Nga Refxhei TOLA

Sot është dita ndërkombëtare e librit, pikërisht në të njëjtën ditë kur u larguan nga jeta dy gjigandë të letërsisë botërore, Shekspir dhe Servantes. Do të doja të ndaja këtu perceptimin që kam pasur që fëmijë ndaj leximit… Për mua libri ka qenë gjithnjë arratisje. Gjatë gjithë rritjes sime emocionale, kam jetuar dhe përjetuar me guxim dhe këmbëngulje situata të ndryshme që realiteti, shpesh i vështirë më ka servirur. Libri ishte një formë për të jetuar edhe pse për pak çaste një jetë tjetër, një realitet tjetër. E megjithatë pikërisht nga libri kam mësuar se problemet nuk zgjidhen nëse ne ikim, por nëse qëndrojmë… Në jetë është fat i madh të takosh njerëz të jashtëzakonshëm, fat të cilin nuk e kam pritur duarkryq asnjëherë. I kam kërkuar dhe i kam takuar njerëzit e jashtëzakonshëm në librat që kam lexuar, kam jetuar me luftërat e tyre dhe kam mësuar të jetoj dhe luftoj si ata. Ndaj sot dua të citoj një shprehje të Shekspir, me të cilën babi im më motivon që 13-14 vjeçe, “Jetojeni jetën atëherë kur ajo bëhet e vështirë, dhe mundohuni ta ktheni atë në të mirën tuaj dhe të shoqërise!” Prandaj kam një mesazh për të gjithë moshatarët e mi, që i shoh çdo ditë larg e më larg librave… Lexoni, kërkoni dhe gjejini të vërtetat tuaja mes librave.

Letërsia i ka thënë të gjitha!!! ❤️

Facebook Comments