsëri republika, bashkëjetesa, konsensusi.

Rasti i fundit ishte marrëveshja e 17 majit 2017. Duke mos pasur rrugë tjetër për të dalë nga çadra kryetari i opozitës Lulzim Basha u ul në tryezën e marrëveshjes me kryetarin e qeverisë. Mënyra e uljes dhe e ndrymjes pesë orë kokë më kokë ishte gabim dhe la vend për dyshime. Kryetari i qeverisë Edi Rama ketë tryezë ia përdori duke deklaruar “Unë Lulin e kam në xhep, ai është me mua” për ta goditur dhe për ta delegjitimuar në elektorat dhe brenda partisë së tij.

Sjellje e padenjë për një politikan dhe burrë shteti, pasi kur bën marrëveshje me kundërshtarin nëse nuk dëshiron ta lavdërosh dhe ta quash njeri të përgjegjshëm sepse mendon që të prish punë në elektorat të paktën nuk flet, nuk tenton ta delegjitimosh personin me të cilin ke bërë marrëveshjen. Se duke delegjitimuar ketë person, delegjitimon edhe marrëveshjen, dëshmon se marrëveshja nuk të intereson por thjesht po e shfrytëzon atë moment për të dobësuar dhe asgjësuar kundërshtarin.

Dhe kjo mënyrë sjelljeje nuk iu përket shoqërive demokratike dhe politikanëve me formim dhe interesa demokratike. Kjo iu përket politikanëve me synime totalitare të cilët synojnë asgjësimin e opozitës, medias, biznesit dhe çdo refleksi dhe mekanizmi reagimi të shoqërisë, kjo me qëllim për të garantuar pushtetin e tyre. Kaq, asgjë më shumë!

E si përfundim frika e sotme është bash kjo. Edi Rama si politikan i provuar i pabesë dhe jokorrekt politikisht, si politikan me formim jodemokratik, jo institucional dhe i pandërgjegjshëm se konsensusi dhe bashkëjetesa politike janë të domosdoshme për një shoqëri, konsensusin do të synojë ta paraqesi si dorëzim dhe jo si pjekuri, marrëveshjen si nënshtrim të kundërshtarit ndaj tij dhe do ta përdorë atë jo për të ngritur lart vlerën e konsensusit por si rast ideal për ta goditur dhe për ta delegjitimuar kundërshtarin me qëllim marrjen e zgjedhjeve me mekanizmat jodemokratikë që ka ndërtuar, kjo në funksion të qëllimit të vetëm dhe kryesor; ndërtimin e një shteti diktatorial me ngjyra të bukura për dominim dhe para.

Facebook Comments