Nga Red VARAKU

Ashtu si dikur Berisha, edhe Rama po shkon drejt orëve të tij të fundit. Edhe mbështetësit e tij publikë më fanatikë siç është Baton Haxhiu apo Spartak Ngjela e kanë pranuar që do të ketë zgjedhje të parakohshme. Tashmë, me hir a me pahir, Rama e ka gdhendur emrin e tij, jo vetëm si udhëheqësi i fundit i tranzicionit shqiptar, por edhe udhëheqësi më i korruptuar i tij.

Edi Rama është politikani me bilancin politik më të dobët në historinë e tranzicionit. Ai erdhi me premtimin e madh të tharjes së kënetës politike shqiptare, por këto gjashtë vite të qeverisjes së tij, jo vetëm nuk ndryshuan asgjë, por dëshmuan që vetë Rama kishte kapitulluar përballë shantazhit të përbindëshave të kësaj kënete.

Një nga arsyet, që e rendisin atë në kryeministrin më të korruptuar dhe të pamoralshëm të tranzicionit, është fakti që për të marrë pushtetin, ai hoqi dorë me paturpësinë më të madhe di dhe shiti në këmbim të pushtetit dy kauzat e tij më të rëndësishme, Gërdecin dhe 21 Janarin, gjaku i të cilëve e solli e bëri kryeministër.

Ai nuk bëri asgjë për të ndëshkuar korrupsionin, i cili ishte një nga kuajt e rëndësishëm të premtimeve të tij gjatë fushatës. Përkundrazi disa prej njerëzve që ai i pati akuzuar për korrupsion, jo vetëm nuk i dënoi por edhe i shpërbleu. Ishte ky kompromis që bëri në emër të marrjes mekanike të pushtetit, që e delegjitimoi plotësisht atë në sytë e njerëzve.

Një fund të tillë kaq pa lavdi askush nuk e kishte besuar në vitin 2013 kur ai erdhi në pushtet plot dajre dhe pompozitet. Fakti që një autokrat si Rama, po largohet me bishtin ndër shalë pa mbaruar ende mandatin, tregon që shoqëria shqiptare ka kaluar në një fazë më të pjekur ku llogaridhënia është fondamentale që sistemi të funksionojë. Kjo tregon gjithashtu që shqiptarët janë zgjuar dhe kanë mësuar tashmë autokratët asnjëherë nuk janë aq të fortë sa duken!

Vendi ndodhet në një krizë kapilare pas djegjes së mandateve nga opozita dhe zgjedhjet e afërta do të tregojnë që refuzimi i shqiptarëve ndaj Ramës do të jetë plebishitar dhe poshtërues. Kjo sepse tashmë çdo shqiptar e ka të qartë se në një republikë kryeministrore me sfond parlamentar përgjegjësia për çdo krizë bie gjithmonë mbi kryeministrin.

Zgjedhjet që po afrohen, do të thyejnë jo vetëm mitin e autokratit të fundit, por edhe një mit tjetër elektoral, sipas të cilit thuhet që për të ardhur në pushtet lejohet çdo manovër, qoftë ajo edhe kriminale. Kriza ku ndodhet sot vendi është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që një pushtet i pamerituar, i marrë me dhunë nuk mund të mbahet kurrë me dhunë.Kjo dëshmon faktin që shqiptarët nuk bëjnë më pjesë tek ata popuj që pranojnë të ulin kokën dhe të nëpërkëmben nga politikanët e korruptuar dhe papërgjegjshëm.

Përballë tij ndodhet Lulzim Basha. Ai i ka trazuar fort ujrat e kënetës si dhe ka zemëruar përbindëshat e kësaj kënete, me daljen nga sistemi dhe me deklaratat e tij për ndryshim rrënjësor të sistemit. Të gjithë janë alarmuar . Të gjithë janë ngritur në këmbë për ta ndalur projektin e tij. Oligarkë me miliona dollarë, media të fuqishme, armata e kriminelëve që ka nën kontroll 70% të territorit, ish-pushtetarë majtas dhe djathtas ,të cilët ndjehen të kërcënuar nga deklaratat e Lulzim Bashës.

Një lider me integritet, që jo vetëm ka zgjedhur të mos bëjë kompromis me kriminelë për të ardhur në pushtet, por premton se kriminelët do t’i çojë aty ku e kanë vendin, në qeli. Një lider që e sheh politikën si një mjet dhe jo si qëllim, si një rrugëtim drejt të mirës së përbashkët dhe jo si një luftë për pushtet.

Një lider që beson se nëse vazhdojmë duke bërë ujdi me kriminelët, do të bëjmë bashkë vazhdimisht “të gjitha qelbësirat” dhe do të prodhojmë përbindësha politikë autoritaristë dhe sterilë. Si pasojë, do të gjendemi vazhdimisht në një rreth vicioz ku riciklojmë, mbase jo të njëjtët emra, por të njëjtën kulturë politike. Ndërkohë politika do të jetë gjithmonë në kërkim ujdisë me kriminelët e rradhës, dhe kjo do të thotë vazhdimi i një kulture lufte dhe barbarie me të cilën të gjithe jemi të lodhur dhe duhet t’i japim fund.

Rruga që ka zgjedhur Lulzim Basha kërkon kurajo dhe vendosmëri për t’u realizuar, sepse përballë ka një makineri pushteti dhe propagande të bërë njësh me krimin, si dhe një mentalitet shoqëror që preferon të rreshtohet me të fortët.

Përballja që po afron pritet të jetë historike . Është një përballje midis dy modeleve njerëzore dhe politike, me filozofi diametralisht të kundërta. Përballja midis të resë dhe së vjetrës. Midis të vërtetës dhe mashtrimit. Midis virtytit dhe vesit. Midis fjalës dhe imazhit. Është përballje finale që do t’i japë fund tranzicionit dhe do të sjellë në pushtet një frymë të re dhe një elitë të re politike.

Ndaj, të jesh sot në krah të Lulzim Bashës kërkon kurajo dhe vendosmëri por mbi të gjitha dëshmon një akt shumë të rëndësishëm civil.

Facebook Comments