Nga Red VARAKU

Asgjësimi i institucioneve të pavarura demokratike, gjunjëzimi i shtypit të lirë, kolapsi i Universiteteve dhe nënshtrimi i shoqërisë civile të cilat deri diku mbronin dhe i jepnin zë shqetësimeve të qytetarëve ka shkaktuar edhe vdekjen e revoltës brenda shoqërisë tonë. Vdekja e revoltës është një problem shumë herë më i madh sesa ardhja e demagogut Rama në pushtet për të dytën herë përmes blerjes së hapur të vullnetit të shqiptarëve për vetë faktin se Rama nuk përbën një anomali , ai është thjesht një simptomë e sëmundjes së një vendi ,i cili po shkon me rrapullimë ,drejt një kolapsi të plotë shpirtëror dhe ekonomik.

Pas njëzet e shtatë vjetësh pluralizëm politik jemi rikthyer në pikën zero , sërish kokulur dhe të gjunjëzuar përballë dhunës shtetërore të majtë dhe çuditërisht nuk ndjejmë më as një grimë revoltë .Rreziku më i madh për vendin nuk është krimi i organizuar ,gangsterrët , banditët dhe kriminelët sepse të tillë ka në çdo vend të botës duke filluar nga Italia , Spanja , Belgjika etj ,e duke përfunduar tek Hollanda parajsa e kokainës dhe marijuanës.

Rreziku më i madh për vendin është pikërisht vdekja e revoltës brenda shoqërisë tonë përballë “Aleancës së Injorancës me Pushtetin “,sepse kur injoranca bën aleancë me pushtetin ,ajo kthehet në armikun më të madh të demokracisë.

Vdekja e revoltës kundrejt intelektualëve publikë, financierëve , bankierëve, politikanëve, avokatëve, gazetarëve, biznesmenëve të cilët janë konformuar me këtë sistem , marrin privilegje dhe rroga të majme prej tij në këmbim të heshtjes.

Ata janë dorëzuar tërësisht por vazhdojnë të na shesin një ëndërr utopike të kapitalizmit çdo ditë, ndërkohë që i vetmi biznes që kemi parë të lulëzojë me të vërtetë këto vite është ai i kazinove dhe drogës. Sepse, të ashtuquaturit “Biznesmenë” ndër ne , nuk prodhojnë kapitalizëm ,përkundrazi ata janë kthyer thjesht në një mekanizëm ,që grabit pasurinë tonë ,për t’ia rishpërndarë më pas atë “një përqindëshit ”që na “udhëheq”.
Këta janë parazitët dhe tradhëtarët më të medhenj të vendit tonë (nëse do të përdorim gjuhën e Rilindjes së vërtetë shqiptare) dhe ky fakt nuk na revolton më.

Këta nuk janë gjë tjetër veçse “llumi” i ngritur në nivelet më të larta të qeverisjes dhe pushtetit. Por “llumi” tashmë është bërë i plotfuqishëm dhe vendos për gjithçka. Vendos për tenderat, vendos për paratë dhe pasuritë tona , vendos edhe për liritë dhe të drejtat tona madje edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe përsëri kjo gjë nuk na revolton.

Ata kanë nën kontroll drejtësinë dhe policinē, të cilën gjatë katër vjetëve e militarizuan deri në dhëmbë për të kapur ata më të pambrojturit ndër ne, ndërtuan sisteme survejimi dhe përgjimi shumë të sofistikuara me të cilat shantazhojnë cilindo dhe i mbyllin gojën gjithkujt që i kundërshton ,po ashtu kanë ndërtuar një sistem gjygjësor për ta përdorur si kamzhik dhe mjet presioni mbi qytetarët e pambrojtur dhe mbi cilindo që përbën kërcënim për pushtetin e tyre. E si mund të ndodhte ndryshe? Kur të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm nuk mund të kemi tjetër ,veçse një shtet mafioz dhe një ekonomi të kapur, por edhe kjo nuk na revolton.

Kjo kastë të inkriminuarish nuk rrëzohet ndryshe vetëm se përmes një revolte që duhet të shkaktojë frikë tek pushteti. Nëse nuk shkakton frikë ,çdo përpjekje për ta rrëzuar është e destinuar të dështojë. Vetëm frika nga humbja e pushtetit ( të cilin e adhurojnë më shumë se Zotin ) i vendos ata para përgjegjësisë dhe i detyron të reagojnë.

Rama dhe klani i tij i të 99-ve duket sot më moskokçarës se asnjëherë pikërisht se nuk ka më frikë se mund të humbë pushtetin ,por ç’është më e rëndësishme ai nuk druhet dhe nuk ka më frikë nga populli, nga revolta e tij ,nga ndëshkimi që mund t’i vijë prej popullit. Për të gjithë ata që akoma nuk e kanë mësuar ,politika është një çështje shumë serioze. Kurrsesi nuk mund t’ ia lëmë në dorë tradhtarëve , kllounëve dhe batakçkinjve, por nuk duhet të harrojmë kurrë, që ajo në rradhë të parë është një lojë frike dhe frika shkaktohet pikërisht nga revolta.

Lëvizja “me duar të pastra” në vitin 2005 shënoi edhe fundin e “lëvizjeve” të cilat mobilizonin masat kundër pushtetit mafioz të Fatos Nanos. Këto lëvizje ,të cilat deri në 2005 kishin shërbyer si nxitëse të një qëndrimi kritik ndaj sistemit ,e detyronin pushtetin të reagonte me pahir. Ato shërbenin dhe si valvula shkarkimi për tensionet shoqërore dhe politike ,sepse pushteti reagon vetëm kur ndjehet i kërcënuar.

Valvula shkarkimi të tensionit politik e shoqëror ishin edhe institucionet e pavarura si shtypi, shoqëria civile , universitetet të cilat zhvillonin dhe mbanin gjallë brenda sistemit një kritikë, e cila deri diku ndihmonte në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.Por këto valvula nuk funksionojmë më. Thirrjeve të ambasadorit amerikan për të mos kandiduar kriminelë dhe për të mos votuar kriminelë nuk iu përgjigj askush për shkak të kolapsit moral që ka pësuar shoqëria shqiptare dhe për shkak të gjunjëzimit dhe mungesës së revoltës.

E ardhmja duket më e errët se kurrë dhe shpresa sa vjen e shuhet . Një kastë e korruptuar e mbështetur nga organet shtetërore do t’i vërsulet pronave publike dhe burimeve natyrore për t’i shteruar ato tërësisht. Po jetojmë pikërisht muzgun ëndrrës perëndimore . I gjithë sistemi ekonomik është kthyer në një sistem parazitar. Ai është ndërtuar në mënyrë të tillë që të zhvasë punëtorët e keqpaguar. Filozofi i madh Emanuel Kant na pati paralajmëruar për këtë “ jeta e humb kuptimin nëse nuk ka drejtësi” shkruante ai.

Revolta është një nevojë shoqërore dhe një domosdoshmëri politike. Vetëm ajo e bën të mundur shpresën për një jetë më të mirë. Duke u gjunjëzuar përballë dhunës së pushtetit dhe duke mos reaguar kur cënohen liria, prona dhe të drejtat tona , do të mbetemi nën sundimin e kësaj kaste për një kohë të gjatë. Vetëm kur ngrihemi dhe kundërshtojmë një pushtet të inkriminuar dhe kleptokrat dhe i dalim në mbrojtje të drejtave tona ,ateherë ne kemi fituar.

Ne kemi fituar në momentin që pushteti ,jo vetëm respekton të drejtat e qytetarëve, por i frikësohet fort revoltës dhe qëndresës së qytetarëve.

Facebook Comments