Nga Indrit VOKSHI

Gjithkush mund të pyesë veten i habitur se pse komunistët kudo në botë i përkushtohen universitetit publik ndërkohë që ideologjia e tyer justifikon krime shumë të mëdha?

Habia konsiston në pyetjen; si ka mundësi që dashamirësia për dijen (universitetin, sepse universiteti përfaqëson dijen) ia del të bashkëjetojë brenda këtyre mendjeve me justifikimin për të eleminuar pluralizmin, zgjedhjet, sipërmarrjen e biznesit etj?

Sepse në të vërtetë nuk ka asnjë dashamirësi për dijen si të tillë dhe lidhur me të nuk ka asnjë grimë urtie dhe asnjë dashamirësi për njeriun si njeri (themeli i dijes ky është).

Njeriu për ta është thjesht mjeti i cili duhet transformuar mendërisht në atë mënyrë që t’i shërbejë çuarjes përpara të ideologjisë dhe vendosjes së sistemit ku asnjë njeri nuk ekziston si njeri por vetëm si mjet, askush nuk respektohet si njeri e të gjithë individët janë zero pas njëshave drejtues të komunizmit. Ata, grupi i ndritur i komunistëve flasin, sepse ata e dinë, ndërsa të tjerët heshtin dhe binden. Dhe prej kësaj premise lind dhuna kundër atyre të cilët nuk heshtin, kundërshtojnë, nuk pranojnë dorëzimin e pronës private apo rrogës tek shtetit të cilit prona dhe rroga i duhen për të ndërtuar shoqërinë e majtë socialiste.

Lenini në fjalimin e tij drejtuar Lidhjes së të Rinjve Komunistë, fjalim i shpërndarë në Pravda në tetor të vitit 1920 shprehet:

“Vetëm përmes ripërpunimit radikal të mësimdhënies, organizimit dhe trajnimit të rinisë ne do të jemi të aftë për të siguruar që përpjekjet e gjeneratës së re do të rezultojnë me krijimin e një shoqërie e cila do të jetë e ndryshme nga shoqëria e vjetër – shoqërisë komuniste”.

Ripërpunimi i mendjeve përmes mësimdhënies dmth ripërpunim i mënyrës se si njeriu do ta shohë dhe interpretojë botën. Për ta bërë ketë iu duhet të kapin universitetin publik. Iu duhet që kurikulën, fjalorin, termat, emrat e gjërave dhe ngjarjeve, emrat e njerëzve e gjithçka t’i përcaktojnë ata. Në mënyrë që bota të shikohen nga ajo pikëpamje e cila atyre iu intereson. Kushti i parë ky.

Kushti i dytë është që të mos ketë universitete të tjera përveç universitetit publik. Universiteti publik i kapur prej tyre do të ketë monopolin e shpërndarjes së “dijes” në një shoqëri, pra ekskluzivitetin e përpunimit dhe ripërpunimit të mendjeve.

Se po pati universitete private, universitetet private mund t’i edukojnë të rinjt me të tjera pikëpamje dhe këtu lind një pengesë në rrugën për krijimin e asaj shoqërisë komuniste që Lenini synonte. Po ta shohim, as Enver Hoxha nuk lejonte universitete private sepse smund të lejohej që njerëzit të edukoheshin në një mënyrë tjetër të kundërt me edukimin komunist. Madje në kushtetutën e vitit 1976 tek “ARSIMI, SHKENCA,KULTURA” në nenin 32 e 33 sanksionohet:

“Shteti zhvillon një veprimtari të gjerë ideologjike e kulturore për edukimin komunist të punonjësve, për formimin e njeriut të ri. Shteti kujdeset në mënyrë të veçantë për zhvillimin dhe edukimin e gjithanshëm të brezit të ri në frymën e socializmit e të komunizmit.”

Prandaj komunistët kudo kanë kompozuar një sulm frontal kundër universiteteve private. Universitetet private nuk i prekin ata drejtpërdrejt, nuk iu prishin asnjë punë. Çfarë problemi ka? Nuk beson tek universitetet private, nuk shkon për të mësuar tek ata dhe kaq. Logjikisht nuk ke pse i sulmon. Mirëpo këtu nuk ka vend për logjikë.

Universitetet private duhen sulmuar, etiketuar, denigruar sepse ato kërcënojnë monopolin e universitetit publik në shpërndarjen e dijes. Ato kërcënojnë që rinia të mësojë e të latohet me pikëpamje të tjera e të kundërta me ato që Lenini predikon. Njejtë siç edhe feja sulmohet po për këto arsye.

Pra problemi është tek prishja e monopolit, tek bërja më e vështirë e rimodelimit të mësimdhënies ashtu siç Lenini predikon në fjalimin e tij. Dhe kjo është e papranueshme. Të gjitha shkollat duhet t’i kenë komunistët, “armën” që quhet universitet duhet ta kenë vetëm ata dhe pasja nga dikush tjetër e një arme të tillë është arsye për ta sulmuar.

Komunistët nuk kanë asnjë dashuri për universitetin dhe as dijen si të tillë. Universiteti është thjesht mjeti për t’i modeluar mendjet e njerëzve sipas interesave politike për të përmbushur qëllimin e vërtetë; krijimin e një shoqërie komuniste. Gjithçka tjetër e cila nuk i shërben këtij qëllimi, duhet të sulmohet.

MIrëpo – mund të pyesë ndokush – të gjitha universitete ketë qëllim kanë, modelimin e mendimit, pse rimodelimi i tyre qenka i keq e i të tjerëve jo?

Sepse nuk është se komunistët duan të ndërtojnë një universitet privat, ta financojnë vetë dhe prej aty të përpiqen të rimodelojnë mendjet e njerëzve. Ata synojnë ta kapim e ta marrin nën pronësi një universitet që financohet nga buxheti i shtetit që dmth nga taksat e punës së sipërmarrësve. Të detyrojnë sipërmarrësit që tua paguajnë atë universitet, pra tua paguajnë rimodelimin e disa mendjeve të cilat nesër do të dalin e të predikojnë se si sipërmarrësi është i keq e duhet taksuar aq shumë derisa të zhduket. E paralel me ketë të mos lejojnë që të ekzistojë asnjë universitet tjetër, privat i cili përhap pikëpamje të tjera.

Kështu synohet diktatura e mendjeve dhe aplikimi i mësimeve të Leninit të cilat shqiptarët patën rastin ta njihnin nga viti 1945 deri në vitin 1990 dhe që po e shohim sot se sa trauma kanë prodhuar e si i kanë deformuar e dhunuar mendjet e njerëzve.

Facebook Comments