Nga Indrit VOKSHI

Në vitin 1967 Partia e Punës e Shqipërisë (sot PS) suprimoi profesionin e avokatit.
Nuk ka më avokatë – thanë – sepse avokatët prishin punë.
Partia e cila ka gjykatat, prokurorinë dhe hetuesinë, është pushtet i drejtë, ajo edhe e akuzon qytetarin po edhe e mbron nga akuza që vetë i ka ngritur.
A besojmë ne se partia është e drejtë? Po.
Atëherë kur besojmë kështu, si mund të mendojmë se kjo parti kaq e drejtë mund t’i bëjë padrejtësi qytetarit?
Në asnjë mënyrë.
Prandaj meqë partia e mbron vetë qytetarin nga padrejtësia që ia ka bërë po vetë, avokatët nuk mund të na përzihen nëpërkëmbë.
Këto janë çështje midis partisë dhe popullit.
Kështu me ketë logjikë qesharake dhe idiote u zhduk profesioni i avokatit.
Sot studentët janë ngritur kundër padrejtësisë që mendojnë se iu është bërë nga pushteti i partisë.
Dhe lideri i partisë së këtij pushteti, pasi ka lëshuar në sulm të gjithë të pavarurit e studiove televizive për tiu thënë shqiptarëve se asnjë parti dhe asnjë kryetar partie nuk mund tiu bashkohet studentëve, del dhe thotë se vetëm ai, kryetari i partisë në pushtet, ka të drejtë tiu bashkohet studentëve.
Pra njëlloj si në 1967, partia edhe ta shkakton padrejtësinë por edhe bashkohet me ty kundër padrejtësisë që ajo vetë të ka shkaktuar.
I gjithi ky operacion u zhvillua për të na mbushur mendjen se opozita politike është e padenjë për të udhëhequr kërkesat e studentëve, kështu që “meqë nuk ka opozitë”, partia në pushtet merr përsipër të jetë njëkohësisht edhe pushtet edhe opozitë kundër pushtetit të vet.
Regjimet totalitare këtë natyrë kanë kudo në botë.
Janë totalë.
Duan të jenë vetë edhe pushteti edhe opozita.
Edhe gjykata.
Edhe prokuroria.
Edhe shtypësi edhe i shtypuri.
Madje regjimet totalitare si ky, synojnë të jenë vetë edhe populli.
Regjimi është populli, regjimi e di se çfarë do populli ndaj çdo grupim i popullit apo çdo individ i cili nuk mendon si regjimi-popull, dikur shpallej armik i popullit, sot shpallet shpellar, çeçen, i prapambetur, anti-zhvillim që nuk do zhvillimin që po na dhuron regjimi.
Duan të na mbushin mendjen se nuk kemi nevojë as për opozitë, as për gazetarë, sepse partia dhe pushteti i saj na mjaftojnë për gjithçka.
Ata sundojë, ata marrin përsipër të bëjnë edhe opozitën në momentin kur njerëzit e kuptojnë se nuk po qeverisen por po sundohen dhe keqtrajtohen.
Dhe kjo opozitë që vetë pushteti ushtron kundër vetes, quhet “opozitë e moderuar”, opozitë korrektuese e cila ka synim ta përmirësojë sjelljen e partisë në pushtet, jo ta largojë partinë nga pushteti (thirrjet e neomarksistëve për protestë jopolitike, pasi nuk kemi gjë me kryeministrin).
Kjo sepse partia nuk mund të largohet nga pushteti, pasi cilido që do ta zëvëndësojë “është më i keq se partia” (kështu përpunohet opinioni).
Në çdo vend ku logjika demokratike funksionon, kryeministri nuk do mundej të dilte me protestuesit në protestë kundër pushtetit të tij, pasi njerëzit do t’i thonin ska nevojë, protesta ngrihet kundër teje, ke mjete institucionale për tu bashkuar me protestuesit; firmos kërkesat e tyre ose thuaj nuk ua firmos, nuk bëhet.
Por në Shqipëri mentaliteti totalitar i ka rrënjët thellë; këtu gjykohet opozita, gazetarët, çdo individ i cili flet dhe vepron kundër pushtetit, ndërsa pushteti gjykon, është gjyqtar dhe nxit turmat për gjykim dhe linçim.
Pasi pushteti totalitar synon ta diktojë edhe opozitën.
Në ketë kuptim Edi Rama, politikan me formim primitiv totalitar dhe shumë larg botëkuptimeve demokratike, nuk ka turp të deklarojë se do të jetë ai që do të protestojë kundër pushtetit të tij.
Sepse të tilla janë adetet e totalitarizmit prej të cilit e kanë prejardhjen ai dhe partia e tij.

Facebook Comments