Nga Enver BYTYÇI

Para dy ditësh eksponenti gjitholog Baton Haxhiu ka sulmuar dhe hedhë vrerë kundër Gjermanisë. Në një intervistë me TV Dukagjinin e Kosovës ai ka thënë se Gjermania ishte kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se politika gjermane për shqiptarët është e dëmshme e shumë akuza të tjera si këto. Në gjithë intervistën e tij gospondin Baton Haxhiu dukej tejet i dëshpruar për atë pse Berlini mbështet kryeministrin Haradinaj për taksën që i ka vënë Serbisë dhe pse Merkeli nuk po mbështet Batonin, Hashimin dhe Edvinin për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës?! Njëjtë si Batoni është shfaqur në dëshprim të madh edhe presidenti i Kosovës, ndërsa naltgjatësia i Tiranës nuk ka pasë kohë të merret me Samitin e Berlinit, megjithëse nesër ai duhet të udhëtojë për atje.
Çfarë i bën këta shqiptaro-serbofilë të jenë të dëshpruar me Berlinin dhe Samitin e nesërm që mbahet atje? As më shumë, as më pak, vetëm dështimi në përpjekjet e jashtëzakonshme që ata kanë bërë për ta tjetërsuar e zvogluar territorin e Kosovës! Duhet që ekspertët më në zë në botë të merren me këtë rast unik, për ta shpjeguar se si ka mundësi që presidenti i një vendi, mentori i tij dhe kryeministri i një shteti vëlla me Kosovën të zemrohen, të dëshprohen, të thartohen aq shumë kundër një shteti, një vendi e një kancelare, e cila del në mbrojtje Kosovës dhe territoreve të saj?! Eshtë rast unik në historinë e botës.
Nesër në Berlin do të jenë katër presidentë dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perendimor, përfshirë katër vendeve anëtare të BE-së, Gjermanisë, Francës, Sllovenisë dhe Kroacisë. Në tavolinën e bisedimeve do të vihen përballë dy palë: Shumica kundër idesë së Beogradit e Moskës për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e kufijve të saj me Serbinë dhe një pjesë e vogël, përkatësisht Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Brnabiq me idenë serbo-ruse të ndarjes së saj. Por më i dëshpruar e më agresori ndër ta do të jetë Hashimi, sepse atij i del edhe në ëndërr Batoni tek ia përjell kërcënimet e Vuçiqit me dosjen e të ashtuquajturave krimeve të tij në Kosovë.
Ndërsa sa i përket qëndrimit gjerman për Kosovën, bombardimet e NATO-s dhe luftën, dua t’I them gospondin Baton Haxhiut se politika shtetërore e Gjermanisë ka qenë par exelancë. Ishin presidenti Bush Senjor dhe Helmut Kohl ata që projektuan idenë e pavarësisë së Kosovës. Ishte ministri i Mbrojtjes Rudolph Scharping, i pari politikan europian që krimet e Milosheviçit në Kosovë i krahasoi me krimet e Hitlerit. Ishte Gerhard Schroeder si kancelar që urdhëroi për herë të parë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore ushtrinë gjermane të angazhohet jashtë vendit të vet në sulmet ajrore kundër Serbisë. Ishte Bundestagu gjerman që ndryshoi kushtetutën e vendit për t’i hapë rrugë angazhimit të ushtrisë gjermane për çlirimin e Kosovës. Ishin trupat e KFOR-it gjerman që kanë shkëlqyer në misionin e tyre në Kosovë. Ishte ministri i Jashtëm, Joschka Fischer, ai që “ballsamosi” Lamberto Dinin në prill 1999, kur kërkonte pushimin e bombardimeve me rastin e pashkëve. Ishte po Fischer ai që sfidoi partinë e tij kur e gjuajtën me domate e vezë, duke deklaruar para saj se nuk do të lejonte një Holokaust në mes të Europës në fund të shekullit XX! Fischer kishte pranuar në janar 1999 nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë projektin e miqve të Batonit, përfshirë Stanishiqin, për dëbimin dhe asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë.
E ndërkohë ishte radioja gjermane DW që përmes Beogradit përhapi lajmin e rremë se “Baton Haxhiu ishte masakruar” nga forcat serbe në Prishtinë, ndërkohë që gospondin Batonin këto forca po e përcillnin me nderime e respekt të veçantë drejt Bllatës. Alibia e vrasjes së Batonit ishte alibia e heroizimit të tij, me qëllim që ai të bëhej i besueshëm te shqiptarët për të realizuar misione të tilla si ky për ndarjen e Kosovës! Investimi I Beogradit te Batoni fillon nga Stanishiqi i Brezovicës, vazhdon me heroizimin e tij, më pas me monopolet e tregëtisë me Serbinë, madje me ekskluzivitet edhe në Shqipërinë e Edi Ramës dhe mbyllet me angazhimin vetmohues të tij bashkë me Hashimin e Edvinin për shkatërrimin e shtetit e të tërësisë territoriale të Kosoëvs!
Në këtë kuptim dëshprimi i gospondin Batonit është i justifikuar. Ai mendon se më shumë vlen pasuria, emri e lavdia e tij, si dhe e Hashimit dhe Edi Ramës, sesa territori i Kosovës, shteti i Kosovës, gjaku i dëshmorëve që ranë për çlirimin e saj dhe investimi i SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të NATO-s për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës! Gospondin Batoni është i dëshpruar, sepse shefat e tij në Tiranë, Beograd e Prishtinë nuk po kanë më shans të “marrin çmimin Nobel për Paqe” dhe ai vetë nuk po ka më shans të shenjtërohet nga Patriarkana serbe për shërbimet që ai ia bën Serbisë. Shkatërrimin e shtetësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës ata e shohin si mundësi për honorare të tilla! Ndaj janë të dëshpruar dhe armiqësuar me Gjermaninë, kancelaren Merkel dhe Samitin e Berlinit!

Tiranë, më 28 Prill 2019

Facebook Comments