Nga Namir LAPARDHAJA

Pyeta nxënësit e mi të klasës së dhjetë: Nëse do t’u jepej mundësia të largoheshit nga Shqipëria, a do ta bënit? Jepni disa arsye për “Po-në” ose për “Jo-në”.
Përgjigjet e tyre po i rendis më poshtë, duke shmangur përsëritjet dhe zgjatjet e panevojshme:

1. Po…, sepse në vendin tonë vitet e fundit ka rënë një krizë e madhe financiare, ku shumica e të rinjve janë pa punë dhe shfrytëzojnë ditën e tyre duke ndenjur në lokale të ndryshme, kurse emigrimi në një vend tjetër jep mundësi për një vend të mirë pune sipas shkollës që ke mbaruar, të jep një jetesë më të mirë, pra dhe pagat janë më të larta, si dhe problemet shëndetësore janë më të pakta, sepse kryesorja është të ndihesh mirë dhe të jesh i qetë në punën që bën…
2. Jo…, sepse njeriu jeton më i qetë dhe më i lumtur në vendin e tij… Nëse do të doja punë mund të gjeja edhe në vendin tim… Vendi i huaj i huaj mbetet…
3. Jo…, sepse Shqipëria është vendlindja ime, vendi ku kam mësuar gjuhën shqipe, vendi ku kam qeshur dhe ku kam qarë, ku kam për të jetuar momente të lumtura dhe të hidhëruara gjatë jetës….
4. Po…, që në momentin e parë që do të më jepej mundësia…. Për një jetë dhe të ardhme më të mirë se vendi ynë është zhytur në një krizë të thellë ekonomie dhe papunësie (e ardhmja e vështirë) dhe është e vështirë të mbijetosh… Do të kisha mundësi të zhvilloja talentin tim (akrobaci), duke filluar kurse ose të bëhem pjesë e një cirku… Për një jetë pa paragjykime, të qetë, të lumtur dhe të shëndetshme, sepse Shqipëria është një vend ku janë mbledhur të gjitha të këqiat…
5. Po…, sepse shkollimi në Shqipëri mund të mos më ofrojë një punë të mirë në të ardhmen dhe kjo gjë do jetë një peng dhe zhgënjim, i cili mund të më ndjekë gjatë gjithë jetës… Një tjetër arsye është fakti se kur zgjedh të jetosh në një vend të duhet të mendosh se sa i siguruar je si individ dhe sa i mbrojtur je nga shërbimet e institucioneve shtetërore në rast rreziku apo aksidenti, gjë që në Shqipëri nuk ke përkushtimin e duhur… Këtu nuk ke hapësirë për të treguar aftësitë dhe të promovohesh kur je vërtetë i aftë…
6. Mund të them se nuk do të mendohesha dy herë, sepse mundësitë që të ofron Shqipëria janë shumë të pakta, e ardhmja jote nuk mund të jetë e mirë, ku ti pasi mbaron shkollën vështirë se mund të gjesh punë…. Edhe nëse je me fat dhe gjen punë, të ardhurat që do të fitosh nuk do të mjaftojnë për të jetuar jetën që dëshiron… Arsye tjetër është mentaliteti i rëndomtë i shqiptarëve plot paragjykime, kureshtje të pavend për gjërat e të tjerëve.. Dua të jetojë në një botë pa paragjykime ku secili sheh punën e tij.
7. Po, sepse interesi i qeveritarëve për popullin dhe atdheun e tyre janë në një përqindje të lutë, ku korrupsioni dhe leku i madh kalon vetëm tek kokat e mëdha…
8. Po…, sepse do të doja të shpëtoja nga ky shtet ku vetëm njeriu që ka lekë mund të eci në jetë, shtet ku korrupsioni ka arritur majat dhe ku mentaliteti i njerëzve s’të lejon të jesh i lirë dhe i lumtur…
9. Po…, për një shkollim me nivele më të larta, i cili do të jetë shtysë për një jetesë më të mirë dhe një të ardhme ndryshe. Arsye tjetër do të ishte për “qetësi shpirtërore”. Larg politikës se keqmenaxhuar, larg shtetit dhe institucioneve të korruptuara, larg aktiviteteve kriminale e shumë probleme të tjera…
10. Po…, sepse besoj se në Shqipëri personat që punojnë nuk marrin shpërblimin e duhur dhe gjithashtu e ardhmja ime nuk do të jetë e sigurt… Ky mendim i imi do të ndryshojë vetëm atëherë kur edhe Shqipëria do të ndryshojë…
11. Po…, sepse këtu nuk ka të ardhura… Mjediset janë të ndotura dhe takast janë të larta…
12. Po…, sepse jetesa për një familje normale nuk është aspak e kënaqshme, duhet të emigrosh që të plotësosh kushtet familjare… Paga për një femër është më e ulët se ajo për meshkujt, pra diskriminim…
13. Jo…, sepse vendi im mbetet gjithmonë i imi dhe nuk do të ndihem i huaj këtu… Nëse do të doja një jetë më të mirë atëherë do ta realizoja në vendin tim, fillimisht duke hapur një biznes të vogël, pastaj duke e zgjeruar… Nëse do të doja për fëmijët e mi një shkollim më të mirë do t’i çoja në një shkollë private, ku kushtet do të ishin të kënaqshme…
14. Nëse do më jepej mundësia në çfarëdolloj kohe, do të largohesha… Shteti shqiptar është kthyer në një lodër i komanduar nga qeveritarë që e kanë shuar shpresën për të ardhmen në këtë vend. Një vend ku është rritur numri i të papunëve dhe i varfërisë. Në Shqipëri njerëzit nuk marrin vlerësimin e duhur që i takon, nuk vlerësohen për aftësitë e tyre dhe askush nuk mund ta gjejë veten në këtë ved, por të ndihen të pavlerë. Shqipëria është kthyer në një vend të pasigurt, ku mbizotëron krimi dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato ose të veprojë për ta parandaluar. Një vend ku ke frikë të jetosh, pasi askujt nuk i intereson se çfarë ndodh, për mirë ose për keq.
15. Po…, për shkak të mundësive të pakta që të ofron Shqipëria. Situata politike ne vend ësht përkeqësuar, siguria lë për të dëshiruar, krime kudo. Nga ana tjetër, drejtësia mbyll sytë para çdo veprimi të padrejtë. Aftësitë e çdo personi nuk vihen në dukje nëse ai nuk ka një “mik”…
16. Po…, sepse të gjithë po i vuajnë vështirësitë e këtij vendi. Arsyet kryesore janë problemet ekonomike, shoqërore dhe sociale. Kjo gjë rininë e ka dëmtuar dhe po vazhdon ta dëmtojë…
17. Po…, sepse problem madhor për çdo të ri është shkollimi. Institucionet shqiptare nuk ofrojnë mundësi të mira arsimimi dhe për më tepër bursa të arsyeshme për ata që kanë vështirësi ekonomike në vazhdimin e shkollës… Ekziston frika e përfundimit i papunë pasi diplomohesh…Tregu i punës është ngushtuar dhe të diplomuarit detyrohen të punojnë jashtë profilit…
18. Do të ikja pa e kthyer kokën pas, sepse në Shqipëri nuk të jepet mundësia, pothuajse, për asgjë. Njerëzit shfrytëzohen në maksimum dhe si shpërblim nuk marrin asgjë. Korrupsioni mbizotëron dhe të mposhtë kurdoherë, duke mos i lënë vend drejtësisë… Të rinjtë heqin dorë nga ëndrrat e tyre, sepse mundësitë për t’i realizuar janë të pakta…
19. Po…, për të ndjekur një shkollë më të mirë, për një punë më të mirë, për një jetë më të mirë…
20. Po…, sepse do të jetoja e do të njihesha me njerëz me vlera dhe të edukuar, që shumë rrallë i has në vendin tim.. Do të jetoja një të ardhme të sigurt e të mirë e jo të vështirë e të zhytur në korrupsion, sikundër në Shqipëri….Do të gjeja paqe e do ndaloja së dëgjuari polemika, protesta, rrëzim qeverie, vrasje, rryshfetë nga politikanët dhe nga kokat “e ndershme” të shtetit tonë…
21. Jo…, sepse do ta kisha të vështirë orientimin në një vend tjetër dhe kjo do të kërkonte shumë punë nga ana ime, gjë që nuk kam dëshirë ta bëjë…Ekzistojnë ende ato përbuzjet e rëndomta për dikë që vjen nga një vend tjetër dhe kjo të shkakton shumë lodhje psikologjike…
22. Po…, për kushtet e jetesës, punësimi dhe ekonomi më të mirë…
23. Jo…, sepse në Shqipëri ka vërtet shumë gjëra që na mungojnë, por ka shumë të tjera që në asnjë vend tjetër të botës nuk i gjen dot…. Kush di të jetojë jeton në çdo vend…
24. Do të doja të jetoja në një vend ku të gjithë njerëzit të jenë të barabartë dhe në një shtet ku nuk ka korrupsion…
25. Po, për një jetë më të mirë, për shkollim dhe për të shpëtuar edhe prindërit nga ky vend…
26. Nëse do më jepej mundësia do të largohesha, nëse nuk do më jepej do të jetoja këtu si gjithë të tjerët…
27. Po…, sepse këtu një më dy i njëjti muhabet, vetëm politikë… Do ikja e do vija vetëm dy muajt e beharit…
28. Do largohesha për arsye ekonomike, për një jetë më të mirë dhe për një mënyrë jetese më të mirë….
29. Jo…, sepse këtu unë kam gjithë të afërmit dhe nëse do të rrisja fëmijët në një shtet tjetër ata nuk do të dinin asgjë për kulturën dhe gjuhën shqipe…
30. Po dihet që do ikja…Situata ekonomike nuk është e mirë…Stabiliteti politik lë shumë, por shumë, për të dëshiruar…

Facebook Comments