Prof. Dr. Haqif MULLIQI

Duke i njohur dramat e Ekrem Kryeziut, të thuash, gjatë gjithë procesit të krijimit të tyre, që nga idetë e para e deri tek përfundimi i plotë, për aq sa një dramë mund të quhet e përmbyllur apo edhe përfunduar, mendoj se ia kam dalë që ta zbërthejë edhe vizionin, edhe konceptet sociale, edhe ato historike, filozofike apo, edhe thjeshtë, ato jetësore të këtij autori interesant.

Ekrem Kryeziu – autori që bën përpjekje që me artin e vetë të heq rrjedhat e njëtrajtshmërisë

Nuk e di se a është shumë e saktë që për një autor të shkruajmë konstatime se është i vyer, produktiv apo edhe t’i vëmë ndonjë mbiemër tjetër, paçka se, miku im shumë i çmuar, Ekrem Kryeziu i mbanë pranë emrit të vetë, të gjitha këto që i thash dhe jo vetëm.
Në fakt, duke i lexuar dramat e tija, besoj se mund ta grafikojmë qartë edhe të menduarit të tij për dramën dhe teatrin, në përgjithësi, dhe konceptet e tija mbi atë se, ka kohë që, edhe ndër krijuesit tanë, të paktën të një numri syresh, ka arritur koha që të jenë më të drejtpërdrejtë, më të qartë dhe më kumbues, duke iniciuar kështu, një qasje më ndryshe në dramaturgjinë tonë e cila e ka për synim që, para së gjithash, ta radikalizojë përvojën teatrore te ne, të instaluar mbi skenat kyçe dramatike të mbamendjës kolektive, e që do të na shpie drejt ndryshimeve kulturologjike shqiptare në përgjithësi. S’do mend se këtu, bënë përjashtim, një krijim i hershëm, por jo më pak i rëndësishëm i Ekrem Kryeziut, pra, drama e tij shumë e njohur, Epoka para gjyqit, që është disi, me apo pa të drejtë, një si shenjë identifikuese e këtij autori.
Për dramat e Ekrem Kryeziut, themi se duhet të mendojmë dhe të shkruajmë nga aspektet estetike, antropologjike, por edhe kulturologjike, në radhë të parë. Kjo që po e them, nuk e nënkupton atë se veprat e Ekrem Kryeziut nuk i meritojnë edhe shqyrtimet teatrologjike – pra që, dikush prej nesh të angazhohet dhe ta bëjë ndonjë analizë të dramave të tija, por, në çastin kur para nesh u shfaqen dy vëllime dramash – pra dy libra me një numër veprash edhe të painskenuar dramatike, të para apo edhe të periudhës së pas luftës, mendoj se, në një mënyrë apo tjetrën na ka ardhur koha për ta vënë në pah edhe veprimtarinë e përgjithshme teatrore dhe dramaturgjike të dramaturgut në fjalë dhe që, këtë krijimtari e cila do ta nderonte akëcilin autor, jo vetëm shqiptar, ta shoshitim dhe shqyrtojmë edhe në kontekstin e shpirtit të kohës, të kulturës dhe të politikës kulturore te ne.
Krijimtaria e Ekrem Kryeziut, të thuash, vetëm pjesërisht realizohet përmes teksteve dramatike, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një autor i cili në mënyrë të shumëfishtë ka prezencë në skenën tonë kulturore – edhe përmes aktivizmit të tij politik e kulturor, edhe përmes artit të të shkruarit, të filmit të luajtur dhe atij dokumentar, të letërsisë si dhe të publicistikës dhe pikturës.
Për këtë arsye, siç do ta thoshte edhe sociologu i njohur frëng, Pjer Burdie, ky, pra Ekrem Kryeziu, merr pjesë aktive në atë që ky dijetar do ta quante: krijim të fushës së kulturës ndër ne qoftë me të shkruarit të dramave, apo përmes filmit artistik të cilin e ka pasion dhe dashuri, si dhe përmes eseve politik me ç’rast e zbërthen në shumë llojllojshmëri vetë realitetin tonë, të këtillë çfarë në esencat e tija është, duke e projektuar mjaft qartë një realitet të kontrastuar fuqishëm shoqëror, përmes një rezonimi të thellë si dhe shpupuritjeve të universit në të cilin në jetojmë dhe mbijetojmë, e duke vepruar në skenën e kësaj përditshmërie, vetë ai – herë si protagonist, e herë si antagonist, pra ashtu sikurse edhe ndodh në jetën tonë.
Ekrem Kryeziu, ndonjëherë, i detyruar që të veprojë edhe në vetë margjinat e shoqërisë, përmes një perimetri të gjerë të skenës kulturore, në një mënyrë të theksueshme të aktivizmit intelektual dhe politik, mënyrë e cila e kishte dhe e ka qëllim që ta ndryshojë fushim dramaturgjike, teatrologjike dhe socio-kulturore te ne, përpiqet që, me artin e vetë, ta heq nga rrjedhat e njëtrajtshmërisë, hove – hove brutale të realitetit që i përket dhe ai vetë, e viktimë e të cilit edhe ishte, së bashku me mënyrën e të menduarit për këtë realitet sa real aq edhe virtual, vetëm e vetëm që të lë gjurmët e tija duke arritur tek ajo që ky e konsideron të vlershme për shoqërinë të cilët i përket por edhe më gjerë se sa kaq.

Opusin dramaturgjik të Ekrem Kryeziut e karakterizon një lloj ambivalente në krijimin e ndër-marrëdhënieve njerëzore

Duke lexuar dramat e Ekrem Kryeziut, e kuptojmë se veprimet artistike të tija kërkojnë edhe ndërlidhshmërinë e katër pjesëve, apo, më qartë, ndërthurjen e katër momenteve më kruciale në jetën e një krijuesi të vyer: atë trupor, atë emocional, atë konjuktiv si dhe në atë shpirtëror, dhe, duke u mbështetur në poetikën e këtij autori dramash, si dhe në hulumtimet tona të mëhershme mbi krijimtarinë e tij, mund ta themi se, opusin dramaturgjik të Ekrem Kryeziut e karakterizon një lloj ambivalente në krijimin e ndër-marrëdhënieve njerëzore, paçka se, mu kjo ambivalentë, në dramat si Përqafimi, ta themi, apo edhe Përplasjet e në veçanti Lulëkuqet, dalin mbi sipërfaqe edhe mendimet kritike vetë autori si dhe bëhen një mori interpretimesh të dukurive të caktuara në shoqërinë tonë, me ç’rast, e kuptojmë se, pozita e intelektualit është një lloj shënjestre për akëcili sistemin politik, të të gjitha periudhave në të cilat ka jetuar dhe krijuar vet Ekrem Kryeziu.
Mendoj se kjo, mbase është gjëja më kyçe që na ndihmon në të kuptuarit e domosdoshmërive që burojnë nga dramat e këtij autori qofshin ato tragjedi, apo edhe drama të utopisë intelektuale, siç, jo rrallë i përjetojmë dramat e Ekrem Kryeziut. Fundja, kjo ka të bëjë edhe me atë se si e kundrojmë dhe se si e perceptojmë vet ne botëkuptimin tonë mbi mitiken, mbi fisin apo edhe mbi ndonjë përkatësi tonën tjetër, që mund të jetë status individual, ideologji, grupim politik, etj, e të cilat, të thuash prore, edhe në shpirtin fragjil të intelektualëve siç është Kryeziu, ndërlidhet me një lloj të të menduarit utopik – qoftë atëherë kur flasim për pësimin mijëra vjeçar të shqiptarëve (që nga Komploti ilir e deri tek Viktimat e Tivarit), qoftë edhe tek mitet e kohës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë, e që nuk janë vetëm legjenda të zakonshme urbane të kohërave siç është kjo jona por drama të vërteta njerëzore me përplot indikatorë të realitetit të vrazhdët që vazhdojmë ta jetojmë.

Postmodernia si hiperealitet

Duke shkruar mbi këto utopi, dramat e Ekrem Kryeziut sikur na e krijojnë një bindje se, ky autor, jo që nuk krijon formula të zgjidhshme për problemet tona, por, është e qartë se, edhe vetë zhytet thellë e më thellë në vetë realitetin të cilin përpiqet ta shestojë dramaturgjikisht, pra, në përditshmërinë tonë, e ndonjëherë, madje, duke e zhvilluar poetikën e tij edhe përmes elementëve të cilët sot, në këndvështrimet e teorisë së postmodernës do të mund t’i cilësojmë edhe si rrethana të hiperealitetit tonë.
Në këtë kuadër mendojmë se del mbi sipërfaqe edhe i ashtuquajturi nocion i utopisë retroaktive, për të cilin ka shkruar i pari, mbase, Romen Rolani duke sqaruar një fakt me peshë të posaçme se: kujtesa e vetë dramës dhe teatrit e mban utopinë e shumtë të botës.
Rolani, sikundër edhe Zhorzh Banie, këtu flet për atë që ne, në dramat e Kryeziut mund ta identifikojmë edhe si utopi retroaktive, e që, mbase, do të mund të ishte një term frutdhënës në rrafshin e të kuptuarit të marrëdhënieve që i krijon në veprën e tij, ky autor edhe me përmes një optike gati diskursive përmes së cilës në dramat e tija pasqyrohet realiteti objektiv, por ama edhe në ndërtimin e një koncepti të fuqishëm social dhe filozofik, që mëton të ketë ndikim edhe mbamendjen kolektive të popullit të cilit i përket vetë autori, e që, ndonjëherë del të jetë mbase një memorie, apo mbamendje jo rrallë e manipuluar përmes miteve të të tjerëve dhe pamjeve të mediatizuara që na janë imponuar nga të gjitha anët për vite dhe dekada në robëri.
Megjithatë, ajo që duket më e rëndësishmja në dramat e Ekrem Kryeziut për mua, ka të bëjë me faktin se ato ingranohen në një lloj trendi të cilin, në një mënyrë apo tjetrën, mbase edhe mund ta quajmë – një lloj i veçantë kujtesës sonë politike, e cila e kishte, dhe vazhdon ta ketë një qëllim parësor: t’i kundërvihet atij lloji të harresës që, ndonjëherë na vjen si percepcion i habitshëm, kur besojmë se edhe vetë politikat zyrtare të vendit tonë përpiqen që të na “edukojnë” politikisht, “kulturalisht” dhe “historikisht”, duke na bindur se tashmë ka kaluar koha që të flasim për robërinë, për vrasjet e ndodhura këtu, për dhunimet, për gjenocidin, për radikalizmin fetar, ngase ne duhet të ecim përpara pa ngarkesa dhe, mundësisht t’i harrojmë ato që u ka ndodhur. Në këtë politika jonë shtetërore ndihmohet bollshëm nga misionarët e UNMIK-ut, EU-së, Eulex-it, të Këshillit të Evropës, të Komisioni Evropian, prokurorët e Hagës dhe të Gjykatave Speciale kundër shqiptarëve, nga ambasadat e ndryshme… nga ministrat mediokër, zëvendës ministrat, e nga kush jo tjetër!
Kjo është ajo politikë të cilës i kundërvihet dramaturgjia e Ekrem Kryeziut, i cili, në opusin e tij dramaturgjik insiston të zgjedh dhe përzgjedh nga historia ato pjesë e cila më së lehti mund të risemantizohet edhe rrafshin mitik. E këtë e bënë që të na bëjë mos t’i harrojmë ato që janë aq të rëndësishme edhe për të ardhmen tonë – pra, ngjarjet esencialisht të domethënshme dhe frymëzuese për, madje duke i shfrytëzuar aty-këtu edhe figurat dhe personalitetet që, ndonjëherë nuk mund të ingranohen në “fotografitë e heronjve” zyrtar por që janë të tillë të çiltër dhe vetëmohues si heronjtë tragjikë të antikitetit.
Ekrem Kryeziu këto figura që në shikim të parë na vijnë si njerëz të rëndomtë dhe gati gati ordiner, dhe ngjarjet nëpër të cilat riciklohen ata i mishëron në një mënyrë krejtësisht tjetër duke i shndërruar edhe në heronj të kohës sonë, që përpëliten mes kundërshtive që u bëjnë padrejtësive, përmes zërave kritik dhe refuzues ndaj realitetit zhgënjyes i cili e përcëllon keqas autorin, por edhe neve.
Për këtë arsye mund të them se, për mua, vepra dramatike e Ekrem Kryeziut është një lloj i kulturës politike nga poshtë lartë, pra që vjen nga margjinat e shoqërisë së cilës i përket autori, me përcaktimin e tij që si intelektual të qëndroj aty, e që është një kundërvënie e politikave kulturore dhe identitare të cilat klasa politike sot po përpiqet të na i imponojë duke na blasfemuar me mediokritetin e vetë dhe duke u përpjekur që të na sjell sjellë edhe shenja të reja të përkatësive dhe të identitetetit tonë, përmes semantikave të paqëndrueshme dhe të një etno-politike morbide e cila, seriozisht, e shqetëson këtë autor.

Drama utopike

Te drama Lulëkuqet e Ekrem Kryeziu, në një mënyrë krejt të veçantë, e synon dekonstruimin e miteve të reja, të cilat ndonjëherë habitemi se si u krijuan, kush i krijoi, apo edhe cili është kontributi ynë individual në krijimin e tyre. Me këtë rast, ky autor, me këtë përpjekje demitizues të miteve të reja dhe jo rrallë edhe të gënjeshtërta, e që s’janë mite, në kuadër të kontekstit të kulturës sonë, ka për synim, pikërisht atë që e synon çdo dramaturg tjetër kudo në botë që: ta japë dhe ta shpërfaq para audiencës një realitet fare ndryshe nga ai të cilin përpiqet të na e servirë pushteti.
Në rileximin që u kam bërë dramave të këtij autori, veçanërisht më kanë zgjuar interesim dramat Lulëkuqet dhe Përplasjet që, personalisht më godasin dhe më vijnë si dy drama utopike. Janë këto drama të shkruara pas luftës së Kosovës dhe që, mbi të gjitha, vijnë si refleksion për gjendjen e një vendi në transicionin e dhembshëm dhe të frikshëm ndonjëherë siç ndodhë edhe në Kosovë.
Paçka se këto drama i kam lexuar edhe në dorëshkrim, dhe se më kishin bërë përshtypje këtu e një dekadë më parë kur kisha komunikuar për të parën herë me to dhe me personazhet e tyre tejet dramatike, besoj se, praktikisht, temat që trajtojnë ato, pas të gjitha përvojave jetësore që nuk po mundemi akoma t’i fusim në një valixhe të të shkuarës, mund të thuhet se pikërisht sot, disi na vijnë më të qarta dhe më të kuptueshme.
Fati i veteranit të nëpërkëmbur të luftës, lufta makiaveliste për pushtet e elitave politike, si dhe lufta e egër që bëhet kundër tij, në planin real dhe imagjinarë të botërave të ngjeshura që e kanë brumosur atë personazh, mendoj se është një reflektim vizionar i autorit mbi atë se, e keqja ndaj heronjve të njëmendtë të luftës sonë nuk do të shqitet asnjëherë dhe se lufta e tyre e drejtë nuk do të marrë fund asnjëherë, as në paqe. Dhe ky është zhgënjim.
Drama Lulëkuqet është dramë edhe mbi profiterët e luftës, batakçinjtë të cilët u stolisën si është më së miri me pushtetin dhe me të mirat që solli ai për atë kategori pas ngjarjes së madhe të kombit tonë në fundshekullin e kaluar kohë kjo që krijoi kënetën e madhe të kujtesës e cila i zhyti në llumin e turbullirës heronjtë e njëmendtë, ndërsa nxori mbi sipërfaqe: gjarpinjtë, hardhucat, bollat, picërrakët, krokodilët, hipopotamet, ujqërit, hienat, kameleonët, e kë jo tjetër!?
Shikuar edhe në aspektin kulturologjik, vepra dramatike e Ekrem Kryeziut e botuar në këto dy vëllime librash mendoj se është e një rëndësie të madhe. Bile, vetë botimi dhe publikimi i veprave dramatike për opinionin kulturor në Prishtinë apo edhe në Tiranë paraqet një akt të një rëndësie të jashtëzakonshme ngase kështu bëhet e mundshme që, këto vepra, ta vazhdojnë një lloj të veprimit dhe të ndikimit edhe jashtëteatror por edhe të ekzistimit. Këto drama, në këtë mënyrë, në fakt, dalin nga efemeriteti, pra nga shkurtjetësia, apo edhe e përkohshmja, të cilën, ndoshta mund ta prodhojë akti teatror.
Para se ta përmbyll këtu, duhet thënë edhe atë se vepra dramatike e Ekrem Kryeziut, mbase, tek me këtë publikim të rëndësishëm që i është bërë, do ta ketë rastin që ta fitojë një lexim të ri dhe kreativ, e shpresoj edhe të atillë që, për gjatë e gjatë kohë do t’i ofroj dramat e tija me skenën dhe inskenimin e tyre.
Për ta mbyllur, kam nevojë ta shtoj vetëm edhe këtë se: për mua, Ekrem Kryeziu është një autor kompleks, regjisor dhe pedagog i shquar me shumë merita, ndërsa, këto dy vëllime dramash, dhe vokacionet e tija të tjera në jetë, mendoj se janë kontrapunkte të mira për njëra-tjetrën, ngase një regjisor i besueshëm dhe i pranueshëm për publikun në përgjithësi, siç është fjala me vetë Ekremin, apo Bacën Ekrem siç kam dëshirë t’i them për tre dekada të plota mikut tim duhet të jetë poliedrik dhe polisemik siç është autori që na ka mbledhur sot me këtë rast.
Ndërsa, këto dy vëllime me drama të zgjedhura prej tij, nuk do mend se nuk e nderojnë vetëm atë si autor, por e nderojnë edhe dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare në përgjithësi.

Prof.Dr. Haqif MULLIQI

Facebook Comments