Nga Ilda LUMANI

Vitin e Ri ‘94 ishim veçanërisht ngushtë, mu desh të shisja fiq të thatë në Pazar të Ri, që na i kishin dërguar disa kushërinj”… “Kam bërë çdo gjë, (student) nga pastrimi i rrugëve nga bora, mbjellje pemësh e furnizimet në pika të ndryshme me kamionçinë”…
“Babin e mbaj mend pak, jetoi gjer kur unë isha 10 vjeç dhe vëllai im 4. Më thonë që i ngjaj shumë tim eti, në kurajën dhe energjinë pozitive, kjo me krenon!”… frazat e mësipërme nuk janë shkëputur nga ndonjë roman, që rrëfen jetën e një njeriu. Është udhëtimi i një djaloshi, që mësoi shumë nga vuajtjet e tij. Majde dhe guxoi… ndoshta edhe më shumë se sa duhej. Por që gjithçka në fund të fundit ja vlejti. Ish-themeluesi i lëvizjes MJAFT dhe drejtuesi i G-99, Erjon Veliaj vjen në një rrëfim personal për jetën e tij, për vështirësitë dhe kënaqësitë nga të cilat ndonjëherë i është dashur të heqë dorë për të arritur pikësynimet e tij. Tashmë i pozicionuar mirë në jetën civile të vendit, është bërë një zë i fuqishëm, që thërret për një ndryshim në jetën e Shqipërisë. Ndërkohë që në këtë intervistë ekskluzive do të shihni edhe ngjarjet aktuale në sytë e Veliajt.

Erjon, si e kujton fëmijërinë tënde?

Mbaj mend grimca gri nga ato kohë, mesi i viteve ‘80. Më kujtohen bisedat e trishta për radhët e qumështit e vezëve, konservat me qepujka, tollonat, shërbimet e stërzgjatura të punës së prindërve, grupin-antenë të pare të televizorit, mezipritjen e latës së druve, pullat e rralla, çelësin lidhur tek rripi i kanatjeres e lojërat me mjete rrethanore. Dera s’pushonte kurrë, herë për farë kosi, herë për pak gjalpë apo niseshte. Ishim të varfër atëherë, por ajo ishte një varfëri dinjitoze. Rrinim në lagje të pastra, bënim shumë për fqinjët, gëzonim e hidhëronim bashkë. Më kujtohet se si prindërit kishin shkruar inicialet e tyre poshtë karrigeve, sa herë kishte dasma apo vdekje, ato ishin karrige ambulante në të gjithë lagjen. S’di sa e kemi ruajtur sot këtë ndjenjë komuniteti, druaj që stofi që na mbante bashkë në ato kohë të vështirë sot është shpërbërë, por jam optimist se herët a vonë do ta rigjejmë këtë solidaritetin e humbur.

Cili është kujtimi më i bukur që ruani prej
saj?

Në klasë të parë, viti 1987, kam që në Sazan me një daje që shërbente si ushtarak në ishull. Atëherë s’kisha parë as anije, as ishull. Më kujtohet se si u ngjitëm me kuaj në majë të ishullit në përpjekje për të parë dritat nga Italia. Më intrigoi fakti që atje larg jetonin njerëz të tjerë, të ndryshëm, koncepti i “jashtë shtetit” qe aq mistik për fëmijët shqiptarë dhe pak ka ndryshuar dhe sot. Një shqiptar mund të udhëtojë gjer në 9 vende të dorës së dytë pa vizë, kur një maqedonas e boshnjak 25, rumun e bullgar 76, hungarez e sllovak 104, suedez e finlandez 143 vende. Përveç overdozës me televizor, vocërrakët e sotëm dhe prindërit e tyre mbeten ende të privuar nga lëvizja e lirë.

Kur keni qenë gjimnazist, çfarë aspiratash dhe pikësynimesh keni pasur për të ardhmen tuaj?

Kam kaluar një kohë fantastike tek “Sami Frashëri”, në vitet 1994-‘98. Dy vitet e fundit ishin disi më të vështira me trazirat e piramidave, ndaj sa herë bëhej mësim ishte sukses në vetvete. Ato vite drejtoja senatin e shkollës, ndaj më duhej të shpikja gjithmonë aktivitete e organizime që mund ta normalizonin pak situatën. Në atë kohë patëm krijuar një grup vullnetarësh te “Samiu” për të ndihmuar fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës, kishim një sistem të thjeshtë binjakëzimi ku secili prej nesh ndihmonte me detyrat dhe merrte një nga bashkëmoshatarët aty në shtëpi për fundjave. Prej gjendjes së vështirë në familje më duhej të punoja gjatë të 4 viteve të gjimnazit, vëllai ishte shumë i vogël e nëna pat humbur punën që në vitin 1992. Kam bërë gjithfarë punësh gjatë gjimnazit, përkthyes, kamarier, asistent zyre, recepsionist. Vitin e Ri ‘94 ishim veçanërisht ngushtë, mu desh të shisja fiq të thatë në Pazar të Ri, që na i kishin dërguar disa kushërinj. Zot ç’kemi hequr për të shitur ato 10 vargje fiq. Sot më kujtohet me buzëqeshje, atëherë ishte luftë për ekzistencë. Në vitin ‘97-‘98 ishim më shumë në rruge sesa në klasë, protestat e pafundme përfshinë dhe gjimnazistët. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kam kaluar disa net në polici, sepse kthehesha nga puna pasi kishte rënë orari i “shtetrrethimit”. Ç’shtet diletant qe ai atëherë, dhe sa më trishton fakti që të njëjtët njerëz që na humbën fëmijërinë vazhdojnë të qeverisin dhe sot. Në ato vite besoj se mu krijua ky sens i fortë i reagimit. Këto ditë protestash pas tragjedisë së Gërdecit, mu kujtua pikërisht kjo, se sa pak kemi mësuar nga historia jonë shumë e afërt. Me mësimet, senatin, basketbollin e punën, gjimnazi ishte një pagjumësi 4-vjeçare, e stërlodhshme, rraskapitëse. Ende më duket sikur s’do ngopem kurrë me gjumë. U “rrita” shumë ato vite, besoj. Të gjithë si komb u rritëm shumë, me zor.

Po koha e studimeve. Si e kujtoni atë?

Unë kam mbaruar universitetin në Grand Valley State University në Michigan, SHBA dhe Master në University of Sussex, Angli. Gjatë gjimnazit kisha kursyer pak para vetëm për të paguar një semestër në universitet bashkë me një gjysmë burse për anglishten e mirë, që plotësonte vetëm kostot e mësimit. Shpenzimet e tjera më duhet t’i plotësoja me një punë gjatë pasditeve e mbrëmjeve me mirëmbajtjen e kampusit. Kam bërë çdo gjë, nga pastrimi i rrugëve nga bora, mbjellje pemësh e furnizimet në pika të ndryshme me kamionçinë. Sot vë buzën në gaz, atëherë kuptova se dhe po të isha person i pafat, minimalisht do mbijetoja me punë krahu që gjithashtu më jepte shumë kënaqësi. Pas një viti më mbaruan paratë dhe sado që të punoja nuk e plotësoja dot shumën. Ndaj vendosa që të punoja një vit, për t’ia rifilluar sërish më vonë me universitetin. Kisha planifikuar të shkoja në Chad të Afrikës Qendrore me një projekt të shkollës për të punuar me të rinjtë dhe po përgatitesha për t’u nisur atë pranverë. Që viti 1999, kur kriza kosovare kish arritur kulmin dhe nëna, e cila po ndihmonte çdo ditë me refugjatët në Tiranë, po më luste të kthehesha të ndihmoja në Shqipëri më mirë. Një organizatë në Michigan (International Aid Inc.) po rekrutonte staf për të menaxhuar kampet e saj të refugjateve. Fillimisht nuk më pranuan, isha vetëm 18 vjeç e pa përvojë, ndërkohë që kërkonin dikë minimalisht 35, me Master e të paktën një dekadë punë në terren. Por duhet të kenë qenë shumë të dëshpëruar për të nisur dikë, sepse pas 24 orësh më takuan, kësaj herë me një biletë njëdrejtimëshe për Tirana. Në fund të 24 orëve të tjera e gjeta veten në Peshkopi për të bërë punën më të vështirë që kisha bërë gjer atëherë, menaxhimi i këtij super-operacioni qe shumë më i komplikuar se çdo gjë tjetër që kisha bërë më parë. Na duhej të përballeshim me njerëz të sëmurë, të humbur, të plagosur apo dhe disa që mbyllën jetën aty ato ditë. E gjithë ajo kohë më duket një ëndërr shumë e largët. Sot që jam i kthjellët e kuptoj që i hyra një aventure, por që fatmirësisht qe e suksesshme. Në qershor 1999 u kthyem bashkë me refugjatët dhe hapëm zyrën në Prishtinë. Pas një viti e gjysmë aty, vendosa të rikthehem në shkollë pas ditëlindjes së 20-të në Prishtinë. Nga përvoja në Kosovë, shumë grupe më kërkonin për punë afatshkurtër në menaxhimin e krizave të ndryshme. Kjo më lejonte të ndiqja shkollën, të kisha një punë dhe të udhëtoja pafundësisht. Një vit e kalova shumicën e kohës në Amerikën Latine, El Salvador, Republikë Domenikane, Peru, Argjentinë, Uruguai. Më pas, vitin e fundit në Afrikë, Afrikë të Jugut, Ruande, Burundi, Kongo (ish-Zaire), Tanzani, Kenia dhe Ugandë. Në fund mbylla tezën e diplomës në Afrikë dhe me mësimet nuk dola keq, përkundrazi. Në fund të vitit 2002 u diplomova për Shkenca Politike. Kur u ktheva në Shqipëri dhe me disa miq filluam MJAFT-in, arrita të shkëputem pak ditë në javë për rreth një vit, 2004-2005 për të përfunduar Master-in për Politika Europiane në Britaninë e Madhe (Univeristy of Sussex) mes një burse Chevening të qeverisë britanike.

Thuhet se personaliteti i një njeriu i ka bazat në marrëdhëniet atë-bir. Si kanë qenë marrëdhëniet e tua me babanë?

Babin e mbaj mend pak, jetoi gjer kur unë isha 10 vjeç dhe vëllai im 4. Ka qenë një burrë i gjatë, shumë i pashëm dhe fizik i fortë. Mbaj mend që qeshte bukur dhe ishte tejet zemërgjerë me nevojtarët. Kalonim shumë kohë bashkë, kryesisht pasditeve, pas punës së tij. Përtej shkollës “Mihal Grameno” ku banonim, ishte një mini pyll lisash pranë Qytetit Studenti. Aty ecnim shpesh, uleshim e flisnim gjatë për çdo gjë. Kisha gjithnjë një keqardhje për tim atë, pasi dhe babai i tij e kishte lënë shumë të vogël. Më mahniste devocioni për punën, besnikëria ndaj kolegëve, të menduarit pozitivisht për çdo rrethanë. Shpesh më merrte dhe në udhëtime jashtë Tirane, në fshatra apo qytete të tjera ku ai kishte punë me ushtrinë. Në ato momente ndihesha “i madh”, si shokët e tij të ngushtë. Sot më ndalojnë po këta shokë, tani të moshuar, profesionalisht të rrënuar, moralisht të dekurajuar e të zhgënjyer për sakrifica që nuk u shpërblyen kurrë. Më thonë që i ngjaj shumë tim eti, në kurajën dhe energjinë pozitive, kjo me krenon!

Po marrëdhëniet me nënën?

Nëna ime është një heroinë. Rrallë kam dëgjuar apo lexuar për një person që të japë aq shumë e pakursyer nga vetja. Kemi kaluar aq hidhërime e vuajtje në familje, sidomos kur ishim të vegjël, e falë saj ja kemi dalë gjithnjë kryelartë e me dinjitet. Sot e kam këshilltare të mençur, ndjek me merak zhvillimet e ditës e më jep një mendje për mënyrën se si i sheh shumë argumente që zhvillohen. Më kujton gjithnjë që të mbetem modest, të kujtohem nga kam ardhur e ç’jetë kam kaluar, e të mbetem i ndjeshëm ndaj atyre që janë me të dobëtit mes nesh, si ne dikur.

Si jeni njohur me Ajolën?

Me Ajolën na ka prezantuar rastësisht një mik i përbashkët. Si ish-debatues gjatë gjimnazit, kishim dëgjuar pak për njeri-tjetrin. Gjatë një udhëtimi në SHBA më duhej të isha transit në Paris dhe u takuam për një mëngjes të shpejtë. Mëngjesi zgjati me orë dhe me vete mendova se me këtë vajzën e mençur dhe të bukur (këto të dyja rrallë bëhen bashkë) duhet të lë dhe një mëngjes tjetër në kthim. Pjesa tjetër është histori, kanë kaluar 2 vjet, dhe pas rreth 800 mëngjesesh kemi ende atë pasionin e bisedës tonë të parë.
Karriera juaj ishte e beftë, por shumë rezultative. Ku gjendet thelbi i këtij suksesi?
S’kam recete në fakt për suksesin e as kam lexuar ndonjë nga këta librat e tipit ’si të bëhesh i suksesshëm’. Bëj me shumë pasion atë që ndiej, dhe mundohem ta rrethoj veten me kolegë më të mbarë, më të lexuar e me të zgjuar se unë. Mundohem të jem pozitiv, të mbaj një mendje të hapur, të lexoj shumë, të jem i përulur për të pranuar kur gaboj, dhe të mos dorëzohem së punuari për diçka që besoj se është e drejtë.

Sapo i keni thënë lamtumirë Lëvizjes MJAFT, të cilën e drejtuar për disa vjet, si ndiheni?

Ndihem në paqe me të tjerët dhe veten. U pata premtuar që vitin e parë shumë skeptikëve se do kontribuoja bashkë me themeluesit e tjerë, për të sjellë një model të ri në shoqërinë civile. Njerëzit sot mund ta urrejnë apo dashurojnë MJAFT-in, por kurrsesi nuk mund ta injorojnë, për faktin se solli një rikonceptim të gjithë shoqërisë civile në Shqipëri, e çoi atë tek qytetarët më nevojtarë e larg salloneve të kondicionuara të qendrës së Tiranës. Më shumë se për seminare e konferenca të lodhshme, shqiptari i zakonshëm merakoset për rrogën, faturat, spitalin, shkollën e pensionin. Ndaj, MJAFT-i dashur pa dashur u kthye në një “modë” të reagimit qytetar, e cila solli jo vetëm një stil të ri, por për herë të parë rezultate konkrete: largimin e zyrtarëve të paaftë e të korruptuar, ndryshimin e legjislacioneve problematike, mbrojtje agresive ndaj konsumatorit për çmimin e energjisë e telefonisë, rritje të informimit e transparencës zgjedhore me “Rezultatet Live”, shtimin e buxhetit për arsimin e shëndetësinë, reagime ndaj emigrantëve, çamëve, Kosovës e të tjerave çështje shqiptare, ndaj të cilave politika shqiptare është strukur. Së fundi MJAFT-i ka qe në një histori suksesi shqiptare, në 2004 u vlerësuam si organizata e vitit në të gjithë botën nga OKB-ja dhe sot kjo Lëvizje është bërë zëdhënëse e një Shqipërie ndryshe.

Na rrëfeni pak për lëvizjen tuaj të re politike?

Ka disa arsye pse e fillojmë G99. Gjykoj se pas dy dekadash tranzicion, sa gjysma e diktaturës, Shqipëria do të duhet të rikthejë moralin ideologjik në qendër të vëmendjes publike. Siç e quajti një mik në media, edhe unë ndihem i lodhur me një estradë therëse, ku minjtë e diktaturës janë transformuar artificialisht në “luanë” të demokracisë, e kjo tallje publike duhet të marrë fund njëherë e mirë në vitin 2009. Momentalisht, jemi i vetmi vend në Europë ku ish-komunistët, tashmë anti-komunistë, qëndrojnë në pushtet. Thuhet se po s’pati dimër të acartë, s’e shijon kush pranverën. E pra, dimri ynë ka zgjatur mjaftueshëm, besoj me gjithë zemër se këtij ngërçi moral do t’i japim dum për 18 muaj. Së dyti, qoftë me nuhatje personale apo dhe me statistika sondazhesh që po na lebetitin çdo ditë, vërej qartë se besimi i publikut për qeverisjen aktuale është në pikën më të ulët në këto 17 vjet. Besimi tek autoritetet është valuta e demokracisë, dhe kur ai humbet, demokracia falimenton. Ndaj duhet restauruar menjëherë ky besim i shkërmoqur. Secili grup shoqëror duhet të ketë një vend në tryezën e vendimmarrjes, sot fatkeqësisht kjo tryezë është reduktuar patetikisht tek Berisha, 2 fëmijët dhe 10 shokët e tyre që operojnë me ligje të oborrit si të paprekshëm të gjitha levat e pushtetit. Ky deformim me besimin e publikut gjithashtu duhet të përfundojë në 2009-ën.Dhe një arsye e tretë, është fakti se vendi ka nevojë urgjente për një kontratë të re me administratorët e ardhshëm të pushtetit. Ndaj, një “Kontratë e Re me Shqipërinë” do duhet të adresojë me përkushtim maksimal nevojat dhe zgjidhjet për secilin grup interesi. Muajt e ardhshëm, përveçse të fundit me Berishën, do jenë gjithashtu një sfidë reale për administratorët e ardhshëm në përgatitjen e kësaj “Kontrate me Shqipërinë”.

Në Shqipëri, në zgjedhjet e 2007-ës morën pjesë 48 parti dhe koalicione. Çfarë do t’i ofronte Shqipërisë kaotike një parti më shumë, pikërisht ajo që përçon idetë tuaja politike?

S’bëhet kurrsesi fjalë për një parti klasike, pasi nuk besoj se status-quonë do mund ta mundim me rregullat që ajo ka caktuar. Qasja duhet të jetë alternative, e zgjuar, e zhdërvjelltë, që artikulon moral në jetën politike e ofron zgjedhje të prekshme për secilin qytetar. Momentalisht po grupohemi si një bashkim vullnetar individësh të suksesshëm në një duzinë fushash me rëndësi publike. Nga reagimi tejet pozitiv i shumë prej emrave më të pastër në Shqipëri, unë ndihem goxha optimist. Me shpresë kjo lëvije do të mpiksë shumë prej këtyre aseteve më pranë Shqipërisë, për të ndaluar njëherë e mirë këtë hemorragji intelektuale që sot nuk gjen mbështetje në Tiranën zyrtare.

Cila ambicie ju drejtoi tek kjo lëvizje e re politike dhe pse në opozite?

S’e fsheh dot, mua më pëlqen kontributi publik, dëshiroj të jem i dobishëm dhe refuzoj të pranoj se vendi ynë është një “shtet i dështuar”. Ashtu si në MJAFT, dhe në politike dëshiroj të mbes një aktivist praktik, që bashkë me të tjerë aspiron dhe projekton një Shqipëri të ndryshme nga kjo e sotmja. Me G-99 zgjedhim të jemi në opozite me këtë qeverisje të lodhur, ashtu siç besoj është pozicionuar tashme dhe pjesa dërrmuese e opinionit publik. Opozita politike nuk mund të mjaftohet me faktin se Berisha është një dështak, a thua se shqiptarët nuk e dinë këtë, por duhet të vazhdojë vetë-pastrimin e në prag zgjedhjesh të paraqesë një kontratë me Shqipërinë, të denjë për t’u besuar, të prekshme për të ndryshuar jetë njerëzish e realiste për të na shëruar njëherë e mirë nga demagogjitë e gërditshme të deri më sotme.

Si i komentoni marrëdhëniet aktuale mes Partisë Socialiste dhe LSI-së? Ata që dikur ishin njerëz të të njëjtit ideal brenda PS-së, janë sot kundërshtarë të përbetuar dhe LSI-ja ka pretendime për ndarjen e pushtetit të ardhshëm.

Ne këtë kontekst, si e gjykoni situatën e krijuar pas tragjedisë së Gërdecit?
Faktet sot janë të thjeshta. 12 kilometra larg kryeqytetit, anës autostradës që lidh Tiranën me Durrësin, pranë të vetmit aeroport ndërkombëtar, në qendër të një zone të banuar, pak metra larg depozitave të gazit, në mungesë të plotë të kushteve teknike e atyre të sigurisë, nën qiell të hapur e rrethuar me llamarinë, punonin në të zezë mes barutit e predhave, fëmijë e gra, vetëm e vetëm për të siguruar bukën e gojës. Por viktima e fundit e shpërthimit të Gërdecit është besimi i publikut tek qeverisja e vet. Në se të parët tanë shkrinë pasurinë e tyre për Shqipërinë, sot kuptojmë se ata që na qeverisin shkrinë Shqipërinë për pasurinë e tyre. Ndërkohë, Berisha shet “indulgjenca”, se nuk shet dot të vërtetën e hidhur, se ai dhe familja e tij e kanë kthyer në biznes jetën e qytetareve shqiptare. Politika e Berishës është kthyer në biznes të publikes, e jo në mision ndaj publikut. Por sot, përveç kreut të qeverisë, përgjegjësi mbajnë dhe të gjithë anëtarët e kabinetit, të cilët përpos privilegjit të të qenit ministër, duhet të tregojnë se janë në radhë të parë qytetarë të këtij vendi. Në demokraci, ofiqi me i larte është ai i qytetarit. Fatkeqësia e dyte që zbuluam është se paria e Tiranës që qeverise është një turme burracakësh. Qeveria nuk është as organizatë partie komuniste, as kope servilësh të paaftë dhe frikacakë, të cilët e vetmja gjë që dinë të bëjnë është t’i përulen paturpësisht dhe pafundësisht një të marri.

Dhe së fundi, si janë ditët tuaja këto kohë…çfarë i karakterizon ato?

Jam tejet i zënë duke u organizuar me G-99. Po mundohem të gjej kohe të lexoj gjera të mençura dhe ide për ta avancuar këtë kauze. Ditët e fundit, me ngjarjet që ndodhen na kane gjetur me shume në terren, duke inkurajuar dhe organizuar rezistencën qytetare. Kam fjetur pak dhe keq nga gjithë ky trishtim, por besoj fort se të gjithë bashkë do t’ia dalim. Sot duhet të zgjedhim të ardhmen, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e shkuara. Sot na duhet kurajë, me pas shpresë. Duhet të jemi solidare, që rrezohemi e ngrihemi se bashku e të rigjejmë besimin se ky vend do t’ia dale nga 18 vjet andralla).

© Gazeta Shqiptare
25 Mars 2008

Facebook Comments