Nga Granit ZELA

Dje ishim si gjithmonë tek ndërtesa e Institutit të Rehabilitimit të Burgosurve me Trauma dhe ndenjëm derisa mjegulla u davarit andej nga mbrëmja. Ndodh një fenomen i çuditshëm: mjegulla e mbulon këtë godinë herët në mëngjes dhe nuk shqitet më prej saj gjithë ditën, pavarësisht se në godinat rretherrotull dhe në të gjithë kryeqytetin gjendja klimaterike ndryshon sipas parashikimeve të një dite me parë, porse kjo ndërtesë rri e zhytur përherë në një mjegull e cila shpërndahet vetëm natën, për të ardhur sërish në mëngjes. Këtu ka njëzet vjet që vijnë të burgosur për të plotësuar dosjet e viteve të çuara në burgun e regjimit të mëparshëm, hyjnë e dalin, të heshtur, si në një film pa zë në kërkim të kohës së humbur përgjithmonë. Këtu vijmë edhe ne…

Ne zhytemi lirisht në mjegullën e dendur të korridoreve, ecim kuturu duke përgjuar frymën e njëri tjetrit derisa mbërrijmë tek një prej dhomave të Institutit ku në pjesën më të madhe të kohës rrimë të heshtur, por ndonjëherë, atëherë kur rënkojmë prej ndonjë dhimbje të shfaqur qyshkuri apo tashti prej moshës së vonë, rënkimet tona e shqetësojnë institucionin dhe quhen prishje e qetësisë publike, andaj dhe duhet të jemi të kujdesshëm që ta kryejmë punën tonë….

Qyshse kemi dalë nga burgu, kemi nisur një punë të re dhe të çuditshme: duhet të plotësojmë dokumente në të cilat vërtetohen të gjitha ditët tona të burgut, të gjitha orët, megjithëse nga të gjithë të burgosurit që kam takuar, vetëm ata që ka dokumentuar minutat e kaluara në burg, kanë marrë paratë e burgut, siç edhe quhen ato.

Ideja që në një nga kartmonedhat në qarkullim, duhej të ishte figura e një burgu, thonë se i lindi një nga xhelatët e Burgut të Dreqit, burg që përmendet në të gjitha kujtimet dhe librat e shkruar nga ish-të burgosurit dhe të gjithë ish-viktimat e tij, panë se Shteti e vlerësonte shumë xhelatin tonë, jo vetëm se ai tashmë ishte bërë ministër, por edhe sepse ai kishte marrë edhe dëshminë e ish-të burgosurit, pasi duke punuar ditë e natë me ne, me një punë shumë të lodhshme dhe stresues siç është rrahja dhe torturimi i të burgosurve, në pjesën më të madhe të kohës pa orar, e meritonte edhe ai të shihte një ditë të mirë në këtë jetë dhe të shpërblehej nga shoqëria.

Por ne kishim një punë që nuk di nxirrej kurrë fundi. Duhej të dokumentonim me mijëra minuta, orë dhe ditë të kaluara në heutesi, gjyqe, në biruca, në tunele duke punuar për nxjerrjen e qymyrit, në këneta të cilat duhej të thaheshin, në rrugë, në aeroporte të cilat më pas i përuronte rinia heroike, gjëra të cilat i kujtonim ndërsa rrinim gjithë ditën të humbur në mjegullën e Institutit, ngase ishim krejt të sigurtë se mjegulla kishte një efekt mrekullibërës në ringjalljen e kujtesës, gjë që na e thoshin në të gjitha zyrat që shkonim: Doni të merrnin paratë e burgut për copërat e jetës të kaluara në burg? Sa ditë ke kaluar në mjegull pasi dole nga burgu? Ke vërtetim që trajtimi me mjegull është bërë sipas kritereve për ish të burgosurit? A ka nisur terapia mjegullore menjëherë pas bptimit në Buletinin Shteëror të Ligjit Nr. Kushedi Sa, neni Kush Dreqin e Di se Ku që ligji njeh vetëm mjegullën e Institutit të Rehabilitimit të Burgosurve me Trauma, dhe asnjë mjegull tjetër nuk ka fuqi ligjore?

Ne rrimë pa bëzajtur në mjegull dhe dikush nga ne vjen drejt nesh duke mbajtur në dorë një gazetë. Pasi e hap nis e lexon si nëpër mjegull një lajm që ka të bëj me shpërblimin e të burgosurve të regjimit të mëparshëm i cili është miratuar nga qeveria bashkë me një rezolutë ku u bëhet thirrje ish-të burgosurve të mos e nënvlerësojnë mjegullën dhe të dokumentojnë çdo minutë të kaluar në burg, për hir të së ardhmes së brezave të vijnë. Njëri nga ne që kam hapur gazetën, ai që mund të jem edhe vetë unë ose një nga shokët e mi, nis e lexon urdhërin me një përpikmëri që na lë të gjithëve pa fjalë.

Ai lexon:

Rrahje me dru=një mijë lekë ora.
Torturë me korrent elektrik= një mijë lekë minuti.
Mbushja e gojës me krypë-një mijë e një lek minuti.
Futja me kokë poshtë në fuqi me ujë të akullt=dhjetë mijë e një lek minuti.
Ecje me këmbë të zbathura në pllaka të skuqura metalike-Njëqind mijë e një lek minuti.
Vezë të ziera nën sqetull-nëntëqind e një lek minuti.
Pakësimi i ushqimit për të shkaktuar vdekjen=një mijë e njëqind lekë minuti.
Jetesë në baraka me eternit-një mijë e një…

Zëri i tij është monoton dhe të gjithë shohin mjegullën që e mbulon ndërsa lexon si në ëndërr. Aty nga mesi i leximit ai përmend Shehrazaden dhe të gjithë për një moment e kuptojnë se i lodhur nga leximi i gazetës, ai ka nisur të lexoj “Një mijë e një netët” librin që ka lexuar gjithmonë në burg që të mos çmendet. Tani ai e di përmendësh dhe e thotë me zë të lartë saherë që vjen e zhytet në mjegull bashkë me ne, dhe në dëgjojmë mu si atëherë përrallat që ai na rrëfen, përralla që na mbajnë gjallë dhe nuk na lënë të vdesim të gjithë përnjëherësh, por minut pas minuti pak e nga pak.

Në mure lexojmë shkrime të shkruara kuturu “Dega e Brendshme”, “Këshilli i Qarkut” “Organizata e Frontit”, por njëri nga ne thotë se ne nuk po i lexojmë këto emra, por është dikush tjetër që po i lexojmë dhe ne thjesht jemi duke i dëgjuar, pasi këto emra, krejt njëlloj si mjegulla, kanë një veti çuditbërëse në ringjalljen e kujtesës.

Kështu, ne vijmë këtu ditë pas dite, duke ndjekur një ritual që do të mbaroj vetëm atëherë kur të kemi dokumentuar të gjithë vitet tona të burgut. Kështu, ne vijmë këtu për të dokumentuar dashuritë tona të humbura, pikëllimin e dikurshëm vlera e të cilit në para burgu nuk është edhe aq e madhe krahasuar me ditët e kaluara mbyllur në një thes të cilat kanë një vlerë ku e ku më të madhe në regjimin e sotëm, nëse ato dokumentohen.

andej…si dikur ai nisi t’i shkruante sërish letra të shoqes së vdekur, letra që i shkruante në një dhomë ku kishte një mjegull krejt të dendur, por dora e tij lëvizte pmekanikisht pa e parë letrën derisa më në fund shkruajti: “E dashur Ana…kjo është “E dashur Ana” e fundit që po shkruaj, pasi atëherë kisha një arsyer për të jetuar, e tash nuk e kam, ndaj dhe po vij tek ti…”

Mandej…si dikur ai nisi t’i shkruante sërish letra të shoqes së vdekur, letra që i shkruante në një dhomë ku kishte një mjegull krejt të dendur, por dora e tij lëvizte mekanikisht pa e parë letrën derisa më në fund shkruajti: “E dashur Ana…kjo është “E dashur Ana” e fundit që po shkruaj, pasi atëherë kisha një arsyer për të jetuar, e tash nuk e kam, ndaj dhe po vij tek ti…”

Ditët ikin…dhe tash nuk ka më shpresë…Njëri nga ne thotë se xhelati ynë ka vdekur…xhelati që na ka rrjepur për së gjalli tash sa mote, dhe trupi i tij do të vendoset në një shtrat topi, në bulevard do të ketë njerëz që do të duartrokasin në shenjë lamtumire dhe se është mirë që edhe ne të marrim pjesë në varrim e ta respektojmë xhelatin tonë, njeriun që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së vet me ne.

I marrim leje mjegullës, dalim prej saj dhe shohim se kudo që ne shkojmë ka mjegull, edhe në varreza ku ne presim xhelatin tonë. Ata vijnë, e zbresin nga shtati i topit, mbahen fjalime, njerëzit qajnë për të ndërsa ne vetëm rrimë të heshtur pa nxjerrë asnjë fjalë. Ata ikin, dhe ne mbetemi vetëm për vetëm me varrin ku prehet xhelati ynë derisa njëri nga ne e prish heshtjen dhe sa nis të flas nis e bi e shi që vetëm dendësohet.

“Vëllezër!” thotë njëri nga ne. – Xhelati ynë vdiq, por ne s’do të braktisim pa i bërë nderin që i takon! Askush si ne nuk e njeh se sa i devotshëm ka qenë gjithë jetën ai në respektimin e orareve të torturës, nuk ishte kurrë me vonesë, nuk mori leje kurrë, nuk u ankua kurrë. Ai punonte vëllezër kur ne të gjithë flinim. Sa herë nga ka zgjuar nga gjumi, na ka marrë zvarrë dhe nuk na ka lënë që të na marrë gjumi i vdekjes? Na çonte afër saj dhe …na kthente prapë në jetë. Kështu….pa u lodhur kurrë…pa na harruar kurrë….Ndaj dhe duhet t’i themi të gjithë njëzëri: Faleminderit xhelat!
Faleminderit xhelat! – oshëtinë zërat tanë, faleminderit! -Faleminderit! bërtisnim me aq zë sa kishim ndërsa u turrëm drejt varrit të tij, duke rënë përmbys në atë kurriz të lagur dheu dhe duke mbetur përjetësisht aty si kukulla që lagen në shi.

Shkurt- Maj 2013

Facebook Comments