Nga Agim POPOCI

Kaluan më shumë se dhjetë ditë kur akuza e rëndomtë komuniste e deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho, kundër Drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, në Komisionin parlamentar të Sigurisë, u shndërrua në një fushatë linçuese dhe vazhdon të ndotë çdo qelizë shqiptare me zërin e shpërndarë në opinionin publik, kryesisht të kriminelëve ose trashëgimtarëve të kriminelëve komunistë që mburren me bëmat e tyre.

Për tu marrë me gjithë këta të paudhë që ndotin shoqërinë shqiptare që nga viti 1945, duhet një pleqëri e thellë dhe pa obligime, por kur në debat përfshihet edhe një njeri që duhet të jetë me nivel, si diplomati Fatos Tarifa, ky tashmë, fenomen, do dhe një përgjigje sepse po kalon në shqetësim publik.

Meqë temë e debatit është Instituti dhe Agron Tufa si titullar duhet sqaruar këtë kapitull, e sa për poetin Agron Tufa flet pena e tij që gëzon respekt kudo në botën shqiptare.

Së pari, deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka të drejtën e zotit të thotë çfarë ti dojë kokrra e qejfit në Parlament, sepse këtë ia lejon sistemi demokratik. Por, Instituti ku titullar është Agron Tufa, dhe që është themeluar nga Parlamenti i Shqipërisë edhe me votat e deputetëve socialistë, merret me Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Nëse Baba Taku dhe të ngjashmit e tij, duke përfshirë dhe Fatos Tarifën me babin e tij kriminel komunist, janë të bindur se Balli ka bërë krime, kanë mundësinë përmes Perëndisë së tyre, Edi Rama, të themelojnë Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Ballit. Pse nuk e bëjnë kur nuk lanë gjë pa bërë në këtë vend për vetëm 6 vjet! Qytetarët janë në pritje, pas koalicionit qeverisës që bëri Edi Rama me dy Partitë e Ballit, dhe e kanë të qartë se nuk kanë parë gjë akoma!

Së dyti, ku ishin që katër vjet këta sejmenë të Spartak Brahos, që nuk reaguan ndaj librit “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945” me autor Çelo Hoxha, botuar në vitin 2014 nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ku në mënyrë të dokumentuar dëshmohen krimet e kriminelëve komunist duke përfshirë këtu edhe Sevo Tarifën.

Në fund, na del dhe diplomati Fatos Tarifa, i cili përkundër gjithë shkollimit që mbanë mbi supe, mburret se është qytetar dhe i biri i një krimineli komunist.

Për qytetarinë, nga mënyra se si i drejtohet titullarit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, shihet qartë se vazhdon të flas nga rrapi i Mashkullores. Dhe, mendon se meqë Agroni është fshatar, duhet ti lë kriminelët e mirë të ecin para, ose, do ti skuq me bojë!

AgronTufa nuk është dëgjuar ndonjëherë të thotë se është qytetar, sepse babai i tij nuk ishte kriminel komunist që të vinte në Tiranë në vitin 1945 për të përdhunuar qytetarinë tironse vetëm e vetëm që të bëhet qytetar. Jo, ngeli në punë të vetë, në fshat me hallet e tij, sepse bëri atë që mund të bënte çdo patriot shqiptar dhe në fund e kuptoi se këtë vend e mori lumi, ra në duart e komunistëve. Por, as atëherë nuk e lanë të qetë “qytetarët komunistë”. Dhe, qytetari i madh Fatos Tarifa, nga rrapi në Mashkullore i thotë Agronit rri në fshat! Arsyeja është madhore komuniste por jo e turpshme sepse Agron Tufa dhe babi i tij nuk kanë bërë krime dhe, sipas logjikës kriminale komuniste, nuk u takon të jenë pjesë e metropolit shqiptar.

Por hyri prilli, do moj doli marsi, nga komunistët vjen more nazapi! Drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, po i “nxinë luftën, heronjtë dhe dëshmorët”, Instituti u shndërrua në “seksion të Ballit Kombëtar” dhe “duhet shkarkuar Agron Tufa derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij.”

Sejmenët e pështirë të Baba Takut as punën e hyzmeqarit nuk e bëjnë mirë, dhe ndoshta është kjo arsyeja pse Spartak Braho ngriti nivelin e spiunëve me titull akademik.

Por, meqë qytetari Sevo nuk na lexoka bëmat e komunistëve që zbulohen çdo ditë jo vetëm nga Instituti ku titullar është Agron Tufa, i biri Fatos Tarifa, përveç dëshmive të publikuara në librin e Çelo Hoxhës, duhej ta dinte tashmë, sepse dokumentet janë zbuluar që në vitin 2011, se Brigada e VI kishte rolin kryesor në “Masakrën e Tivarit”. Jo se i vrau shqiptarët e Kosovës në Tivar, por nga momenti i dorëzimit në Prizren, gjatë përcjelljes dhe deri në dorëzimin në Shkodër të këtyre shqiptarëve të karikuar ta luftojnë fashizmin, partizanët e Brigadës VI-të dhe jo vetëm, vranë mbi 3.000 shqiptarë nga Kosova duke mos përfshirë ata që thuhet Zyrtarisht se kanë vdekur nga tifoja ose plagë të ndryshme që shkaktuan infeksione.

Sevoja mund edhe të mos ketë vrarë me dorën e tij asnjë shqiptarë të Kosovës, por meqë Fatos Tarifa mburret se ishte pjesëtarë i Brigadës së VI, babai i tij Sevo në rastin më të mirë është bashkëpunëtor në krim dhe jo ndonjë lloj çlirimtari, që i jep luksin të bëhet edhe qytetar, madje tirons.

Dhe në fund, foli Fatos Tarifa more me goje, duke i dhënë një këshillë qytetarie Agron Tufës:

“Nëse deri më sot nuk keni ditur, ose nuk keni dashur e nuk kërkuat kurrë që veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vlerësohen e të trajtohen me respektin dhe me dinjitetin që meritojnë, si fitimtarë të luftës më të lavdishme në historinë e këtij kombi, lërini fitimtarët të prehen në paqe tani që s’janë më dhe bëjuni nderimet që meritojnë dhe që ua keni mohuar atyre pak prej tyre që janë ende gjallë.”

Kjo pra është qytetari, i nderuari Agron Tufa! Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, zbulon krimet e këtyre “fitimtarëve”, por meqë ata duhet të prehen në paqe, Instituti dhe Agron Tufa duhet të heshtin! Ose, përsëritet kërcënimi i Baba Takut dhe logjika e qytetarit nën hijen e rrapit të Mashkullores:

O leri djemtë e mir more të shkojnë,

O se ju skuq ju bëjë more me boje!

Facebook Comments