Nga Fitim ZEKTHI

Kryeministri Rama njoftoi mëngjesin e të enjtes se ai dhe qeveria që drejton njeh Juan Guaido-n si president legjitim të Venezuelës. Guaido, drejtuesi i një partie Social-demokrate në opozitë me presidentin komunist Maduro, shpalli veten president të Venezuelës të mërkurën. Guaido është kryetari i Asamblesë (parlamentit prej 167 vendesh) e cila kontrollohet nga opozita.

Presidenti Trump bëri të ditur se SHBA njeh si president të Venezuelës liderin e opozitës Guaido dhe do të mbajë marrëdhënie me të. Maduro nuk njihet më si president. Për të marrë këtë vendim, SHBA, një kundërshtare shumë e ashpër e regjimit diktatorial komunist të Maduros, presidenti Trump bisedoi në Shtëpinë e Bardhë me zv/presidentin Pence, sekretarin Pompeo, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Bolton, guvernatorin e Floridas (shtet ku jetojnë shumë hispanikë, mes tyre shumë venezuelianë) De Sanctis, senatorët e Florida-s, Rubio dhe Scot, kongresmenin Balart.

Shumë vende të Amerikës së Jugut, Brazili, Paraguaji, Kolumbia etj., e njohën Guaido-n si president. Të njëjtën gjë bëri edhe Kanadaja. Deri në mesditën e të enjtes asnjë vend europian nuk njoftoi njohjen e Guaido-s. Franca tha se po konsultohej me partnerët në BE. Të njëjtën gjë bënë edhe Gjermania, Italia, Britania etj.

Duhet thënë se Venezuela sot është një shtet ku sundon dhuna qeveritare dhe uria, ku sundon mjerimi dhe padrejtësitë që imponon një regjim diktatorial.Venezuela ka qenë dikur një nga vendet më të zhvilluara të Amerikës së Jugut dhe, dy dekadat e fundit, si pasojë e marrjes së pushtetit nga komunistët Chavez dhe Maduro, u kthye në gërmadhë (siç bën komunizmi kudo). Në këtë kuptim rrëzimi i Maduro-s është një gjë e dëshiruar fort nga kushdo. SHBA është dhe ka qenë gjithnjë një vend që e ka luftuar ashpër komunizmin dhe diktaturat që ai prodhon dhe kësisoj është e pritshme dhe e admirueshme ajo që bën. Megjithatë, presidenti Trump pati nevojë të flasë dhe konsultohet gjatë me përfaqësuesit e Florida-s, me zv/presidnetin, sekretarin e Shtetit dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare (me siguri ata kanë biseduar duke patur përpara edhe informacione të shërbimit të fshehtë.

Pse Rama nxitoi, menjëherë, (pa biseda te gjata në zyrë si Trump) të njohë presidentin e vetëshpallur Guaido në një kohë që në Venezuelë nuk është zgjidhur asgjë ende dhe opozita ka thirrur protesta? A është Venezuela dhe demokracia në Venezuelë një shqetësim i kryeministrit Rama? A është kryeministri Rama një njeri që mezi prêt të shohë rënien e regjimi komunist, qoftë ky edhe një vend i largët?

Shqetësimi i kryeministrit Rama është vetëm pushteti dhe qeveria e tij. Ai e di më mirë se kushdo se nuk po qeveris dot dhe se nuk do të mundë të qeverisë dot më në qoftë se nuk gjen një narrativë, një fluks të fortë, një pikë mbështetëse e “levës së Arkimedit”. Kryeministri Rama e di më mirë se kushdo se PS ka shterrur, është tharë, është një djerrinë e cila nuk mund të sjellë në gjendjen që është një mbështetje për qeverinë dhe atë vetë.

Kriza e brendshme, dështimi me Ekonominë, dështimi me Arsimin dhe Shëndetësinë, mjerimi dhe papunësia e lartë, emigrimi masiv, lidhja me krimin dhe trafiqet, mbjellja e vendit me hashash etj., e kanë shpartalluar. Gjithçka që ai thotë nuk shtyn askënd të besojë se mund të bëjë diçka dhe nuk i jep qeverisë më asnjë impuls. Zgjedhjet janë pranë. Ai mund t’i fitojë ato me makinacione, me blerje, me para, me te fortë, me batuta dhe veshje sportive, me sulme ndaj opozitës, por gjendja do të jetë njëlloj. Qeverisja do të jetë më e pamundur dhe më e keqe derisa në një moment të rrokulliset dhe të bëhet copë-copë duke dërrmuar edhe atë vetë.

Në një plan më të gjerë Rama e kupton se presidenti Trump po i jep një nuancë të re politikës kudo. Presidenti Trump është njeriu të cilin Rama e quajti në CNN ‘fatkeqësi për SHBA-në’. Veç kësaj, kulturalisht, Rama është në anën më të kundërt me atë të Trump. Rama është antifetar, nuk ka respekt për vlerat e traditës, është shumë miqësor me ato që njihen si të drejta gay, bën si kampion i çështjeve gender, flet për ulje taksash ndaj të varfërve dhe rritje ndaj të pasurve etj. Nga pikëpamja e ideve politike, Rama në të vërtetë nuk ka fare ide politike. Kur flet për taksat apo ekonominë, tjetër thotë dhe tjetër bën.

Shkurt, Rama përfaqëson një njeri nën shenjën e kulturës sorosiste, në kulturën e të drejtave të grupeve minoritare sa i takon seksit dhe atij që i thonë orientim seksual, barazisë gjinore, zbehjes apo shuarjes fare të rolit të fesë, lulëzimit të shumë identiteteve socio-kulturore me qëllim shkatërrimin e një identiteti kombëtar dhe tradicional, në funksion të krijimit të një rendi të ri ku të gjithë janë njësoj, janë të “ndryshëm, por të barabartë” të një rendi ku sundon morali ultraliberal dhe nje grusht njerëzish që marrin në kontroll ekonominë.

Atëherë ç’duhet të bëjë një makineri krejtësisht politike, një homo politicus që ka shtysë dhe motiv të vetëm jetësor mbajtjen e detyrës së kryeministrit, në kushtet kur së brendshmi i ka vdekur qeverisja dhe partia, kur nuk ka më asgjë ku të mbështetet dhe kur nga jashtë fryjnë erëra që janë shumë herë më kundër asaj që ai është dhe asaj që ai përfaqëson?

Zgjidhja e vetme shihet futja në hullinë ku fryjnë erërat që prodhon lëvizja Trump. Për këtë duhet bërë thyerja e madhe, duhet bërë kapërcimi i madh, duhet rrëzuar Rama ultraliberal dhe social-liberist, duhet shkatërruar Rama admirues i Obama, duhet “vrarë” Rama sorosist. Për këtë, që Rama të bjerë në sy te Trump, duhet që Trump ta shohë Ramën si instrument që i vlen, duhet që Trump ta shohë Ramën si dikë të ngjashëm.

Në Europë i kanë keq punët Merkel, Macron, May, etj., që janë kundërshtarë, në një farë mënyre, ose që përfaqësojnë identitete dhe ide që ‘fryma Trump’ po i vë përpara. Ambasadori amerikan në Gjermani, Grenell, tha disa kohë më parë se administrata Trump do të përkrahë më shumë ato forca politike të djathta dhe konservatore që ngjajnë me idetë e Republikanëve, që janë në pushtet në SHBA. Vihet re që Trump është më afër me Orban në Hungari, me Moravieckin në Poloni, me Johnsonin në Angli etj.

Rama e di shumë mirë që presidenti Trump e ka ndaluar (me urdhër ekzekutiv) lobimin te zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, dhe kështu e vetmja mënyrë është të bëjë veprime, të tregojë zell të fortë në mënyrë që të bjerë në sy. Ai duhet të jetë duke e vuajtuar shumë faktin që votoi kundër shpërnguljes së ambasadës amerikane në Jeruzalem. Por, atëherë ai ende nuk kish vendosur të ndërrojë lëkurë. Rama bëri çmos, me lobim në Kongres, por ishte shumë e vështirë. Rama pagoi kompaninë Ballard (është e njohur publikisht si kompani që ka klient Ramën) në mënyrë që të kishte një mundësi takimi me Trump. Aq e tmerrshme ishte sa që një takim në këmbë (i krijuar nga Ballard) që u bë në një samit të NATO-s në Europë, as nuk u fotografua, në mënyrë që Rama ta shëtiste si trofe në shtypin tonë. Për takimin njoftoi në Tuiter kongresmeni nga Florida Gaetz. Kongresmeni nuk ishte në samit. Ballard, që punonte me Gaetz, i kërkoi Gaetz që të njoftonte se Rama takoi Trump. Gaetz eshte një kongresmen shumë konservator, shumë i respektuar, ndoshta më konsevatori në SHBA, shumë anti Soros, dhe është çmenduri të mendosh që ai përkrah Ramën. Ai nuk ka as me te voglin vlerësim për Ramën, por e bëri njoftimin në Tuiter (kaq, asgjë) për Ballard.

Duke qenë kështu (i vështirë lobimi) kryeministri Rama duket se ka rënë dakord të mbështesë ndërhyrjen e serbëve dhe gjetjen e gjuhës mes tyre dhe një pjese të administratës Trump, sidomos këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Bolton, për të ndryshuar kufijtë e Kosovës. Duhet thënë se, zyrtarisht, SHBA nuk është shprehur pro ndryshimit të kufijve. Bolton është shprehur për të gjetur një marrëveshje të cilën, po të binin dakord palët, ata do ta pranonin. Bolton është një diplomat shumë i njohur, i cili tezat e tij i ka qëndrime ideologjike, dhe jo pasojë lobimi. Ai është një njeri shumë serioz. Shumica e Republikanëve dhe e administratës Trump nuk i fryjnë ndryshimit të kufijve. Pra, asi më i madh që ka gjetur Rama të bjerë në sy te Trump është Kosova.

Këtu ka një paradoks. Rama ka ide kozmopolite, nuk do t’ia dijë farë për tezat nacionaliste. Kulturalisht ai e neverit nacionalizmin. Mirëpo, ideologjikisht ajo që përfaqëson Trump është e lidhur me nacionalizmin. Kështu, Rama do të rrisë, siç po i rrit, tonet nacionaliste. Do të dalë më shumë me flamur në dorë, do të takojë qeverinë e Kosovës, do të shajë kundërshtarët se po dëmtojnë Kosovën, do të marrë ministra nga Kosova etj. Ky është paradoksi i njeriut pa ide politike. Rama po përdor gjuhë nacionaliste për të bërë si Trump, por po përkrah ndryshimin e kufijve, që është një qëndrim jo nacionalist, vetëm sepse kështu mund të bjerë në sy te Trump apo të fitojë pëlqimin e tij.

Pak ditë më parë kryeministri Rama dëboi ambasadorin iranian nga vendi. Ai mori menjëherë vlerësimin nga Shtëpia e Bardhë. Atë veprim do ta bënte kushdo. Do ta bënte Basha, Nano, Berisha, Meta etj., por Rama u kujdes me anë të shtypit të krijojë idenë se ai është njeri që e do Trump. Nën këtë dritë bëhet edhe njohja e presidentit të vetëshpallur Juan Guaido.

A ngjan Rama me Trump, siç duan të thonë disa njerëz të Ramës, ose siç kërkon të thotë vetë Rama? Dhe, a ka mundësi që Rama të “fitojë zemrën” e Trump?

Së pari, siç e thamë, Rama është gjëja më larg Trump nga pikëpmaja kulturore dhe e asaj që përfaqëson. Vërtet presidenti Trump debaton me gazetarët në konferenca shtypi, vërtet presidenti Trump i quan shumë media ‘fake neës’, por kjo nuk do të thotë se Rama është si ai, meqë Rama i quan mediat ‘kazan’ apo meqë Rama debaton me gazetarët.

Ka një dallim të thellë. Rama kontrollon plotësisht, si kryeredaktor, televizionet më të mëdha dhe portalet më të rëndësishme. Vetëm Tv Shijak dhe Tv Fax Neës nuk janë me Ramën. Vetëm portalet Politiko.al, Syri.net, nga portalet me rëndësi, nuk janë me Ramën, ndërsa presidenti Trump ka kundër ashpërsisht CNN, CBS, ABC, NBC, PBS, Neë York Times, Ëashington Post, LA Times, Boston Globe, USA Today etj. Gati të gjitha mediat e mëdha janë kundër Trump.

Pra, Rama i fyen dhe i quan ‘kazan’, në një kohë që është edhe kryeredaktori i tyre, ato e mbrojnë gjithë ditën, me to ai shplan trutë e njerëzve ndërsa Trump debaton dhe iu thotë disave “lajm i rremë” kur i ka të gjitha kundër.

Rama përpiqet të flasë kundër mënyrës si janë bërë gjërat në të kaluarën, përpiqet të bëjë si zëdhënës i njerëzve kundër institucioneve apo pedagogëve, nëpunësve, ministrave, opozitës etj. Duke bërë kështu ai mundohet të duket si një trumpist, duke qenë se Trump ka folur për “të tharë kënetën”, ka folur për të bërë punë dhe për të ndryshuar gjithë mënyën se si deri tani gjërat janë bërë keq.

Në fakt, Rama ka 21 vite në politikë. Ai është bërë ministër Kulture në vitin 1998. Rama ka 6 vite si kryeministër dhe 11 vite si kryetar i bashkisë më të madhe të vendit. Rama ka ardhur në politikë dhe është sjellë si njëri nga ata që ishin aty ose njëri nga ata që drejtonin. Rama nuk mund të thotë pas 21 vitesh politikë dhe pas 6 vitesh kryeministër se do të “thajë kënetën” se do të bëhet me njerëzit dhe se do të ndryshojë mënyrën si bëhet politikë.

Presidenti Trump ka dy vjet president dhe ka rezultate mëdha në “tharjen e kënetës”. Ai nuk lejon asnjë nga amdiminstrata në hyjë në kontakte lobimi. Bëhet fjalë për lobim të ligjshëm dhe jo lobim të krimit apo trafikut të drogës sicc ndodh me Ramen.. Presidenti Trump nuk ka propozuar për anëtar të administratës ndokënd që vjen nga krimi apo trafiku. Do ishte çmenduri. Në këtë kuptim Rama është thjesht një anti Trump.

Sa i takon rezultateve Rama në 6 vite ka dështuar në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në punësim etj. Presidenti Trump për dy vite ka mbajtur çdo premtim. Ndryshoi marëveshjen e tregtisë me Kanadanë dhe Meksikën, ndryshoi marrëdhëniet tregtare me Kinën, uli papunësinë në nivele rekord të cilat nuk ishin kurrë në 30 vitete e fundit. Presidneti Trump zhvendsi ambasadën nga Tel Aviv ne Jeruzalem. Presidneti Trum ndërmori uljen më të madh të taksave në 24 vitet e fundit. Presidenti Trump premtoi të mundë ISIS dhe e bëri. Presidenti Trump. Presidneti Trump premtoi të gjejë nëj zgjidhje për Sirinë dhe ajo është sot më e qetë. Presidenti Trump premtoi të detyrojë vendet e NATO-s të paguajnë më shumë dhe e bëri. Presidenti Trump premtoi të dalë nga marrëveshja e emëtimit të gazit nqs nuk mbrohet interesi amerikan dhe e bëri etj. Ai ka vetëm një premtim të pambajtur. Nuk ka ndërtuar murin me Meksikën dhe kjo sepse Demokratët nuk e lejojnë.

Po premtimet e Ramës? 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, luftë krimit, administratë me meritokraci etj. Rama në 6 vite qeverisje e ka çuar borxhin publik në 80% po të përfshijmë PPP-të duke i shtuar vendit një nyjë të madhe në lakun që i merr frymën.

Është e pamundur që të rezonojnë valë me gjatësi apo me frekuenca kaq të ndryshme, ose më keq që sulmojnë njëra-tjetrën. Rama dhe Trump janë kaq larg…sidomos po të mendojmë si e ka quajtur Rama atë: fatkeqësi për SHBA-në. Është e kotë edhe përpjekja me njohjen e Guaido-s. Është e kotë dhe futja në rrymën që kërkon ndryshimin e kufijve me Kosovën. Është e kotë edhe marrja e termave apo e qasjeve Repubkliane. Asgjë nuk do të vlejë. Një gjë në kalbëzim nuk ka kthim.

© Politiko

Facebook Comments