Nga Pano SOKO

Së shpejti do të kemi një rishikim të ligjit të pensioneve, për të rritur përsëri moshën e pensionit – ose e shprehur me fjalët sexy të propagandës, do të kemi një “Reformë të Re të Skemës së Pensioneve”.
Kjo është një disfatë e rradhës që vjen si pasojë e dështimit. Ne rrisim, e rrisim moshën e pensionit, sepse baza kontribuese ulet e ulet., sepse kemi dështuar.
Në 28 vjet kemi dështuar të krijojmë një shtet ku shqiptarët të jetojnë me dinjitet, të krijojnë familje e rrisin fëmijë; ku ekonomia të bëjë hapa para e të rritet, ku njerëzit të punojnë e të paguhen mirë e për pasojë të paguajnë kontribute shoqërore që iu mundëson të moshuarve të marrin një pension dinjitoz dhe jo lëmoshë sepse kanë kontribuar për këtë vend; dhe ku nuk jemi të detyruar që çdo 5 vjet të bëjmë reforma pensionesh për të rritur moshën e pensionit, me idenë që ata që përfitojnë pension të jenë sa më të paktë.
Do vijë një ditë kur njerëzit më përpara do vdesin, sesa do marrin pensionin.
Ne dështuam t’i jepnim vetes sonë shtet dhe për pasojë shqiptarët ikën dhe ikin në masë.
Sa më shumë ikin shqiptarët, aq më pak lekë ka shteti në dispozicion për pensionet. Prandaj çdo 5 vjet ndërhyjmë te skema e pensioneve dhe rrisim moshën e pensionit.
Dhe ky është vetëm fillimi. Me 6 mijë lindje në tremujor që ka arritur Shqipëria, unë parashikoj që kur të shkoj unë dhe bashkëmoshatarët e mi në moshë pensioni, skema do ta ketë çuar moshën e daljes në pension 100 vjeç, me shpresë se ne do vdesim 99 vjeç që mos marrim asnjë ditë pension.
Kjo është gremina ku jemi duke rënë.

Jo rastësisht kam përdorur fjalën “Ne kemi dështuar”, sepse këtë dështim ia atribuoj gjithë shoqërisë, jo vetëm një krahu politik, apo një tjetri. Sepse kur dështon për 4 vjet, faji është i mazhorancës, kur dështon për 8 vjet faji është i klasës politike, kur dështon për 28 vjet faji është i shoqërisë që nuk arriti të nxjerrë një klasë politike të hajrit.

PS.Dje te Besart Kadia nuk isha dhe fort i qetë, sepse këtë çështje e konsideroj si letale për ekzistencën ose jo të këtij shteti…

Facebook Comments