Nga Kristi PINDERI

Shënimi më poshtë nuk përfaqëson asgjë më shumë se një përpjekje për ti përballuar me fantazi e kreativitet ca propozime thelbësisht serioze që bën Arben Ahmetaj, i cili duhet marrë seriozisht edhe pse ato që thotë ngjajnë si shaka të hidhura. Seriozisht se është një përzjerje e rrallë biznesmeno-politikani nga ata më të pasurit që vendosin prej vitesh për më të varfrit e vendit.

Ky, kishte dalë dje te një emision televiziv dhe fliste me krenari se si po punojnë që shqiptarët gradualisht të fillojnë të dalin në pension në moshën 70 vjeçare!

“Pse çuditesh”, i thoshte Denis Dyrnjasë, moderatorit të emisionit, “shqiptarët nuk quhen më të vjetër në moshën 70 vjeçare e mos harro se kemi një prej jetëgjatësive më të mira në rajon” (rreth 78 vjeç është në fakt jetëgjatësia mesatare në Shqipëri).

Eshtë interesante se si diskutimet dhe vendimet jetësore për të ardhmen e shqiptarëve dhe për të ardhurat e për sigurinë e tyre financiare e sociale, në vendin më të varfër të Europës (ia kalojmë vetëm Kosovës, Moldavisë dhe Ukrainës), i marrin më të pasurit, si z. Ahmetaj!

U futa të shikoja pasurinë e deklaruar të këtij ish ministri, që në vend të shkëlqejë me kostumet e bukura, të kombinuara tërë lezet me jelekët dhe orat e shtrenjta që përdor, në fakt nxin, se me atë luks është totalisht kitsch kur ke parasysh kontekstin dhe realitetin e vendit që përfaqëson.

I lashë mënjanë 6 apartamentet që ka bashkë me gruan e fëmijët, apo tokat, makinat e të tjera pasuri që të merrnin mendtë. U mora vetëm me paratë e depozituara në llogari depozitash, kursimesh apo rrjedhëse, në pothuajse të gjitha bankat e vendit, llogari në Lek, në Euro, dollar amerikanë, e deri në paundë britanikë, e po ti mbledhësh, një për një, bazuar në deklaratën e 2017 del kjo:

32,349 USD
590,572 EUR
90,011,591 LEK
Po ti konvertosh në një monedhë të vetme, fjala vjen, në dollar amerikanë, vetëm gjendjë cash z. Ahmetaj me gruan e fëmijët e tij ka: 1,523,775 dollarë!

Me 1 milion e gjysëm dollarë, mund të paguash pensionin për një vit të plotë për të paktën 1104 pensionistë shqiptarë. E po të shtosh aty 10 si ky ish minister që u bëjnë shqiptarëve karshillëk ditën me diell, paguan pensionin e mbi 11 mijë pensionistëve për një vit të tërë.

Po të gërmosh pastaj më shumë, i gjen me siguri të paktën 100 të tillë politikanë të së kaluarës e të së tashmes që kanë pasuri të zorshme për t’u justifikuar, pra me 100 të tillë, sikur ti lesh të gëzojnë gjithë pasuritë e tjera, makina, prona, vila, shtëpi e apartamente, e të llogarisësh vetëm paratë cash që kanë në bankat shqiptare (ato të deklaruarat) mund të paguash për një vit të tërë pensioninin e të paktën 100 mijë shqiptarëve!

Dhe ka një mënyrë se si një rishpërndarje e tillë mund të bëhej fare mirë dhe në mënyrë të ligjshme, të ndershme, të drejtë, e madje plotësisht në përputhje me çfarë propozon vetë Ahmetaj:

Psh, lemë mënjanë vende europiane e shkojmë në vendin më konservator në botë në lidhje me taksimin, pra në SHBA, ku ka sot një propozim nga një kongresmene e re për të taksuar deri në 70 përqind këdo që ka fituar mbi 10 milion dollarë.

Për një vend të vogël si Shqipëria do ishte shumë e ndershme për të gjithë që ta mbështesnim zotin Ahmetaj te këmbëngulja që ka për të ruajtur taksën progresive, përkundër taksës së sheshtë 9 përqind që propozon opozita.

Mirëpo, që të ishte vërtet progresive dhe vërtet e drejtë, pasanikët si z. Ahmetaj që vetëm likuiditete nëpër banka kanë më shumë se 1 milion dollar, pa llogaritur pasuritë e paluajtshme apo pronat e tjera, këta të 1 milionëshave të paguanin 70 përqind taksa!

Apo, njësi tjetër matëse të kishim këtë: 70 përqind taksa për këdo politikan që ka vajzën apo djalin në shkollat më të shtrenjta në Londër apo në Vjenë!

“How about that”: Kush politikan i vendit më të varfër në Europë, arrin të shkollojë fëmijët në shkollat më të shtrenjta të botës, të paguajë 70 përqind të fitimeve në shtet!?

Do ishte mënyra më e mirë që për pensionet e shqiptarëve të mos rëndoheshin më shumë ata që duhen lehtësuar, pra të moshuarit, por pasanikët tanë! Që qëllon pothuajse gjithmonë të jenë edhe politikanë nga ata që marrin vendime afatgjata për gjithë të tjerët!

Më poshtë deklarata e pasurisë e z. Arben Ahmetaj.

http://spending.data.al/en/moneypower/view/id/2/year/2017

Facebook Comments