Nga Franc Baron NOPÇA

Shqipnija e Veriut deri tash vonë ishte e vetmja krahinë europiane në të cilën ekzistonte zhvillimi i fisit. Tue qenë se këtu zhvillimi i fisit nuk ishte më i lashtë se disa qindra vjetësh, ndikimi i topografisë mbi zhvillimin e fisit binte në sy edhe mâ tepër, kështu që Shqipnija qé një krahinë klasike për kërkime antropogjeografike.

Ka mjaft mënyra me të cilat mund të provojmë që në Shqipninë e Veriut ndamja e fisit âsht e re. Në radhë të parë duhet shënue këtu se emnat e fiseve të sotme në vjetin 1416 ceken vetem si emna fshatrash të vogla, kështu që, simbas këtij fakti, përpara “kohës së turkut” nëpër fshatra kishte familje feudale dhe si përfundim duket sheshit, mbas një analize të bâme, kontradikta midis ndamjes së sotme shoqnore dhe asaj mesjetare. Në fillim të shekullit të njëzetë, në secilin fis zotëronte ende përpjekja për të mos lânë me ngulë mbrendë individë të huej, që kështu të mos dâmtohej homogjeniteti i fisit. Vajza për martesë (ajo që don me u martue e mos me ndejë virgjëneshë) ose grueja e martueme nuk mund të kishin plang as shtëpi, dhëndrri nuk mund të ngulte në familjen e vjehrrit, as edhe një i huej nuk mund të ngrehte plang e shtëpi (nënkuptohet: brenda cakut të fisit) dhe kapucari (hjekës, shkues, i pabesë, ai që merr të holla për të krye si ndërmjetës një fejesë të papërshtatshme me dinakërinë e vet) nuk pranohej në asnjë mënyrë si farefis. Por në vjetin 1600 ishte krejt ndryshe. Më 1416 mund të kishte plang dhe shtëpi si Zoja Boksi,(I) e ama e Lekë Zaharisë, princit të Dejës, ashtu edhe njifarë Zoja Visa. Mandej, siç na dëshmojnë të thânât e fisit në shekujt e kaluem 14-të e 15-të, qysh atëherë ekzistonte institucioni i martesës me shërbëtorin, tek i cili burri pranohej si dhândërr në shtëpinë e atij që e merrte në shërbim dhe së fundi, prapë simbas kallzimeve të shumta të fisit, del në shesh se, që në fillim të shekullit të 17-të t’arratisunit (ata që nga gjaqet á ndonjë arsye tjetër delshin nga trolli i vet e banojshin si miq në një fis tjetër) mund të ngrejshin plang e shtëpi në trollin e një fisi tjetër.(II)

Këto shënime na flasin për një përforcim organizimi dhe për një farë shthurje shoqnore të fisit, kështu që rreth vjetit 1900 nisë me e ngrehë ballin ndjenja, e cila zotënonte dikur në Shqipninë e Veriut, një vend me kulturë të rame, mbasi në të duken rrënime të vogla kishash të stolisuna me afreske të malësisë, teprica urash të vjetra ose rrugë të hapuna mes shkâmbijsh dhe së fundi mullij uji dhe ere me gurë të mëdhej në krahasim më të tashmit.(III) Mund të thuhet se zakonet oborrtare të fshatrave në takimet njâni me tjetrin duken po ashtu mjaft bindese po t’i krahasojmë me jetën ceremoniale të malësorëve bullgarë e romunë.

Kanuni i sotëm i malësorëve të Shqipnisë na paraqet një prishje të së drejtës dhe një përshtatje të se drejtës feudale në një kushtetutë të mâvonshme fisnore.(IV) Për një prejardhje të kanunit shqiptar nga e drejta gjermane e kohës së dyndjeve të popujve, përveç mungesës së parimeve të së drejtës romake, flasin edhe analogji të shumta. Në radhë të parë âshtë për t’u cekë e drejta e gjuetisë, që na kujton të drejtën e gjuetisë së Rotharit.(V) Në përmvetësimin e gjânave deri tash të pavrejtuna gjinden përsëri analogji të forta longobarde. Vendimi që, ai i cili i jep armën e vet një tjetri për të krye një vrasje, të mbahet dhe ai si gjakës, âsht një kanun shqiptar po njëkohësisht edhe longobard, gjithashtu edhe ndihmësi i vjedhësit mbahet bashkarisht si vjedhës. Dâmet e bâme pa paramendim, përsa u përket parimeve themelore, trajtohen njëlloj si në kanunin shqiptare ashtu edhe në atë të Rotharit. Tue i lânë m’anesh kanunet e tjera gjermane, vetëm në të drejtën longobarde e në kanunin shqiptar nuk bashkohet asnjëherë kamja e burrit me atë të së shoqes. Gjurma të përgjithshme gjermane në kanunin shqiptar janë: mbrojtja e grues kur qet “kushtrimin”, mbrojtja që i bâhet rrugës, e drejta e përbujtjes shumë e zhvillueme, besëlidhja e katundit (por në Shqipni kjo vërtetohet veç në Shqipninë e Mesme), betarët e dorëzantë si dëshmitarë dhe simbole blemje. Rregullat që i përkasin sekuestrimit të bagëtisë së imët, marrja e gjakut, gjaku i lamë me pare, pandershmërija e vrasjes së një femne dhe dënimi me shkretim (Devastacjon, djegie e shtëpisë dhe e krejt pasunisë) janë me origjinë shqiptare. Po kështu është dhe vendimi që bân përgjegjës pronarin e pusit në qoftë se mbytet njeri në të dhe i njëjti vendim, analog me të drejtën gjermane, edhe për saranxhën, por e drejta longobarde bën dallim midis saranxhës e pusit. Së fundi, këtu hyjnë vetëmbrojtja aspak romake, vjedhja dhe disa pika të tjera të këtilla. Disa fjalë të së drejtës gjermane që kanë hy në gjuhën shqipe, si flak=i tretun, jashtë ligjit; fargjini; fat=bashkëshort; fank=shkreti, djerinë e papunueshme; pranga=pranga, hekura, duken po të këtij drejtimi. Edhe fjala cup=flokë të gjatë, bishtalec, âsht për t’u futë në këtë grup, mbasi ndër gjermanët bishtaleci ishte shenja për ta kërkue për grue një vajzë. Po në këtë grup fjalësh gjermane âsht për t’u shtue dhe fjala gjermane treva=paqe, qetësi, që ka hy në Shqipni mâ vonë.

Gjinden dokumenta edhe për një egersim të së drejtës, që pat hy mâ vonë në Shqipni. Kështu për shembull mungesa e gjyqtarëve të veçantë,(VII) të cilët filluen të zëvendësoheshin nga një plak (arbitër, gjyqtar-simbas kuptimit kanunuer) i zgjedhun si ad hoc, mungesa e dallimit të klasave para gjyqit;(VIII) shtrimja e marrjes së gjakut edhe mbi gjini (gjinija kanunisht paraqet farefisin që rrjedh nga krushqitë si daja (fisi i nânës), nipat e bijave etj. Kështu populli thotë gjak e gjini për të caktue përkatësisht farefisin e babës (gjak) e të nânës (gjini) e mbi t’adaptuem, që nuk janë farefis me dorasin (dorë-ras-i: ai që vret me dorën e tij), pranimi i gjakësisë brenda familjes si gjâ që s’ka lidhje me botën e jashtme; (IX) që çdo e gjetun q’aty i përket atij që e gjeti; që nuk ekziston asnjë akt mbrojtjeje të ligjëshme; që mbetet pa u ndëshkue ai që bân nji vrasje me të shtyme të një tjetri;(X) së fundi që edhe përpjekja e hapët për vrasje mbetet gjithashtu e pandëshkueme.

Natyrisht një degjenerim i tillë i së drejtës ishte i shoqënuem nga zhvillimi i “kurioziteteve të drejtësisë”. Kështu âshtë diçka që nderi i burrit e ai i gruas kanë të njëjtën vlerë, por që duhet me u pague në të holla vetëm gjysma e gjakut për vrasjen ose plagosjen e grues. Nji gjâ krejt specifike shqiptare âsht edhe rregullimi paralajmues (i shnotëshëm) i grindjeve të fisit, të cilat, kur nuk janë fort të ashpra, mundemi mos me u qitë pengesa barinjve dhe punëtorëve të kanaleve vaditëse (vadave) gjatë kohës që janë të zânun me punë.(XI) Pastaj këtu hynë dhe ndonjëherë bâmja dhe thyemja periodike e bés, çmimi jashtëzakonisht i naltë i blemjes së një vejushe për martesë për shkak të përvojës së saj dhe së fundi që, kur vritet një grue, duhet shqyrtue embrioni i vdekun bashkë me nânën se çfarë seksi âshtë, në mënyrë që të caktohet gjaku i lâmë me të holla në mënyrë të ndryshme, sipas seksit.

Veçori të tjera, si dënimi i rândë për vrasjen e qenit ose për vjedhjen e kumbonës së dashit, gjinden në “nomos georgikos”. Institucioni me i mbajtë mëshehët dishmitarët âsht përsëri nji gjâ specifike shqiptare e malazeze, por edhe kirgize.(XII)

Nuk âsht e nevojshme me u shty mâ gjatë e me u thellue mâ tepër me këso përshkrimesh, pse këto dokumenta janë nji dishmi e mjaftueshme për të vërtetue shndërrimin shoqnuer që ka hy në Shqipninë e Veriut qysh në shekullin 13-të. Tradita të shumllojshme dëshmojn se ky shndërrim shkoi krahas me një zhvendosje të fortë popullore. Të dhënat e vjetëve 1400 – e 1500 – 1590 i përkasin në shumicë ardhjes së kolonëve (bujq që vinë e ngrehin në vende të tjera), ndërsa të dhënat nga vjeti 1620 synojnë mjaft shpesh mbi shpërndamjen e fiseve.(XIII)

Të dhânat mâ të vjetra midis 1300 e 1400 vërejnë mbi ardhje gjindësh (njerëzish) nga Shqipnija e Jugut, një rrymë populli që âshtë për t’u kuptue si rrjedhim i pushtimit të Shqipërisë jugore nga Turqit (beteja e Beratit, 1383).(XIV) Një popullim i pjesshëm i Dukagjinit ngjau rreth vjetit 1430-1480 nga bregu i detit; kjo ngjau në të njëjtën kohë me vdekjen e Skëndërbeut dhe me pushtimin e Shkodrës e të Drishtit nga ana e Turqve. Së fundi, shfaqet një dyndje e dukshme të shpërngulurish nga Veriu rreth vjetëve 1520 e 1550 – 1590 që, bashkë me rasën e Bosnjës, ka ndikue për një zhvendosje populli (sepse banorët e rinj i detyrojshin anasit me u zhvendosë e me ngulë tjetërkund). Zhvendosjes antropogjeografike në Shqipëri i dha shkas dyndja e Turqëve në Ballkan; prap edhe shfarosja e familjeve të vjetra feudale nga ana e tyne e lufta latente e malësorëve kundra zotnive të rinj, të fushave, bashkë me ekzistencën e organizimit të fisit i dhanë menjëherë vrull të madh shndërrimit shoqnuer. Në Mal të Zi zunë fill famullitë e vogla e të shumta të grumbullueme së bashku në një vend, gja që flet mbi fise të shumta që kanë smirë njeni tjetrin dhe, tue banue në një fshat, zgjohet një rivalitet fisesh për shkak të kishave të vogla e të shumta shqiptare që i gjejmë që në shekullin e 9-12 dhe që gërmadhat e tyne i ndeshim për shembull te Shurdha, Kalaja e Dalmaces, Shas etj.(XV) Një pjesë e këtyne fiseve, mbasi u shkatërrue bujaria, u bânë zanafilla e organizimit të fisit shqiptar. Lufta kundra zotnijve të rinj të fushave çonte drejt shkatërrimit të këtyne të fundit dhe njëkohësisht t’asaj kulture që mund të shihej në të. Kuptohet vetvetiu që fuqija e organizimit të ri në Shqipninë e Veriut nuk âsht gjithkah i barabartë. Në këtë rregullim âsht për t’dallue në mënyrë të theksume momenti i kohës nga ai i vendit. Nga njena anë mund të ngjante që influenca e bajraktarit (bajraktari-kryetari trashëgimtar i fisit) të pakësohej dhe ndonjë personalitet tjetër të dilte përmbi të ose për një kohë të gjatë u bâ aq me influencë saqë i kapërceu vendimet e fisit; mund të ngjante edhe rasa që për shkak të mosinteresimit të fshatrave të vogla u bâ i pamundun bashkimi i fisit në ndërmarrje të mëdha të përbashkëta (si p.sh. rujtja e rregullit të mbrendshëm). Shtrëngesa me të cilën dënohej vjedhja brenda fisit normalisht mund të shërbente si masë vlerësimi për forcimin e ndjenjës së fisit. Në qoftë se çorganizimi i një fisi ishte vepra e një personi të vetëm, atëherë nâ mund të flasim vetëm për një zhvendosje të ndikimit të strukturës së fortë e po aq të qëndrueshme të fisit dhe, kur mungon interesimi, paraqitet një strukturë e lirë e fisit. E vlen pra mundimin me shqyrtue topografinë.

Në një përshkrim të mëparshëm e të përgjithshëm të Shqipnisë së Veriut u karakterizue nga pikëpamja Topografike Malësija e Madhe, si një krahinë karstike që ka pllaja me kanjone, Malësija e Vogël si një krahinë me pllaja të mëdha e të preme thellë dhe si krahinë kreshtë-malesh të nalta e të shtrime në mes, ku mâ të ngushta e ku mâ të zgjanueme, në të cilat mund të shënojmë pjesë të mëdha të Dukagjinit e të Mirditës, krahina malore këto në krahasim me Malësinë e Mesme, e cila zgjânohet prej një numri mjaft të madh pllajash jo fort të thella në mënyrë të çrregullt në të gjitha drejtimet ku vetëm në juglindjen mâ të skajshme të kësaj krahine gjindet një zgjânim i madh pllaje (Fandi).

Për shkak të këtij ndryshimi janë esencialisht të ndryshme edhe burimet e t’ardhunave të të dy krahinavet. Malësorët që banojnë në krahinën malore të Malësisë së Madhe, e cila pjesërisht âsht e mbulume me ferra e driza, janë të detyrueme të miren ekskluzivisht me blegtori, kurse Mirditasit e Dukagjinasit mund të miren pak edhe me bujqësi. Por bujqësia i nevojitet shumë edhe Malësisë së Madhe. Nëpërmjet bujqësisë popullsija lidhet e ngulë banim, ndërsa blegtorija të çon në trans-humancë, mbasi në dimen bjeshkët e nalta janë të mbulueme me borë. Ato fise, krahina karstike e të cilave shtrihet mjaft thellë, si Hoti e Kastrati, zotërojnë prona të përshtatshme për kullosë dimnore dhe zhvillojnë shtegtime periodike mbrenda krahinës së fisit, prandaj nuk duken fort jashtë fisit.(XVI) Por ato fise që zotënojnë bjeshkë të hapta e nuk disponojnë kullosa dimnore, duken jashtë aq sa bien mjaft në sy, sa mâ për të gjatë kohë këto fise shkojnë me grigjet e veta për të gjetë kullosa dimnore. Shembuj për kët llojin e dytë janë fisi i Shkrelit dhe Kelmendit. Ky shtegtim në dimën pruni një pjesë të mirë të Malsorëve në një mvarësi të sigurtë të qeverisë turke që sundonte në fushë. Gjithashtu pruni njerës në të përpjekun me qytetnimin dhe pat si rrjedhim nji takim intim me barinjë të ndryshëm shtegtarë. Tendencat separatiste të disa fiseve malore u dobësuen esencialisht në këtë perziemje dhe kjo krijoi përsëri themelin mbi të cilin naltohet ndjenja kombtare e përbashkët.

Komentimet e veprës në fjalë nga Ndoc Kamsi.

1)-Një shembull të qartë e kemi në katundin e Kabashit të Pukës, për fisin e Lekë Kolonjës. Ka gojdhânë se Lek Kolonja erdhi prej Kolonjës së Jugut me katër djem: Kokën, Qafën, Hadrin e Lushen, në kohën e Lekë Dukagjinit. Prej familjes që gjeti Lekë Kolonja në Kabash kur erdhi, sot ka mbetë veç familja e Manushit.
2)-Janë dy shtresa popullsishë ndër Alpet e Veriut, të sotmit dhe anasit e tyne. Për në Shurdhahi (Sarda), gojëdhana e atyshme tregon se kanë qenë treqind kisha: Frang Bardhi në relacionin e vet dërgue Propogandës së Fesë në Romë (1641) thotë se kanë qenë ma se tetëdhjetë kisha; Domenik Pazi përkundrazi shkruan për pesë kisha duke dhënë dhe emnat e tyne.

Përsa i përket Shasit (Svaç, Svacia) edhe aty âsht gojëdhâna e shumë kishave. Përveç kësaj, në vjetin 1553 Justiniani venecian shkruan se në këtë qytet shumë jetik gjinden gërmadhat e treqindë e gjashtëdhjetë kishave e kapeleve, e prapë sot katundarët shqiptarë të rrethit tregojnë se në këtë qytet kanë qenë shumë kisha e rrënimet i thrrasin “kishat”. (Dr. Milan v. Sufflay ne Thalloczy:Illir-Alb.Forsch.I, 264).
3)-Nuk kanë kullota dimnore të përshtatshme brenda fisit, por prej se Turqia nuk i lejonte me zbritë në fushë, detyroheshin të shrytëzojshin mundësitë e pakta që kishin.

Facebook Comments