Nga Gavrosh LEVONJA

Sa herë më ndesh syri emrin e Shaban Qoses në ndonjë shkrim, nuk hezitoj në asnjë rast të lexoj ç’ka shkruhet për të. Kjo, për arsyen e thjeshtë se ai gjatë gjithë viteve 60-të, përfshi dhe fillimin e dhjetëvjeçarit që do të vinte më pas ishte njëriu më popullor në Tiranën e atyre viteve, aq sa dyqani i tij, në rrugën e Kavajës ishte shndërruar në një qendër pelegrinazhi, ku një pjesë vinin për ta ngacmuar duke u kënaqur me mënyrën e tij të të reaguarit, në kohën që kishte dhe nga ata, të cilët vinin vetëm të shtyrë nga kureshtja. Për më tepër duke qenë se kaloja një pjesë të mirë të ditës në dyqanin e tij, mund të them se isha ndër ata të cilët e njihnin disi më tepër se ata që vinin për ta ngacmuar. Dikur në kohën e Italisë, një nga tregtarët më të suksesshëm, do ta mbyllte aktivitetin e tij në një dyqan të vogël fruta zarzavatesh, duke mbetur i fundit nga privatët e tjerë kur shteti komunist ndaloi aktivitetin privat në tregti. Mirëpo, kur të vihet turma, edhe më i zgjuari, më i pasuri a më i forti, zor se mund të mbetet normal. Jo pak njerëz, duke e njohur përciptas apo vetëm “me të dëgjuar” gojë pas goje nga të tjerë, përdorin shprehjen “është bërë si Shaban Qosja”, edhe në ato raste kur nuk i përshtatet individit apo veprimeve e mënyrës së të sjellurit të tij. Këtë mund të them edhe për një shkrim të ditëve të fundit të titulluar, në mos gaboj “Si Shaban Qosja”. Nuk po merrem me pasaktësi të tilla si “një shitës ushqimor që kishte një veçanti fizike që çunat e Myslym Shyrit ja vinin çdo ditë në pah…” Pasaktësi pasi Shabani nuk ka qenë kurrë një shitës ushqimor. Në dyqanin e tij që ndodhej në rrugën e Kavajës tregtonte vetëm fruta-zarzavate dhe kurrë ndonjë artikull ushqimor si fjala vjen oriz, makarona, vaj, kafe… E dyta, fenomeni “Shaban Qosja” apo nëse mund të quhet “shabanqosizëm”, e pati zanafillën në fillimin e viteve 60-të për të kulmuar në fundin e dekadës në fjalë, pra, në një kohë kur jo që nuk mund të bëhet fjalë për “çunat e Myslym Shyrit” po vetë rruga me këtë emër nuk ekzistonte. Nëse patjetër do duhej folur për “çuna”, këta mund të ishin “çunat e rrugës së Kavajës, të rrugës “Him Kolli”, të rrugës së Xhafve, të rrugës së kishës (katolike), rrugës “Islam Alla”. Tjetra është se nuk dihet që të jetë marrë në polici e aq më pak “t’i jetë zbutur kurrizi” ndonjërit nga ata që ngacmonin Shabanin. i vetmi rast, ka ndodhur në fillim të nëntorit të vitit 1966, kur zhvillohej kongresi i 5-të i PPSH. Në njërën nga këto ditë drejtori i athershëm i policisë së Tiranës, Qemal Balluku, ndërsa kalonte në rrugën e Kavajës, duke parrë grumbullin e djemve përballë dyqanit të Shabanit, por pa e pasur idenë se ç’po bënin, zbret nga “Gaz-I” i fut nja dy shpulla njërit, i shpërndan dhe largohet. Pas asaj dite për disa kohë, askush nuk ksihte qejf t’i krijonte bela vetes dhe Shabani, duke u ndjerë fitimtar mbi ata që e ngacmonin dilte tek dera e dyqanit duke u thëne: “Ho me ku ini, pse s’shani…”
Ajo që më interesonte në shkrimin në fjalë ishte se cili ishte personi a personaliteti që ishte “si Shaban Qosja”. Bëhej fjalë për presidentin e Republikës së Shqipëtrisë, Ilir Meta. Ajo që e vendoste presidentin e vendit në pozitat e Shaban Qoses ishte “gërricja” siç konsideroheshin rastet e mosdekretimit nga zoti Meta të dy emrave të propozuar nga kryeministri; dikur i njeriut që do të zevendësonte Fatmir Xhafajn dhe tani pasardhësi i Dimir Bushatit. Por, në këtë rast, nuk ka vend për të bërë paralelizëm me shitësin privat të rrugës së Kavajës, pasi në fund të fundit kemi të bëjmë me një përplasje president-kryeministër në një përpjekje të vazhdueshme për të fituar terren. Për “shabanqosizëm” mund të flitej vetëm nëse Meta do të “gërricej” me të gjithë siç ndodhte me Sh. Qosen. Nëse dikush dëshironte të krahasonte një politikan aktual me të, ma do mendja se rasti më i përshtatshëm është as më shumë e as më pak, po vetëm kryeministri i Republikës së Shqipërisë. Eshtë ky ai që “gërricet” me kundërshatrët e tij në parlament, me gazetarët e “kazanit” që nuk janë në unison me të, madje deri dhe me njerëz të rëndomtë (kadrinjtë) nëpër rrjetet sociale, kur i përmendin realitetin jo të lakmueshëm shqiptar. Jo vetëm kaq, po ky kryeministër, e ka aq të theksuar sindromin e “shabanqosizmit” sa që nuk nguron të “gërricet” dhe me zyrtarë e institucione ndërkombëtare, pa përmendur politikanë të vendeve fqinje, të cilët “nuk i ka për gjë”. Ngjashmëri midis Shabanit dhe Edi Ramës ka dhe përsa i përket etiketimeve ndaj atyre që nuk i pëlqenin si dhe përdorimt të batutave. Po të kem kohë që të risjell në kujtesë batutat e krahsimet e tij për persona të ndryshëm, nuk ka çudi që të jetë pak a shumë në nivelin e kryeministrit. Dikur, kur Shabani kishte dalë nga skena, duke mos qenë më objekt argëtimi për rininë e Tiranës, gjenim ndonjë që demonstronte dëshirën për t’u ngacmuar me të tjerët dhe e cilësonim si “Novi Tata”. (Tatë ishte trajta faniljare e Shabanit). Sot për sot “Novi Tata” (nuk di të ketë ndonjë tjetër që mund t’i afrohet më shumë Tatës), është kryeministri Edi Rama, i cili, gjë që nuk është për t’u çuditur krijon dhe vetë situata konfliktuale më shtresa të ndryshme të popullsisë vetëm për t’u gërricur.

Facebook Comments