Nga Red VARAKU

Pas gjashtë vitesh sulmi dhe pabesie guerrilase, Astrit Patozi më në fund vendosi të dalë hapur kundër Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Nga gjithë arsenali i sulmit që Astriti po përdor kundër Bashës dhe PD, ai nuk e fsheh dëshirën e tij për të përdorur establishmentin e korruptuar të kohës së qeverisë Berisha dhe për t’ia kundërvënë politikisht dhe elektoralisht shumicës së sotme të Bashës.

Për të sulmuar sot Bashën ka argumente, sepse Basha ka ndërmarrë një sërë aksionesh të mëdha në PD, ndër të cilat është pikërisht reformimi i PD, rinovimi i saj, dhe largimi i disa figurave të diskretituara politike nga pjesëmarrja në politikën aktive, apo reformimi kapilar që i ka bërë PD. Reforma të tilla kanë një çmim të rëndë dhe Basha dhe PD e paguan këtë çmim me tradhëtinë, që iu bë pikërisht nga ky establishment i korruptuar brenda PD.

Pra, Basha ka plot gjëra për të cilat mund ta sulmosh. Por dy janë argumentet që përdor Astriti: të dy argumente tashmë të dobëta dhe të tejkaluara. Argumenti i parë është akuza që ai është në një marrëveshje me Edi Ramën. Ndërsa argumenti i dytë është që ai është arrogant dhe drejton me dorë të hekurt apo nuk lejon garë brenda PD.

Argumenti i marrëveshjes me Ramën është sa i vjetër aq i pavërtetë edhe i diskretituar. Pas djegjes së mandateve askush nuk ka të drejtë ta akuzojë më Bashën për marrëveshje me Ramën. Në marrëveshje me Ramën mund të jetë vetë Patozi, për faktin që e krijoi partinë pikërisht atëherë kur i duhej Ramës, dhe sepse akoma nuk ka sqaruar rolin e gurusë së tij Mero Baze, ortak personal i Edi Ramës, në krijimin e Bindjes Demokratike.

Ndërsa argumenti i garës shkon pikërisht kundër logjikës së vetë Patozit. Në garën për kryetar të PD, ai pati deklaruar, që ishte e pamoralshme të merrje pjesë në një garë farzë, ku fituesi ishte i paracaktuar, për këtë akuzoi rëndë Eduard Selamin dhe e quajti atë kukull në duart e Bashës dhe njeri të shitur, si dhe refuzoi të merrte pjesë në zgjedhje. Ndërkohë, vetë sot nuk ndjen as edhe një lloj vrasje ndërgjegjeje kur ndërmerr në mënyrë të pacipë të njëjtin hap si Selami, duke qenë i bindur se është një farzë elektorale.

Në përpjekjen për të dëmtuar Bashën, me shpresë se do të mobilizojë nostalgjikët e korruptuar të qeverisë Berisha , mund të ketë sukses, por ai kurrsesi nuk ka të drejtë. Madje, kjo do të dëmtojë më shumë se çdo gjë kauzën opozitare të Astritit kundër Bashës, sepse do të nxirrte në pah maskarallikun dhe pabesinë e lëvizjes së tij. Po ashtu, do ta pastronte PD njëherë e mirë nga të korruptuarit dhe nga ata që kanë punuar fshehurazi në mënyrë që aksionet politike të PD të dështojnë. Por, kur nis një aksion politik si i Astritit, që sulmon vetëm opozitën dhe nuk e fsheh dëshirën që ajo duhet zhdukur, është mirë të mos habitesh kur të akuzojnë si dordolec të Ramës dhe të shitur.

Astriti mund ta dëmtojë PD, duke mobilizuar siç po bën nostalgjikët e korruptuar dhe është në të drejtën e tij. Është po ashtu në të drejtën e tij, ta bëjë luftën e tij për të rrëzuar Bashën. Por, duket më shumë se i pacipë, kur thotë pas kësaj, që ai e bën këtë për të mirën e PD. Gjithsesi, vlerësoj faktin që Patozi e shpalli hapur bashkëpunimin me qeverinë, deri dje një bashkëpunim i fshehtë . Vlerësoj që ai doli haptazi bashkë me ata të korruptuar, që luftonin prej kohësh fshehurazi, që PD të dështonte.

Jam dakord, që Patozit të mos ia marrin si tradhëti krijimin e Bindjes. E pranoj faktin që ai nuk ka pasur zgjidhje tjetër. Por, përsa kohë ai sulmon vetëm PD, ai nuk bën gjë tjetër vetëm se opozitën e opozitës dhe dihet që opozita e opozitës sponsorizohet vetëm nga pushteti. Deri këtu është gjithçka normale, por t’i lërë mënjanë “të drejtën e Zotit”, moralizimet dhe gjoja parimet demokratike.

Problemi më i madh i tij, duke qenë se e ka në gjak kumarin, është se ai po i luan të gjitha në një dorë. Por, ai harron që Edi Rama është në orët e fundit dhe merak të vetëm ka vetëm pasurinë, të ardhmen e tij dhe të njerëzve të tij. Edi Rama është i njohur për mungesën e luajalitetit në një marrëveshje. Sot, ai ka interes për Patozin, por shumë shpejt, pasi të arrihet një zgjidhje për situatën e krijuar, dhe ta humbë interesin ,ai do ta flakë si një send pa vlerë në koshin e mbushur me parti të vogla të tranzicionit shqiptar edhe Astritin, ashtu siç flaku Topin, Kokëdhimën, Blushin etj.

Facebook Comments