Nga Alfred LELA

Holanda ka votuar sot, nëpërmjet një shumice parlamentare prej 92 votash, rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Asnjë shqiptar nuk mund të gëzohet nga kjo, edhe pse disa mund të përfitojnë kapital politik. Thënë këtë, dy janë reagimet që duhen shmangur, jo vetëm sepse janë të dëmshme, por edhe sepse janë rasti kur nuk nxëmë nga çka pësojmë.

I pari është pëfundimi se, vendimi i parlamentarëve holandezë mbështetet në një ‘agjendë ksenofobe, racore dhe anti-shqiptare’
.
I dyti se vendimi lidhet [vetëm] me kriminalitetin shqiptar në Holandë.

Në një analizë të shkurtër të qasjes së parë, duhet thënë shukurt se, ndër pesë partitë holandeze që i kanë thënë ‘po’ një rikthimi të mundshëm të regjimit të vizave për Shqipërinë, vetëm PVV, Partia e Lirisë, e udhëhequr nga Geert Wilders, është formacion nacionalist i ekstremit të djathtë. Partia e Wilders ka shfaqur gjithnjë shenja anti-emigracion dhe, jo rrallë edhe kesnofobi, islamofobi, dhe euroskepticizëm. PVV ka 20 vende në parlamentin holandez.

Partia që udhëheq koaliconin qeverisës, VVD, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci, e kryeministrit Mark Rutte, konsiderohet si forcë liberal-konservatore me ideologji që mbështetet te liria e tregut dhe sipërmarrja private. Ajo është një parti liberale ku bashkohen liberalizmi klasik dhe liberalizmi social. VVD ka 33 vende.

Partia e tretë, me 19 vende, të gjitha ‘pro’ rikthimit të vizave për Shqipërinë, është CDA, Thirrja Kristian-Demokrate. Pavarësisht emrit ‘kristian’, që nënkupton direkt konservatorizëm, CDA është forcë e qendrës që i beson miksimit të kulturave dhe ka në grupin e saj deputetë muslimanë, hindu dhe hebrenj.

E katërta forcë ‘anti-shqiptare’ në parlamentin holanedez është simotra e Partisë Socialiste të Shqipërisë, SP, Partia Socialiste holandeze. Qartësisht ajo është një parti e krahut të majtë, pro migracionit, pro multikulturalizmit, etj. Zotëron 14 vende në parlamentin 150 vendësh të Holandës.
E fundit që i ëshstë bashkuar ‘koalicionit të votave pro’ është, CU, Unioni Kristian, një parti konservatore në çështjet sociale si aborti, por progresive sa i takon emigracionit. Unioni Kristian ka 5 vende.

Të gjitha bashkë këto parti kompozojnë 92 vota duke u bërë shumicë e mjaftueshme për ta kthyer Holandën në vendin e parë që kërkon rikthimin e regjimit të vizave në zonë Schengen, pikërisht kundër Shqipërisë. Sa për kujtesë, Holanda ka qenë një ndër vendet më aktive për liberalizimin e vizave të Shqipërisë në vitin 2010.

Harta e votave dhe ideologjia e partive që votuan pro kësaj nisme që e kthen mbrapa një dekadë Shqipërinë, u bë për të kjartësuar se kjo votë nuk duhet lexuar si anti-shqiptare apo ksenofobe. E vetmja parti e tillë në atë ‘koalicion të pashenjtë’ është ajo e Geert Wilders me 20 vota. Të tjerat janë progresive dhe të hapura, edhe kur përfaqësojnë ideologji konservatore dhe të krishtera.

Nuk i shërben askujt një lexim i kësisojtë i votës.

Rrafshi i dytë i reagimit të brendshëm këtu në Tiranë është, apo do të jetë, ai sipas të cilit vendimi ka të bëjë [vetëm] me kriminalitetin shqiptar. Gjë që është pjesërisht e vërtetë, por as shumica e së vërtetës dhe as krejt e vërteta. Kriminaliteti shqiptar, sidomos në një vend liberal si Holanda, ku prostitucioni dhe marijuana janë të legalizuara, ka qenë i pranishëm që kur u hapën kufijtë (edhe pse mbetën vizat).

Të mos harrojmë veçanërisht forcën e arrogancën në prodhimin e këtij dushi të ftohtë për shqiptarët. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, një ish-komunist, i pati thënë një grupi parlamentarësh holandezë, kur këta vizituan Shqipërinë, se drogën dhe prostitucionin i kemi mësuar prej tyre. Adia Sakiqi, ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, qe treguar edhe më ‘e pacipë’ kur, për të mbrojtur, jo Shqipërinë, por ‘partinë’, futej në sherr me shtypin vendas duke mohuar ekzistencën e një raporti negativ të Policisë dhe Prokurorisë holandeze.

Ku lidhen këto qëndrime? Te fakti se qeveria, parlamenti, shtypi dhe publiku holandez (për aq sa është i interesuar) kanë parë te përfaqësuesit shtetërorë të Shqipërisë mungesën e seriozitetit. Holanda është një vend liberal, por serioz. Kalvinizmi i tyre nuk ka mundur të piqet askund me shkujdesjen, arrogancën dhe nihilizmin e qeveritarëve tanë.

Ata i tremben kriminalitetit, por më shumë qeverisë Rama, e cila nuk ka vepruar si partnere e përgjegjshme.

Secili mund ta lexojë sipas midesë së vet këmbanën që bie në Holandë, por ajo bie për ata që kanë veshë.

Sigurisht, më shumë për ata që nuk kanë mundësi: shqiptarët e thjeshtë.

© Politiko

Facebook Comments