Nga Adela RADOVANI

1•Kujdesu për të vërtetën

E vërteta është një abstraksion tipikisht human, një dukuri e cila në thelb nuk ka asnjë kuptim. Ajo mund të bëhet krejt e prekshme nëse i vihet një kontekst i caktuar. Psh, në një qytet të vogël, të vërtetat janë ato sekrete të njohura nga të gjithë të cilat përfliten e kurrë nuk pranohen mes të panjohurish. Këtu hyjnë tradhëtitë familjare, vënie pasurie të shpejtë, korrupsionet dhe mitmarrjet e deputetëve ose bashkiakëve të zonës. Në rrafsh nacional, e vërteta publike përbëhet nga një marrëdhënie midis opinionit publik dhe medias, plus një entiteti të tretë: rrjeti social. Mediat nuk janë kurrë të pavarura për sa kohë prej saj mbahen njerëz në punë e me rrogë, kurse rrjeti social, përkundër lëmshit, gabimit, zmadhimit dhe keqkuptimeve, është në thelb i ngjashëm me fjalët e tepërta të komshijeve e si të tilla, kanë më tepër të vërteta sesa mediat e regjistruara në zyra tatimesh. Edi Rama na drejtoi shikimin përtej kësaj, te zmadhimi mediatik i kazanit që ai quan gazetarinë profesioniste, për dy klikime më tepër. Kjo është e çuditshme për sa kohë pothuaj ASNJË media në Shqipëri nuk është e pavarur. Për sa kohë media e pozitës dhe opozitës dhe ngjyrimeve të mesta janë dukshëm të blera dhe të drejtuara për të treguar një cep të së vërtetës së madhe, Rama nuk ka pse i kërkon opinionit publik të mos i besojë atyre. Ai është drejtpërdrejt i interesuar që opinioni t’i dëgjojë dhe t’i besojë të gjitha të vërtetat e cungëta ose fare të stisura të medias. Në këtë rast pra, biem logjikisht në një të vërtetë tjetër. Rama nuk do prej nesh që të mos i dëgjojmë mediat. Rama do që mos të dëgjojmë rrjetet sociale.

2•Kujdesu për porositë e babës

Rama ka adoptuar prej kohësh një stil politikani paternalist, që i trajton të tjerët si të sunduar, si njerëz që duhet t’i binden, të presin copën e tyre prej punës së mirë që ai ka bërë dhe nëse nuk i bëjnë këto, do ta gjejnë veten jashtë rrethit. Të jesh jashtë rrethit në një shoqëri të sunduar është shumë e rrezikshme. Është pak a shumë si në një qytet të vogël, po të dëbuan, e po të njohën emrin gjetkë, do të duhet të jetosh në pyll me egërsirat. Po kjo është vetëm një shtresë e drejtimit të kryeministrit nga porositë e figurave të vjetra atërore.

Mos të harrojmë së pari, baballarët tanë në shumicë janë të rritur me kulturë frike dhe diktature. Këshillat kryesore që unë mbaj mend nga tim atë janë “mbaj gojën mbyllur”, “merr çfarë të mundesh dhe ik”, “mos i zër besë askujt”, “bindu ndaj autoritetit se ndryshe të këputet koka”. Baballarët si grup shoqëror janë ende të mbrujtur me këtë stil të menduari në komunitet. Dhe kjo Ramës i intereson.

3•Kujdesu për gjuhën e nënës

Për t’i dhënë dhe një ton nacionalist, ishim që ishim te baballarët, Rama na thotë që duhet të kemi kujdes për shqipen dhe bastardimin e saj. Faj kryesor për këtë e ka arsimi të cilin ai dhe paraardhësit e tij e degjeneruan në derexhenë që miku i tij Ardian Klosi do e kishte vuajtur. E tmerrshme por, ndoshta më mirë që nuk jetoi për ta parë.

Ne e futëm sërish gjuhën shqipe tha kryeministri, në fakt, gjuha ka qenë një lëndë që ka pësuar ping pongje të shumta në historinë e post-nëntëdhjetave dhe rezultati ka qenë po ai. Kjo sepse çfarë studiohet ka po aq rëndësi me “si” studiohet gjuha, si nxitet leximi dhe shkrimi e për më tepër, le ta themi. Një njeri që nuk di gramatikë e drejtshkim mund të jetë sërish një inxhinier i përkryer. Një mjek i shkëlqyer. Një infermier i dedikuar. Shumica e popullit NUK ka pse të jetë perfekt në gjuhë. Gjuha është një tjetër koncept abstrakt i cili pasurohet, kultivohet dhe rritet.

Një tjetër mundësi për këtë këshillë mundet të jetë dhe fakti që faqja Lolita. e ka pasur gjithnjë në vëmendje përdorimin e shqipes së rregullt, të paktën në përdorimin e gërmave ç dhe ë. Tentativë për kuller-llëk ndoshta, ose për të tërhequr ata pedantë jo të paktë në shtresat kinse intelektuale.

4•Kujdesu që edhe fqinjit t’i shkojë mbarë

Qeveria shqiptare herë pas here, të paktën në qeveritë e mëparshme, nxirrte VKM për lëshim fondesh speciale për kurime jashtë vendit të rasteve me kancer ose sëmundje të tjera të rënda. Këtë praktikë Sali Berisha e bënte tepër shpesh, një apel në media sillte me sekonda një VKM për shpëtim të jetës së njeriut të mjeruar. Që nga ardhja në pushtet të një partie të majtë, jo vetëm që këto fonde nuk jepen më, por janë shtuar së tepërmi emisionet që mbledhin para, bëjnë bamirësi dhe shpëtojnë jetë duke apeluar te publiku për fonde. Pra ka patur dukshëm një zhvendosje të bamirësisë shtetërore drejt asaj popullore.

Në thelb, edhe ajo që Berisha bënte kishte tepër të meta. Gjendja e spitaleve ishte e frikshme, e prapambetur, korrupsioni vlonte. Sot kemi një thellim të gjendjes por akoma më keq. Tashmë nuk mbahen më as ato dukje që, shteti, ka ndonjë interes për të mbrojtur shëndetin e njeriut që nuk ka mundësi financiare për t’u kuruar në spitale të shtrenjta të huaja. Tashmë pretendohet që ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin ndërsa paguajmë taksa të majme të përditshme. Që nga 1 janari ndërkohë ju kujtoj që edhe bankat do na marrin 100 lek për çdo muaj që përdorim kartat e tyre të debitit. Rregullat janë miratuar në përputhje me Bankën e Shqipërisë.

Greqia është një shtet që pësoi krizë të tmerrshme. Dhe çuditërisht ende në atë vend çdo shpenzim shëndetësor është i paguar. E imagjinoni dot një vend ku të japin 100 euro për syze optike nëse i ke me recetë? Unë nuk mundem ta besoj. Në Greqi shteti të paguan psikoterapinë, barnat, spitalet janë gjërësisht falas, invalidët përfitojnë para mujore për jetesë dhe ka shtëpi për të moshuarit ku të mund të mbarojnë jetët e tyre në qetësi. Sigurisht, Greqia është model i keq. Korrupsioni ishte i tmerrshëm dhe gërryu nga brenda një ekonomi të lulëzuar por grekët mësuan nga gabimet e tyre. Ata po rimëkëmben dhe ata e dinë rrugën drejt suksesit. Ata gjithsesi nuk i cënuan kurrë të drejtat për shëndet, edhe kur shkurtimet ndodhën në masë. Kjo është të qeverisësh në mënyrë të zgjuar, humanizmi nuk ka asnjë lidhje me çështjen.

5•Kujdesu për atdheun e fëmijëve të tu

Njeriu i thjeshtë nuk ka koncesione. Nuk ka naftë. Ndërkohë sipas rrjeteve sociale, ndotja në Tiranë është e niveleve të papara më herët dhe numri i të sëmurëve me kancer po shtohet si të ishte grip. Vetëm në familjen time, gjysmat po vdesin nga kjo sëmundje. Ndoshta Edi Rama do duhej të zbriste nga Surreli dhe ta ndjente pak aromën e plumbit në hundë. Ai e di, gjithsesi. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Në mos e di ai, ata që fitojnë nga nafta e shtrenjtë e këtij vendi, e dinë. Nëse ata e dinë, të gjithë e dinë. Kjo është pjesë e një të vërtete të frikshme që i paralizon shqiptarët në mosveprim.

Ironikisht, përmendet Gjermania prej Mamaqit, atdheu thotë ai është Shqipëria, jo Gjermania, aty ku linde fëmijët. Një apel diasporës me spont. Ndër mbështetëset më të forta të Ramës në fakt, për shkak të pamjes së tij tepër europiane në limitet e qesharakes. Por nuk është për t’i vënë askujt faj. Alternativat janë të bjerrura si tokë e harruar moti.

Kështu pra, 5 këshillat u puthën dhe u bekuan.
Lutem dhe unë që shqiptarët t’i ndjekin.

Facebook Comments