Nga Juli EMIRI

Në mënyrë simbolike emri është identitet, individualitet, është ajo çka përfaqëson dhe fshirja e emrit është tentativë për fshirjen e identitetit. Po pse duan ta fshijnë identitetin? Cilët janë ata që kanë paranojë nga një emër? Ata që s’ kanë. Kanë paranojë nga emri ata, që te emri I tyre shohin vetëm një bashkim gërmash boje firmosur në letër me lehtësinë me të cilën mund të kryhet ky veprim nga ana fizike. Ajo letër mund të jetë një urdhër për shembje shtëpie që përkon me shembjen e një familjeje, një urdhër për një shembje objekti kulturor me vlerë të papërsëritshme, një diplomë plagjiaturë e një njeriu që nesër në rastin më të mirë do të të zërë vendin e punës e në rastin më të keq do ketë në dorë jetën tënde, një recetë mjekësore e gabuar, një dënim me burg për një të pafajshëm …mund të jetë çfarëdo, por ajo firmoset lehtësisht nga njerëz që e kanë shitur emrin e tyre. Ata e kanë shitur të drejtën e të folurit në emrin e tyre, të drejtën e të vendosurit, të drejtën e të zgjedhurit, të drejtën e të shprehurit një mendim, madje kanë shitur dhe të drejtën e të pasurit një mendim…Ndaj ata kanë paranojë nga qeniet me emër se kjo u kujton pafuqinë e tyre për ta pasur. Dhe ata tentojnë dëshpërimisht ta fshijnë.
Por emri nuk fshihet dot, se nuk është bashkim gërmash. Tentoni më mirë të mbani emrin tuaj ! Shiteni trupin nëse doni, shiteni dhe shpirtin nëse doni-është zgjedhja juaj- por mbajeni emrin!

P.S. Arthur Miller ka shkruar një dramë madhështore për këtë, “The crucible”, të cilën do ia sugjeroja kujtdo ta lexonte; po ata që nuk kanë kohë se janë të zënë duke fshirë emra i ftoj të shohin skenën kyçe të kësaj vepre të bërë film nën interpretimin e papërshkrueshëm të Daniel Day Lewis.

https://youtu.be/gj635laKpY0

Facebook Comments