Nga Sinan KAMBERAJ

Reportazh: Në 210-vjetorin e lindjes së Poetit Edgar Allan Poe

Në Bronx të New York-ut, në harkun ku rruga Kingsbridge pret Avenynë ‘Grand Concourse’, në një park të vogël me lisa të lartë, zbardhëllon një shtëpi e vogël njëkatëshe e gjysmë. Ajo është e ngjashme me shtëpi të tjera, të cilave mund t’u kërcënohet me rrënim Plani Urbanistik i Qytetit, por jo kësaj. Atë e mbron një “Ligj mbi Ligjin” – Ligji i Mbrojtjes së Monumenteve Kulturore Amerikane.
Shtëpia ka qenë e ngritur në vitin 1812, jo rarg vendit ku ndodhet sot. Ajo pat pësuar, – mbi bazë të ligjeve të kohës, – një zhvendosje nëqind vjet më vonë, por pa pësuar asnjë ndryshim arkitektonik, tekniko – estetik apo funksional, duke zënë vend, pra, – siç ishte, – në parkun, të cilin Bashkia e Qytetit ia kishte falur, post mortum, poetit Poe.
Shtëpia u restaurua nga Shoqata për Art e Shkencë e Bronx-it dhe në vitin 1913 mori statusin “Shtëpi – Muze”, – thotë kustosja, Znj. Ceil Saidel. Ajo u shpjegon vizitorëve me shkathtësi të veçantë çdo gjë që u intereson, duke i përcjellë ata, – ashtu siç i ka pritur, – me buzëqeshje e respekt.

Në katin përdhes është “dhoma e ndejës”, siç e quajmë ne, pastaj kuzhina me oxhak, një raft librash, një tavolinë pune dhe një karrike – të gjitha këto – autentike. Në këndin e djathtë të dhomës, janë ekspozuar botime veprash të poetit, reproduksione dorëshkrimesh të tij, fotografi e piktura, libri i përshtypjeve të vizitorëve, me nënshkrime e grafi nga më të ndryshmet.

Jam me mikun tim Halil Jahjaga, i cili ka ardhë në New York, dhjetë vjet para meje, në vitin 1982. Mbasi konfirmojmë prezencën tonë edhe ne në librin e vizitorëve, Znj. Saidel i vjen mirë kur i themi se Poe është një poet shumë i dashur edhe në vendin prej nga vijmë ne.

Ngjitemi shkallëve të ngushta që të çojnë në gjysmëkatin e shtëpisë. Kalojmë në korridorin e vogël. Nga dera e hapur e dhomës së gjumit shihet krevati i Virginia Clemm-it, gruas së Poetit Poe, në të cilin ajo kishte ngrysur netët e gjata të tuberkulozit, deri në muzgun e jetës, në vitin 1849. (Vizitori, lexues i poemave të mrekullueshme “Annabel Lee” dhe “For Annie”, domosdo do të përfytyrojë sytë e mbyllur të gruas së Poetit, si dhe dorën e tij mbi të sajën, duke u përpjekur ta qetësonte në çaste krizash nga sëmundja që e kishte pushtuar, netëve të gjata të dimrave njujorkezë …)

Nga paradhoma kalohet në studion e punës së Poetit. Nga dritarja e vogël e studios, Edgar Allan Poe do të ketë vështruar atë Shpendin e Zi – Korbin ndjellakeq, – mbi degë të lisit në oborr të Shtëpisë, – krrokama e të cilit u bë metaforë e poezisë melankolike, në shumë gjuhë të botës, për më gjatë se një shekull.

Ndërsa kustosja po përgatiste peojektorin për të shfaqur një dokumentar të shkurtër të ilustruar me sllajde nga jeta dhe vepra e Poe-s, nga kërkëllima e një dere që u hap diku poshtë, – në terr të plotë, – miku im bashkëvizitor, më krijon sugjestionin e çukatjes së Korbit në lis dhe krrokamën e tij: “Kërr-kërr” (atë “Kurrë më”-në e famshme, të ri-krijuar nga Noli – përkthyesi ynë i Madh i veprave të mëdha të letërsisë botërore)!

Mbyll-e gojën dreq a shpendë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
Çporru prapë mun në djall,
Në skëterrë dhe në zall!
Pendë mos më shkunt të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë;
Mos lër shenjë të gënjeshtrës,
Që më the, po shko prej derës!
Nxirm’a qipin tënt prej zemrës,
Thyej qafën jashtë derës!
Thotë Korbi: “Kurrë më!”
(Nga “Korbi”)

Zëri melankolik i spikerit kumbon në dhomën e vogël të vizitorëve.
Edgar Allan Poe u lind në Boston më 19 janar 1809. Bir i prindërve aktorë Elizabeth Arnold dhe David Poe – Junior, mbase trashëgoi prej tyre atë ndjenjën e hollë artistike, magjinë e artit, që e bëri të pavdekshëm në letërsinë botërore.
Me qenë se, qysh fëmijë, mbeti bonjak – e ëma i vdiq, ndërsa babai e braktisi, – për të u kujdes një çift bashkëshortor, pa fëmijë. Ata u bënë prindërit e tij të dytë dhe e morën me vete ngado që shkuan, në Virginia, Skotlandë, Angli …
Biografët thonë se Poe regjistroi gjuhët antike dhe moderne në Universitetin e Virginia-s, në Charlottes Sville, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Edhepse kishte rekord të shkëlqyeshëm në mësime, “i jati” Allan nuk ia shleu borxhet, ndaj Poe i ndërpreu studimet. Një vit më pas (1827), Poe angazhohet në Ushtrinë Amerikane në Boston, ku arrin gradën e oficerit të lartë – Sergent Major. Aty botoi “Tamerlane dhe poema të tjera”. Mbas katër vjetësh shërbimi, e la Armatën dhe, me tërë qenien, iu përkushtua sërish letërsisë. U kthye në New York dhe zuri të botonte vepra letrare. Si shpirt i parehatuar, shpërngulet sërish në Baltimore (Pensillvania), tek gjyshja dhe i vëllai. Vdekjen e të vëllait, në moshën 24 vjeçare, – si dhe të gjyshes, në moshtë të shtyer, – e përjetoi rënd. Në këtë kohë botoi shumë tregime të shkurtëra. Dy vjet më vonë kthehet sërish në New York, bashkë me gruan, me të cilën ishte martuar në Baltimore, si dhe me vjehrrën. Vazhdon krijimtarinë letrare. Kthehet përsëri në Philadelphia, ku për gjashtë vjet qëndrimi, bëri emër si shkrimtar i madh, duke botuar 34 tregime të shkurtëra, kryesisht të stilit gothik.

Shpirti endacak i Poes dhe ngritja e hovshme kulturore e New York-ut, bënë që ai të kthehet edhe një herë në këtë qytet, në prill të vitit 1844. Dy vjet më vonë, bashkë me gruan Virginia dhe vjehrrën Clemm, vendosen në Fordham të Bronx-it. Këtu gjeti njëfarë qetësie dhe për tri vjet shkroi shumë vepra.

Edhepse lëvizte nga një zonë – në tjetrën, duke zënë banesa më qira, shtëpia e tij në Fordham ishte një rezidencë e ngrohtë, – për aq sa mund të thuhet, – ku kthehej dhe punonte, me një vrull të çuditshëm, sikur të parandjente vdekjen.
Eh, “qetësia” e Poetit Poe! E la New York-un, papritmas, dhe vajti sërish në Baltimore, ku, më në fund, e zuri vdekja, më 7 tetor 1849. Biografët e tij thonë se ishte një vdekje tragjike dhe relativisht misterioze.
Ngado që vajti, Poe la gjurmë të fuqishme – shkroi e shkroi pa pushuar. Por, New York-u ishte “Shtëpia e tij”. Këtu shkroi poemat më të mira “Deep in Earth”, “Ulalume”, “The Bells”, “For Annie”, “Annabel Lee”, “To My Mother”, “Eldorado”, etj.

*

Dalim jashtë. Është mbrëmje e vjeshtës së parë. Gjethe të zverdhura të lisave para Shtëpisë, ndonëse pak para kohe, kanë filluar të bien. Në degë të lisave, çuditërisht, ka korba! Krrokamën e tyre e mbyt zhurma e makinave dhe alarmet e autoambulancave.
Krra-krra!
Annabel Lee, Annabel Lee! …
Poe e përjetësoi Lee-n në artin e vet poetik, duke i siguruar edhe vetës pavdekësinë.
Krahas kësaj poeme tmerrësisht të bukur, u përkthyen edhe shumë poema të tjera në gjuhët e mëdha të botës. “Annabel Lee” dhe “Korbi” – u përkthyen edhe në njërën prej gjuhëve më të vjetra të Gadishullit Ilirik – në gjuhën që s’ka motra në Trungun Indoevropian. Kështu, disi, i thamë Zonjës Saidel, duke e lënë pak anash modestinë. Në shqipen e bukur, – i thamë asaj, – i shqipëroi një mjeshtër i artit letrar dhe bard i kulturës shqiptatre, një Prift që ka jetuar dhe ka vdekur, ku e ka edhe varrin, – pra në Boston, – në vendlindjen e Poetit Edgar Allan Poe. Ai është Fan Stilian Noli ynë.

“Kurrë më! Kurrë më”!

Poema ‘Korbi’ , – thonë kritikët, – tingëllon më bukur shqip, se anglisht!


Shtëpia e Edgar Allan Poe

Krevati i Poe

Studio e Poetit

“Illyria” – New York, 27-29 shtator 1993

Facebook Comments