Nga Edmond TUPJA

Për të dytën herë, brenda pak kohësh, zonja Kushtetutë e Republikës së Rraskapitur të Shqipërisë krijoi një përplasje midis zotit Kryeministër dhe zotit President. Kjo përplasje u bë objekt debatesh, analizash e parashikimesh, të cilat, në shumicën e rasteve, patën një emërues të përbashkët ose konvergjuan, të paktën, drejt të njëjtit përfundim: Si në rastin e mosmiratimit fillestar të kandidaturës së ministrit të Brendshëm aktual zotit Sandër Lleshaj, ashtu edhe në atë të mosmiratimit të kandidaturës së zotit Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, zoti President krijoi përshtypjen, madje bindjen, se po mbron Kushtetutën, pra, ligjin themeltar të shtetit të shkalafitur shqiptar përballë përpjekjeve kryeneçe të kreut të qeverisë për t’i imponuar atij, pra, edhe Kushtetutës, praninë e vet ankthiogjene, për të ngadhënjyer kudo e kurdoherë, me çdo kusht e me çdo çmim, për të pasur përherë të drejtë, pa u zbythur para përdorimit makiavelik të çdo mjeti me synim që të qëndrojë në pushtet aq sa dëshiron ai dhe jo aq sa do ta lejonin faktorët objektivë e subjektivë në situatat e sotme e në ato të ardhshme.

Ndryshe nga si vepron me qeverinë, në gjirin heterogjen të së cilës zoti Kryeministër shpalos pa pikë druajtjeje apo ngurrimi subjektivizmin e tij patologjik, duke nxjerrë me një krenari absurde edhe ligje të paligjshme, me Kushtetutën ai nuk mund të luajë kukafshehtas, as “ngriva, shkriva”, as “e ka kush e ka”, as “ta lashë” dhe aq më pak “gomari është ngarkuar, i zoti nuk e sheh”. Pikërisht kështu i kam kuptuar në thelb, këtë javë, argumentimet dhe përfundimet e mençura të disa analistëve seriozë e të ditur, prandaj nuk do të futem në stërhollime intelektualiste, por do të përpiqem, të nderuara lexuese e lexues të respektuar të kësaj rubrike të përjavshme, të hedh modestisht njëfarë drite vetëm mbi fjalën “kushtetutë” aq të lakuar e të stërlakuar këto ditët e fundit në mediat e shkruara dhe ato elektronike.
Së pari, më tërheq vëmendjen fillimi i fjalës “kushtetutë”, pra dy rrokjet e saj të para: “kushte”. Unë nuk jam etimolog, nuk merrem me zanafillën e fjalëve, çka në shqipe e kanë bërë më së miri Eqerem Çabeji dhe Kolec Topalli, ndër e madje përmbi të tjerë gjuhëtarë. Kushtetuta, pra, përcakton qartë disa kushte të cilat nuk mund t’i shkelësh, as t’i anashkalosh, si priret ta bëjë haptas zoti Rama.

Së dyti, duke dashur t’i imponojë zotit President të Republikës vullnetin e tij, zoti Rama, si pragmatist i përkryer që është, kërkon të nxjerrë përfitime politike në shërbim të egos së tij të frikshme, tek e cila mbështet etjen për pushtet, gjë që, po të realizohej, do të shtrembëronte fjalën “kushtetutë” duke i ndërruar, oh, thjesht një shkronjë, atë të parën, dhe, për rrjedhojë, do ta kthente kushtetutën në “pushtetutë”, ku pjesa “pushtet”, po ta ndanim më dysh, do të na jepte “pusht” dhe “et”. “Pusht”, sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), është ai që shkon pas femrave, i cili quhet gjithashtu gruar ose kurvar, por kjo fjalë ka edhe një kuptim tjetër që përdoret po aq rëndom në të folmen e përditshme të bashkatdhetarëve të mi, ajo ka, sipas të njëjtit fjalor, kuptimin “maskara”, fjalë kjo, e cila, ndonëse ka tri germa që formojnë një fjalë erotike, shënjon dikë “të pacipë e të poshtër”. Nga ana tjetër, fjala “et”, që përdoret në veri të vendit tonë si sinonim i fjalës “etje”, është në origjinë të foljes “etem” në kuptimin “më merr etja” (shih fjalorin e lartpërmendur), çka kumbon në mënyrë fort domethënëse, po të kujtojmë etjen e pafund të zotit Rama pikërisht për “pushtet”.

Së treti, po t’i shtojmë fjalës “pushtetutë” shkronjën “r” pas shkronjës nistore, na shfaqet fjala “prushtetutë”, çka, krejt natyrshëm, na rikujton etjen e llahtarshme për pushtet që po e përvëlon si prush Edi Ramën, i cili, siç e ka pohuar vetë faqe botës, do të largohet nga pushteti kur të dojë vetë dhe jo kur të duan disa njerëz të tjerë. Mirëpo, pikërisht këtu lind pyetja: Po sikur shumica e shqiptarëve të kërkojnë, përmes zgjedhjesh vërtet të lira, që Edi Rama të largohet nga pushteti?

Së katërti, falë shndërrimit të fjalës “kushtetutë” në “pushtetutë” e më pas në “prushtetutë”, vërejmë se këto tri fjalë kanë për emërues të përbashkët mbaresën “tutë”. Mirëpo, “tutë”, po, po, “tutë”, seç ka një si kumbim erotik, seç më kujton turbull një fjalë me katër rrokje, e cila, ashtu si tri fjalët e sapopërmendura në krye të këtij paragrafi, sidomos si fjala “prushtetutë” që fillon me “p” e vazhdon me “r”, më kujton fjalën… fjalën… (o lexuese e lexues të sinqertë, ndihmomëni ta gjej këtë dreq fjale)… më kujton e ju kujton, na kujton të gjithëve fjalën…, fjalën… “prostitutë”! E tmerrshme!

Sidoqoftë, pardje nderi i Kushtetutës u vu deri diku në vend, falë dekretimit që Presidenti i Republikës i bëri zotit Kryeministër si ministër i Jashtëm, kështu që, siç thotë frëngu, tout est bien qui finit bien, pra, gjithçka është mirë kur përfundon mirë dhe kësisoj, Kushtetuta jonë, në dukje e virgjër, mbeti e paprekur, e panjollosur dhe e respektueshme, veçse për sa kohë, këtë ende nuk e dimë, prandaj opinion ynë publik, ai i shqetësuari, duhet ta mprehë vigjilencën dhe të reagojë në kohën e duhur me qëllim që ajo, e gjora Kushtetutë, të mos trajtohet si prostitutë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here