Nga Fitim ZEKTHI

Gënjeshtrat publike të politikanëve, sidomos të kryeministrave apo të presidentëve, përballen me kritika të ashpra nga shtypi dfhe opinioni publik. Nuk janë të pakta rastet kur, si pasojë e presionit publik, kryeministri i vendit kërkon ndjesë publike, ose pozita bëhet shumë e rënduar në peceptimin e publikut, aq sa ai dobësohet në mënyrë të pakthyeshme. Kryeministri spanjoll, Hoze Maria Aznar, humbi zgjedhjet në mënyrë të papritur, në vitin 2004, kur sondazhet e nxirrnin fitues, deri ditë më parë, pasi gënjeu për autorët e sulmit me bomba në Madrid dhe e keqparaqiti ngjarjen për publikun si një sulm të organizatës ETA, në një kohë që ishte pjesë e sulmeve të Al Qaedas. Aznar e dinte, por e bëri sepse kishte frikë se njerëzit do të votonin kundër në qoftë se do të zbulohej e vërteta e sulmit.

Ky ishte një rast i rëndë i gënjeshtrës publike që çoi në rënien e kryeministrit. Duhet thënë se edhe raste që janë fare të vogla shkaktojnë probleme. Për shembull, në tetor 2016, ministrja e Brendshme, sot kryeministre, Theresa May, u përball me kritika shumë të ashpra nga gjithë shtypi dhe opinioni sepse ajo tha që “focus grupet i kishin treguar se ishte e nevojshme një fushatë shkallëgjerë kundër skllavërisë moderne”. Në fakt u zbulua, siç duket doli prej stafit të saj, se Theresa May nuk kishte përdorur fare të dhëna apo analiza që vinin nga focus grupet. Fokus grupet (grupe të vogla përfaqësuese) përdoren kryesisht si mjet për të orientuar politika apo vendimarrje. Në asnjë ligj apo rregullore nuk thuhej se ministrja e Brendshme duhet të ngrejë apo të përdorë fokus grupe për vendimet e saj, por thjesht fakti që ajo gënjeu ishte problematik. Pse gënjeu, çfarë kërkonte të fshihte dhe çfarë kërkonte të arrinte, çfarë shkeljeje kishte kryer ose mund të kryente, dhe çfarë dëmi do të sillte për qytetarët vendimi i marrë në këtë mënyrë duke gënjyer? Këto ishin pyetjet furtunë të shtypit.

Në verë të vitit të kaluar presidenti Makron u kryqëzua pasi një nga truprojat e tij, Benalla, u pa në kamera të qëllonte një protestues. Ngjarja u quajt Ëatergate-i i Makronit ngaqë ai u përpoq ta fshehë, ta mbulojë. Ministri i Brendshëm dha deklarata që kërkonin të tregonin se Makron nuk dinte gjë për Benallan në një kohë që ai e dinte. Nga ajo kohë Makron u shkatërrua dhe tashmë pas protestave të nëntor- dhjetorit (jelek verdhët) popullariteti i tij ka rënë në 25-28%.

Të enjten e kësaj jave kryeministri Rama tha në parlament se ShBA ka refuzuar t’i japë vizë ish kryeministrit Berisha. Kryeministri Rama la të kuptohej se ky refuzim vize nënkuptonte që ShBA janë kundër Berishës, duan ta fusin në burg atë, dyshojnë për korrupsion apo gjëra të tjera të kësaj nature. SHBA, dihet, ka raste kur refuzon vizat për zyrtarë apo ish-zyrtarë mbi të cilët ka dyshime për korrupsuion apo krime të ndryshme, dhe këtë e përdorin brenda kuadrit të asaj që njihet si “name and shame”.

Të nesërmen, Departamenti i Shtetit tha se nuk i ka refuzuar asnjë vizë ish-kryeministrit Berisha. Departamenti i Shtetit bëri të ditur gjithashtu se lista me persona politikë të cilëve iu refuzuar viza për shkaqe korrupsioni apo krimi është publike dhe aty nuk gjendet emri i ish kryeministrit Berisha.

Tani, kur kjo e vërtetë u bë e njohur, a po mbahet përgjëgjës kryeministri Rama nga shtypi për këtë gënjeshtër publike? Në qoftë se gënjeshtra e kryeministrit Rama nuk është e shkallës së asaj të Aznar për sulmin në Madrid, duhet thënë se ajo është shumë më e rëndë, pakrahasimisht më e rëndë se sa ajo e ministres së Brendshme, May, mbi fokus grupet. Ajo është gjithashtu shumë më e rëndë se sa gënjeshtra e presidentit Makron i cili la të kuptohej se nuk kishte dijeni mbi truprojën Benalla.

Duke gënjyer publikisht në parlament kryeministri Rama arriti ta kthejë parlamentin në një sallë sherri dhe zhurme. Tërë shtypi dhe tërë opinioni nisi të merret me këtë gjë. Po ashtu, nëpërmjet kujdesit dhe kontrollit që kryeministri iu bën mediave, u bë e mundur të thuhet se gjuha e rënduar, vulgare dhe e shpifur e kryeministrit ishte po aq e rënduar dhe vulgare sa e ish kryeministrit Berisha dhe e të tjerëve.

Ky vend mund të zhytet në një llucë paqartësie dhe mjerimi sa të mos kuptojë më asgjë, por përpjekjet për t’i thënë disa të vërteta duhet të vazhdojnë. Së pari, ish kryeministri Berisha, pyeti në mënyrën më normale dhe më parlamentare të mundshme, nëse gruaja e kryeministrit ka apo jo aksione tek ‘Abi Bank’. Gruaja e kryeminisrit ka qenë aty prej kohësh anëtare e Këshillit Mbikqyrës. Ka patur fjalë dhe zhurma (të paprovuara përderisa janë zhurma) që ajo është gjithashtu aksionere në atë bankë. Ka patur dyshime mbi njerëzit që fshihen pas bankës. Deri këtu nuk ka asgjë jo parlamentare dhe asgjë personale, po të kihet parasysh edhe gjendja e vendit.

Në vende si Shqipëria politika bëhet me pyetje apo me akuza penale? Në një vend si Shqipëria ku prokuroria dhe media nuk thonë të vërtetën, në një vend ku trafikohet drogë me tonelata, ku mbillet hashash masivisht, ku falsifikohet firma deri edhe e Sekretarit të Shtetit të Delaëare (Delluer) në SHBA, ku bëhen deputetë njerëz që vijnë nga grupet e krimit dhe të trafikut, është e pamundur të mos bësh pyetje që kanë ngjyrë penale. Po të shpehej prokuroria dhe po të ishte ajo e drejtë dhe e besueshme, po të fliste ajo për trafikun e drogës, për emërimet e deputetëve të lidhur me krimin, për blerjen e votave, për falsifikimet e firmave dhe mijëra gjëra që i shohin njerëzit përditë atëherë pyetjet me karakter penal do të ishin të tepërta dhe të kritikueshme.

Në këtë kuptim një politikan, qoftë ky nga ata që i dhimbset vendi, qoftë ky nga ta që bën politikë për të rritur subjektin e tij, do ta pyesë kryeministrin nëse ka apo jo e shoqja aksione, pasi e shoqja është anëtare e Këshillit Mbikqyrës dhe ka dyshime mbi bankën dhe pronarët e saj. Pas kësaj pyetjeje kryeministri vërshoi në sulme. Gënjeu për vizën amerikane, dhe tha shprehjen e famshme, të ndytë dhe të turpshme : “…gruas sime i hani atë që nuk thuhet…” Ish kryeministri iu përgjigj po në këtë mënyrë personale. Ç’duhet të bënte? Të shihte dhe dëgjonte? Sado të jetë e lavdërueshme të heshtësh, njerëzit në situatë si kjo nuk e bëjnë dot. Askush nuk do e bënte. Gjithashtu, politikanët janë jo vetëm para vetes dhe familjarëve, por edhe para publikut. Atyre iu duhet të mbrojnë veten përballë një spektri kaq të madh njerëzish.

Shtypi dhe opinioni, në lidhje me gjuhën, thanë se Rama dhe Berisha përdorën ‘gjuhë të ulët’, ose përdorën tituj “Parlamenti mbulohet nga vulgariteti dhe sharjet”. Në fakt, e vërteta ka një anë tjetër. Sulmin dhe gjuhën e ulët e nisi Rama. Berisha thjesht u mbrojt duke u përgjigjur me të njëjtin përpjestim. E vërteta ka një anë edhe më të madhe, Rama gënjeu publikisht.

Pyetjet janë, ose pyetjet që duhen bërë, po ato që ka bërë shtypi në rastin e May, Makron apo Aznar etj. Pse gënjeu, çfarë donte të fshihte, çfarë dëmi bëhet mbi shqiptarët, çfarë përfaqëson ky njeri që gënjen publikisht?

Gjëja e parë që duket se e ka shtyrë kryeministrin të gënjejë është të shpëtojë nga skandali gjigand i blerjes së votave nga Partia Socialiste dhe nga njerëz të lidhur me krimin. Ky skandal që po zbulohet nga Zëri i Amerikës është aq i madh, dhe ka brenda aq shumë gjëra dhe aq shumë domethënie, sa një qeveri, edhe në vendet afrikane do të rrezikonte të binte nga pushteti. Një skandal i tillë rrëzon të gjithë propagandën dhe të gjithë legjitimitetin e qeverisë. Kemi një qeveri të paligjshme që ka blerë zgjedhjet dhe i ka blerë ato në bashkëpunim me njerëz që janë nën hetime për trafik droge.

Atëherë, Rama duket se ka thënë se duhet bërë gjithçka që ky debat të zhvendoset. E mira do të ishte, për të, të përdorej një gënjeshtër sa më provokuese, e cila të arrinte të tërhiqte të gjithë kuriozitetin pervers të opinionit dhe sidomos të atyre që nuk e duan Berishën, që shajnë gjithë ditën PD-në dhe Bashën.

Deri në këtë moment kryeministri Rama ia ka arritur qëllimit. Ia ka arritur më së shumti nga kontrolli mbi mediat dhe mbi ata që përcaktojnë termat e debatit, ose janë aktorë në këtë përcaktim.

© Politiko

Facebook Comments