Nga Albana MUSABELLIU – Michigan, USA

S’ka varr, por ka mbetur në këngë, s’ka monument, por ka bërë histori, dhe flet me zërin e saj.
Pasaporta e tij ishte shqiptarizmi.
Lirinë- e kishte ëndërr, mburojë-atdhetarinë e trashëguar nga gjaku dhe raca.
Mali hyjnor i Tomorrit s’pranon hije mbi vete, as Ujaniku, vendlindja e Mestanit. Mirëpo, përballë atdhetarëve ishte fronti i kuq, komunizmi, shkatërrimtari dhe mohuesi i dinjitetit njerëzor, pronës dhe vlerave humane.
E sot, pushtuesve të djeshëm u japim tokë për varrezat e të vrarëve në trojet tona, ndërsa luftëtarëve tanë, që u përleshën me ta, s’ua afrojmë dy metra për vendin e varrit, apo për të ngritur një përmendore…

Enigma e vdekjes dhe enigma e varrit është brengë e madhe për ne, pasardhësit e tij, të vegjël e të mëdhenj, që nuk gjetëm eshtrat t’i bënim një varr dhe t’i çonim një tufë lule.
Ndoshta edhe një varr kenotaf simbolik në varrezat e Dëshmorëve në Çorovodë do të na i lehtësonte sadopak dhimbjen.

Do të na e lehtësonte dhimbjen edhe ai bust i bukur, i realizuar nga skulptori i njohur Vladimir Caridha dhe që rri ende në një garazh makine se nuk e pranon “politika në Skrapar”, pavarësisht se figura e tij është reabilituar dhe ndriçuar nga historia.

Autoritetet e larta qendrore apo dhe loale, që, për shkak të konjukturave të tyre politike tremben nga figura e Mestan Ujanikut, s’bëjnë gjë tjetër, veçse dramës shekspiriane të kapedanit të maleve të Skraparit, i shtojnë një kapitull (akt) tjetërlartësie për Heroin, që, si Pal Golemi i Skënderbeut, “edhe i vdekur i tmerron armiqtë me sy” dhe njënjollëskandaloze dhe turpi historik për veten e tyre.

Po kush ishte Mestan Ujaniku

Si stërmbesë e tij, e rritur nën një hije madhore të burrave të kësaj familjeje, Mestanit të parit, gjysh Xhemalit, dhe vëllezërve të tij, Hetemit, Vehepit, Nuriut me ato historitë e ngatërruara që dëgjoja, ndryshe brenda në shtëpi dhe ndryshe jashtë saj, e kam patur të vështirë, por jo të pamundur, që edhe unë të plazmoj dhe të sajoj në mendjen dhe zemrën time një kompleks skulpturor trimëror të paraardhësve të mi, që herë më duket si vegim flu, i largët, i pakapshëm dhe herë si vetë Zeusi mes Zotave, ku dhe unë, si një e vdekshme mes të pavdekshmëve, kam një vend që më bën të ndihem krenare.

Historinë e Mestanit, më shumë se në libra, e kam njohur në familje.
Ai lindi në fshatin Ujanik, një fshat në gji të Tomorrit, në lartësinë mbi 1000 m mbi nivelin e detit dhe shumë pranë vendit të shenjtë të Abaz Aliut.
Ujaniku është një fshat alpin, i formuar vonë në tanet e vllenjve.
Fshati ishte i tëri një fis dhe mbante mbiemrin Musabelliu.
Sipas të dhënave, familjet e këtij fshati kanë ardhur pas shpërbërjes së fshatit Grëmsh të Tomorricës, qendër e spahinjve dhe bejlerëve të zonës, gjë që e dëshmon edhe vetë mbiemri (Musabeu -Belliu).

Ujaniku ka qenë oda e miqve, ose bujtina më bujare e atyre që vinin në Tomorr, qofshin pelegrinë besimtarë, udhëtarë, studiues të huaj evropianë, gjahtarë e qejfëllinj romatikë.

Që në moshën 18 vjeç, Mestani radhitet në ata 300 burra skraparllinj që nën udhëheqjen e Riza Cerovës dhe Ali Koprënckës morën pjesë në luftën e Vlorës, duke goditur më parë italianët në Leskovik, Përmet dhe Tepelenë.
Në vitin 1924 atë e gjejmë përkrah forcave fanoliste, ndërsa në vitin 1935 arrestohet si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit, një nga organizatorët e së cilës ishte Riza Cerova.

Pushtimi fashist i 7 prillit të vitit 1939 e gjeti në burgun e Beratit për një vrasje banale në fisin e tij.
Në rrëmujën e atyre ditëve ai del nga burgu dhe në vend të shkojë në shtëpi, bashkë me shumë patriotë të tjerë nga Berati dhe Skrapari protestojnë para prefekturës në Berat, duke kërkuar armë për të mbrojtur vendin e tradhtuar nga mbreti Zog. Arrestohet përsëri nga prefekti i Beratit, por nuk kalon shumë dhe del përsëri nga burgu.
Këtë radhë shkon në Ujanik ku krijon një çetë me 15 vetë, ku merr edhe djemtë dhe kushërinjtë e tij.
Kjo çetë e vogël e krijuar që në vitin 1941 është bërthama e çetës së madhe që u krijua më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit dhe ku komandant u caktua Mestan Ujaniku.
Partia Komuniste nëpërmjet Qarkorit të Korçës sa mori vesh këtë, dërgoi menjëherë përfaqësuesin e saj në këtë çetë, anëtarin e Grupit Komunist të Korçës, Gjin Markun për ta mbajtur këtë çetë nacionaliste në krahun dhe nën ndikimin e saj.
Pas Gjin Markut, me ndarjen e Çetës në çeta të tjera në Skrapar erdhën edhe kuadro të tjerë nga Qarkori i Korçës, një nga të cilët ishte edhe Ramiz Aranitasi.

Çeta e Mestan Ujanikut zhvilloi disa aksione të rëndësishme luftarake, më të bujshmit ishte çarmatosja e milicëve të Xhaf Balit në Mëlovë në fund të gushtit 1942, çlirimi i Çorovodës etj. Ka një korrespondencë të gjatë të administratës së atëhershme nga qendra në bazë që tregon bëmat e Mestan Ujanikut dhe çetës së tij, por edhe tmerrin që i kish kallur ai armikut.
Po kështu shtypi i kohës, radio BBC, gazeta “Zëri i Popullit” përshkruajnë detaje të përpjekjeve që bënte çeta e Skraparit me komandantin e saj, i cili që atëhere u quajt “Legjenda e Maleve” dhe u vesh me shumë histori.
Vlerësuar nga emri që kishte krijuar, më pas, me shkrirjen e çetave në formacione të tjera partizane, Mestani emërohet komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ku komisar i këtij shtabi ishte Kahreman Ylli.

Deri këtu shkoi mirë, por pasi çeta e Mestanit u mbush me komunistë dhe u vu në suazën e formacioneve partizane të drejtuara nga Enver Hoxha, filluan edhe problemet me Mestanin.
E dëshmon këtë një letër që Enver Hoxha, më 5 prill 1944, i dërgon komisarit politik të çetës, Gjin Markut, ku shpreh rezerva ndaj Mestanit dhe kërkon distancim ndaj tij.

Ja një paragraf i kësaj letre: “Mestani erdhi këtu dhe u fjalosa me të.
Zuri të qahej si plakat, të gjitha qarjet e tij të vogla, të cilat ai i ka si argumenta.
Natyrisht qarjet ay i bazon tash për të forcuar bazën e tij (kupto nacionaliste) në ato lëshimet e gabimet që janë bërë në atë terren. Dhe kërkon të dalë si “engjëll” me flatra të bardhë…
Megjithë drunë që i dhaç, se Mestani, njeri i vjetër dhe me egoizmë dhe ambiciet e një njeriu që kujton se është njeri i madh, ay e mban karshi teje mërinë e tenton e do të tentojë të thellojë hendekun në dëm të punës, në rast se shokët s’dinë të punojnë…
Të vëmë re një gjë te Mesatani, i cili s’është budalla, çdo plumb që na fut mbështetet në një vend që ligjërisht duhet të marrim masa dhe qëllimi i tij është të godasë ty dhe Brigadën.
Prandaj duhet të kesh kujdesin më të madh me të si dhe marrëdhëniet me shtabin e qarkut dhe komandat e vendit.

Thuhet se po në të njëtën kohë, Enver Hoxha i ka dërguar një letër edhe Kahreman Yllit ku i shkruan që ta ndjekin me vëmendje punëne Mestani dhe nëse nuk dëgjon jepini një dekoratë (plumbin).
Por Kahremani që e njihte mirë kontributin dhe trimërinë e Mestanit, por edhe si mik shtëpie që e kishte, nuk ia dha këtë “dekoratë”!

Që Enver Hoxha nuk e ka parë me sy të mirë Mestanin për shkak të ndjenjave të tij nacionaliste, sidomos më pas, në Kongresin e Përmetit.
Grada dhe vlerësimi që iu bë Mestan Ujanikut, e krahasuar me shumë luftëtarë të tjerë, nuk qe ajo e duhura.
Figura e “Legjendës së Maleve” këtu u zbeh shumë, çka e la të pakënaqur Mestanin. Thuhet se aty është bërë një takim kokë më kokë me Enver Hoxhën.
Vërtet nuk dihen detajet e takimit, por ato nënkuptohen me veprimet e mëtejshme që u ndërmorën për ta denigruar dhe errësuar deri në fund këtë figurë të njohur dhe popullore.

Ishte para zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.
Kuptohet, që në këtë eveniment të madh politik emrat që do të viheshin si kandidatë do të ishin figura të njohura, me reputacion në zonat e tyre.
Natyrisht që në Skrapar, figura e Mestanit ishte më e spikatura dhe më e pranueshmja. Çuditërisht, ai nuk u hodh atje ku njihej dhe kishte siguri të plotë, por u hodh në zonën midis Tepelenës dhe Beratit, ku e njihnin fare pak.
Megjithatë ai fitoi.

Goditja tjetërpër të hequr ndikimin e tij në krahinë e Tomorricës dhe gjithë Skraparit në vitin 1946 transferohet pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë me gradën kolonel.
S’qëndron shumë aty dhe e transferojnë në Shkodër, ku ai bëri emër në qarqet intelektuale dhe zyrtare shkodrane.
Por këtu ai mori goditjen e fundit dhe më fatalen.

Duke mos u vlerësuar, Mestan Ujanikut i ishte vrarë krenaria e burrit,i ishte prekur figura e tij si luftëtar dhe ushtarak.
Ndaj ai u lidh me njerëz që kishin pësuar të njëjtin fat dhe që ishin zhgënjyer nga sistemi iri që po lindte.
Ata kërkonin më shumë frymëmarrje.
Një nga këta ishte edhe deputeti Riza Dani, i cili i shprehte hapur idetë e tij për një demokraci më të gjerë dhe jo si ajo që kushtëzonte kushtetuta e re e sapo miratuar.
Lidhjet e Mestanit me Riza Danin dhe deputetë të tjerë nuk kaluan pa rënë në sy të Sigurimit të Shtetit, i cili mblidhte të dhëna për bisedat dhe lëvizjet e Mestanit.

Më 15 maj 1947 e arrestojnë.
Akuza ishte “veprimtari armiqësore në bashkëpunim me 18 të tjerë, që më vonë u quajt “Grupi i deputetëve”, një akuzë e rëndë, veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit, përpjekje për të përmbysur pushtetin popullor dhe për vrasjen e Baba faja Martaneshit dhe Baba Fejzos në Kryegjyshatë.
Provat për të gjitha këto akuza bazoheshin në prova të pa identifikuara.
Një nga këto ishte edhe vrasja e në kryegjyshatë ku ai s’kishte dorë fare, veçse u gjet arma e tij që ai ia kishte dhuruar që më parë protagonistit të ngjarjes, Abaz Dedesë.

Gjyqi filloi më 4 shtator 1947 dhe përfundoi më 31 dhjetor të po atij viti.
Edhe pse nga të tetë pikat e akuzës nuk u provua asnjë, akuza mbeti e njëjtë dhe e mirëqenë.
Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në dosjen e këtij gjyqi gjen edhe deponime të tilla që dëshmojnë qëllimin pse e kishin futur aty, si “nënvleftëson kuadrot dhe i quan të paaftë”, “urren komunistët, u thotë unë nuk jam komunist, nuk jam nacionalist”, “ka thënë se në qoftë se nuk rregullohet buka e popullit, do të bëj revolucion” etj…etj.

Dënimi për Mestan Ujanikun u dha më 31 dhjetor 1947, natën e Vitit të Ri.
Prokurori Bedri Spahiu kërkoi për Mestanin dënim me vdekje, me pushkatim, kurse Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake vendosi më 22 janar 1944 dënimin me burgim të përjetshëm.
Por torturat çnjerëzore në burg bënë që jeta e Mestan Ujaniku të këputet në moshën 46-vjeçare.
Këtu mbyllet jeta e komandantit trim të Skraparit, duke vazhduar me të tjera peripeci e vuajtje për familjen e tij, sidomos djemtë që kishin qenë bashkë me të partizanë. Kështu Xhemali u dënua që në vitin 1947 me 15 vjet burg, por që më pas iu ul me 10 vjet.
Të tjerët i internuan në Elbasan duke i strehuar në Xhaminë e Tre Urave.
Ndërsa djali i vogël i Mestanit, Nuriu me gjithë shoqen u dërguan gjysmë të internuar si mësues në Ujanik ku punuan e jetuan për një kohë të gjatë deri sa dolën në pension.

Për shumë kohë gjatë periudhës komuniste, me gjithë meritat, Mestani nuk zihej në gojë.
Emri dhe fotot e tij ishin hequr nga historia dhe nga eksponatet e muzeumeve.
Tani, në periudhën e demokracisë, figura e tij u rehabilitua, duke u vënë në vend nderi dhe emri i komandantit heroik dhe duke u vlerësuar madje edhe me dekoratën e lartë, “Shqiponja e Artë”, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Çeta e Mestan Ujanikut, ndër të parat në Shqipëri

Çeta Plakë e Skraparit, e dyta pas asaj të Pezës, e komanduar ng Mestan Ujaniku zhvilloi disa aksione tërëndësishme luftarake, më të bujshmit ishte çarmatosja e milicëve të Xhaf Balit në Mëlovë në fund të gushtit 1942, çlirimi i Çorovodës etj.
Ka një korrespondencë të gjatë të administratës së atëhershme nga qendra në bazë që tregon bëmat e Mestan Ujanikut dhe çetës së tij, por edhe tmerrin që i kish kallur ai armikut.
Po kështu shtypi i kohës, radio BBC, përshkruajnë detaje të përpjekjeve që bënte çeta e Skraparit me komandantin e saj, i cili që atëherë u quajt “Legjenda e Maleve” dhe u vesh me shumë histori.
“Zëri i Popullit” i atyre ditëve shkruan: “…ia mbrini patrioti Mestan Ujaniku dhe shokët e tij trima dhe çeta partizane e udhëhequr prej zemërluanëve, Mestan e Gjin, filluan luftën e lavdishme, luftën e çlirimit të atdheut dhe fshatrat e Mallakastrës e të Skraparit dhe kodrat e malet buçitën…”

Kalendari i luftimeve të Çetës së Mestanit

Që nga krijimi në mars dhe gjithë prillin e vitit 1942 çeta veproi në zonën e Nahijes së Beratit, në Roskovec dhe pjesërisht në Mallakastër.
Aksionin e parë çeta e regjistron në qershor të vitit 1942 kundër një grupi karabinierësh në Shtyllë të Korçës.
Në korrik të vitit 1942 çeta operon në fshatrat e Kolonjës, në Butkë, Qafëzës, Kozel, Rehovë, Selenicë të Pishës, Qinam, Qesarakë dhe Lubonjë, ku takohet me Xhaferr Lubonjën.
Por beteja që shënon fitoren më të bujshme është çarmatosja e milicëve fashistë në Mëlovë më 30-31 gusht të vitit 1942 dhe disa ditë më vonë çlirimi i Çorovodës, që qe e para qendër administrative në vendin tonë, ku nuk u vendos më pushtet tjetër, veç atij nacionalçlirimtar.
Më pas pati luftime të tjera shumë të rëndesishme.
Mestani në çetë kishte dhe tre djemtë e tij, Xhemalin, Hatemin dhe Vehepin.
Xhemali u bë komandant çete, Hatemi u caktua Zëvendëskomandant i Batalionit “Margarita Tutulani”.

Baladë për Mestan Ujanikun

Shfryn Baba Tomorri
pyet Ujanikun:
Ku humbi Mestani
që s’e njihte frikën?

Krismat e një trimi
kujt i prishën punë?
Në s’i shkonte fjala
kisha shkrepur unë…

Si s’gjete vend varri
afër perëndisë?
Pse t’u bë Skrapari
si shkëmb i Skithisë?

Në një portë balade
të pret çeta plakë
Me një zë komande
shtigjet ndizen flakë

Pas të ndjek jot shoqe
foshnjën brenda djepit
Fatin e mbërtheve
tek rryp i dyfekut

Sipër tradhëtia…
ja nxinë jetën birit
Për ty Shqipëria
dhimbje brenda gjirit

Heshti Kahremani (!)
s’folën skrapalinjtë
Nxin katil fermani
që nxirosi bijtë

Brenda një bodrumi
busti yt bën gjumë
S’derdhet Ujaniku
dhe t’i mbyt si lumë!

Lisat tundin krahët
mbi honet e thella
Ku shkuan bajrakët
që mbronin kështjella?

Facebook Comments