Nga Dalip GRECA

PJESA I

“Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, është një libër që ka në qendër figurën e meshtarit, që në emër të Zotit i shërben popullit dhe Atdheut të tij. Binomi Fe e Atdhe, është bashkëudhëtari i dom Antonit, qysh atëherë, kur ai fëmijë në moshën e lodrave iu afrua Kishës e iu përgjigj zërit të brendshëm, për të qenë shërbestar i Zotit dhe bari i grigjës kristiane.
Libri, që kemi ndër duar nga bashkëpunimi i dy penave, ajo e Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinovës. Duke qenë se Tomën e kemi pjesë të komunitetit dhe besoj, se secili prej nesh e njeh atë, më duhet të paraqes Klajdin, i cili, është një mysafir i komunitetit.
Nuk po dal jashtë librit, as njohjeve të mia personale nga bashkëpunimi në Shqipëri, por po ua paraqes përmes asaj ç’ka shkruhet në libër.
Tashti erdhi radha e shfletimit të librit: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”. Vlerësimin po e them që në fillim. Është libër i mrekullueshëm në gjininë e vet, atë të monografisë.
Këtë e them jo që duhet thënë nga që kështu thuhet në shumicën e rasteve të tilla, edhe kur librat nuk janë të arrirë.
Në të vërtetë libri që kemi në dorë, i plotëson të gjitha kushtet për të qenë i tillë, për të merituar përgëzimin i mrekullueshëm.
Libri në fjalë, është punuar me shumë profesionalizëm, me shumë dashuri e përkushtim; një libër që i krahasuar me një ndërtesë, ta zemë me kishën e re, që po përfundon don Antoni në Detroit, ndër më të mëdhatë në SHBA, i ka themelet e forta. Kjo lëndë duket se ka qenë e bollshme.
Penat edhe pse kanë qenë dy, duket se nuk kanë stonuar, por si një pend bujqish ka mbjellë në tokë të shkrirë, e ka përdorë farë të shëndetshme, edhe frytet do të ishin të tilla.
Përpara se të shkruanin librin, bashkëautorët në gazetën kombëtare Shkodra botuan 12 seri artikujsh me të njëjtin titull, botim që nis me 15 nëntor 2001 dhe vazhdon deri në fund të janarit 2002. Sidoqoftë tjetër është gazeta dhe tjetër është libri. Në libër, materiali ka marrë tjetër formë dhe është meritë e autorëve, që libri është tërheqës dhe i ka shpëtuar skematizmit strukturor të monografisë klasike.
Stili i të rrëfyerit është shumë i këndshëm. Përmes faqeve të librit rrjedh një jetë e vrullshme, ku ka lindje, vuajtje, mbijetesë, sakrifica, dhimbje që kapërchen, kurthe, që ngrihen për të thyer njeriun e Zotit, por ai i udhëhequr nga motive të larta, të shenjta, arrinë që të gjejë forca për t’iu menjanuar. Jeta që rrjedh në libër, është e vrullshme dhe të ngjan me një lum, që rrjedh jo nëpër fusha të qeta, por mes shkëmbinjsh të thepisur.
Kjo është sa meritë e autorëve, që kanë ditur të organizojnë materialin, por them me bindje, pa zhvlerësuar mundin e tyre; se mbi të gjitha meritë ka don Anton Kçira, njeriu i Zotit, jeta e të cilit ka qenë e tillë, plot të papritura, plot vështirësi e kurthe, por ai ka kapërcyer pasi në rrugën e mundimshme, ai është udhëhequr nga parimet e larta të ndershmërisë dhe përkushtimit.
Nuk është për t’u çuditur, që ai ka zgjedhur sfidat për të kapërcyer provat, që i janë vënë në rrugën e gjatë. Ai shkonte atje, ku, të tjerët trembeshin vështirësive, dhe refuzonin të shërbenin, ai diti që të jetë fitues mbi të gjitha provat, që Zoti dhe njeriu, i miri dhe i keqi i vunë përpara. Asgjë nuk behet vetëm, unë kam dalë fitues, sepse gjithmonë kam siguruar mbështetjen e besimtarëve, shprehet me modesti don Antoni.
Populli ynë ka një shprehje, që thotë: “Dardha mbin nën dardhë”. Kjo ka vlerë edhe për rastin e personazhit kryesor të librit, që po diskutojmë, i cili, përbën boshtin kryesor të monografisë, don Anton Kçira. Ai rrjedh prej një familje atdhetare, e cila, i është përkushtuar çështjes kombëtare.
Vetë don Anton Kçira shprehet, se hija e meritave i takon babës më ka ndihmuar shumë në jetën time, sidomos në Kosovë.
Autorëve, u ka ardhur në ndihmë fakti i ekzistencës së dorëshkrimit të babait të don Antonit, i cili, ka vlera jo thjeshtë për fatin e familjes dhe fisit Kçira në rrjedhat e kohës, por edhe për të ndriçuar fatet e historisë sonë kombëtare.
Kjo është arsyeja pse unë mendoj, se monografia nuk ka vlerë thjeshtë personale, ajo nuk kufizohet vetëm në fatin e një familjeje ose të degëve të saj, as të një famullie, libri merr karakter përgjithësues, gjithshqiptar. Jo vetëm pse don Antoni dhe familja e tij i lëshuan rrënjët nëpër të gjitha hapësirat shqiptare, por se në faqet e librit kapërcehen çështjet personale dhe përmes tij lexuesi kapërcen kufijtë: shkon në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, SHBA, Austri, Francë, Vatikan, Kroaci, Slloveni etj., kudo ku, flitet për çështjen shqiptare e ku, vendosen fatet e kombit. E tillë, është figura e klerikut të përkushtuar, që kemi sot mes nesh.

Famullitari i kishës së shën Palit në Detroit, MI, dom Anton Kçira së bashku me dom Pjetër Popaj dhe bashkautorët: Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova, në kishën Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, New York, gjatë promovimit të librit monografik: “Dom Anton Kçira, sherbestar i Zotit e i Atdheut”, New York, 2002.

PJESA II

Autorët e librit, gjejnë shkas dhe sjellin dukuri e ngjarje historike të kombit tonë, që fatin e pati kundër gati për një shekull. Nuk ishte më koha e Versajës, ku, tokat shqiptare qenë hedhur në pazarin e të mëdhenjve, si copa për të shuar oreksin e fqinjëve ortodoks. Por fundshekulli i shkuar ishte ndryshe, me ndihmen e Zotit, Shqipria kishte Amerikën për vete.
Pavarësisht se fati vendosej prap atje, në Francë, ketë herë shqiptarët, nuk ishin më të pafatë, raca më e vjetër e rajonit, pasardhësit e ilirëve, do të pësonin rilindjen e madhe pas një shekulli stërmundimi e vuajtjesh; nga njëra anë komunizmi dhe nga ana e tjetër represioni serb.
Kosova, do të dilte prej zinxhirëve te skllavërisë dhe do të ngadhënjente mbi robërinë gati një shekullore. E pra, shqiptarët do të fitonin luftën me armikun shekullor. Sipas autorëve Mrijaj dhe Kapinova, por dhe sipas logjikës, Evropa po kthente me vonesë diçka nga borxhi i vjetër.
Me pak radhë, autorët arrijnë që të japin një kuadër të plotë historik, falë një stili konçiz, ku, fjalët janë përdorur me kursim, por në ato pak faqe duket se nuk mungon asgjë.
Por ç’ne don Antoni me ketë kuadër historik? –do të pyeste ai që ende nuk ka patur fatin ta ketë lexuar librin. Përgjigja është e thjeshtë: Ka dy arsye: e para, se Pashk Kçira, babai i don Antonit, ka qenë një pesonazh aktiv i atyre viteve të pas Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria dilte në ankand dhe përmes shënimeve të tij, ka përcjellë fakte, mizori dhe represion; por nga ana e tjetër, i biri i tij; don Antoni, ishte pjesëmarrës në ngjarjet në fund të (vitit 1999) shekullit, i takoi fati që të ishte një personazh aktiv, atje në Rambuje, ku vendosej fati i Kosovës.

Nga e majta në të djathtë: Klajd Kapinova, Ismet Berisha Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1962) me qendër në New York, famullitari i kishës së shën Palit në Detroit, MI, dom Anton Kçira, dom Pjetër Popaj famullitar i kishës Zoja e Shkodrës në NY, studiuesi Tomë Mrija dhe editori Dalip Greca, në Qendrën Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, NY, gjatë promovimit të librit monografik: “Dom Anton Kçira, sherbestar i Zotit e i Atdheut”, New York, 2002.

PJESA III

Duke qenë një shërbestar i Zotit, don Anton Kçira, ka shërbyer dhe ka lënë gjurmët e urtësisë dhe devocionit të tij nëpër famulli, duke qenë se ai, është po aq edhe një shërbestar i Atdheut, nuk ka veprimtari, që i është kushtuar çështjes së Atdheut, ku, të mos jetë shfaqur prania e tij, a të mos jetë ai boshti i këtyre veprimtarive. Të gjitha këto janë përshkruar me hollësi në libër.
Në kreun e parë, autorët janë marrë me pëshkrimin e jetës së babait të don Anton Kçirës, intelektualit Pashk Kçira, gjakovarit, që nuk kurseu asgjë për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Kjo pjesë është një dritare, ku, mund të mësosh historinë jo vetëm të një fisi, por dhe historinë shqiptare të atyre anëve.
Duke qenë se Klajd Kapinova është një studiues i zellshëm dhe përveç gjeografisë dhe historia, është lëmi i tij, ai arrin përmes dëshmive të ofroj me kujdes fakte historike, arrijnë të dshmojnë e kujtojnë Evropës plakë borxhet e vjetra ndaj Shqipërisë.
Më pas përshkruhet historia e fisit Kçira, gjatë shekujve, duke e mbështetur shumë në dorëshkrimet, që ka lënë intelektuali me detyrën e nëpunësit; hyrja e trupave serbe më 1 shtator të vitit 1912 në qytetin e Prizrenit dhe situaten e Pashkut dhe nënës së tij Marijes në ato vite shumë të vështira.
Autorët, me argumente dhe dëshmi të sakta historike përshkruajnë një histori të trishtuar, që mori përmasa diplomatike nga vrasja e një frati, dhimbje e cila shkaktoi brengë të thellë në të gjithë popullin e Kosovës.
Shumë i rëndësishëm, është momenti historic kur babai i dom Antonit, shpreh dëshirën që të behet prift, por në libër, lexuesit mund ta mësojnë se si zhvillohen ngjarjet dhe pse ai nuk mundi të bëhet prift dhe se këtë dëshirë të tij, do t’ia plotësojë me përkushtim dhe thirrje të brendshme nga Zoti, i biri don Antoni shumë vite më vonë.
Familja si një bërthamë e rëndësishme e jetës, edhe për familjen Kçira solli gëzime dhe hidhërime, të cilat, shoqërohen me vetë jetën e njerëzore, dhe se autorët Mrijaj & Klapinova, kanë zbardhur me mjeshtëri gjithë historinë e fisit Kçira dhe familjes së re, që në këtë rast ishin nëna Marie dhe Pashku, të cilët, pasi martohen gjatë jetës së tyre do të kishin shumë gëzime me lindjen e fëmijëve, midis të cilëve dhe meshtari i ardhshëm dom Anton Kçira.
Në kreun e dytë, përshkruhet jeta e dom Antonit, nën kapitullin: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”. Aty do të gjendet gjithçka nga jeta e tij, fëmijëria dhe devocioni për fenë e krishterë, përsekutimi ose bariu shpirtëror i ri don Anton Kçira dhe Shqipëria, nën shpatën e përsekutimit atesito-komunist gjatë vitit 1967 e në vijim; mesha e parë dhe copëza jete në Gllogjan, shqetësimet e meshtarit, dhe kur ai për herë të parë veshë petkun e priftit dhe çon meshën e parë kushtuar Zotit.
Shumë domethënëse dhe të rëndsishme, të mbarsur me një informacion dhe stil narrative janë pjesët interesante të titulluar: “Kisha e shën Ndout në Gllogjan dhe meshtari i ri”, “Krishtlindja e parë në Gllogjan”, “Viti 1973 dhe shqetësimet e meshtarit për kishën e Gllaviqicës”, “Ndërtimi i kishës së Gllogjanit”, “Meshtari i përkushtuar mes vëllezërve të Krishtit gjatë vitëve”, “Takimi me papa Palin VI në Romë, në vitin 1975” apo përkujtimi çdo vit të festës së flamurit në Detroit.
Shumë interes duhet të ketë zgjuar për lexuesit, sikurse edhe për mua pikërisht fjalimi i deshtuar në Rambuje të Francës, arsyet e së cilës, ai i shkoqit përmes opinionit të tij dhe të atdhetarit dhe biznesmenit të nderuar z. Pashko Gojçaj, i cili, thotë se don Antoni, duhet të ishte lejuar që të mbante fjalimin e tij, sepse edhe ai kishte bërë me mijëra kilometra për të ardhur nga Amerika në Rambuje të Francës.

Famullitari i kishës së shën Palit në Detroit, MI, dom Anton Kçira, duke dhenë intervistë gazetarëve Klajd Kapinova & Gasper Marku, Detroit, 2002.

PJESA IV

Vend të veçantë në monografinë e bashkëautorëve Mrijaj & Kapinova, zë edhe botimi në mënyrë autentike i të gjithë letërkëmbimeve, që ka pasur ky personalitet i madh me figurat politike në Shqipëri dhe presidentët e saj, ish Presidentin Sali Berisha dhe Presidentin Rexhep Meidani, letrën e rëndësishme dërguar Atit të Shenjtë papa Gjon Pali II në Selinë e Shenjtë në Vatikan, e shumë evenimente të tjera, që shumë mirë, për herë të parë janë zbardhur në librin voluminoz.
Autorët, me kujdes kanë seleksionuar e sjellë në faqet e librit edhe copëza jete nga kalvari i gjatë i bariut shpirtëror don Anton Kçira, që asnjëherë nuk u lëkund në besimin e tij, edhe kur djajtë i vinin pengesa të pakapërcyeshme.
Duke qenë një atdhetar i mirë, ai ishte një kundërkomunist i vendosur dhe një kundërserb i betuar. Të dyja këto, ishin të mjaftueshme, për të qenë i padëshirueshëm për ata; çka do të thotë se në rrugën e tij si shërbestar në vreshtën e Zotit, ai do të ndeshej gjithmonë me ata, qoftë ballazi, por shpesh nën hije; ku ata nuk dukeshin.
Në mëse 30 faqet e librit, lexuesi ka mundësi, që të marrë informacion për familjen në përgjithësi dhe babain e dom Antonit, sit ë gjithë intelektualët e tjerë do të ishte i padëshiruar për komunistët. Ata, do t’i vinin prangat dhe do ta plasnin në qeli. Përmes faqeve të librit, ne bëhemi shoqërues të dom Antonit, çka e ka bërë të mundur shfrytëzimi i shënimeve të Pashk Kçirës.
Autorët, nuk harrojnë që të shënojnë gjithçka, që lidhet me jetën dhe veprën e njeriut të përkushtuar, i lindur katër netë pas ditës së shenjtë të Shën Antonit, më 17 qershor 1939, ai do të ruante këtë emër. I lindur në Gjakovë, fëmija i mbarë nuk do të ndahej nga shtëpia e Zotit, kisha. Madje ai qysh fëmijë i vogël, u lidh pazgjidhshmërisht me kishën, ndihmonte meshtarët, duke u afruar gjithnjë e më shumë me barinjtë shpirtërorë. Fëmijëria e meshtarit të ardhshëm ishte e trazuar. Atij i qëlloi që të lindte në kohë luftë. Ja se si e përcjellë ai në shënimet e veta:
“Linda në Gjakovë, më 17.06.1939. Sikurse shihet nga viti, ky ishte vit i kobshëm për Evropën dhe një kohë shumë e vështirë për fëmijërinë time. Në atë kohë, babain e kisha kryetar të komunës në Brekoc. Por, kjo nuk zgjati shumë dhe situata ndryshoi. Shpërtheu Lufta e II Botërore. Edhe mua, si vogëlush i kësaj kohe më ra hise të humbas babain për tre vjet e gjysëm, duke mos ditur se a është gjallë.
Partia bolshevike i likuidoi intelektualët duke i vrarë, apo duke i mbytur në mënyrë mizore dhe shpesh duke i futur në dhe në bregun e Erenikut, ku, ne si fëmijë shkonim për të marrë vesh, se cilin kishin mbytur, sepse nuk i varrosnin krejt. Shumë herëi i gjenim pjesët e trupit, që kishin mbetur jashtë dhe në këtë mënyrë, zbulonim, se cilin kishin varrosur…”
Mendoj, se është një tablo e plotë, e cila në pak rreshta na ofron kuadrin e plotë të asaj lufte të çmendur, që shpëtoi botën nga mortaja nazifashiste, por fatkeqësisht me një çmim shumë të lartë, përveç viktimave njerëzore dhe shfarosjes masive, la gati gjysmën e botës nën pushtimin komunist.

Në Shtëpinë e Bardhë, Prill, 1996

PJESA V

Po cili ishte shtegu që e çoi don Antonin tek Zoti?

Fëmija me emrin Anton Kçira, kishte kohë që kishte filluar të përkundej në ëndërrën e bukur, për të ecur në rrugën e Zotit e për t’u bërë bari shpirtëror. Vetë ai shkruan: “Dhe vendosa se dëshiroj që t’ia kushtoj jeten time meshtarisë. Pasi erdhe në Shkup, fillova të shpreh dëshirën, por babai nuk donte të më dëgjonte. Unë kisha dhe një vëlla tjetër më të vogël, i cili, kishte filluar më parë me folë, se donte të shkonte për t’u bërë meshtar dhe babai e kishte lejuar, ndërsa mua jo. Në këtë situatë filloi të bisedoi me meshtarin në mënyrë që të binte babain tim që të më plotësonte dëshirën e vullneses së Zotit.
Unë filloi përpjekjet drejtpërdrejtë me famullitarin dhe sekretarin e ipeshkvit, që ata t’me ndihmojnë. Dhe kjo luftë për të bindur babain zgjati disa kohë, derisa me në fund babai e kuptoi se unë e kisha seriozisht. Te nesermen shkuam bashkë tek Ipeshkvi i Shkupit imzot dr. Franjo Çekada dhe më lajmëroi me dëshirën time se unë dua të bëhem meshtar”.
Pas kësaj don Antoni, në fillim shtatorin e vitit 1957, do t’i bashkohej seminaristëve në Ister, në shkollën e Pazin- it në Kroaci.
Dhe nga ky moment, autorët e librit, kanë përcjellë gjithçka nga jeta në seminar, shërbimin ushtarak, kthimin dhe përfundimin e shkollës, vijimin e studimeve të larta filozofike e teologjike. Një rrugë e gjatë e meshtarisë, që e ka zanafillën më 31 korrik të vitit 1967, ku, don Antoni fillimisht caktohet ndihmësfamullitar në kishën e “Zojës Rruzare” në Bishtazhin.
Që në hapat e para meshtari i ri ndjeu ftohtësinë e komunizmit dhe pengesat që i vinte në rrugën e Zotit. Ai do të provonte këmbnguljen penguese të ateistëve që në hapat e parë të shërbesës dhe do t’i ndjente këto edhe këtu në ShBA, në vendin e demokracisë, ku, komunistët UDB-së dhe Sigurimi shqiptar kishin bërë investimet e veta.
E shumë interesante, se don Antoni, duket sikur vështirësitë i ka kërkuar vetë, e nxjerr këtë përfundim pasi kam shfletuar librin. Pse shprehem kështu: në shumë raste, ai përballet me ata që pengojnë.
Ata i thoshin jo, ai nuk tërhiqej, por gjithnjë gjente një derë, për të shkuar tek qëllimi i mirë që kishte: ata i ngrinin një kurth, ai jo vetëm se nuk binte brenda tij, por gjente mënyrë për të rënë vetë ata brenda atij kurthi.
Dje e pyeta don Antonin, sesa kisha kishte ndërtuar në jetën e vet? Përgjigja e tij, e pasqyruar dhe në libër, ishte se qysh në emërim të ri, që ka marrë, ai ka filluar nga ndërtimi i një kishe.
Kisha, ka ndërtuar në vitin 1967 dhe sërisht Kisha po ndërton edhe sot në vitin 2002, ku, sëshpejti ndoshta në ditën e shenjtë të shën Palit dhe shën Pjetrit do të përurojë kishën e re, kushtuar popullit besimtarë të malësorëve kreshnikë të bjeshkëve shqiptare.
Autorët e librit, kanë ditur që të përcjellin me detaje vështirësitë, që i janë dashur të kapërcejë ai nëpër Malësi, ku, shpesh mungonin dhe rrugët dhe kushtet e tjera të domosdoshme, ku, mezi grumbullonte fondet, pa llogaritur vështirësitë e kapërcyeshme të regjimit ateist e antishqiptar, që vinte një mijë pengesa, për të mos ndërtuar kishat shqiptare.
Në 34 vjet shërbim meshtarak don Antoni, vetëm ka ndërtuar, madje edhe sot, në vitin e 34 të shërbimit si bari shpirtëror i grigjës së vet, ai është ende duke ndërtuar. Dhe ka ndërtuar një mrekulli, që nuk e gjen kudo, as edhe në ShBA. Por në numërin e shumtë të kishave, që ka ndërtuar, nuk harrohet as ajo e para, ku ai nisë të japë kontributin e vet. Eshtë fjalë për kishën në Bishtazhin, e cila, kur shkoi don Antoni kishte 6 vjet që zvarritej.
Meshtari u lidh me Karitasin në Vjenë dhe përmes tyre siguroi lidhjet me Karitasin zvicerian, i cili, do ta ndihmonte edhe në ndërtimin e kishës së Gllogjanit, një objekt kishtar model, për kohën dhe për sot. Edhe në Gllogjan ashtu si në Bishtazhin, edhe në Guci, në Mal të Zi, don Antoni do të ndërtonte. Këtë herë me një projekt të veçantë, ai rregulloi varrezat dhe ambientet përreth kishës.
Por vështirësitë më të mëdha don Antoni do t’i kalonte në Gllogjan. Ai kujton, se kur u emërua në Gllogjan, të njohurit e pyesnin: “Çfarë paske bërë që të paskan emëruar në Gllogjan?!” Ndërsa një tjetër shprehte habinë: “Ah, ku të paskan emëruar!”
Këta zëra don Antoni i hidhte pas shpine dhe ecte në rrugën e Zotit. Më 16 nëntor të vitit 1970, ai u vendos në Gllogjan. Gllogjani me kushtet e vështira, me besimtarë jo shumë të edukuar në rrugën e Zotit, ku, një pjesë edhe në ditë festash të shenjta preferonin të shkonin për tregti e jo të shkonin në kishë, -është një përvojë që tregon zotësinë e meshtarit, i cili, kombinoi fjalën e mirë me paralajmërimin ndeshkues, ku, ai do të paralajmëronte: “Kush do të shkojë gjatë ditëve të festave të urdhëruar, pas ditës së sotme, do t’i mallkoj…”
Sjellja e episodeve të tilla nga autorët e librave nuk e cenojnë personalitetin e njeriut të Zotit, përkundrazi, ata tregojnë vendosmërinë e tij, për të edukuar grigjen dhe për t’i kthyer ata në rrugën e Zotit. Po gjithandej kishte besimtarë të mirë, si ai djali i vogël, që duke i dërguar pak rrush në momentin e sapo mbërritjes, apo ai fshatari, që i afroi menjëherë tokën e tij për të ndërtuar kishën.
Kështu u hap zemra bujare e don Antonit dhe e popullit bujar të Gllaviqicës. Ende sot don Antoni, e ka të freskët bujarinë e atij fshatari, që i tha: “Urdhno lum zotnia, unë ta lëshoi 1 hektarë tokë dhe eja nderto kishën tonë.”
Bashkëautorët e librit, sjellin herë pas here fragmente, që të ngjallin emocion të thellë: “Mbrëmë kemi qarë prej gëzimit që të solli Zoti ty, se ne, në të vërtetë, nuk kemi pasur meshë si duhet. As për predikim mos na pyet…” Shprehje të tilla, të besimtarëve të Gllogjanit, dëshmojnë përkushtimin dhe mjeshtërinë e predikimit të bariut të porsaardhur të Zotit.
Se çfarë hoqi don Antoni deri sa hoqi tullën e parë për ndërtimin e kishës, do të duhet medoemos që të shfletosh faqet e librit. E rëndësishme është, se shërbestari, nuk u tërhoq kurrë para vështirësive, të cilave, gjithmonë ua gjente shtegun, se ku t’i kapërcente. Edhe kur ai fshatari i inatosur do t’ia kthente i nevrikosur: “Zotni, vetë e ke prishur, vetë ndreqe”, njeriu i Zotit do të gjente forca për ta kaluar të keqen.
Vetë don Antoni kujton, për këtë ngjarje të pazakontë: “M’u errësua gjithçka ato çaste, sapo dëgjova këto fjalë të rënda dhe të them të drejtën u shqetësova shumë, mbasi ai nuk më fyeu vetëm mua, por të gjithë burrat që kishin një qëllim të përbashkët fisnik. Aspak nuk e dalloja përsonin, që lëshoi ato fjalë tundimi, që më lëndoi në shpirt.”
Por ai e kaloi gjithçka me gjakftohtësi e urtësi. Ndoshta ky episod ishte më i lehtë, se ato që kishte kaluar don Antoni, me përfaqësuesit e shteteve nëpër zyra, që nuk i hapnin rrugë, për të nxjerrë lejen e ndërtimit të objekteve kishtare. Kishte raste, kur paratë nuk mjaftonin dhe ai me mendje e gjakftohtës zgjidhje të veçanta dhe tepër origjinale në formën e tyre.
Për të paguar punëtorët, do të shes kalin (që i kishte zënë ahri (haurin) për të fjetur, mbasi gjysma e vendit ishte e priftit dhe gjysma e kalit), për të paguar tjetrin punëtor, do të shiste menjëherë radion, të vetmin mjet që e lidhte me botën në një vend të largët, ku, gjendej ai i izoluar nga të gjitha drejtimet.
Por Zoti, kishte vendosur, që të bënte mrekulli me don Antonin dhe kështu kishte marrë si dhuratë zgjidhje të tjera, dhe në këtë mënyrë meshtari i gëzohej shumë mundit, që po derdhte për të ndërtuar shtëpinë e Zotit për të gjithë besimtarët.
Don Antoni, siç ishte një shërbestar i denjë e i përkushtuar ishte gjithashtu edhe një atdhetar i vendosur. Sot të gjithë, që jemi këtu e të tjerët më vonë, do të shfletojnë me kujdes librin e bashkëautorëve Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova.
Kështu don Antoni, do të jetë përfaqësues me delegacionin e Këshillit Kombëtar Amerikan Shqiptar gjatë një udhëtimi, që do të ndermerrnin ata në vitin 1999, apo meshtari i Detroitit don Anton Kçira gjatë një udhëtimi në Kosovë në vitin 2001.
E rëndësishme dhe shumë sinjifikative mbetet shoqërimi, që ky meshtar i bën ipeshkëvit të Kosovës, Shkëlqësisë së Tij imzot Mark Sopit, gjatë vizitës në shtetin Baltimor, në Washinton D.C., duke e paraqitur në një Konferencë Ndërkombëtare të Ipeshkvijve, duke ngritur të dy së bashku çështjen e Kosovës.
Kumtesa kushtuar poetit kombëtar atë Gjergj Fishtës, është një kumtesë me të vërtetë nacionaliste dhe fetare, mbasi ai në 130-vjetorin e përkujtimit të Fishtës, kishte menduar dhe organizuar një manifestim jubilar shumë të rëndësishëm, ashtu sikurse e meritojnë figurat dinjitoze të kombit tonë.
Fjala që don Antoni, ka mbajtur gjatë meshës në përkujtim të ngjarjes tragjike këtu në New York më 11 shtator 2001, në Qendrën Botërore të Tregtisë në Manhattan, ka qenë një moment sa prekës aq edhe solidariteti me Presidentin e ShBA–së z. George W. Bush, duke i përcjellë nga elteri i kishës të shën Palit e shën Pjetrit në Detroit ngushëllimet e sinqerta, në emër të besimtarëve shqiptaro-amerikanë.
Edhe gjatë pjesës së fundit të kreut të dytë, lexuesit mund të shohin edhe disa aspekte të rëndësishme, që autorët Mrijaj & Kapinova, kanë mundur t’i zbardhin me gjuhën e fakteve historike, kur shkruajnë, se don Antoni organizon festivale pranë kishës së Shën Palit e shën Pjetrit në Detroit, apo pritja dhe përcjellja sipas traditës shqiptare të gjithë personaliteteve politike, kulturore, biznesmenë, kongresmenë e senatorë amerikanë.
Pritja dhe fjalimi para Presidentit të Shqipërisë Rexhep Meidani, është vërtetë një takim i rëndësishëm dhe problemet, që ngre don Antoni, janë një shqetësim i të gjithë komunitetit shqiptar këtu. Ai, kishën e shën Palit e shën Pjetrit, e ka kthyer në një Kosovë dhe Shqipëri në miniaturë, mbasi aty ka gjithçka shqiptare.
Kapitulli i dytë, mbyllet me një vizitë baritore dhe vëllazërore pranë arqipeshkvisë së Tivarit e takimi me Shkëlqësinë e Tij arqipeshkvin imzot Zef Gashin dhe me meshtarë të tjerë. Kreu i tretë dhe i fundit, trajton shkrimet dhe vlerësimet, që janë bërë për figurën e don Anton Kçirës nga media shqiptare dhe amerikane, duke përzgjedhur, në këtë mënyrë një pjesë të rëndësishme në këtë libër.
I rëndësishëm, për don Antonin, sikurse del edhe nga shfletimi i librit kushtuar atij, është kontributi, që ka dhënë qysh në vitin 1989 në Detroit, për ndalimin e gjakderdhjes në mes të besimtarëve shqiptarë, pajtimin e gjaqeve sëbashku me prof. Anton Çettën, sikurse ulja e numërit të kurorave të prishura në familjet shqiptare në Amerikë.
Të gjitha këto dhe të tjera që lamë pa përmendur, janë ato që i japin konture të plota monografisë të përgatitur me mjeshtëri profesionale nga bashkëautorët Tomë Mrijaj nga New Yorku dhe Klajd Kapinova nga Shkodra.
Shfletoni librin dhe do të shihni, njeriun e Zotit tek shkruan e shkruan, presidentëve të ShBA-së, shtetarëve të Shqipërisë, Selisë së Shenjtë në Vatikan, për gjithçka që e shqetëson popullin shqiptar. Atje, ku, ka plagë, atje shkon të mjekojë don Antoni. Ai ishte në Kosovë, ku, zbrazej vendi, në demostratat, ku, denoncohej dhuna e genocidi serb, në Maqedoni, ku, luftohej për shumë të drejta.
Tashmë don Antoni, është një figurë e denjë e shqiptarizmës së kulluar, një klerik i denjë i prelatëve të hershëm katolikë shqiptarë, që gjatë shekujve kanë bërë, që emri i Shqipërisë të jetë Shqipëri, duke qenë një vijues i saktë i udhës, që përshkuan prelatët pararendës denjësisht.

Me Presidentin Clinton

Fjalimi i pambajtur në Rambuje

Pavarësisht, se nuk iu dha mundësia, që të zbraste shpirtin në tubimin e Rambujesë në Francë, po sjellin këtu fjalimin emocional, që kishte përgatitur me aq kujdes don Antoni:
“Kosovë, jemi së bashku, si në vuajtje ashtu edhe në fitore. Armiku po dëshiron përmes dezinformacioneve të veta për të na përçarë. Ai asnjëherë nuk ka mundur dhe as që ka për të mundur ndonjëherë për t’ia arritur qëllimit.
Deklaratat e drashkoviqave mos të trazojnë, se ai ka harruar apo nuk e kanë informuar, se fshati Nepolje në Lugun e Baranit e kanë bërë hi e pluhur, fshatin Nec Ujmir, gjithashtu hi dhe pluhur, por jo vetëm shtëpitë, por kanë vrarë edhe njerëz në Meqe, Vraniq, Junik, Trav, Ujmir Nashec, Guskë, Korenic etj. etj.
Deri sa këto ditë po na qepet këmisha, për të dytën herë në këtë vend, ku, në fillimin e këtij shekulli, ju ba padrejtësi e madhe popullit shqiptar, duke e ndarë në grimca fatin e tyre.
Ky popull fisnik, sot po përjeton dramën e diskriminimit dhe katastrofës humanitare në trojet tona shumë shekullore.
Kjo dramë, po shfaqet në format nga më brutalet ndaj fëmijëve tanë, vendeve tona, si pasjë e sulmit të armikut shekullor, që po e përdhunon traditën tonë të bujshme kombëtare, duke i përbuzur dhe gjërat më të shenjta të tij siç kanë qenë dhe janë ende sot: nderi, tradita, historia e më në fund edhe vetë jetën tonë.
Lufta për ideal na bashkoi sot këtu, që të ngrejmë zërin tonë të ndërgjegjës kombëtare kundra këtij fakti të hidhur, i cili, po shkakton kaq shumë ankth në tërë popullin tonë. Kjo është dëshmi më e qartë, pse ne jemi tashmë këtu një shenjë e qartë mbështetëse për vëllezërit tanë, që po zhvillojnë bisedime në Rambuje të Francës.
Të gjithë së bashku jemi tubuar këtu, kemi lënë punët tona, shtëpitë larg Atdheut dhe kemi marrë rrugët e botës, për t’u gjendur këtu të gjithë së bashku pa dallim feje dhe partie politike apo në cilin continent jetojmë. Por ajo, që është e rëndsishme, në këto ditë të mëdha të popullit tonë është se jemi të bashkuar më shumë se asnjëherë, për qëllimet e larta të popullit tonë të shumë vuajtur nën terrorin e egër serb.
Ne jemi bashkë, sikurse sot e përgjithmonë. Dhe ketë le ta dijnë shumë mirë Europa, se ne jemi të gjithë katolikë, të gjithë muslimanë dhe mbi të gjithë jemi të një kombi dhe shqiptarë.
Prania e juaj motra e vëllezër, dëshmon se diaspora është e lidhur ngushtësisht me Atdheun e vendlindjes dhe si gjithherë mbështet idealin e saj, që në ketë rast manifestohet në përpjekjet e tij, në luftën fizike, morale, shpirtërore dhe politike për liri dhe mirëqënie të nënqiellit shqiptar.
O Zot, çdo herë kur populli ta ketë kthyer shpinën e tij, Ju i ke lëshuar në dorë të pa feve, edhe kësaj radhe na ka gjetur ndëshkimi Yt, por bëj që të ndalet terrori në popullin tënd, të ndalen ato britma të foshnjave në djep, që kërkojnë të ushqehen dhe të pijnë qumesht dhe kurrësesi si ushqim të mos kenë plumbat dhe thikat e gjakatarëve serb.
O Zot, Ju i thatë Kainit, -së ku është vëllau? -dhe ai t’u përgjigj, -se nuk jam rojtari i tij, por Ju u përjgigjet, se zëri i tij erdhi në veshët e tu. A nuk i dëgjon britmat e djemëve në Junik, Loxh, Kodrali, Strellc, Deçan, Rahovec, Stubell, Panashec, Prekorub, Drenicë, Malishevë, Rogovë, duke i shkyer barbarët për së gjalli, duke i cunguar gjymtyrët e trupit, duke i masakruar ditën për diell si bisha të egra.
A nuk po dëgjon zërat e vajzave shqiptare, ku, serbët imoralë kanë keqpërdorë nderin e tyre, fisnikërinë dhe në fund i varrosin për së gjalli, për t’i humbur fekemin e tyre!
Ky është një krim i rëndë kundra njerëzimit, dhe se bota demokratike duhet te reagoj ashpër për drejtësi dhe paqe.
O Zot, a nuk po i dëgjon zërin e nënave kreshnike, që kanë humbur bijtë dhe bijat e tyre e nuk dijnë se ku i kanë!
O Zot, a nuk po i dëgjon zërat e të sëmurëve, që po rënkojnë rëndë dhe kërkojnë ndihmë dhe humanizëm njerëzor dhe nuk ka kush t’i jap atë ndihmë të nevojshme.
Ktheje fytyrën nga populli im shqiptar dhe shpëtojë nga tirani, që të ngrihemi dhe një herë me këmbët tona. Jepja edhe një shans këtij populli, i cili, ka për të dashur e nderuar në jetë të jetëve.
Bekoje këtë popull (popullin francez, shënimi ynë T. Mrijaj & K. Kapinova), që ka lënë çdo gjë vetëm e vetëm për të ndihmuar Kosovën martire, e cila prej vitesh vuan shumë.
Hapja zemrën Europës dhe Amerikës, që sot na përkrahin në keto caste historike, ku, do të varet fati I të gjithë shqiptarëve.
Ne së bashku bëjmë lutjen, që Grupi i Kontaktit (ndërmjetësit e huaj të bisedimeve, shënimi ynë), të jetë në anën e drejtësisë njerëzore, mos të verbohen nga trillimet e gënjeshtrat serbe, se gjoja: “Kosova, qenka tokë e shenjtë për ta dhe Djepi i Serbisë”. Kjo paska pasur shumë djepa, se edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia ishin “djepat” e saj, por ato kurrë nuk mbetën nën Serbi, ndersa ne shqiparët, sipas tyre qenkemi sllavë. Kurrësesi Jo! Zoti ju bekoftë!”
Dom Anton Kçira

Delegacioni nga SHBA, në Rambuje të Francës, 1999

Facebook Comments